BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko për emisionin “Top Talk” në Televizionin Top Channel, 21 qershor 2021

Data e publikimit: 21.06.2021

 

Gazetari: Përshëndetje miq, kemi nisur kështu Top Talk për ditën e sotme. Sikurse jeni njoftuar më parë, në datën 30 qershor do të dalë në qarkullim një kartëmonedhë e re. Është 10 mijë lekëshi i ri ose thënë ndryshe siç njihet në gjuhën popullore 100 mijë lekëshi i vjetër. Në fakt ka pasur disa polemika mbi arsyen se pse ndodhi pikërisht në këtë moment dhe sa do t’i shërbejë popullatës kjo lloj prerjeje e re kartëmonedhe.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko është në Top Talk për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, që kanë ngritur disa prej njerëzve që hulumtojnë tregun financiar dhe kanë objeksionet e veta. Faleminderit zoti Sejko që vjen në Top Talk.

Guvernatori: Faleminderit Denis për ftesën.

Gazetari: Fillimisht le të shuajmë një kuriozitet. Pse u vendos tani që të dilet me këtë prerje të re dhe të madhe të lekut ose të kartëmonedhës shqiptare, pra 10 mijë lekëshit?

Guvernatori: Atëherë në fakt, siç e kam theksuar, shtypja e kësaj prerjeje është vendosur nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë që në vitin 2014…

Gazetari: Politikë…

Guvernatori: Si politikë vendimmarrjeje, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka marrë vendim për herë të parë në vitin 2014, mbështetur edhe në analizat e realizuara nga Departamenti i Emisionit të Bankës së Shqipërisë që prerja prej 10 mijë lekësh në kartëmonedhën shqiptare do të duhej të hidhej në qarkullim. Më pas është marrë gjithë koha e nevojshme dhe në bashkëpunim me Këshillin Mbikëqyrës, kemi gjykuar që ta rishikojmë të gjithë serinë e kartëmonedhës përtej kësaj prerjeje. Në këtë kuptim, kemi marrë në konsideratë disa arsye, të cilat i kemi shpjeguar në vijimësi, të tilla si: rritja e elementeve të sigurisë dhe standardeve të cilësisë së kartëmonedhës.

Gazetari: Ju përmendni rritjen e elementeve të sigurisë, por a kemi ne raste falsifikimi të kartëmonedhave, besoj se në memorien time nuk është se kemi pasur raste të tilla...

Guvernatori: Aktualisht nuk mund të themi se kemi raste të falsifikimit të monedhës, megjithatë gjithmonë ekziston një risk potencial. Meqenëse ju po më pyesni, në prerjet 1000 Lekë dhe 2000 Lekë, mund t’ju them se rastet kanë qenë në shifra të vogla dhe nuk kanë përbërë problem, pasi dhe cilësia e falsifikimit ka qenë e dobët, me 8.5 raste në 1 milion copë.

Gazetari: Pra risku është shumë i vogël për të pasur një histori falsifikimesh të monedhës?

Guvernatori: Risku është shumë i vogël. Edhe kartëmonedhat ekzistuese do të jenë paralelisht në qarkullim. Si 1000 Lekëshi i ri, por edhe prerjet e tjera, të cilat ne po hedhim në qarkullim të ridizenjuara, por që kanë të njëjtën tematikë, do të qarkullojnë dhe do të jenë në përdorim me kurs ligjor, paralelisht me prerjet e reja.

Gazetari: Ju thatë që keni vite që mendoni të hidhni në qarkullim kartëmonedhat e reja, tani çështja është kujt i shërbejnë ato? Më lejoni t’ju pyes fare thjesht. Shumë njerëz kanë paga të nivelit 40, 50 apo 60 mijë lekë, dhe mendoj se 10 mijë lekëshi i ri është i tepërt për të shkuar, fjala vjen për të bërë pazar. Me fjalë të tjera, kujt do t’i shërbejë kjo kartëmonedhë?

Guvernatori: Kartëmonedha i shërben jo vetëm qytetarëve dhe bizneseve, por dhe bankave dhe bankës qendrore si mjet qarkullimi monetar. Kartëmonedha letër është një nga mjetet e pagesës. Në këtë kuptim, vlerësimet dhe vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, nisen në radhë të parë nga administrimi i parasë letër që bën banka qendrore dhe sistemi bankar. Prandaj themi se është normale të kemi një prerje më të lartë referuar këtu parasë në qarkullim dhe administrimit të parasë letër. Ky proces do të lehtësojë administrimin dhe procesin e thesarizimit.

Gazetari: Ç’do të thotë proces i thesarizimit?

Guvernatori: Procesi i thesarizimit do të thotë që ne të kemi rezerva të parasë letër në qarkullim të mjaftueshme për t’i shërbyer nevojave të sistemit financiar dhe indirekt ekonomisë shqiptare.

Gazetari: Kam një pyetje. Shqipëria është një nga vendet me goxha informalitet nëse mund ta themi në kuptimin e dy elementeve, e para që shqiptarët vijojnë t’i mbajnë paratë poshtë jastëkut, dhe e dyta hyrja e parave përmes kanaleve ilegale pra e parasë së pisët, siç e quajmë ndryshe. Tani besoj që prerja e madhe shkon automatikisht si një ndihmesë për paratë e këtij lloji. Pra për paranë e pisët dhe atë ilegale. A e keni menduar ndonjëherë këtë fakt që qëndron si një kontrovers i asaj që ju vetë përpiqeni të promovoni?  

Guvernatori: Nuk mund të themi se është një proces kontrovers. Sa i përket çështjeve që ju referuat më sipër, mund të themi se aty ndërthuren disa problematika, të cilat vlerësoj se mund t’i trajtojmë të ndara nga njëra-tjetra.

Së pari, sa i përket parandalimit të pastrimit të parave që vijnë nga trafiku ilegal, ju informoj se ka një set masash ligjore zbatuese ku bëjmë pjesë dhe ne si Bankë Shqipërie. Me këtë rast dëshiroj të theksoj se Komiteti Moneyval për pastrimin e parave i ka bërë Shqipërisë një vlerësim pozitiv në raportin drejtuar Komisionin Evropian, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë raport ata shprehen se banka qendrore dhe sistemi bankar janë thelbësorë në këtë proces. Megjithatë ka disa elemente të tjera, të cilat duhen adresuar në mënyrë adekuate dhe veçanërisht dua të ndalemi te qarkullimi i parasë cash në ekonomi. Tashmë ne e kemi të qartë se trafiqet ndërkombëtare kryhen me monedhat e forta, siç janë euro dhe paundi britanik. Pra, me një vëzhgim të thjeshtë, ne mund të kuptojmë se sasitë e parave ilegale të kapura nga aktivitetet kriminale nuk janë në lekë. Leku është vetëm për qarkullimin e brendshëm.

Gazetari: A mund ta kthejë kjo lekun në një objektiv, për ta shndërruar pastaj atë në një stivë le të themi. Duke pasur prerje të madhe, ti fillon dhe mendon për të ruajtur paratë e tua në lekë.

Guvernatori: Kartëmonedha është një instrument, një mjet pagese, i cili duhet të ekzistojë patjetër dhe ekziston në të gjitha ekonomitë e zhvilluara dhe të pazhvilluara. Prandaj, pavarësisht këtyre rreziqeve që sipër përmendet, bankat qendrore nuk mundet të mos prodhojnë prerjet për të cilat ka nevojë tregu dhe sistemi i pagesave. Ndërkohë nga krahu tjetër duhen ndërmarrë gjithë masat e nevojshme për të parandaluar trafiqet dhe për të mos paralizuar ekonominë.

Gazetari: Po mirë, 50 mijë lekëshi i vjetër ose 5 mijë lekëshi i ri, të cilin e kemi si prerje prej kohësh, nuk e plotësonte këtë kuadër?

Guvernatori: Patjetër, 5 mijë lekëshi i ri është pjesë e emisionit të vitit 1996 dhe praktikisht kishte ardhur koha që të kishte një prerje edhe më të lartë, si pasojë e analizave të kryera.

Gazetari: Do vazhdojë të jetë 5 mijë lekëshi ndërkohë?

Guvernatori: Të gjitha prerjet do të vazhdojnë të jenë në qarkullim.

Gazetari: Nuk përjashtohet asnjëra prej tyre.

Guvernatori: Nuk bëhet fjalë, ne e kemi komunikuar disa herë, seria e re…

Gazetari: Zgjerohet gama..

Guvernatori: Zgjerohet gama për efekt të administrimit të parasë, të thesarizimit dhe të përdorimit nga përdoruesit e tjerë si agjentë, individë dhe biznese.

Gazetari: Po, patjetër që do të jenë të gjitha prerjet e tjera. Kam dëgjuar disa komente, që thonë se ne nuk po emetojmë 10 mijë lekëshin e ri dhe po heqim prerjet e tjera. Ne do t’i kemi të gjitha prerjet e tjera në qarkullim. Kështu për nevoja pagesash më të vogla do të përdoren prerjet më të vogla dhe për nevoja pagesash më të larta, do të përdoren prerjet më të larta. Kjo është një ndihmesë dhe një element shtesë. Pra, nuk i zëvendëson kjo prerje prerjet e tjera.

Guvernatori: Natyrisht, një tjetër kundërshti logjike nëse mund ta cilësoj kështu, më korrigjoni nëse jam gabim është fakti që e gjithë propaganda ose politika sensibilizuese është drejt fiskalizimit ose drejt formalizimit…

Gazetari: Formalizimit dhe kalimit në kanale bankare të të gjithë qarkullimit të parasë…

Guvernatori: Patjetër…

Gazetari: Që njerëzit të përdorin sa më shumë karta debiti ose krediti për shkak se gjithçka pastaj është më transparente, më e kontrolluar, më e monitoruar, por dhe më e sigurt. Tani me hedhjen në qarkullim të kësaj prerjeje, kartëmonedhe të re, duket sikur në një kuptim kundërshtohet politika që i fton njerëzit të përdorin sa më pak para cash.

Guvernatori: Absolutisht jo.

Gazetari: Pse?

Guvernatori: Paraja, kartëmonedha dhe prerjet e kartëmonedhës janë një tjetër element në drejtim të modernizimit të sistemit të pagesave si dhe luftës kundër informalitetit në ekonomi. Formalizimi dhe puna që zhvillohet për rritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me paranë elektronike, kartat e debitit dhe kreditit, janë iniciativa të tjera të cilat ecin paralelisht me njëra-tjetrën.

Gazetari: A dispononi ju statistikat përkatëse, meqenëse u prek si çështje, mbi përqindjen e shqiptarëve të cilët përdorin ATM-të ose kartën e debitit dhe kreditit? 

Guvernatori: ATM-në e përdorin një numër shumë i lartë shqiptarësh, por kartat e kreditit …

Gazetari: A është edukata jonë në nivel mesatar, në nivel të ulët apo po shkojmë drejt…

Guvernatori: Edukata jonë është rritur ndjeshëm në këtë drejtim. Progresi i realizuar me kartat e kreditit, debitit dhe me pagesat elektronike që lidhen me përdorimin e internet banking është mjaft i ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Këtu vlen të përmendet se vetëm 10 apo 15 vite më parë, niveli i përdorimit të ATM-ve ishte tejet i ulët për të mos thënë inekzistent.                                     

Gazetari: Por jemi ndërkohë në vitin 2020, kështu që…

Guvernatori: Ne ende mund të themi se klasifikohemi në vendet e prapambetura në këtë drejtim…

Gazetari: Ne jemi në vendet e prapambetura….

