BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko për Fax News, 17 qershor 2021

Data e publikimit: 17.06.2021

 

Gazetarja: Duke filluar nga 30 qershori, do të dalin në qarkullim kartëmonedhat 1000 Lekë dhe 10000 Lekë. Kryesisht debate do të ketë për kartëmonedhën 10000 Lekëshe, duke qenë se është prerja më e madhe që ne kemi tashmë apo që do të kemi pas 30 qershorit. Përse lindi nevoja për këtë kartëmonedhë dhe a mund të favorizojë korrupsionin një prerje më e madhe e monedhës? Të gjitha këto çështje do të kemi mundësinë t’i diskutojmë sot me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, zotin Gent Sejko.

Zoti Guvernator, faleminderit për të gjithë materialin që pranuat të ndajmë me shikuesin, duke qenë se është atraktive kur printohet një monedhë e re, normalisht edhe me vlera më të mëdha.

Pyetja ime fillestare është, përse lindi e nevojshme një kartëmonedhë, e cila do të jetë në vlerën e 10000 lekëve, duke qenë se ne kemi 5000 Lekëshin tashmë në përdorim?

Guvernatori: Faleminderit që erdhët.

Banka e Shqipërisë ka realizuar rishikimin e plotë të serisë së kartëmonedhave dhe në vijim ka bërë komunikimet përkatëse mbi serinë e rishikuar në shtator të vitit 2019. Pjesë e serisë së re të rishikuar të kartëmonedhave është edhe prerja e re prej 10000 lekësh. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në fakt ka miratuar prerjen e re 10000 lekë shumë vite më parë, madje përpara mandatit tim në Bankën e Shqipërisë, duhet të jenë 9 apo 10 vjet përpara, dhe sigurisht gjatë gjithë kësaj periudhe, ka marrë kohën e duhur procesi i përcaktimit të tematikës, dizenjimit, dhe në fund i prodhimit të kësaj prerjeje.

Aktualisht, prerja më e madhe prej 5000 lekësh ka qenë pjesë e emisionit të vitit 1996. Ne jemi të ndërgjegjshëm që nga ajo kohë çmimet dhe pagat janë rritur me disa herë në vendin tonë. Në këto kushte, ka lindur si domosdoshmëri për t’u hedhur në qarkullim një prerje më e lartë.

Ne e materializuam dhe po e hedhim tashmë në qarkullim. Pra, duke nisur nga data 30 qershor këto dy kartëmonedha, prerjet e reja 1000 Lekë dhe 10000 Lekë janë bërë pjesë e serisë së re të rishikuar që do të marrin kurs ligjor në Republikën e Shqipërisë dhe do të jenë në përdorim si mjet pagese. Prerja më e madhe ka qenë në përdorim për një periudhë shumë të gjatë më parë. Prandaj ndryshimet në nivelin e çmimeve, pagave si dhe nevojat e ekonomisë shqiptare e kanë bërë të domosdoshme prezantimin e një prerjeje të re prej 10000 lekësh.

Gazetarja: Pra, do të lehtësojë kryerjen e transaksioneve të përditshme?

Guvernatori: Sigurisht. Me një gjuhë më të thjeshtë, për qytetarin dhe për publikun, pa hyrë në nevojën që ka miradministrimi i rezervës në para letër, kjo prerje më e lartë ndihmon jo vetëm institucionin qendror, por edhe sistemin bankar dhe financiar në administrimin e sasisë së parasë në qarkullim si dhe përdoruesit në përcaktimin e nivelit të çmimeve. 

Natyrisht që hedhja në qarkullim e kësaj kartëmonedhe nuk do të thotë që janë përjashtuar kartëmonedhat e tjera. Ne i kemi në qarkullim të gjitha prerjet e mëparshme. Kjo është një prerje më e madhe, e cila do të shërbejë për blerje më të mëdha dhe qarkullime në sasi më të mëdha. Jam i bindur se ka ardhur momenti i duhur që kjo prerje të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit të parasë letër, si nga përdoruesit individë ashtu edhe nga bizneset dhe sistemi bankar. Paralelisht, dëshiroj të theksoj se kjo do të ndihmojë edhe institucionin e bankës qendrore për miradministrimin e parasë letër.

Gazetarja: Në informacionin e përgjithshëm që kanë qytetarët, prerjet e mëdha kanë më pak mundësi falsifikimi, pra ato disponojnë elemente sigurie më të larta. Paralelisht, dëshiroj t’ju pyes se çfarë duhet të ketë parasysh një person që mban për herë të parë në dorë një kartëmonedhë 10000 Lekëshe, duke marrë në konsideratë faktin se kur hyn në treg edhe mundësitë janë më të mëdha për t’u mashtruar, nëse do të mund ta përdorja këtë term?

Guvernatori: Seria e re e kartëmonedhës ka një përsosje të elementeve të sigurisë. Një ndër arsyet për rishikimin e saj është edhe rritja e standardeve në përdorimin e kartëmonedhës, dhe në këto standarde bëjnë pjesë elementet e sigurisë për të parandaluar falsifikimin. Po t’i shohim më në detaje teknike, do të vëmë re që sa më e lartë është prerja e kartëmonedhave aq më shumë shtohen elementet e sigurisë.

Për shembull, prerjet 5000 Lekë dhe 10000 Lekë kanë si element sigurie hologramën, të cilën nuk e kanë prerjet e tjera dhe që është një element shumë i vështirë për t’u falsifikuar. Banka e Shqipërisë në momentin që ka prezantuar prerjet e reja të kartëmonedhës, ka nisur edhe procesin e trajnimit të punonjësve të bankave të nivelit të dytë dhe të sistemit bankar në tërësi për elementet e sigurisë dhe cilësinë e kartëmonedhës. Të parat janë bankat ato që do të trajnohen dhe ambientohen me kartëmonedhën dhe informacionin për këto elemente sigurie. Njëkohësisht, ky informacion do të shpërndahet edhe në zyrat e postës edhe te agjentët e tjerë financiarë.

Pas trajnimit të kësaj pjese të specializuar, do të nisë informimi i publikut shqiptar mbi elementet që përmban kartëmonedha e re, si një proces standard që ka ndodhur gjithmonë me emisionin e kartëmonedhës. Elementet e sigurisë janë elemente bashkëkohore dhe gjykoj se janë të mjaftueshme për të parandaluar falsifikimin e kartëmonedhës. Kartëmonedhat prodhohen nga kompani ndërkombëtare dhe aktualisht ka një numër të kufizuar të kompanive ndërkombëtare, të specializuara, të cilat përgjithësisht prodhojnë kartëmonedhat e të gjitha shteteve. Këto dy prerje  kartëmonedhe janë prodhuar nga kompania franceze Oberthur.

Ndërkohë që dy prerjet e kaluara janë prodhuar nga kompania angleze De La Rue. Këto janë dy nga kompanitë më të mëdha në botë të specializuara në shtypin e kartëmonedhave. Ridizenjimi është bërë nga kompania gjermane GIDI. Padyshim që kompanitë e sipërpërmendura janë të specializuara dhe janë pikërisht këto kompani që ofrojnë elementet e sigurisë së kartëmonedhave në mbarë botën. Kartëmonedhat kanë pikërisht këto elemente sigurie, të cilat i bëjnë ato më të sigurta për përdoruesin.

Gazetarja: Në fakt ne jemi një shoqëri që kemi një përdorim të gjerë të kartëmonedhave cash në ekonomi. Nga raportet e publikuara nga Banka e Shqipërisë mund të themi se rreth 40% e individëve në moshë madhore kanë llogari bankare, dhe nga këta vetëm 4% përdorin transaksionet online. Për të drejtuar qytetarët dhe edukimin financiar të tyre është lançuar dhe më herët një program dhe strategji kombëtare për edukimin financiar. Çfarë është bërë në drejtim të edukimit financiar sa i përket rritjes së përdorimit të transaksioneve bankare dhe reduktimit të parasë cash në ekonomi?

Guvernatori: Kjo që ju thoni është patjetër një nga objektivat kryesorë të bankës qendrore, por dhe një sfidë për ne. Lufta kundër informalitetit në vija të përgjithshme është sfidë për mbarë Shqipërinë. Edhe për ne si institucion financiar, rregullator dhe mbikëqyrës, lufta kundër informalitetit përbën një nga objektivat kryesorë në drejtim të modernizimit të sistemit të pagesave, rritjes së përfshirjes financiare dhe edukimit sa më të gjerë të publikut për këto qëllime.

Pavarësisht nga përmirësimi i cilësisë së kartëmonedhës si mjet pagese, ne po punojmë në drejtim të modernizimit të sistemeve të pagesave dhe rritjes së përfshirjes financiare, që do të thotë rritja e numrit të qytetarëve dhe bizneseve të përfshirë në marrëdhënie me bankat dhe të pajisur me llogari bankare. Për këtë qëllim, vitin e kaluar është miratuar ligji për shërbimet e pagesave, i cili krijon një hapësirë të re dhe përmirëson më tej mundësitë ligjore dhe rregullative.

Aktualisht jemi duke realizuar përmirësimet përkatëse në kuadrin rregullator në zbatim të ligjit për të përsosur sistemin e pagesave elektronike dhe për të modernizuar më tej sistemin e pagesave në Republikën e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë, gjithashtu, kryeson Komitetin Kombëtar të Sistemit të Pagesave, i cili përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave. Në këtë këndvështrim, po merren në konsideratë të gjitha mënyrat e mundshme për të zbatuar forma të reja të pagesave elektronike në sistemin bankar dhe tregun financiar, me qëllim lehtësimin e pagesave për qytetarët shqiptarë dhe rritjen e përfshirjes financiare.

Bazuar në studimet empirike, përfshirja financiare zbut pabarazinë për shkak se lehtësitë që përfitojnë njerëzit nga përdorimi i kanaleve bankare krijojnë një impakt real në mirëqenien e tyre sociale. Pra, nga njëra anë ashpërsohet lufta kundër informalitetit dhe nga ana tjetër lehtësohen  marrëdhëniet e qytetarëve me sistemin financiar dhe me gjithçka tjetër.

Në këtë kontekst, janë ndërmarrë një sërë masash, përfshirë këtu edhe një plan për edukimin financiar. Ne kemi ndërmarrë një seri aktivitetesh në kuadër të Javës së Parasë, por jo vetëm, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe bankat e nivelit të dytë.

Vetë bankat e nivelit të dytë janë institucione, të cilat ndikojnë në edukimin financiar të publikut pasi dhe vetë konkurrenca midis sistemit bankar sjell prezantimin e produkteve të reja në treg.  Pavarësisht nga strategjia e Bankës së Shqipërisë, kjo është një sfidë e cila ka qenë, është dhe do të vazhdojë për shumë vite. Po ta vëmë re, në qytetet dhe zonat më të zhvilluara, edukimi financiar dhe përfshirja financiare kanë avancuar ndjeshëm.

Gazetarja: Edhe mbulimi bankar.

Guvernatori: Dhe mbulimi bankar, pikërisht për këto arsye, mbulimi bankar është më i plotë dhe ka një nivel më të lartë qoftë te edukimi financiar qoftë te përfshirja financiare, ndërkohë që zonat rurale janë ende mbrapa në këtë fushë.

Aktualisht, objektivi ynë është modernizimi i mëtejshëm i sistemit të pagesave dhe i përdorimit të pagesave elektronike. Një element që vlen për t’u përmendur si shembull, është se gjatë periudhës së pandemisë ne realizuam një ndryshim në kuadrin rregullativ për të lehtësuar bankat nga komisionet, në mënyrë që përdoruesi i fundit, pra qytetari shqiptar, të paguante komisione më të ulëta për pagesat elektronike dhe të shmangte përdorimin e parasë cash. Si pasojë e kësaj ndërhyrjeje mund të thuhet se pati një rritje të lartë në përdorimin e pagesave elektronike.

Paralelisht, përdorimi më i gjerë i kartave të debitit dhe kreditit, si instrumente pagese, do të lehtësonte dhe  modernizonte sistemet. Ky është një proces i gjatë dhe me shumë hapa. Ne kemi një strategji me objektiva konkretë, e cila po ndiqet në mënyrë rigoroze.

Sigurisht që ne parashikojmë që për dy apo tre vjet të ketë një rritje më të lartë në përfshirjen financiare. Po të shohim ku kemi qenë dhe ku jemi, mund të themi se është bërë një progres shumë i madh.

Nuk do të mund të harrojmë që deri para pak kohe, 10 apo 15 vite më parë, ne nuk kishim as ATM në Shqipëri dhe as përdorim të kartave bankare, pra kishte vetëm përdorim cash-i në ekonomi. Edhe pagat merreshin me cash, ndërkohë që sot njerëzit sidomos në qytete kanë llogari bankare dhe pagesat kryhen nëpërmjet kanaleve bankare. Përgjithësisht, kushdo që ka një llogari bankare ka edhe një kartë debiti dhe mund të tërheqë sasinë e parave në përdorim nëpërmjet ATM-ve.

Pra ka disa elemente pagesash më të modernizuara në një kohë relativisht të shkurtër. Ne vijmë nga një nivel shumë bazik dhe kemi arritur një nivel zhvillimi të konsiderueshëm, që ka ardhur si pasojë e ndryshimeve ligjore dhe rregullatore që ka bërë banka qendrore.

Njëkohësisht, vlen të përmendet edhe impakti që kanë pasur bankat evropiane dhe bankat e huaja. Në këtë kontekst, bankat lokale kanë ndjekur padyshim të njëjtin standard. Pra, tregu e ka rritur standardin e kërkuar por sigurisht që ende ka nevojë për përmirësime dhe progres të mëtejshëm. Ne po punojmë për këtë qëllim. Këto janë sfida afatmesme dhe afatgjata, prandaj kërkojnë kohën e tyre. E rëndësishme është që të ketë progres. Gradualisht dhe hap pas hapi, ky është një prej objektivave tanë kryesorë.

Gazetarja: Z. Guvernator, unë nuk mund të iki nga kjo intervistë pa ju pyetur edhe për procesin e deeuorizimit.

Guvernatori: Siç e kemi deklaruar edhe më herët, ky proces ka nisur me vrull, ndërkohë që po përjetojmë një rënie të të ardhurave nga turizmi, reduktim të remitancave dhe një numër të lartë të blerjeve të mëdha dhe të vogla në euro. Nuk mund të thuhet se projekti ka ngecur në vend, por edhe ky projekt, njëlloj si çështja e mëparshme që diskutuam si pjesë përbërëse e përfshirjes financiare, është një projekt afatgjatë dhe sfidant për ekonominë shqiptare.

Ekonomia jonë është një ekonomi e vogël, por e hapur. Partnerët tanë tregtarë janë në Eurozonë. Emigrantët shqiptarë janë kryesisht në vendet e Eurozonës. Shkëmbimet kryesore tregtare, import -eksportet janë nga vendet e Eurozonës. Ne rrethohemi me shtete fqinje si Italia, Greqia por edhe Mali i Zi e Kosova, të cilat kanë në përdorim euron. Pra në të gjitha drejtimet, euro është një kartëmonedhë e fortë, e cila ndikon në ekonominë shqiptare dhe hyrjet kryesore në ekonominë shqiptare janë në euro. Sigurisht turizmi, investimet e huaja dhe të gjitha elementet e tjera janë po ashtu transaksione që kryhen në euro.

Banka qendrore si institucion financiar ka kryesisht objektiv stabilitetin e çmimeve dhe stabilitetin financiar. Stabiliteti i çmimeve kryesisht arrihet nëpërmjet instrumentit kryesor të bankës qendrore, që është norma e interesit. Nëpërmjet uljes dhe rritjes së normës së interesit, bankat qendrore synojnë të stimulojnë konsumin, investimet dhe kreditimin në ekonomi në mënyrë që të kemi një ringritje dhe rritje ekonomike në funksion të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Në këtë kontekst, ky instrument bazë që përdor banka qendrore bën që nëpërmjet normës së interesit të ushtrohet kontroll mbi kartëmonedhën vendase. Meqenëse  Banka Qendrore Evropiane është banka që emeton Euron në Bashkimin Evropian, atëherë ulja ose rritja e normës së saj të interesit ushtrohet mbi këtë monedhë.

Ne kemi monedhën tonë kombëtare, e cila është Leku, dhe norma bazë e interesit të Bankës së Shqipërisë ndikon te Leku. Në këtë këndvështrim, niveli i lartë i euroizimit në ekonomi do të kufizonte transmetimin e politikës monetare të bankës qendrore. Pra, do të kufizonte mundësinë që ka banka qendrore për të ndikuar në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë dhe rritjen ekonomike.

Fatmirësisht edhe Banka Qendrore Evropiane ka ndjekur një politikë të uljes së normës së interesit, pra ka mbajtur një normë interesi minimale, të cilat aktualisht janë norma negative dhe kjo ka ndikuar pozitivisht në pjesën e kreditimit në euro në bankat e nivelit të dytë.

Paralelisht, edhe ne si bankë qendrore kemi ndjekur të njëjtën politikë monetare lehtësuese. Në këtë kuptim, nëse do të ketë një përdorim të ri më të lartë të monedhës kombëtare në ekonomi, atëherë do të rritet edhe fuqia e politikës monetare të bankës qendrore. Nga krahu tjetër qëndron stabiliteti financiar. Sigurisht që ne si bankë qendrore do të donim që për të mirën e agjentëve ekonomikë dhe qytetarëve shqiptarë, të cilët i marrin pagat në monedhë kombëtare, të kreditoheshin po ashtu në monedhën kombëtare, për të shmangur riskun e kursit të këmbimit valutor.

Me një shpjegim të thjeshtë, nëse ju do të merrnit një kredi për të blerë një apartament në euro dhe e keni rrogën në monedhën kombëtare Lek, dhe në rast se në një periudhë afatgjatë do të kishim një zhvlerësim të monedhës kombëtare, atëherë ju do ta kishit të pamundur ta shlyenit kredinë. Aktualisht, një e katërta e portofolit të kredive në Shqipëri janë në monedhë të huaj pra janë në euro, të pakolateralizuara, “unhedged” sikurse i quajmë ne, me klientë që kanë të ardhura në monedhën kombëtare, pra jemi përpara një ekspozimi serioz ndaj riskut të këmbimit valutor. Njëkohësisht, borxhi i Republikës së Shqipërisë, borxhi i huaj qëndron në një nivel të konsiderueshëm. Sikurse jemi në dijeni, niveli i borxhit është rreth 68% të PBB-së.

Pjesa dërrmuese e këtij borxhi, më shumë se 50% e tij është në monedhë të huaj. Duke marrë në konsideratë faktin se të ardhurat e buxhetit të shtetit janë në monedhën vendase këtu kemi një ekspozim të lartë dhe pikërisht për këtë arsye rekomandohet nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar që të ndiqet një politikë deeuroizimi për të rritur transmetimin e politikës monetare dhe për të ruajtur stabilitetin financiar me qëllim zbutjen e rrezikut që rrjedh nga ekspozimi ndaj kursit të këmbimit. Këto janë disa nga arsyet kryesore për të cilat Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një politikë të thellë deeuroizimi.

Gazetarja: Pyetja është jo pse e keni ndërmarrë, por pse nuk ka përparuar ky proces?

Guvernatori: E kam shpjeguar vazhdimisht këtë çështje me qëllim informimin e publikut në kuadër të transparencës, por edhe për të kuptuar qëllimin e politikës së deeuroizimit, e cila shpeshherë ngatërrohet me kursin e këmbimit. Për këtë arsye, duke marrë shkas edhe nga kjo intervistë, nëpërmjet televizionit tuaj të nderuar, më lejoni ta ritheksoj edhe njëherë këtë objektiv madhor. Për të dhënë një përgjigje më konkrete për pyetjen tuaj nëse politika e deeuroizimit ka pasur apo jo progres, mund të përmendja disa fakte si: rritja e lartë e kreditimit në lekë dhe rritja e transparencës së gjerë ndaj publikut, si dy elemente të rëndësishme të kësaj politike.

Transparenca është një nga elementet më kryesore për të kuptuar rrezikun që vjen nga euroizimi i ekonomisë. Në këtë kontekst, klientët e sistemit bankar, si biznesi ashtu edhe individët, e kanë kuptuar tashmë rrezikun që iu kanoset nga ekspozimi ndaj kursit të këmbimit nëse përfiton një kredi në monedhë të huaj. Pra, nëse të ardhurat e tua janë në lekë, kredinë është mirë ta përfitosh në lekë dhe jo në monedhë tjetër. Ky është edhe qëllimi i këtij shpjegimi të detajuar që jam munduar t’ju jap juve sot.

Në këtë kontekst, ne kemi përjetuar një rritje të konsiderueshme të kreditimit në lekë. Gjatë vitit të kaluar, kreditimi është rritur me 7.7%, ku pjesa dërrmuese e saj vjen nga rritja e kreditimit në lekë. Ky fakt tregon qartë se ky element i politikës tonë të deeuroizimit ka funksionuar.

Paralelisht, edhe depozitat kanë pësuar një rritje të konsiderueshme në monedhën kombëtare. Pra, në parametrat që ne kishim parashikuar për një progres pozitiv në politikën e deeuroizimit. Dua të ritheksoj që ne nuk parashikojmë të heqim euron nga qarkullimi. Euro patjetër është një monedhë që do të ekzistojë në qarkullim.

Gazetarja: Për më tepër që vendi ynë aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, pra në këtë kontekst nuk ka arsye të pretendojmë ta heqim Euron nga qarkullimi.

Guvernatori: Patjetër, ne jemi në fazën që ekonomia shqiptare ka nevojë të ringrihet. Ekonomisë shqiptare i duhen reforma të thella strukturore dhe një nga këto reforma për institucionin e Bankës së Shqipërisë është pikërisht politika e deeuroizimit. Kur ekonomia shqiptare të arrijë një stad të caktuar zhvillimi ekonomik, atëherë ne do të mund të kalonim në një fazë tjetër siç janë sot Kroacia apo Republika Çeke, që kanë standarde të përafërta me Bashkimin Evropian dhe janë shumë afër adoptimit të euros si monedhë kombëtare.

Gazetarja: Le të qëndrojmë pak te kreditimi i ekonomisë. Përveç pandemisë, a ka arsye të tjera të cilat e frenojnë këtë proces apo investitorët janë duke kërkuar të sigurojnë financat e tyre në rrugë të tjera jobankare?

Guvernatori: Kreditimi i ekonomisë në fakt është rritur mjaftueshëm mirë duke pasur parasysh situatën e krijuar nga kriza e pandemisë dhe nga tërmeti. Rajoni dhe Eurozona që pas vitit 2008 kanë përjetuar një situatë tepër të vështirë financiare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian përjetuan një goditje të fortë financiare nga kriza e vitit 2008. Aktualisht, ne ende jemi në një situatë post krize si rrjedhojë e pandemisë COVID-19, një goditje e rëndë kjo për ekonomitë mbarëbotërore, por edhe për Shqipërinë dhe rajonin. Pavarësisht kësaj situate tejet të vështirë, kreditimi ka pasur një rritje të konsiderueshme. Aktualisht ne shikojmë në horizont një ringritje ekonomike përgjatë këtij viti, por edhe një rritje të mirë të kreditimit, bazuar në informacionin e përftuar nga bankat si dhe analizat dhe pyetësorët e kryer për këtë qëllim.

Sigurisht bankat janë institucione që ofrojnë kredi, pra janë nga kahu i ofertës, ndërkohë që kërkesa vjen nga ekonomia reale. Sa më shumë të rritet ekonomia reale, aq më shumë do të rritet edhe kërkesa e shëndetshme për kredi dhe aq më shumë banka do të mund të kreditojnë.

Në këtë kontekst, një element shumë pozitiv është që bankat kanë tepricë likuiditeti. Padyshim  për bankat, kjo është një kosto e lartë dhe problematike në aspektin e përfitueshmërisë. Për ekonominë, kjo tregon siguri për depozituesit dhe mundësi financiare për të kredituar ekonominë. Ringritja ekonomike, gjallërimi i aktiviteteve ekonomike dhe agjentëve tregtarë që operojnë në Republikën e Shqipërisë, do të rrisë kërkesën për kredi dhe kjo do të bëjë që dhe kreditimi të rritet nga ana e bankave të nivelit të dytë.

Gazetarja: Kemi të bëjmë me një deformim tregu apo me një kërkesë për financim jashtë tregut bankar?

Guvernatori: Përsa i përket kreditimit të ekonomisë nga ana e tregut joformal, ne si Bankë Shqipërie kemi kryer analizat tona dhe na rezulton se nuk kemi një treg joformal, i cili konkurron sistemin bankar.

Huamarrja dhe huadhënia në Republikën e Shqipërisë janë të ligjëruara me kod dhe nuk janë të ndaluara. Shqetësimi ynë do të ishte nëse do të funksiononin institucione financiare të palicencuara që kryenin aktivitet të palicencuar dhe spekulonin me depozitat dhe fondet e bizneseve dhe qytetarëve. Si përfundim, mund të themi me bindje se ky fenomen nuk është më shqetësues dhe nuk qëndron në ato nivele që shpeshherë komentohet, pasi si në aspektin e përfshirjes financiare apo luftës kundër informalitetit dhe modernizimit të sistemit të pagesave janë arritur rezultate të prekshme. Megjithatë, sfida të tilla si rritja e kreditimit dhe rritja ekonomike qëndrojnë të hapura dhe janë të ndërlidhura ngushtë ndërmjet tyre.

Gazetarja: Unë ju falënderoj për intervistën dhe shpresoj që të kemi një ringritje të shpejtë të ekonomisë dhe përdoruesit e këtyre kartëmonedhave t’i kenë sa më gjatë në duar dhe të përfshihen sa më shumë në shërbimet bankare.

Guvernatori: Faleminderit juve.