BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko për News 24

Data e publikimit: 16.10.2019

 

Gazetarja: Pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë ka prezantuar kartëmonedhat e reja, të cilat priten të hidhen në qarkullim. Pikërisht për këtë temë, por jo vetëm, do të flasim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.

Z. Sejko, duke pasur parasysh agjendën tuaj të ngjeshur, ju faleminderit që pranuat të jepnit një intervistë për News 24, për të diskutuar dhe të sqaruar publikun për një temë shumë të rëndësishme, siç është hedhja e kartëmonedhave të reja në qarkullim.

Guvernatori: Faleminderit juve dhe  mirë se erdhët! 

Gazetarja: Z. Guvernator, vetëm pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë ka prezantuar kartëmonedhat e reja, të cilat priten të hidhen në qarkullim. A mund të na thoni se cilat janë këto prerje dhe çfarë të rejash do të sjellin për qytetarët?

Guvernatori: Banka e Shqipërisë prezantoi serinë e re të kartëmonedhave para pak ditësh, ku prezantuam dhe të gjitha prerjet e saj. Seria e re e kartëmonedhave përbëhet nga gjashtë prerje, duke filluar me 200 Lekë, 500 Lekë, 1000 Lekë, 5000 Lekë, 2000 Lekë dhe e reja e kësaj serie është, që vitin që vjen, në vitin 2020, do të prezantojmë edhe prerjen prej 10000 Lekësh të kartëmonedhës sonë, e cila, siç e kemi prezantuar, do të përcjellë tematikën e himnit kombëtar.

Kartëmonedhat e serisë së re përmbajnë elemente të shtuara sigurie. Një nga arsyet kryesore është se koha e përdorimit të kartëmonedhave të serisë ekzistuese kishte kaluar limitet, kishte ardhur pra momenti i ndryshimit. Por në këtë rast, ne kemi përmirësuar cilësinë e prerjeve të serisë, si dhe kemi shtuar elementet e sigurisë. Është shumë e rëndësishme që ne të kemi një kartëmonedhë bashkëkohore, të sigurt, por dhe të vështirë për t’u falsifikuar. Vlen të përmendim se seria ekzistuese nuk ka pasur shkallë të lartë falsifikimi, por kishte ardhur koha të shtonim elementet e sigurisë, pasi po të shohim edhe kartëmonedhat e të gjitha shteteve të tjera, kanë elemente bashkëkohore sigurie dhe kartëmonedha jonë duhet të ishte në të njëjtat nivele. Pra, jemi përpjekur dhe themi se kemi arritur të realizojmë një seri cilësore, bashkëkohore, me elemente të shtuara sigurie. Gjithashtu, kemi ndryshuar edhe përmasat e prerjeve të kartëmonedhave. Prerja e re që do të hidhet në qarkullim vitin tjetër, prerja prej 10000 Lekësh, duke qenë që është preja me vlerën më të lartë nominale, do të ketë edhe përmasën më të madhe. Kjo prerje do të jetë e barabartë pothuaj me prerjen më të madhe që kemi sot, që është kartëmonedha 5000 Lekë. Ndërkohë, përmasat e prerjeve të tjera do të vijnë duke u zvogëluar.

Vlen të përmendim se në ambientet e bankës sonë, ndodhet edhe Muzeu i Bankës së Shqipërisë, ku mund të shihni më në detaje elementet e sigurisë, si dhe risitë që ka sjellë seria e re e kartëmonedhave.

Gazetarja: Unë në fakt do të doja të ndalesha pak te dy kartëmonedhat e reja, ato me prerje 200 dhe 5000 Lekë. Kur pritet të hidhen në qarkullim këto prerje? Ju folët pak për pjesën që nuk falsifikohen, por sa të sigurta janë këto prerje për qytetarët? 

Guvernatori: Banka e Shqipërisë ka rritur mjaftueshëm numrin e elementeve të sigurisë për të vështirësuar falsifikimin e tyre. Jemi të bindur se prerjet e reja shërbejnë si mjete të sigurta pagese për qytetarët, pasi kanë elemente sigurie bashkëkohore. Po t’i shihni, si filli i sigurisë, ashtu edhe holograma janë elementet më bashkëkohore në aspektin e sigurisë së kartëmonedhave. Kartëmonedhat me prerje 200 Lekë do të jenë me një material të veçantë, material plastik, që e quajmë polimer. Ky material e bën kartëmonedhën të ketë jetëgjatësi, rezistencë dhe qëndrueshmëri më të madhe, në krahasim me kartëmonedhën letër prej pambuku. Edhe kartëmonedha letër është me një material të veçantë specifik, që është fibra e pambukut. Kjo kartëmonedhë është prerja më e vogël dhe qarkullon më shumë. Po ta shihni, është dhe më e përdorur, më e rënduar, më e vjetruar. Me hedhjen në qarkullim të kartëmonedhës së re me prerje 200 Lekë prej polimeri, ne i sigurojmë jetëgjatësi më të madhe në përdorim.

Edhe kartëmonedha me prerje 5000 Lekë do të hidhet në qarkullim në të njëjtën kohë, në datën 30 shtator 2019. Edhe kjo prerje ka elemente sigurie të shtuara, një pamje më moderne dhe bashkëkohore.

Ndërkohë, vitin që vjen, do të hedhim në qarkullim kartëmonedhat me prerje 1000 Lekë dhe 10000 Lekë. Në vitin 2021, kemi planifikuar të hedhim në qarkullim kartëmonedhën me prerje 2000 Lekë, dhe e fundit në hedhjen në qarkullim të kësaj serie, do të jetë kartëmonedha me prerje 500 Lekë, e cila do të hidhet në vitin 2022. Ky është dhe kalendari ynë i hedhjes në qarkullim. Është gjykuar ky cikël i hedhjes në qarkullim, pasi aktualisht Banka e Shqipërisë ka stok kartëmonedhash, dhe ky stok sigurisht që do të vazhdojë të qarkullojë. Pra, kalendari i hedhjes së prerjeve në qarkullim, bazohet në një analizë të kryer nga Departamenti i Emisionit të Bankës së Shqipërisë.

Gazetarja: Në fakt, një pyetje që na lind të gjithëve është se çfarë do të bëhet me kartëmonedhat aktuale? A do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me  prerjet e reja të kartëmonedhave me vlerë 200 Lekë dhe 5000 Lekë?

Guvernatori: Si kartëmonedhat 200 Lekëshe dhe 5000 Lekëshe, pra dy prerjet e reja, së bashku me kartëmonedhat ekzistuese, do të vazhdojnë të jenë paralelisht në qarkullim. Pra, këto kartëmonedha nuk do të dalin nga qarkullimi, por do të vazhdojnë të jenë në përdorim. Banka e Shqipërisë do t’i tërheqë gradualisht këto kartëmonedha nga qarkullimi, duke hedhur në qarkullim kartëmonedhat e reja. Kjo do të ndodhë në një hark kohor prej disa vitesh. Gjithsesi, kartëmonedhat ekzistuese që do të tërhiqen gradualisht nga qarkullimi, edhe pas humbjes së kursit ligjor do të ruajnë vlerën e tyre dhe do të mund të shkëmbehen me të rejat për të njëjtën vlerë.

Gazetarja: Z. Guvernator, ju e përmendët dhe pak më parë kartëmonedhën e cila pritet të hidhet në qarkullim në vitin 2020, pra kartëmonedhën 10000 Lekëshe. Pse pikërisht zgjodhët vitin tjetër dhe pse pikërisht zgjodhët një kartëmonedhë krejtësisht të re për ta hedhur në treg?

Guvernatori: Kartëmonedha 10000 Lekëshe është kartëmonedha me vlerën më të lartë nominale. Kushtet ekonomike janë pjekur që të kemi një kartëmonedhë me prerje me vlerë më të lartë nominale, e cila do të jetë kartëmonedha 10000 Lekëshe. Kjo do të krijojë edhe mundësi praktike për përdoruesit, pasi është një prerje më e lartë. Sigurisht, ne duam ta zvogëlojmë përdorimin e cash-it në ekonomi dhe kemi shumë plane për digjitalizimin e sistemit bankar, modernizimin e sistemit të pagesave, por cash-i është i pashmangshëm në një ekonomi si e jona dhe do të vazhdojë të jetë në qarkullim. Në këtë aspekt, për të krijuar lehtësi për përdoruesit, do të hedhim në qarkullim kartëmonedhën 10000 Lekëshe.

Fakti që do të hidhet vitin tjetër nuk ka të bëjë me një arsye të veçantë, përveç faktit që prodhimi, dizenjimi dhe të gjitha elementet e tjera që ndiqen nga Departamenti i Emisionit kërkojnë kohë.

Gazetarja: Z. Guvernator, në fakt pse vazhdojmë ende të përdorim lekun dhe jo euron, duke qenë se synojmë të shkojmë drejt Bashkimit Evropian?

Guvernatori: Ne do të vazhdojmë të përdorim lekun si monedhë kombëtare, pasi integrimi në Bashkimin Evropian është një proces integrimi në radhë të parë ekonomik. Monedha e një vendi, ndër të tjera,  pasqyron edhe fuqinë ekonomike, si dhe produktet e shprehura në vlerë të një vendi. Sikurse dhe shtetet e tjera, nuk e kemi të mundur përdorimin e monedhës euro. Unë kam dëgjuar shpeshherë të diskutohet mbi rreziqet që vijnë nga kursi i këmbimit. Për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit ka një preferencë nga grupe të caktuara për të pasur monedhën e Bashkimit Evropian. Në qoftë se do të ishte e mundur, kjo do të ishte e preferueshme edhe për ne. Kjo sepse do të shmangnim shumë kokëçarje, si për shembull prodhimin e kartëmonedhës, rrezikun e kursit të këmbimit, ndikimet që ka rreziku i kursit të këmbimit në stabilitetin financiar, inflacion dhe të gjitha elementet, të cilat ne i ndjekim dhe mundohemi t’i shmangim.

Përdorimi i monedhës euro do të ishte ideale, do të ishte një ëndërr e bukur. Praktikisht, si çdo shtet, do të duhet të zhvillojmë ekonominë tonë drejt integrimit nëpërmjet reformave strukturore, nëpërmjet një pune të palodhur, në shumë aspekte ekonomike, shoqërore, politike, në mënyrë që të përshpejtojmë dhe përafrojmë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Hapja e negociatave është një hap shumë i rëndësishëm, por kjo nuk do të thotë që Shqipëria është integruar, pra deri në momentin e pranimit, do të kemi ende shumë punë.

Edhe në rast integrimi,  po të shohim, shumë shtete që janë anëtare të Bashkimit Evropian, si Polonia, Çekia, Rumania dhe Bullgaria vazhdojnë të përdorin monedhën e tyre kombëtare. Pra, pavarësisht se niveli i zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve është shumë më i lartë se ai i vendit tonë, ato përsëri vazhdojnë të përdorin monedhën e tyre, pasi e kanë të pamundur ose të vështirë të përdorin monedhën euro në këtë moment. Sigurisht, që këto vende punojnë drejt integrimit, drejt konvergimit, dhe një ditë dhe ato do të jenë pjesë e Eurozonës. Por për momentin po punojnë me monedhën e tyre.

Ka disa elemente jo vetëm teorike, por dhe praktike, ku përdorimi i monedhës kombëtare ka disa avantazhe, siç janë transmetimi i politikës monetare. Nëpërmjet përdorimit të monedhës kombëtare, bankat qendrore kanë një transmetim më të mirë të politikës monetare, duke siguruar shmangien e disa rreziqeve. Bankat qendrore e furnizojnë sistemin financiar bankar me likuiditet dhe nëpërmjet prodhimit të kartëmonedhës kombëtare e kanë më të lehtë, nga të gjitha pikëpamjet, furnizimin e sistemit me likuiditet. Le të shohim disa shtete të cilat janë dhe anëtare të Eurozonës si Greqia dhe Italia, por po ndalem kryesisht te Greqia, e cila është një shembull i mirë për të treguar mënyrën e përqasjes ndaj një krize. Në Greqi u kryen shumë analiza dhe u parashtruan shumë ide për t’u rikthyer në monedhën e tyre kombëtare, pasi do të krijonte një fleksibilitet të caktuar për të siguruar qëndrueshmëri të ekonomisë, si dhe një amortizim më të mirë të goditjeve që vijnë nga jashtë dhe nga brenda. Këto pra janë disa elemente që praktikisht dhe teorikisht e bëjnë të domosdoshëm përdorimin e monedhës kombëtare.

