BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Intervista e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko e dhënë për televizionin Klan Plus

Data e publikimit: 12.02.2018

 

Pyetje: Z. Sejko, në radhë të parë faleminderit për intervistën. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë ulur parashikimin për rritjen ekonomike në dy vitet në vijim. Po Banka e Shqipërisë çfarë parashikimi ka?

Guvernatori: Nga informacioni i disponuar, ne na rezulton që rritja ekonomike e gjashtëmujorit të parë ka qenë rreth nivelit 4%. Ne parashikojmë që në fundi i vitit 2017 të mbyllet me një rritje ekonomike rreth këtij niveli, ndoshta me një rishikim të lehtë për poshtë nga 3.9% deri në 4%. Kjo rritje ekonomike ka ardhur si rezultat i investimeve të brendshme, rritjes së konsumit dhe investimeve të huaja direkte në ekonomi, si dhe si rezultat i përmirësimit të bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, që do të thotë i rritjes së eksporteve kryesisht në sektorët e shërbimeve dhe të turizmit. Për dy vitet e ardhshme, ne parashikojmë që të ketë një vazhdim në trendin e rritjes ekonomike. Sipas modeleve dhe parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, ne parashikojmë që ekonomia do të kthehet në ekuilibër në harkun e 2-3 viteve të ardhshme, më konkretisht në vitin 2019. Gjithashtu, inflacioni do të shkojë në objektiv po në këtë vit. Kjo do të thotë që do të ketë më shumë premisa për rënien e papunësisë, për rritjen e punësimit dhe për zhvillimin e ekonomisë.

Natyrisht ne bëjmë parashikime. Kjo nuk do të thotë që parashikimi i Bankës së Shqipërisë merr të mirëqenë që kjo do të ndodhë, pasi ekonomia shqiptare do të përballet me shumë sfida, njëlloj si ekonomitë e vendeve të tjera të rajonit dhe të Eurozonës. Ne duhet të jemi të përgatitur për të vazhduar me reformat strukturore, jo vetëm ne si Bankë e Shqipërisë, por të gjithë aktorët që kanë ndikim në zhvillimin ekonomik. Duhet të ketë më shumë vëmendje dhe debat lidhur me çështjet ekonomike dhe më pak lidhur me ato politike, në mënyrë që të gjithë aktorët të jenë të orientuar drejt zhvillimit ekonomik të vendit. Ne si Bankë e Shqipërisë do të vazhdojmë politikën tonë monetare lehtësuese në mënyrë që t’i japim stimuj rritjes ekonomike dhe paralelisht me të do të vazhdojmë me politikat tona mikro dhe makroprudenciale për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend.

Pyetje: A do të plotësojë projekti 1 miliardë euro vakumin që do të krijojë TAP-i dhe HEC-i i Devollit, duke qenë se janë në fund?

Guvernatori: Këto dy projekte si dy investimet e huaja më të mëdha kanë planin dhe ciklin e tyre gjatë fazës së investimit, por duhet pasur parasysh që me përfundimin e këtyre dy projekteve të ardhurat e gjeneruara nuk do të mbyllen aty, por do të vazhdojnë pasi do të përfundojë cikli i ndërtimit dhe iinvestimit. Këto projekte do të gjenerojnë të ardhura në energji dhe në eksport. Normalisht ne i shikojmë si komplimentare investimet e huaja direkte të ndërthura me këto dy projekte, pra përfundimi i këtyre dy projekteve nuk do të thotë që ekonomia shqiptare do të stopojë. Ekonomia shqiptare do të vazhdojë rritjen e saj, kryesisht nga rritja e konsumit dhe investimeve të huaja dhe të brendshme. Sigurisht që investimet e huaja mbeten një nga sfidat kryesore të Shqipërisë dhe të rajonit. Thirrja e vazhdueshme që ne kemi bërë për ndërmarrjen e reformave strukturore dhe vazhdimin e atyre të ndërmarra për përmirësimin e mjedisit të përgjithshëm ekonomik në vend dhe klimës së biznesit do të bëjnë që pritshmëria dhe tërheqja e investimeve të huaja në vend të vazhdojnë të rriten. Ne parashikojmë që ekonomia shqiptare do të vazhdojë të performojë, pavarësisht nga cikli i investimeve dhe i ndërtimeve të këtyre dy projekteve.

