BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko për Euronews

Data e publikimit: 13.03.2020

 

Pyetje: Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur sot që të ketë një pezullim të pagesës së kredive për të gjithë debitorët. Vendimi është marrë në kuadër të masave të vendosura nga qeveria për të parandaluar përhapjen ndaj coronavirusit. Banka e Shqipërisë njofton gjithashtu se anulon dhe disa aktivitete edukative të javës së parasë të parashikuara për t’u organizuar në datat 23 dhe 29 mars. Por çfarë nënkupton ky vendim për të pezulluar tre muaj pagesat e kredive për ata shtetas, biznese që kanë kredi. Pse arritët në këtë vendim dhe cilat janë kategoritë që preken nga ky pezullim?

Guvernatori: Ky vendim u mor sot nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në kuadrin e të gjithë masave të ndërmarra në situatën aktuale. Ndërsa, dje ne kemi shpërndarë udhëzime të qarta për të gjitha bankat e nivelit të dytë se si duhet të operojnë në kushtet e kësaj situate të jashtëzakonshme. Udhëzimet tona kanë marrë parasysh që bankat të punojnë me një numër të kufizuar punonjësish dhe të marrin masa parandaluese në lidhje me situatën, por operacionet duhet të vazhdojnë si dhe të ruhen punonjësit dhe klientët e bankave.

Në lidhje me pyetjen tuaj konkrete, sot Këshilli Mbikëqyrës mori një vendim për skedulimin e kësteve të kredisë, për një shtyrje të këtyre kësteve për të gjithë kategoritë e klientëve, si individë ashtu edhe biznese, për një afat tremujor. Ne jemi të ndërgjegjshëm që në këtë situatë shumë biznese janë mbyllur, sidomos biznese të vogla, kafe, restorante por mund të jenë dhe biznese të mëdha. Në këtë situatë të vështirë të krijuar nga masat kundër përhapjes së coronavirusit, duam t’i japim një mundësi këtyre bizneseve që të marrin frymë, pra të mos i godasim në këtë situatë. Kjo njëkohësisht bëhet dhe për të ulur numrin e kontakteve në sportelet e bankave të nivelit të dytë, pra lidhet dhe me individët. Në këtë aspekt, dua të theksoj që nuk ka falje të kësteve të kredisë, ka thjesht një shtyrje, një riskedulim të pagesave të kredive me tre muaj, pra shtyhen në kohë dhe klientët nuk do të rëndohen me kamatë vonesa për këto tre muaj. Njëkohësisht, dua të sqaroj se klientët që duan të kryejnë pagesat e kredive si zakonisht mund të vazhdojnë; bankat janë të hapura dhe të disponueshme për të vazhduar marrdhëniet normale. Ne thjesht si Bankë e Shqipërisë kemi lehtësuar kriteret tona rregullative për rastet e vonesave, pra kemi bërë një moratorium. Për tre muaj vonesë nuk do të rëndohen me kamatë vonesa për pagesat e kësteve të kredisë.

Pyetje: Guvernator Sejko, çfarë ndodh mbas këtyre tre muajve, fillon pagesa e tre muajve që kanë mbetur apo e tre muajve bashkë, si do të ndodh kur të kaloj kjo periudhë?

Guvernatori: Fillon pagesa e skedulit të kredisë normale, aty ku ka mbetur sot. Shtyhet gjithë afati i maturimit dhe skeduli i pagesave me tre muaj. Janë po të njëjtat këste kredie, është po e njëjta sasi kredie për t’u paguar, thjesht shtyhet skeduli i pagesave me tre muaj.

Pyetje: Po ndërkohë a duhet të ketë lehtësi ?

Guvernatori: Bankat nuk rëndohen me provigjone. Lehtësia është që nuk do të rëndohen me kamatë vonesa. Bankat nuk falin. Bankat kanë marrëveshje me klientët e tyre.

Pyetje: A duhet të ketë lehtësi dhe për detyrime të tjera që ata kanë? Qera, tarifa për ujin, për energjinë gjatë këtyre tre muajve apo dhe më shumë sa mund të zgjasë kriza nuk e di.

Guvernatori: Mbase duhet të ketë, besoj që duhet të ketë. Kjo është pjesë e punës së qeverisë shqiptare, nuk është në atributet e Bankës së Shqipërisë ose bankave të nivelit të dytë. Jam i sigurt që dhe vetë qeveria po merr në konsideratë masat e tjera për të krijuar lehtësi për individët dhe për bizneset. Por nuk mund t’ju përgjigjem dot konkretisht. Iu përgjigja konkretisht pyetjes tuaj lidhur me një vendimmarrje të sotme që ka të bëjë me bankat e nivelit të dytë dhe me klientët kredimarrës, dhe ata nuk janë pak. Ka një numër të madh qytetarësh dhe biznesesh që kanë kredi nga banka.

