BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko për Televizionin News 24, 17 qershor 2021

Data e publikimit: 17.06.2021

 

Gazetarja: Banka e Shqipërisë ka prezantuar dy kartëmonedha të reja, të cilat do të hidhen në qarkullim në datën 30 qershor. Për këtë temë do të flasim sot me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, por gjithashtu do të flasim edhe për ecurinë e ekonomisë pas pandemisë COVID-19. Përshëndetje z. Guvernator!

Guvernatori: Përshëndetje, mirë se erdhe!

Gazetarja: Faleminderit. Siç e thashë edhe pak më parë do të flasim lidhur me kartëmonedhat që pritet të hidhen në qarkullim në datën 30 qershor. A mund të na thoni se cilat janë këto prerje dhe çfarë do të sjellë kjo për qytetarët?

Guvernatori: Prerjet e reja të kartëmonedhës u prezantuan pardje në ambientet e Bankës së Shqipërisë, dhe ato janë prerjet 1000 Lekë dhe 10000 Lekë, kjo e fundit është një prerje tërësisht e re. Seria e re e kartëmonedhave shqiptare u prezantua e rishikuar në shtator të vitit 2019. Në serinë e re janë ndryshuar përmasat dhe janë shtuar elementet e sigurisë në kartëmonedhë me qëllim përmirësimin e saj, por nuk ka ndryshuar tematika.

Ndryshimet e reja, gjithashtu, synojnë përshtatjen me standardet ndërkombëtare të kartëmonedhave, duke iu referuar kryesisht euros, por edhe kartëmonedhave të vendeve të zhvilluara. Qëllimi ynë është të kemi një kartëmonedhë më të sigurt dhe më cilësore në duart e agjentëve ekonomikë dhe qytetarëve shqiptarë. Prerja më e lartë e kartëmonedhës është ajo me vlerë 10 000 Lekë, prerje tërësisht e re, me temë himnin e flamurit dhe me portretin e poetit të rilindjes kombëtare, Asdreni. Të dy kartëmonedhat 1000 Lekë dhe 10000 Lekë të serisë së re do të marrin kurs ligjor dhe do të përdoren si mjet pagese në tregun shqiptar në datën 30 qershor. Këto ditë, ne po prezantojmë dhe informojmë publikun për këto dy kartëmonedha.

Gazetarja: Të ndalemi pak te elementet e sigurisë, duke qenë se ne do të kemi edhe një kartëmonedhë të re, e cila do të hidhet në qarkullim më 30 qershor. Le të ndalemi pak te kartëmonedha 10 000 Lekë që sikurse u shprehet edhe ju është një prerje e madhe, një prerje e re, e monedhës shqiptare. Ku bazohet Banka e Shqipërisë kur merr vendime të tilla dhe a i duhet ekonomisë shqiptare, një kartëmonedhë me prerje kaq të madhe?

Guvernatori: Në fakt, vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për këtë prerje është marrë 9 apo 10 vite më parë. Ndërkohë, gjatë këtyre viteve është zhvilluar edhe një projekt i ri për ridizenjimin dhe rishikimin e kartëmonedhës, e cila po materializohet me prerjet e reja në qarkullim sipas njoftimeve që ne kemi bërë më parë.

Sigurisht që kishte ardhur momenti, pasi të gjithë aktorët si: tregu shqiptar, sistemi financiar, sistemi bankar, agjentët ekonomikë dhe përdoruesit, kishin nevojë për një prerje më të lartë. Sikurse jeni në dijeni, prerja më e lartë e kartëmonedhës shqiptare, ka qenë ajo 5000 Lekë, e cila është pjesë e emisionit të vitit 1996. Po të kemi parasysh se sa vite kanë kaluar dhe sa ka qenë niveli i pagave dhe i çmimeve në Shqipëri, krahasuar me vitin 1996, mund të kuptojmë qartë nevojën për një prerje më të lartë.

Kjo prerje më e lartë sigurisht ishte një domosdoshmëri jo vetëm e tregut, por edhe e ekonomisë shqiptare. Njëkohësisht, ajo do të ndihmojë bankën qendrore për një miradministrim të rezervës së parasë, sistemin bankar në tërësi për administrimin e parasë që disponon në thesaret e tyre dhe gjithashtu bizneset dhe individët shqiptarë. Kjo prerje mund të ishte hedhur edhe më herët në treg, por mund të themi që jemi ende në kohë për një prerje më të lartë në serinë e kartëmonedhës shqiptare.