Pyetje: Në çfarë sasie vlerësohet paraja në qarkullim jashtë bankave nëse keni shifra dhe çfarë rreziku përfaqëson?

Guvernatori: Paraja në qarkullim jashtë bankave parashikohet në nivelin e 20% të masës monetare në qarkullim, ose rreth 255 miliardë lekë. Së pari, dua të theksoj se Banka e Shqipërisë mat masën e parasë në qarkullim, brenda dhe jashtë bankave, kryesisht të lidhur me monedhën vendase, pra lekun. Ne nuk kemi informacion lidhur me paranë në monedhë të huaj, në valutë, kryesisht në euro, por dhe në dollarë që qarkullon jashtë bankave.

Pyetje: Paraja jashtë bankave në monedhë vendase është në nivelin rreth 20%. Çfarë rreziku përfaqëson kjo?

Guvernatori: Ekonomia shqiptare ka një sasi paraje jashtë bankave, e cila ka ardhur në rënie vit pas viti. Sfida e bankës qendrore dhe e sistemit bankar ka qenë futja e parasë brenda sistemit bankar, pra ulja e cash-it në qarkullim jashtë sistemit bankar. Kjo për shumë arsye. Në radhë të parë kjo është një simptomë të cilën ne përpiqemi ta luftojmë. Kjo simptomë e shoqërisë shqiptare është e ngjashme me atë të vendeve që janë në zhvillim, pasi ka të bëjë me nivelin e ulët të kulturës dhe infrastrukturës financiare.

Lidhur me nivelin kulturor ne po përpiqemi që të rrisim nivelin e edukimit financiar, që qytetarët shqiptarë të jenë sa më shumë në marrëdhënie me bankat dhe t’i kenë paratë e tyre brenda sistemit bankar. Lidhur me nivelin infrastrukturor, Komiteti i Pagesave të cilin ne e kemi krijuar brenda Bankës së Shqipërisë, ka ndërmarrë shumë iniciativa dhe hapa për të ulur masën e parasë jashtë sistemit bankar. Gjithsesi,qytetarët duhet të kuptojnë se kjo është një mundësi e humbur, pasi paraja jashtë sistemit bankar, mosmbajtja në llogari bankare, bën që të mos ketë dhe përfitueshmëri mbi këto të ardhura. Së dyti, ka dhe rrezik për sigurinë për poseduesit e këtyre parave, pasi ato janë të pasigurta duke u mbajtur jashtë sistemit bankar. Përveç kësaj, ka dhe një rrezik më të gjerë për ekonominë, pasi paraja jashtë sistemit bankar nuk lë gjurmë, dhe bëhet shkak për aktivitete të jashtëligjshme, qoftë për aktivitete informale, qoftë për evazion fiskal, por dhe për aktivitete të tjera. Kemi marrë dhe po vazhdojmë të marrim shumë masa për rritjen e sasisë së parasë brenda sistemit bankar.

Pyetje: A mendoni se banka duhet të bëjë kujdes me kreditë për projektin 1 miliardë euro dhe për seriozitetin e këtyre projekteve. Mendoni që ka rrezik që mund të krijohet një sasi e re e kredive me probleme?

Guvernatori: Bankat në Republikën e Shqipërisë janë banka që kryesisht origjinën e kanë nga vendet e Eurozonës. Kjo do të thotë se përveç akteve rregullative dhe kërkesave tona rregullative që kanë të bëjnë me analizën e rrezikut, këto banka kanë dhe kërkesat e tyre rregullative të imponuara nga mëmat e tyre. Në të gjitha rastet e kredive të mëdha, qoftë për projektet e partneritetit publik-privat, qoftë për projekte të tjera bankat do të marrin në analizë projektin sipas kritereve të tyre të analizës dhe rrezikut.