Pyetje: Guvernator Kryetari i partisë Demokratike z. Basha, i ka bërë thirrje bankave që të japin kredi me interesa të ulëta a mund të konsiderohet kjo ide?

Guvernatori: Nuk e di, tani po e dëgjoj prej jush. Bankat kanë planet e tyre të biznesit. Ato janë institucione private dhe njësoj si gjithë institucionet e tjera do të marrin në kosideratë çdo lloj mundësie, pa prekur përfitimet ose të ardhurat e tyre sigurisht. Nuk e di konkretisht se çfarë është thënë apo kërkuar. Di që dje Kryetari i Partisë Demokratike e ka ngritur këtë shqetësim, sikurse e kanë ngritur shoqatat e biznesit. Vetë shoqata e bankave e ka diskutuar më parë me mua çështjen e një shtyrjeje tremujore, por lidhur me uljen e normave të interesit apo lehtësira të tjera nuk kemi diskutuar për momentin. Ndoshta mund të diskutohet më vonë, por nuk mund ta them tani.

Ajo që mund të them është që politika jonë monetare lehtësuese i ka ulur në maksimumin e mundshëm normat e interesit. Kemi një transmetim të politikës tonë monetare në të gjithë segmentet e tregut financiar, në interesat e kredive, depozitave ashtu dhe të bonove të thesarit. Në këtë kontekst, duke pasur parasysh situatën e krijuar nga coronavirusi, dhe pasojat që mund të ketë në ekonomi, për të cilat ne jemi duke bërë analizat tona dhe duke parashikuar skenarët, ne si Bankë Qendrore patjetër që do të vazhdojmë me politikën tonë monetare lehtësuese. Mund të kemi dhe një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare që do të thotë që do të ketë dhe ulje të normës së interesit, në rast se ne do të shohim që rezultatet e analizave na imponojnë marrjen e një vendimi të tillë. Sidoqoftë ky është një vendim i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Politika monetare lehtësuese synon uljen e normave të interesit, lehtësimin e kushteve të kreditimit, për të stimuluar kreditimin, konsumin dhe investimet. Bankat vetë kanë ulur normat e interesit si pasojë e reflektimit të politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë edhe Banka Qendrore Evropiane ka pasur një politikë monetare lehtësuese që ka ulur normat e interesit të kredive në euro. Si në lek ashtu dhe në euro janë më të ulëta, janë ulur në mënyrë graduale gjatë viteve të fundit.

Pyetje: Guvernator a mund të kemi ulje të konsumit dhe rënie ekonomike në këtë periudhë? Me parashikimet që ju po bëni, prisni që të keni ulje të konsumit dhe rënie ekonomike? Cili është parashikimi juaj më i përafërt për humbjen që do të ketë ekonomia.

Guvernatori: Nuk kemi shifra, nuk mund të them dot se sa është ekzaktësisht parashikimi. Ne po bëjmë analiza sepse situata ndryshon ditë pas dite. Një gjë është e sigurt që do të kemi ulje të konsumit dhe të ritmit të rritjes ekonomike. Parashikimi ynë për rritjen ekonomike 3%, mund të jetë më i ulët besoj.  Këtë po e marrim në analizë këto ditë dhe pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës do ta bëjmë publike me deklaratën tonë të politikës monetare. Aty do të bëhet publik dhe qëndrimi që do të ketë Banka e Shqiperisë me instrumentat që i jep ligji në dispozicion për të reaguar.

Për momentin, nuk mund të them se sa do të jetë ulja, por mund të them që ne nuk do të biem në recesion, sikurse ka ndodhur me shumë shtete. Pasojat në ekonominë botërore janë shumë të rënda dhe ne do të kemi patjetër pasojat tona pasi jemi një ekonomi e vogël dhe e hapur, dhe e ndërthurur kryesisht me vendet e Bashkimit Evropian. Italia është një nga partneret tanë kryesor tregtar, si në drejtim të shkëmbimeve tregtare ashtu dhe të investimeve të huaja direkte. Ne këto i konsiderojmë faktorë të jashtëm rreziku që kanë ndikimin e tyre në ekonominë shqiptare. Po e analizojmë situatën dhe do të shohim. Nuk besoj se do të biem në recesion, nuk e parashikojmë këtë. Mund të bjerë ritmi i rritjes ekonomike, rritja mund të jetë më e vogël se parashikimi.  Nesër do të jemi në një video konferencë dhe me misionin e FMN për këtë gjë.