Gazetarja: Pra kjo do të thotë zoti Guvernator, që ka pasur një diskutim të gjatë në mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës në lidhje me hedhjen në treg të kartëmonedhës 10000 Lekëe për të marrë një vendim ?

Guvernatori: Po, vendimi i Këshillit Mbikëqyrës ka qenë më i hershëm. Sigurisht ka një procedurë të përcaktuar ligjore, jo vetëm për prerjen dhe sasinë e kartëmonedhës, por dhe për tematikën.

Në serinë e re të kartëmonedhës nuk kemi ndryshuar tematikën për prerjet, kemi ndryshuar madhësinë. Ndërkohë që simbolet e të gjitha kartëmonedhave janë ato që kanë qenë dhe që pasqyrojnë historinë e kombit shqiptar që nga lashtësia deri në ditët e sotme me përpjekjet e tij për liri dhe prosperitet. Në këtë kontekst, kartëmonedha e fundit përfaqëson himnin e flamurit. Sigurisht që tematika e kartëmonedhës nuk është vetëm atribut i Bankës së Shqipërisë, por edhe rezultat i punës së një komisioni që përbëhet nga historianë, numizmatë, albanologë, ekspertë të fushës dhe sigurisht ekspertë të Bankës së Shqipërisë.

Është pikërisht ky komision, i cili ka përzgjedhur tematikën për prerjen e kartëmonedhës 10000 Lekë, me himnin e flamurit. Pas marrjes së vendimit të Këshillit Mbikëqyrës mbi prerjen e kartëmonedhës, vjen momenti që komisioni të vendosë tematikën përkatëse dhe më pas ekspertët vendosin elementet e sigurisë dhe formatimin në prerje, të cilat janë të lidhura me pamjen e kartëmonedhës. I gjithë ky proces është përmbyllur me sukses dhe tashmë ne kemi në duart tona prerjen më të lartë që është ajo prej 10000 Lekësh.

Gazetarja: Zoti Guvernator, kartëmonedha 10000 Lekë është ajo që siç e thatë edhe ju ka një tematikë me simbolet e flamurit kombëtar por gjithashtu dhe të himnit kombëtar. Ndërkohë që nga pjesa e përparme kemi poetin e Asdrenit, që është njëkohësisht dhe autor i himnit kombëtar. Të ndalemi pak te fotoja e Asdrenit, pasi kjo ka shkaktuar edhe debate të forta në rrjetet sociale për ngjashmërinë me politikanët e sotëm. A keni një koment në lidhje me këtë çështje ju?

Guvernatori: Në fakt nuk i kam lexuar komentet në rrjetet sociale, të cilat mund të kenë qenë nga  më të ndryshmet. Poeti Asdreni është një poet i shquar i Rilindjes Kombëtare dhe autor i tekstit të himnit të flamurit kombëtar. Pikërisht komisioni që ju përmenda më sipër ka bërë përzgjedhjen e tematikës për prerjen 10 000 Lekë, të cilën ne po hedhim në qarkullim.

Duhet marrë në konsideratë fakti që e gjithë seria e kartëmonedhës sonë mbart një portret - në rastin konkret lidhur me tematikën e himnit të flamurit. Portreti është i rilindasit tonë të shquar Asdreni. Komentet me ngjashmërinë e politikanëve mund të jenë nga më të ndryshmet. Unë mendoj që tematika e zgjedhur nga komisioni me ekspertët përkatës në detyrim të ligjit në funksion të kartëmonedhës 10000 Lekë ka një tematikë të përzgjedhur me seriozitetin dhe kujdesin e duhur.

Gazetarja: Përveç prerjes 10000 Lekëe, po prerjet 500 dhe 2000 Lekë, zoti Guvernator, kur pritet të hidhen në treg?

Gazetarja: Seria e re ka edhe dy prerje të tjera, të cilat janë në proces prodhimi. Në shtator të vitit 2019, ne kemi nxjerrë fillimisht prerjen 200 Lekë me material polimer dhe atë 5000 Lekë, të cilat janë sot në duart e përdoruesve dhe janë mirëpritur nga publiku.

