BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko për emisionin “Opinion” në televizionin Klan 7 maj 2020

Data e publikimit: 07.05.2020

 

Pyetje: Z. Guvernator, kam 4-5 pyetje të thjeshta, ndërkohë janë dhe 2-3 pyetje që në fakt konsistojnë në të njëjtën pikë. E para - sa është zyrtarizuar dhe a vlen për të gjithë sistemin bankar shtyrja e kredive?

Guvernatori: Z. Fevziu, shtyrja e kredive për tremujorin aktual natyrisht që është zyrtarizuar dhe ky është një fakt i njohur për publikun. Është një shumë e konsiderueshme kredish të shtyra për një tremujor prej afërsisht dy miliardë euro, dhe ndërkohë po shqyrtohen dhe disa raste të tjera.

Pyetje: Për të gjithë sistemin bankar z. Sejko, përfshirë dhe institucionet e financimit mikro?

Guvernatori: Po, për sistemin bankar dhe institucionet financiare jobanka, të cilat operojnë kryesisht në fushën e mikrokredisë. Këto institucione kanë bërë një shtyrje të kredive për tre muaj për ata klientë që kanë hasur vështirësi financiare. Pra jo për të gjithë kredimarrësit, por vetëm për ata që kanë aplikuar.

Pyetje: Pikërisht kjo është pyetja, pra a shtyhet kësti i kredisë automatikisht apo rast pas rasti?

Guvernatori: Jo, shtyrja nuk është automatike, por shqyrtohet rast pas rasti dhe miratohet vetëm për ata klientë që, në gjykimin e bankës, kanë vështirësi financiare. Dua të theksoj që në këtë proces bankat kanë qenë proaktive, dhe i kanë relaksuar mjaftueshëm kriteret. Pra mund të them se për 99% të klientëve që kanë aplikuar bankat kanë bërë shtyrje, pasi realisht klientët kanë pasur vështirësi të mëdha financiare.

Pyetje: Besoj se në këtë kohë pothuajse të gjithë kanë vështirësi financiare, për arsye të situatës së krijuar, ndërkohë që ka shumë klientë të cilët pretendojnë që bankat kanë qenë hermetikë me ta. A keni ju ankesa, ose a bëni ju verifikim në këtë drejtim?

Guvernatori: Në rastin konkret, ju flisni për shtyrjen e kredive apo për pagesat që kanë lidhje me garancinë?

Pyetje: Jo, për shtyrjet e kredive?

Guvernatori: Për shtyrjet e kredive bankat janë treguar proaktive, në terma të përgjithshëm. Mund të ketë ndonjë përjashtim që lidhet me ndonjë problematikë të veçantë , por vetë fakti që deri tani është miratuar shtyrja për 21 000 kredi, përfshirë biznese të mëdha e të vogla, në një vlerë të barabartë me 2 miliardë euro, e dëshmon këtë.               

Pyetje: Ndërkohë a është kjo shtyrje pa asnjë penalitet? Ka shumë qytetarë që pretendojnë se kredidhënësit u kanë thënë që do t’i shtyjnë këstet për tre muaj, por më pas do t’i paguajnë të tre muajt bashkë ose do të paguajnë një kosto ekstra.

Guvernatori: Z. Fevziu, në ndryshimin rregullativ që kemi bërë i rekomanduam bankat që kjo shtyrje të bëhet pa penalitet. Dhe ato, në përgjithësi, kështu kanë vepruar, pra është bërë një shtyrje tremujore në kohë, jo për t’u paguar njëherazi, dhe pa asnjë penalitet. Pra është e njëjta formë pagese me principalin.

Pyetje: Ndërkohë që ka pretendime që bankat u kanë mbajtur klientëve një përqindje jo të vogël nga paga e luftës. Pra, ata nuk e kanë marrë neto pagën e luftës që u ka dhënë qeveria.

Guvernatori: Në këtë rast, mund të ketë ndonjë bankë që mban komisione për veprimet dhe llogaritë bankare. Banka të ndryshme kanë komisione të ndryshme. Ne kemi hequr komisionet për hapjen e llogarive në vlera të vogla, pikërisht për marrjen e pagës së luftës, dhe shumica e bankave i ka hapur llogaritë pa komisione për ata që nuk kanë pasur një të tillë. Mund të ketë ndonjë rast të veçantë, por kjo është e përgjithshmja.

Pyetje: Një nga gazetarët e ekonomisë që foli pak më parë u shpreh se në daljen tuaj keni folur për garancinë e parë sovrane, por nuk jeni shprehur për garancinë e dytë, pra për kredinë që jepet për të mbështetur biznesin. Çfarë ndodh me ketë garancinë e dytë sovrane? A e kanë pranuar bankat dhe a kanë renë dakord që të nisë?