Ne nuk mendojmë që këto do të bëhen shkak për rritjen e nivelit të kredive me probleme. Ne do t’i mbikëqyrim dhe e kemi për detyrë t’i mbikëqyrim bankat për të parë performancën e tyre në raport me gjithë projektet, jo vetëm me PPP-të, por edhe më gjerë, për aplikimin e kritereve të tyre të rrezikut. Me këtë rast, do të doja të theksoja se sistemi bankar ka pasur një performancë shumë të mirë, në uljen e nivelit të kredive me probleme, nga 25% ne po shkojmë drejt nivelit 14%. Ne do të tregojmë kujdes që ky nivel të mos vijë në rritje, lidhur me çfarëdolloj kreditimi që bankat e nivelit të dytë do të kenë. Në këtë kontekst, do të shihen dhe projektet e partneritetit publik privat.

Pyetje: Hidhen hipoteza për paranë e drogës të hedhur në qarkullim që mund të ndikojnë prishjen e ekuilibrave. Sa reale mendoni se është?

Guvernatori: Droga në radhë të parë ndikon në prishjen e ekuilibrave socialë të një shoqërie.Ky është një fenomen i importuar në shoqërinë shqiptare pasi vendet evropiane e kanë pasur para nesh si fenomen. Fatkeqësisht, ky fenomen është transferuar dhe në realitetin shqiptar me zhvillimet dhe ndryshimet shoqërore.

Ne nuk kemi të dhëna si Bankë Qendrore për të matur ekzaktësisht paranë nga aktivitetet jashtë sistemit bankar dhe kryesisht paranë në valutë. Lidhur me treguesit makroekonomikë, si rritja ekonomike apo parametra të tjerë, ne na rezulton se rritja ka ardhur nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë - eksporte, energji, turizëm dhe shërbime-, si pasojë e rritjes së nivelit të investimeve të huaja, rritja e nivelit të remitancave dhe të ardhurave nga turizmi gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017. Këto janë shifra konkrete nga burime zyrtare.

Këto të ardhura kanë sjellë hyrje të mjaftueshme të nivelit të monedhës së huaj që ka krijuar dhe një forcim të monedhës kombëtare. Leku është vlerësuar në raport me euron, kryesisht gjatë periudhës së verës. Ai vazhdon të mbetet i vlerësuar dhe ky vlerësim është brenda parametrave të bankës qendrore. Bazuar në modelet tona, nuk kemi gjykuar dhe vlerësuar të nevojshme që të ndërhyjmë për të bërë një zhvlerësim të monedhës vendase. Kjo pasi luhatjet kanë qenë brenda parametrave dhe nuk kemi pasur zhbalancime makroekonomike nga ndikimi i parasë së drogës deri tani. Zhbalancimet sociale, të cilat janë po aq të rrezikshme, duhenmonitoruar dhembajtur nën kujdes.

Ne si bankë qendrore, në bashkëpunim dhe në koordinim me të gjithë aktorët e tjerë, po ushtrojmë të gjithë autoritetin tonë ligjor dhe të gjithë instrumentet tona ligjore për të mbikëqyrur sistemin bankar.Në radhë të parë, sepse sistemi bankarështë subjekt i mbikëqyrjes dhe i rregullimit tonë si bankë qendrore. Së dyti, edhe për të koordinuar punën me organizmat e tjerë si Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, shërbimet informative, prokuroria shqiptare etj që janë përgjegjës dhe kanë detyrime ligjore për të monitoruar secila nga këto institucione ushtron aktivitete të jashtëligjshme.

Pyetje: Do të flasim për kreditimin, a mendoni se niveli aktual i kreditimit është i mjaftueshëm për t’i shërbyer dhe rritjes ekonomike?