Duhet të jemi të qartë se nuk është përdorimi i monedhës së huaj, i monedhës euro në rastin konkret, që do ta bënte Shqipërinë të integruar. Ajo që do ta bënte Shqipërinë të integruar do të ishte zhvillimi dhe zbatimi i reformës strukturore, zhvillimi i caktuar ekonomik për të pasur një konvergim sa më të shpejtë ekonomik dhe social në mënyrë që dhe ne të përafrohemi si shtetet e tjera dhe jo vetëm të jemi anëtarë të Eurozonës, por një ditë edhe ne të përdorim monedhën euro.

Gazetarja: Duke folur për kartëmonedhat e reja, në fakt, ju keni këtu në Bankën e Shqipërisë një muze, në të cilin janë ekspozuar pothuajse të gjitha kartëmonedhat e reja. Keni bërë një kalendar për qytetarët të cilët duan të informohen në lidhje me këtë çështje dhe si procedohet?

Guvernatori: Pak ditë më parë, ne prezantuam serinë e re të kartëmonedhave. Muzeu i Bankës tonë Qendrore, ndër të tjera, në katin e dytë të tij, prezanton serinë e re të kartëmonedhave, së bashku me elementet e sigurisë dhe elemente të tjera shtypi.  Banka e Shqipërisë bashkëpunon  me bankat e nivelit të dytë, pasi furnizimi me kartëmonedha në treg bëhet përmes bankave të nivelit të dytë. Ne kemi publikuar faqen tonë zyrtare të internetit edhe kalendarin përkatës për hedhjen në qarkullim të kartëmonedhave të reja, të cilin e kemi përmendur edhe në shumë emisione televizive gjatë këtyre ditëve.

Konkretisht, në datën 30 shtator 2019 do të hedhim në qarkullim kartëmonedhat me prerje 200 Lekë dhe 5000 Lekë, dhe për momentin është e rëndësishme që informacioni të jetë i fokusuar tek këto dy prerje. Pra, shumë shpejt, publiku, përdoruesit, do të prezantohen me prerjet e reja dhe momenti i parë i kontaktit besoj do të jetë interesant, sidomos nga pikëpamja e kuriozitetit për t’i prekur këto kartëmonedha me dorë. Pastaj publiku do të familjarizohet në përdorimin e tyre dhe ne do të vazhdojmë me radhë me plotësimin e hedhjes në qarkullim të serisë, si dhe të informojmë publikun në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë.

Gazetarja: Z. Guvernator unë do doja të diskutonim pak dhe për pjesën e zhvillimeve të fundit ekonomike. Dua të ndalem në një raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka apeluar për të treguar kujdes me hyrjen e aktorëve të rinj në sistemin bankar. Ju si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, keni një koment lidhur me këtë çështje?

Guvernatori: Do përpiqem të jem i përmbledhur se kjo është një çështje që kërkon kohë për të diskutuar. E rëndësishme është se gjatë kësaj periudhe, kemi pasur ndryshime strukturore në sistemin bankar, ku stabiliteti financiar i vendit është ruajtur më së miri. Ne nuk kemi cenuar parametrat e sigurisë së bankave të nivelit të dytë, pra kemi menaxhuar ndryshimet strukturore, duke pasur një qëndrueshmëri dhe një sistem bankar të shëndetshëm, si dhe duke vazhduar operimin dhe kreditimin në ekonomi, paralelisht me ndryshimet strukturore. Kjo është shumë e rëndësishme pasi kemi parë vende të ndryshme, kemi pasur goditje ose rreziqe të caktuara, tronditje në stabilitetin financiar, si pasojë e ndryshimeve strukturore ose vështirësive që kanë hasur bankat e nivelit të dytë.