Ndërsa tani po hedhim në qarkullim prerjet 1000 Lekë dhe 10000 Lekë që janë dy prerjet e tjera të serisë. Dy prerjet e fundit 500 Lekë dhe 2000 Lekë pritet të vijnë në muajin nëntor ose dhjetor në varësi të situatës që do të ketë fabrika. Në këto kushte, parashikimi ynë është që në fillim të vitit tjetër të hidhen në qarkullim. Pas këtij momenti, mund të themi se seria e re e kartëmonedhës shqiptare do të jetë e kompletuar plotësisht. Edhe njëherë e theksoj, që prerjet e reja do të jenë në qarkullim paralelisht me prerjet ekzistuese.

Gazetarja: Prerjet ekzistueset do të jenë akoma në qarkullim?

Guvernatori: Po, prerjet ekzistuese do të vazhdojnë të jenë në qarkullim në duart e publikut dhe agjentëve ekonomikë paralelisht me prerjet e reja. Gradualisht, me kalimin e kohës do të tërhiqen nga qarkullimi prerjet ekzistuese dhe vendin e tyre do ta zënë plotësisht kartëmonedhat e reja. Por, për një periudhë të gjatë kohe do t’i kemi të dyja seritë e kartëmonedhave në qarkullim me kurs ligjor.

Gazetarja: Ne, zoti Guvernator, folëm për kartëmonedhat e reja që do të hidhen në qarkullim, por ashtu siç e thashë dhe pak më parë dua që të prekim edhe tematikën e ekonomisë pas pandemisë së COVID-19. Kur ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga fillimi i pandemisë COVID-19, a mund të na thoni, zoti Guvernator se si e përballoi ekonomia shqiptare këtë goditje që në fakt ishte shumë e vështirë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e botës dhe kur e vlerësoni ju se pritet të kemi një rimëkëmbje të plotë?

Guvernatori: Ekonomia shqiptare e ka përballuar mjaft mirë dhe është treguar fleksibël dhe rezistente ndaj pandemisë. Rezultatet e treguesve ekonomikë vërtetojnë që ekonomia jonë ka pësuar një tkurrje më të vogël nga ajo që kishim parashikuar në fillim të pandemisë. Po të rikthehemi në kohë, vitin e kaluar institucionet ndërkombëtare, të cilat bëjnë vlerësimet përkatëse për ecurinë ekonomike, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, nxorën disa parashikime mjaft pesimiste me një rënie ekonomike deri në nivelin 7.5%. Ndërkohë që për tremujorin e dytë të vitit të kaluar, parashikimi për rënie ekonomike mbërriti në nivelin 12.5%.

Frika dhe pasiguria mbi mënyrën se si do të reagonin ekonomitë e shteteve më të mëdha nga goditja e pandemisë dominonin të gjithë botën. Por, fatmirësisht si pasojë e masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, dhe me reagimin e agjentëve të tregut, ekonomia u tregua rezistente dhe rënia ekonomike rezultoi në nivelin 3.3%.

Parashikimi i Bankës së Shqipërisë është në linjë me Fondin Monetar Ndërkombëtar për këtë vit, për një rritje ekonomike në nivelin 5.3%. Pra, ne parashikojmë të kemi një rritje të konsiderueshme ekonomike duke filluar nga ky vit. Ndërkohë që për vitin në vijim kemi parashikuar një rritje në nivelin 4.1%. Gjithsesi, është shumë e rëndësishme të theksohet se pandemia është miradministruar dhe ne po shohim numra në rënie të infektimeve nga pandemia. Shpresojmë që sezoni i verës jo vetëm të ketë një ringritje në sektorin e turizmit, i cili ka një impakt të fuqishëm në ekonominë shqiptare, por kjo ringritje të shkojë paralelisht me rënien e infektimeve. Nëse në vjeshtë e më pas ne do të kemi një mirëmenaxhim të krizës nga pandemia, sigurisht që do të materializohen edhe parashikimet tona për ringritje ekonomike.