Guvernatori: Kreditimi gjatë këtyre viteve ka pasur një rritje të moderuar. Rritja e nivelit të kreditimit ka qenë mesatarisht rreth 3%. Kjo rritje e nivelit të kreditimit ka ardhur kryesisht nga rritja e kredisë në monedhën vendase, si pasojë e politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë. Pra politika jonë monetare është transmetuar. Kjo është një rritje jo e keqe, duke pasur parasysh ndikimin nga kriza financiare dhe nivelin e rreziqeve që ekzistojnë në ekonominë shqiptare, në rajon dhe më gjerë.

Ne do të dëshironim një nivel më të lartë kreditimi mbi 3%, por nuk do të insistonim edhe në nivele shumë të larta. Një rritje kreditimi mbi nivelin 10% nuk do të ishte gjithashtu e dëshirueshme, jo vetëm për ndikimin që kjo do të kishte në ekonominë shqiptare, por edhe për rreziqet që mund të sillte në nivelin e kredive me probleme. Pra ne nuk kemi si objektiv një shifër të saktë, por një rritje kreditimi midis nivelit 5 dhe 10% në vit do të ishte e pranueshme për ne.

Megjithatë, edhe rritja rreth nivelit 3% në momentin aktual është një rritje normale. Ekonomia shqiptare nuk është se ka vuajtur ose ka stopuar nivelin e saj të rritjes si pasojë e nivelit të kreditimit, pasi ka dhe shumë faktorë të tjerë rreziku. Kreditimi është oksigjen për ekonominë, është një nga instrumentet që normalisht ne përpiqemi që ta stimulojmë nëpërmjet politikës sonë monetare. Ne parashikojmë që në vazhdim, këtë vit dhe në vitet në vijim, do të kemi një rritje relativisht më të lartë dhe më të shëndetshme kreditimi, jo vetëm si pasojë e masave tona makroprudenciale të ndërmarra, por edhe si pasojë e reformave strukturore të kryera në ekonomi nga të gjithë aktorët. Ne si Bankë Qendrore do të vazhdojmë politikën tonë monetare stimuluese deri në fund të vitit 2018,ndoshta dhe pak më gjatë, për të stimuluar rritjen e kreditimit, konsumit dhe të investimeve në ekonominë shqiptare.

Pyetje: Ju keni ngritur shqetësimin e mungesës së financimeve nga institucione financiare jobankare. Pse kjo mungesë dhe kush duhet të nxisë kreditimin e tyre? Çfarë përfitimesh do të sillte prania e këtyre institucioneve?

Guvernatori: E kam theksuar së fundmi në konferencën e organizuar nga Banka e Shqipërisë, por dhe më parë, që sistemi financiar në Republikën e Shqipërisë është i dominuar në rreth 92-93%nga bankat. Ky është një tipar që karakterizon të gjithë vendet e rajonit. Po të shikojmë edhe vendet e tjera që na rrethojnë kanë këto përqindje. Sistemi bankar dominon. Ka ardhur koha që institucionet e tjera si institucione financiare jobanka, shoqëritë e sigurimit, fondet e pensioneve, shoqëritë që janë të specializuara për menaxhimin e aseteve financiare, të kenë një vend më të gjerë në sistemin financiar shqiptar. Kjo sigurisht do të sigurohej dhe nëpërmjet riaktivizimit të bursës shqiptare. Ne së fundmi kemi një bursë të re private në realitetin shqiptar, e cila po përpiqet pikërisht të riaktivizojë tregun e kapitaleve, i cili ka qenë pothuajse joekzistent në Shqipëri, ose është kryer në rrugë joformale nëpërmjet kanaleve të tjera dhe jo bursës. Natyrisht që këto do të ishin burime alternative, të cilat do të aktivizonin burimet alternative më afatgjata dhe do të bënin që tregu i kapitalit të ishte më aktiv, por njëkohësisht edhe investitorët shqiptarë të kishin alternativatë tjera përveç kredisë bankare. Ne po punojmë në bashkëpunim me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe me autoritetet e tjera që të kemi gradualisht një zhvillim më të gjerë të tregut të kapitaleve në Shqipëri. Kjo dhe në kuadër të luftës kundër informalitetit.

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu