BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Intervista e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, për televizionin Top Channel

Data e publikimit: 07.12.2016

 

TCh: Zoti Guvernator, ju i keni propozuar Kuvendit një projektligj për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka. Çfarë parashikon ky projektligj dhe pse lindi nevoja e tij?

Guvernatori Sejko:Periudha e krizës së vitit 2008 tregoi se shtete të ndryshme u përballën me kriza financiare dhe u përdorën fonde publike për të mbuluar humbjet financiare të bankave që ishin në vështirësi. Ky projektligj synon pikërisht këtë gjë, të shmangë përdorimin e parave të taksapaguesve dhe të përdoret një fond i caktuar që do të mblidhet me kontributet e institucioneve financiare dhe do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Përgatitja e një ligji specifik, bëhet për të qenë në përputhje me direktivën evropiane dhe jo se kemi probleme me sistemin bankar, pasi ky sistem është i mirëkapitalizuar dhe me tepricë likuiditeti. Nuk kemi asnjë rast banke që të ketë vështirësi dhe kështu që, për momentin, ky projektligj nuk ka nevojë të përdoret.

top intervist


TCh: Si i mbroni interesat e depozituesve dhe qytetarëve ky ligj? Guvernatori Sejko:Nëpërmjet këtij ligji përcaktohen qartë parametrat dhe kriteret kur banka është keqmenaxhuar dhe autoriteti i rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme do të ndërhynte direkt në menaxhim, për ta marrë institucionin që paraqet probleme dhe për të korrigjuar defektet në menaxhim.
TCh: Cila është ecuria e depozitave dhe gjendja e sistemit bankar në tërësi?
Guvernatori Sejko:Nuk shikojmë asnjë problem në ecurinë e rritjes së depozitave. Ajo që ne kemi vënë re është që sistemi ynë financiar ka tepricë likuiditeti dhe depozitash. Sfida e ekonomisë shqiptare është që t'i përkthejë këto fonde në kredi të shëndetshme për ekonominë.
TCh: Por, gjatë këtij viti ka pasur një trend rritës të portofolit të kredive të këqija. Cila është arsyeja?
Guvernatori Sejko:Kjo rritje erdhi specifikisht nga dy klientë të mëdhenj, të cilët patën impakt domethënës në sistemin financiar. Por, njëkohësisht, dua të theksoj që niveli i kredive të këqija është rritur dhe si rezultat i një pune të kujdesshme nga ana e mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë. Ne kemi kërkuar që bankat të kenë një riklasifikim më prudent të portofoleve dhe një rritje të fondeve rezervë. Ne parashikojmë që në fund të vitit të ketë një ulje në nivelin e kredive me probleme në vlerën e 7.2-7.3 miliardë lekëve. Njëkohësisht, si rezultat i ristrukturimit kemi edhe një impakt pozitiv në vlerë absolute në 7.4 miliardë lekë. Pra, presim përmirësim në nivelin e kredive me probleme.
TCh: Është folur shumë për shkaqet se pse janë rritur kreditë e këqija. A është keqmenaxhimi i bankave një prej këtyre shkaqeve?
Guvernatori Sejko:Rritja e portofolit të kredisë në Shqipëri ka qenë në nivele të larta, 25-30% në vit deri në vitin 2008 dhe shumë parametra e kritere të riskut janë shkelur në garën e bankave për të gjeneruar portofole, por edhe periudha ka qenë optimiste. Kreditë me probleme që ne kemi sot janë origjinuar kryesisht në këtë periudhë. Por, sigurisht që ka edhe elementë keqmenaxhimi. Është e pashmangshme. Ndaj tyre ne kemi reflektuar si bankë qendrore. Nëpërmjet raporteve tona të ekzaminimit, kemi adresuar problemet dhe kemi marrë masa të caktuara.
TCh: A mjafton ky nivel i rritjes së kredisë për të mbështetur rritjen e ekonomisë?
Guvernatori Sejko:Rritja ekonomike kërkon një nivel më të lartë kreditimi, por një nivel kreditimi të qëndrueshëm, të orientuar ndaj projekteve serioze, në mënyrë që nga njëra anë të ndikohet në rritjen ekonomike, por nga ana tjetër të ruhet edhe stabiliteti financiar dhe të mos gjenerohen portofole të kredive me probleme të mëtejshme.