Shenjat janë mjaft pozitive. Ne jemi në pritje të një ringritjeje ekonomike këtë vit të pasuar nga viti i ardhshëm. Përbën një lajm mjaft pozitiv fakti që ekonomia shqiptare ka rezistuar dhe tregjet financiare kanë qenë të qeta dhe kursi i këmbimit i qëndrueshëm.

Sistemi bankar ka reaguar pozitivisht dhe ka treguar rezistencë ndaj goditjes se pandemisë. Vlen të përmendet, ndër të tjera, edhe rritja e kreditimit në një nivel të konsiderueshëm prej 7.5%, një tregues ky mjaft pozitiv për një vit kaq të vështirë pandemie.

Parashikimet kanë qenë mjaft pesimiste. Për këtë arsye, ne vazhdojmë të jemi shumë të kujdesshëm në drejtim të kredisë së keqe dhe kredisë me probleme, e cila jo vetëm që nuk pësoi rritje gjatë kësaj periudhe krize, por përkundrazi regjistroi një rënie të mëtejshme. Nëse ne nuk do të kishim përjetuar krizën financiare apo goditjen nga pandemia, rënia e kredisë me probleme do të ishte akoma më e konsiderueshme.

Ndërkohë kredia me probleme zbriti nga niveli 8.1% në fund të vitit 2020, në nivelin prej 7.8%. Nga komunikimet institucionale me bankat e nivelit të dytë, të cilat kanë një komunikim të drejtpërdrejtë me klientët, mund të themi se në të ardhmen ne nuk presim një përkeqësim të kredisë me probleme.

Sigurisht që në analizën tonë si bankë qendrore, ne kemi marrë në konsideratë edhe skenarët më pesimistë. Gjithsesi, sistemi ynë bankar rezulton i mirëkapitalizuar dhe me gjendje shumë të mirë likuiditeti. Në këto kushte, ai do ta përballonte me sukses çdo lloj situate të përkeqësuar. Fatmirësisht, ne nuk ndodhemi përballë një situate të tillë, përkundrazi presim një ringritje dhe përmirësim të ekonomisë dhe të sistemit bankar si mbështetës në financimin e saj.  

Gazetarja: Z. Guvernator, cilat janë sfidat me të cilat përballet ekonomia në rimëkëmbjen pas pandemisë, çfarë duhet bërë për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm të saj?

Guvernatori: Sfidat janë të shumta për çdo ekonomi dhe veçanërisht për ekonominë tonë. Në radhë të parë, sfida jonë kryesore do të jetë jo për ekonominë, por për sistemin shëndetësor. Kjo sfidë lidhet me administrimin e mirë të situatës së pandemisë. Fatmirësisht, sinjalet janë mjaft pozitive dhe optimiste me vaksinimin e popullatës që po ecën me ritme të larta.

Sa i përket ekonomisë, në cilësinë e institucionit financiar mbikëqyrës dhe rregullator, ne kemi objektiva të qartë, të cilët janë përcaktuar edhe në ligj. Si objektiv parësor, ne kemi stabilitetin e çmimeve dhe stabilitetin financiar.

Për ne si bankë qendrore, sfida kryesore është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe arritja e nivelit të shënjestruar të inflacionit. Paralelisht, një sfidë tjetër madhore për ne është ruajtja e një sistemi financiar të qëndrueshëm, i cili do të ndihmojë ekonominë për një ringritje në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Sikurse e kemi theksuar edhe më parë, ne do të vijojmë të ndjekim politikën tonë monetare lehtësuese me një normë interesi në minimumin e saj historik. Kjo politikë na shërben më së miri për të stimuluar konsumin, investimet dhe kreditimin.

Njëkohësisht, edhe politika fiskale do të duhet të mbetet lehtësuese për një periudhë të caktuar kohore. Në vijim, pasi situata të jetë kapërcyer, politika fiskale duhet të shkojë drejt konsolidimit fiskal, pra drejt uljes së nivelit të borxhit. Në momentin, kur ne të arrijmë nivelin e synuar të inflacionit prej 3%, atëherë politika jonë monetare do të duhet të bëhet më shtrënguese.

Ky moment parashikohet të ndodhë përpara fundit të vitit 2022. Në këtë kontekst, politika monetare dhe politika fiskale do të vijojnë të jenë lehtësuese dhe të koordinuara mirë me njëra-tjetrën. Ne si bankë qendrore e kemi komunikuar në vazhdimësi se politika jonë monetare do të vijojë të jetë lehtësuese.