Pyetje: A kanë likuiditet bankat? Dhe a mund të presim ndonjë ulje të euros apo rritje?

Guvernatori: Atëhere janë dy pyetje më saktë, pyetje me vend. E para, bankat janë me tepricë likuiditeti. Madje problemi ynë ka qënë si ta përkthejmë këtë likuiditet në kredi për ekonominë. Kredia vitin e fundit është rritur pozitivisht, me shifra shumë të mira, deri në nivelin 8%. Fatkeqësisht ne patëm goditje nga tërmeti dhe tani kemi goditje nga situata e coronavirusit e cila do të ndikojë dhe në ritmet e kreditimit dhe rritjen e kredive me probleme. Megjithatë situata e likuiditetit të bankave është e shëndetshme dhe nuk parashikojmë fare të kemi krizë likuiditeti.

Në këtë pikë dua të theksoj se ne kemi shpërndarë udhëzime për bankat në mënyrë që të merren masa parandaluese për coronavirusin. Që do të thotë duhen të ruhen distancat, duhet mbajtur radha, duhen marrë masa higjenizimi dhe kjo mund të bëj që klientët e bankave të detyrohen të mbajnë një radhë, pra nuk mund të hyjnë të gjithë në ambientet e bankave dhe mund të krijohet ideja sikur ka probleme financiare. Këto nuk janë probleme financiare, këto janë probleme të masave që janë marrë për coronavirusin pra nuk do të thotë që banka nuk po shërben për problem likuiditeti, por po mban radhën për të shërbyer me radhë. Këto ditë ne kemi marrë dhe masa të tjera për të krijuar lehtësira në sistemet e pagesave online ose në menaxhimin e cash-it në mënyrë që klientët që kenë mundësi të tërheqin cash-in nga ATM- të.

E dyta, lidhur me pyetjen tuaj për kursin e këmbimit, kjo është për t’u parë se si do të ndikojë. Ne kemi pasur një lek të mbiçmuar si pasojë e faktorëve që kemi thënë dhe kemi ndërhyrë në treg në vitin 2018 për të tërhequr tepricën dhe për të stablizuar kursin e këmbimit. Kjo euro e nënçmuar dhe ky lek i mbiçmuar kanë ndikuar negativisht dhe në nivelin e inflacionit të synuar që ne kemi, por sigurisht që ka ndikuar dhe në ekonominë shqiptare në drejtim të eksporteve kryesisht. Tani mund të kemi një sjellje kryesisht në kahun e kundërt, por këtë nuk e dimë. Ekonomia është shumë komplekse dhe nuk është një shkencë ekzakte. Pasojat dhe implikimet që do të ketë situata që vjen nga coronavirusi në Eurozonë dhe në ekonominë shqiptare mbeten për t’u parë. Për momentin, kursi i këmbimit është i stablilizuar, nuk ka sjellje të çuditshme dhe nuk parashikojmë që do të ketë një sjellje, qoftë në mbiçmim, qoftë në zhvlerësim.

Pyetje: Të jenë shqiptarët po kaq të qetë sa dukeni ju sot përsa i takon aspektit ekonomik por që janë të izoluar në karantinë ?

Guvernatori: Shqiptarët duhet të ruajnë qetësinë, patjetër të mos panikosen, sepse paniku krijon probleme më të mëdha në të gjithë aspektet e jetës, jo vetëm në ekonomi, por në të gjithë aspektet. E rëndësishme është që të veprojmë me qetësi dhe të jemi të koordinuar në këtë situatë. Jemi në një situatë të jashtëzakonshme që ka të bëjë me një gjendje infeksioni nga një virus. Pra në radhë të parë, shqiptarët duhet të jenë rigorozë në respektimin e masave, të mbyllen në shtëpi, të pakësojnë kontaktet sa më shumë të jetë e mundur, të respektojnë masat që janë dhënë nga institucionet e shëndetit publik, pastaj për pjesën e ekonomisë ne do të bëjmë analiza. Asgjë nuk mund të parashikohet saktë, por nuk parashikojmë që të biem në recesion. Unë e thashë që natyrisht do të bjerë ritmi i rritjes ekonomike dhe do të kemi efekte negative në ekonomi. Tani të shqetësohemi në radhë të parë për shëndetin, pastaj t’i marrim gjërat me radhë dhe të shikojmë ecurinë.