Pikërisht për këto vështirësi që bankat në Eurozonë, kryesisht në Evropë, kanë hasur, shumë grupe të mëdha, pas vitit 2008, kanë ndryshuar strategjitë e tyre, për operimin me filiale dhe me degë në vendet jashtë Bashkimit Evropian. Fatkeqësisht këto banka janë tërhequr, përfshirë disa grupe të mëdha, sikurse kemi parë dhe në Shqipëri. Ato nuk janë tërhequr vetëm nga Shqipëria, por nga i gjithë rajoni për shkak të vështirësive të tyre dhe imponimeve që i ka bërë Banka Qendrore Evropiane dhe Autoriteti Bankar Evropian. Në këto kushte, edhe bankat qendrore të të gjitha vendeve të rajonit, me të cilat ne kemi bashkëpunuar, janë përballur me ndryshime strukturore. Ky ka qenë dhe shkaku kryesor, që ka përfunduar gjatë katër viteve të fundit, por kjo histori ka filluar që para 10 vitesh pas krizës së vitit 2008–2009. 

Paralelisht me këtë situatë, jemi përpjekur të ruajmë stabilitetin financiar në vend dhe të ndjekim konsolidimin e sistemit tonë bankar. Një nga objektivat tanë është që të ruajmë stabilitetin financiar në vend dhe të ndjekim konsolidimin e sistemit tonë bankar. Në Republikën e Shqipërisë kanë operuar 16 banka. Pas ndryshimeve strukturore, ne kemi zvogëluar numrin e bankave në 12. Konsolidimi i sistemit bankar, si pasojë e analizave të Bankës së Shqipërisë ka qenë një objektiv i synuar, i cili është arritur.

Pra, me ndryshimet strukturore është bërë një konsolidim. Për hir të pasjes së një konkurrence më të kujdesshme në sistemin bankar dhe pas këtyre ndryshimeve, ne vëmë re që kemi një numër bankash, bankat e mesme, me përmasa të barabarta. Pra, nga pikëpamja e konkurrencës, këto banka do të jenë më të motivuara për të operuar jo vetëm në kredidhënie, por në të gjitha produktet e tjera, për të cilat publiku ka nevojë. Gjithashtu, janë ruajtur parametrat kryesorë si mjaftueshmëria e kapitalit përgjatë ndryshimeve dhe pas ndryshimeve. Të gjitha bankat kanë një nivel shumë të mirë mjaftueshmërie kapitali, çka i bën ato të qëndrueshme dhe cilësore. Bankat janë në një gjendje shumë të mirë likuiditeti. Madje, një ndër sfidat tona ka qenë, që këtë likuiditet, i cili përfaqëson kosto për bankat, ta përkthejnë në kreditim të shëndetshëm për ekonominë. Po të vëmë re, gjatë periudhës së fundit, në tre tremujorë në vazhdim, kemi një rritje të mirë të kredisë, sidomos të kredisë në lekë, si pasojë e politikës sonë monetare lehtësuese. Por nga ana tjetër, kemi dhe një ulje të nivelit të kredive me probleme. Pra, në të njëjtën kohë, kemi arritur të kreditojmë ekonominë nëpërmjet sistemit bankar dhe të ruajmë cilësinë e kredisë. Brenda portofolit të kredisë, kredia jocilësore i referohet kryesisht kredive të kaluara, ndërkohë që vëmë re që në terma relativë, kemi një gjenerim cilësor të kredisë, që do të thotë se bankat kanë mësuar nga e kaluara, pra tregohen më të kujdesshme në analizën e riskut drejt kreditimit.

Nuk po zgjerohem më shumë me segmentet e kreditimit, por e rëndësishme për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, është që me ndryshimet strukturore që kanë ndodhur, ne kemi arritur konsolidimin e sistemit bankar, kemi ruajtur cilësinë e bankave, kemi bërë të mundur që bankat të vazhdojnë të operojnë dhe t’i sigurojnë tregut produkte financiare. Sigurisht që ne do të vazhdojmë ta monitorojmë dhe ta mbikëqyrim tregun pas ndryshimeve strukturore dhe kjo është një nga rekomandimet e Fondit Monetar. Por edhe në mungesë të këtij rekomandimi, ne do ta bënim gjithsesi. Do të mbikëqyrim në mënyrë më intensive bankat e ndryshuara me aksioner të ri dhe strukturat të reja aksionere në mënyrë që ato të vazhdojnë të operojnë në mënyrë të qëndrueshme, në përputhje me të gjitha kërkesat ligjore rregullatore të Bankës së Shqipërisë.

Gazetarja: Faleminderit z. Guvernator!

Guvernatori: Faleminderit ju!