Aktualisht, nuk vlerësohet i nevojshëm përdorimi i planeve të kontingjencës, pra të lehtësimit sasior. Kjo për arsye se ekonomia jonë ka reaguar mjaft mirë dhe nuk na është dashur përdorimi i këtij plani. Sfidat e tjera kanë të bëjnë kryesisht me reformat strukturore.

Aktualisht, kemi përpara nesh një sërë reformash strukturore, të cilat duhen ndërmarrë në ekonominë shqiptare. Këto reforma konsistojnë në përmirësimet infrastrukturore në të gjitha aspektet e jetës, duke nisur me përmirësimin e klimës së biznesit, uljen e nivelit të informalitetit dhe implementimin e një konkurrence të ndershme në treg. Këto reforma duhet të vijojnë me prekjen e sektorëve kyç të jetës sonë ekonomike dhe sociale. Ndër to, reformat në arsim dhe shëndetësi kanë një rëndësi jetike. Nga arsimi varet e ardhmja jonë dhe shëndetësia provoi qartësisht se sa e rëndësishme është për të gjithë ne.

Shqipëria është në rrugën e procesit të integrimit evropian dhe sigurisht që këto reforma janë të koordinuara, të mbikëqyrura dhe të konsultuara gjerësisht edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Banka qendrore si një institucion financiar ka pjesën e saj të reformave strukturore, të cilat duhet të jenë të koordinuara dhe të harmonizuara edhe me reformat e tjera. Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se sfida jonë kryesore mbetet ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit.

Fatmirësisht dhe në këtë periudhë krize, ne kemi mundur të administrojmë si duhet situatën, e cila për asnjë moment nuk ka dalë jashtë kontrollit. Paralelisht, duhet të vijojmë me menaxhimin e të gjitha sfidave të tjera që përmenda më sipër.

Gazetarja: Ju zoti Guvernator folët për ekonominë në tërësi dhe për reformat që janë ndërmarrë dhe duhet të ndërmerren. Në këto kushte që ndodhemi, a mund të flasim pak dhe për situatën e sistemit bankar pas pandemisë COVID-19?

Guvernatori: Sistemi bankar sikurse e theksova më lart paraqitet i mirëkapitalizuar dhe në një gjendje shumë të mirë likuiditeti. Jo vetëm gjatë krizës së pandemisë, por edhe në vitet që lamë pas, sistemi bankar është përballur me një sërë sfidash.

Sistemi bankar ka kaluar përmes një procesi konsolidimi si pasojë e ndryshimeve strukturore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon dhe më gjerë. Në këtë kontekst, realizimi i një procesi të bashkimit me përthithje të bankave të mëdha ndërkombëtare është reflektuar edhe në filialet e tyre në rajon dhe Shqipëri. Ne kemi parë tërheqjen nga sistemi të disa prej bankave evropiane më me peshë në tregun shqiptar dhe rajon. Fillimisht, ky proces nisi me tërheqjen e bankës franceze dhe pastaj asaj greke. Për bankën qendrore ka qenë një sfidë e veçantë administrimi me sukses i këtij procesi tejet delikat.

Aktualisht, sistemi bankar ka në përbërjen e tij 12 banka tregtare, nga 16 që operonin pak kohë më parë. Parë nga ky këndvështrim, një nga objektivat madhorë të bankës qendrore ka qenë edhe konsolidimi i sistemit bankar. Kredia me probleme ka pësuar një rënie të ndjeshme nga 25% që rezultonte në pikun e saj, në nivelin 7.8%. Me gjithë goditjet e forta që ka përjetuar ekonomia jonë, si nga tërmeti ashtu dhe nga pandemia, ne po vijojmë të administrojmë me sukses kreditë me probleme dhe t’i mbajmë ato nën kontroll të plotë.

Kreditimi për ekonominë ka rezultuar me rritje edhe gjatë periudhës së krizës, në nivelin prej 7.7%. Ne parashikojmë që edhe në të ardhmen të kemi një rritje të mëtejshme të kreditimit. Sigurisht që kjo rritje është e ndërlidhur drejtpërdrejt edhe me nivelin e kërkesës, për shkak se sistemi bankar disponon ofertën për financim por kërkesa lidhet me ekonominë reale.