Guvernatori: Z. Fevziu, ministri Ahmetaj më parë e shpjegoi garancinë e dytë sovrane. Me sa dëgjuam, ajo është miratuar në qeveri, por nuk është shpallur ende. Në këtë periudhë është operuar vetëm me garancinë e parë, prandaj dhe unë dje, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, kam dhënë informacione dhe të dhëna vetëm për garancinë e parë sovrane.

Pyetje: Vetëm për të parën?

Guvernatori: Garancia e dytë do të shihet në operim. Ndryshe nga garancia e parë që ishte për pagat, garancia e dytë i dedikohet bizneseve, për të mbështetur aktivitetin - sikurse u prezantua nga ministri Ahmetaj - për mjete xhiroje dhe asete fikse. Termat konkretë janë negociuar me bankat drejtpërdrejt nga qeveria.

Pyetje: Dhe kur bëhet aktive?

Guvernatori: Shumë shpejt besoj, duke qenë se ka kaluar dje në qeveri. Një gjë shumë e rëndësishme që ndoshta ju do ta ngrini në emisione të tjera, do të jetë elaborimi i kësaj garancie në raport me bizneset dhe bankat. Megjithëse kjo mbetet për t’u parë, unë gjykoj dhe besoj që bankat nuk do të bënin lëvrimin e kësaj garancie në mënyrë automatike, pasi ato kanë disa kritere risku dhe klasifikime klientësh. Për shembull, për klientët që kanë pasur gjithmonë performancë të keqe, lëvrimi i garancisë mund të mos jetë i menjëhershëm. Bankat bëjnë një analizë rast pas rasti, pasi ky është gjithmonë një transferim risku tek bankat.

Pyetje: Nëse e kuptoj mirë, e thënë më thjeshtë, ju po thoni që ata që janë mësuar të mos paguajnë ose t’i shtyjnë kreditë do ta kenë të vështirë të marrin kredi të re?

Guvernatori: Nuk dua të hyj në detaje teknike, por kritere të ndryshme patjetër që do të vlerësohen, për sa kohë që, siç e shpjegoi dhe ministri Ahmetaj, garancia mbulon vetëm 60% të riskut, ndërsa pjesën tjetër e kanë bankat.

Pyetje: Bankat do të jenë më të kujdesshme?

Guvernatori: Po, bankat do të jenë më të kujdesshme për sa kohë kanë 40% të riskut; do të marrin dhe një përqindje të riskut që ka klienti dhe ky risk është i klasifikuar.

Pyetje: Ndërkohë, ministri Ahmetaj tha që ju keni biseduar dje me Kryeministrin për një shtyrje tjetër të kredive. A mund të na thoni dot ndonjë detaj më tepër?

Guvernatori: Aktualisht, për të gjithë efektet ekonomike dhe makroekonomike që ka kriza, normalisht ka diskutime të vazhdueshme midis nesh dhe Ministrisë së Financave, midis meje dhe ministrit Ahmetaj. Gjithashtu, sot kemi pasur një takim me Kryeministrin dhe ministrin Ahmetaj, ku kemi diskutuar implikimet makroekonomike që mund të ketë kriza dhe masat që mund të ndërmarrim, si qeveria ashtu dhe banka qendrore. Në këtë kontekst është diskutuar edhe problematika që kanë klientët, individë dhe biznese, si dhe mbështetjen që mund të japë sistemi bankar. Edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit Mbikëqyrës është diskutuar mundësia e një shtyrjeje ose ristrukturimi tjetër. Ne jemi duke vlerësuar gjendjen e sistemit bankar nga pikëpamja e likuiditetit dhe e treguesve të tjerë të parametrave të shëndetit të sistemit bankar, siç është mjaftueshmëria e kapitalit, për të parë se sa i aftë është ai për të mbështetur biznesin. Nga ana tjetër, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se biznesi duhet të mbështet patjetër, pasi në rast se këputen zinxhirët e prodhimit, në rast se do të kemi rënie të biznesit ose falimentime, do të jetë e pamundur që ato të shlyejnë kreditë. Nëse kjo ndodh, do të reflektohet automatikisht në përmasën e bankave. Sistemi bankar dhe bankat janë të ndërgjegjshme për këtë, pasi ato bëjnë analizat e tyre të riskut. Ne po bëjmë një analizë të shifrave dhe, pas një konsultimi me banka dhe me grupet e biznesit, për të parë kërkesat dhe aftësinë e të tyre financiar, do të dalim në një përfundim para mbarimit të afatit tremujor. E përsëris që është tepër e rëndësishme që ne të mos këpusim zinxhirët e prodhimit, të ruhemi nga falimentet, por mbi të gjitha të ruajmë stabilitetin e sistemit financiar; të mos godasim bankat.

Pyetje: Z. Sejko sa e fortë është goditja që kemi marrë?

Guvernatori: Forcën e goditjes që kemi marrë, për momentin, nuk e matim dot, pasi shifrat dalin me një kohë vonesë - jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Siç e deklaruam dhe dje në Deklaratën e Politikës Monetare, sipas skenarit pozitiv, goditja më e fortë do të jetë në tremujorin e dytë deri në fund të këtij tremujori, dhe pastaj gjatë verës do të fillojë rimëkëmbja, por deri në fund të vitit ne do të jemi në recension. Ky vit do të mbyllet me rënie ekonomike, në Shqipëri dhe në të gjithë botën. Dëgjuam dhe vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare. Bashkimi Evropian ka parashikuar një recension të thellë për Eurozonën prej 7.7%, dhe padiskutim që dhe Shqipëria do të ketë recension. Ne jemi vend i vogël, z. Fevziu, dhe në rast se operojmë me politika të zgjuara, në rast se manovrojmë me zgjuarsi, ne…

Pyetje: Zgjuarsia nuk na ka karakterizuar aq shumë në fakt gjatë historisë...

Guvernatori: Duhet të përpiqemi. Kjo krizë është një test. Gjatë historisë ndoshta nuk ka qenë kështu, por këtë rast duhet të tregohemi të zgjuar, pasi kështu mund ta kapërcejmë krizën me më pak dhimbje, me më pak dëme. Sigurisht që do të kemi një rënie ekonomike e cila do të alokohet në të gjithë grupet e interesit - biznesi, bankat, individët dhe qeveria - por e rëndësishme është sa e shpejtë do të vijë rimëkëmbja.

Pyetje: Një teleshikues pretendon që nuk e ka marrë të plotë pagën e luftës, pra nga 26 mijë lekë, ka marrë 20 mijë lekë. Si mund të shpjegohet kjo? Mbase kërkon një përgjigje nga z. Ahmetaj...

Guvernatori: Z. Fevziu, në këtë rast mund të kemi të bëjmë me ndonjë gabim njerëzor ose personi në fjalë mund të ketë ndonjë detyrim ndaj bankës, që i është mbajtur në momentin e disbursimit të pagës së luftës.

Pyetje: Një pyetje tjetër nga publiku është nëse mund të ketë një shtyrje tjetër, pasi institucionet financiare të kredive kërkojnë që në qershor klientët të paguajnë të gjitha këstet e akumuluara së bashku për shmangien e penaliteteve, ndërkohë që paga e luftës nuk është shpërndarë ende.

Guvernatori: Është e vërtetë që ekziston një problem sa i përket institucioneve financiare jobanka, të cilat, në ndryshim nga bankat, kanë një situatë më të vështirë financiare. Bankat operojnë me depozita, pra kanë situatë shumë më të mirë likuiditeti, ndërkohë që institucionet financiare marrin kredi ose kanë donatorë të ndryshëm, dhe në rast se nuk i arkëtojnë normalisht këstet e kredive, ato nuk arrijnë të shlyejnë detyrimet tek donatorët ose bankat që i kanë kredituar. Pra, bankat kanë mundësi të manovrojnë, ndërsa institucionet financiare e kanë më të vështirë. Pikërisht për këtë arsye ne po shqyrtojmë mundësitë se si të operojmë në mënyrë që nga kjo të përfitojnë njëlloj të gjithë klientët, si ata bankarë ashtu edhe ata të institucioneve financiare jobanka, pa diferencime. Nga ana tjetër duhet të marrim në konsideratë edhe gjendjen financiare të institucioneve financiare jobanka, kur të marrim vendimin nëse do të kemi një ristrukturim ose shtyrje në fazën e dytë, megjithëse institucionet financiare jobanka zënë një pjesë fare të vogël të tregut financiar.

Pyetje: Sa për qind?

Guvernatori: Rreth 6-7% të tregut financiar, ndoshta më pak. Megjithatë edhe këto institucione kanë shumë rëndësi, pasi operojnë kryesisht në zonat rurale. Përgjithësisht mbështesin bujqësinë, e cila ka shumë nevojë për mbështetje. Pra, punojnë me klientë të vegjël, por janë shumë efecientë.

Pyetje: Një telespektator tjetër shprehet se ka marrë një kredi prej më shumë se një viti të cilën e shlyen rregullisht; ka bërë kërkesë për shtyrje kredie dhe punonjësi i bankës i ka thënë se këstet duhet t’i paguaja në fund, por bashkë me interesin e bankës, d.m.th. anulohet penaliteti dhe shtohet interesi. A është normale kjo?

Guvernatori: Mund të ketë raste dhe pretendime të ndryshme. Unë do t’i këshilloja qytetarët të ankohen përmes postës elektronike pranë Bankës së Shqipërisë dhe ne t’i trajtojmë ankesat e tyre.

Blendi Fevziu: Atëherë z. Guvernator faleminderit!

Guvernatori: Faleminderit juve z. Fevziu!