Tregjet financiare janë paraqitur përgjithësisht të qeta dhe kursi i këmbimit ka rezultuar i qëndrueshëm. Sistemi bankar i ka rezistuar mjaft mirë krizës. Ai ka një tepricë të lartë likuiditeti dhe kjo reflekton një siguri dhe garanci për depozituesit. Nga ana tjetër, këto depozita përfaqësojnë kosto për bankat dhe duhen përkthyer në kredi të shëndetshme për ekonominë. Në këtë mënyrë, bankat mund të rrisin përfitueshmërinë dhe ekonomia do të përfitojë nga rritja e kreditimit. Paralelisht edhe klientët e bankave do të ndihen më të sigurt për investimet e tyre.

Pritshmëritë tona janë për një ringritje ekonomike. Sistemi bankar rezistoi mjaft mirë gjatë vitit të kaluar, i cili mund të cilësohet si një vit tejet i vështirë. Këtu ndikuan ndjeshëm edhe masat e ndërmarra nga ana jonë për shtyrjen me moratorium me dy tremujorë të pagesave të kësteve të kredive për të ndihmuar bizneset dhe individët. Njëkohësisht, një kontribut të vlefshëm dha edhe ristrukturimi proaktiv i vetë bankave në funksion të ndryshimeve rregullative të realizuara nga banka qendrore për t’iu përshtatur situatës së pandemisë.

Tashmë këto masa janë përmbushur plotësisht. Bankat nuk kanë më nevojë për një asistencë të tillë pasi situata paraqitet mjaft më e përmirësuar. Nga ana tjetër, nëpërmjet shoqatave, ne informohemi se mbizotëron një gjendje optimizmi në treg dhe në industritë e ndryshme. Të gjithë aktorët janë në pritje të një ringritje ekonomike pavarësisht shenjave që do të lërë pandemia. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të ritheksojmë se sistemi bankar është në gjendje shumë të mirë për të ndikuar në ringritjen e ekonomisë shqiptare.

Gazetarja: Z. Sejko, kohët e fundit ju keni zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në këtë takim, përfaqësuesit e FMN-së ju kanë rekomanduar që të vijoni me një politikë monetare lehtësuese për të rritur stimulin monetar. A keni një koment në lidhje me këtë çështje?

Guvernatori: Po. Gjatë javës që shkoi, ne përmbyllëm misionin e radhës me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në kuadër të marrëveshjes institucionale, FMN-ja, komunikon, vlerëson dhe ndjek zhvillimet ekonomike. Vlerësimet dhe rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, nga misioni i fundit, janë plotësisht në linjë dhe në përputhje me konkluzionet dhe analizat e Bankës së Shqipërisë. Një ndër rekomandimet e FMN-së ka qenë edhe ndjekja e një politike monetare lehtësuese. Të njëjtën linjë ka ndjekur në qëndrimin e tij edhe Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë për të vijuar me një politikë monetare lehtësuese, mbajtje të normës së interesit në nivelin minimal historik, në funksion të ringritjes ekonomike dhe nxitjes së konsumit, investimeve dhe kreditimit për një periudhë kohe derisa ekonomia të jetë forcuar mjaftueshëm dhe objektivi ynë i inflacionit të jetë arritur.

Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në misionin e fundit, vlerësoi pozitivisht qëndrueshmërinë e sistemit bankar. Sigurisht që ne duhet të qëndrojmë vigjilentë për të monitoruar situatën, pasi periudhat para dhe pas krizës mbartin në vetvete rreziqe të mjaftueshme.

Aktualisht, ne kemi një bashkëveprim mjaft domethënës me FMN-në në kuadër edhe të asistencës që ne përfitojmë nga ky institucion. Kjo asistencë është kanalizuar edhe përmes konsulentëve të përhershëm rezidentë si dhe konsulentëve të tjerë me seli në Washington. Të gjitha projektet apo reformat e ndërmarra nga ana jonë kanë kaluar përmes një konsultimi të ngushtë me përfaqësuesit e FMN-së.

Gazetarja: Zoti Guvernator, ju falënderoj për intervistën.

Guvernatori: Faleminderit juve.