Guvernatori: Aktualisht, ne si bankë qendrore kemi një strategji kombëtare. Paralelisht, vlen të përmendim këtu edhe funksionimin e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, i cili ka ndërmarrë një sërë iniciativash mjaft të vlefshme në këtë fushë që do të mund t’i trajtonim në një emision të posaçëm pasi janë me një rëndësi të veçantë.

Gazetari: Është fakt, fjala vjen, që ka ende kompani të mëdha apo nuk e di subjekte të ndryshme, të cilat përdorin dy bilance.

Guvernatori: Standardi i dy bilanceve i shërben evazionit fiskal dhe kjo çështje është adresuar.

Gazetari: A kanë lidhje? 

Guvernatori: Paraja dhe evazioni fiskal janë padyshim të lidhura me njëra-tjetrën. Paraja kartëmonedhë shërben si instrument pagese, për të lehtësuar pagesat dhe administrimin e parasë nga bankat e nivelit të dytë dhe nga banka qendrore. Masat kundër informalitetit janë një set tjetër masash, të cilat janë pjesë përbërëse e reformave strukturore që duhet të ndërmerren nga qeveria shqiptare, nga Banka e Shqipërisë dhe nga të gjithë aktorët e tjerë ligjzbatues në Republikën e Shqipërisë.

Gazetari: Kam dy pyetje. Së pari, ju u shprehët pak më parë që paraja e pisët qarkullon kryesisht në euro ose në paund. Aktualisht dhe qarkullimi legal në tregti dhe eksportet kryhen në monedhën euro. Në këtë kontekst, sa larg euros jemi ne sot që flasim dhe a po përgatitemi ne që të adoptojmë euron apo jemi ende larg zyrtarizimit të saj si kartëmonedhë? A duhet të investohemi ne te euro dhe jo tek leku?

Guvernatori: Përsëri janë dy çështje të ndara, po njëkohësisht edhe të lidhura me njëra-tjetrën. Shqipëria është në një fazë të caktuar të zhvillimit ekonomik dhe pikërisht për të shkuar drejt Eurozonës, ne do të duhet të vazhdojmë me procesin e deeuroizimit dhe paralelisht me forcimin e përdorimit të monedhës kombëtare.

Gazetari: Pse?

Guvernatori: Për shkak se përdorimi i monedhës kombëtare i jep bankës qendrore mundësi që të transmetojë më mirë politikën monetare, dhe transmetimi i politikës monetare nxit më mirë konsumin, investimet dhe kreditimin. Të gjitha çka përmenda më sipër përkthehen direkt në rritje ekonomike dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Paralelisht, kjo vlen për të ruajtur stabilitetin financiar, si dhe shëndetin financiar të bankave dhe depozitat e shqiptarëve. Pra, nëse kreditë do të vazhdojnë të jepen në euro dhe të ardhurat tuaja janë në lekë, atëherë në rastin e një zhvlerësimi të mundshëm të lekut, ju do të gjendeni në vështirësi të mëdha paguese. Ne kemi qenë dëshmitarë të krizave të ndryshme si pasojë e këtij faktori.

Gazetari: Po flisni për inflacionin?

Guvernatori: Po flas për inflacionin. Nëse do të kishim inflacion, njerëzit, qytetarët dhe bizneset do të dështonin për të paguar kreditë dhe kjo do të krijonte jo vetëm humbje financiare...

Gazetari: ...por edhe kaos?

Guvernatori: Do të krijonte një kaos, të cilin e kemi përjetuar edhe më parë. Për këto arsye, politikat e ndjekura në përputhje edhe me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë në themel pikërisht stimulimin e monedhës kombëtare. Në momentin që edhe Shqipëria do të arrijë në një nivel të caktuar ekonomik, atëherë politikat tona do të ndryshojnë në drejtim të adoptimit dhe përdorimit të Euros.

Gazetari: Qëndrojmë te kjo çështje tani. A kemi përpara nesh një objektiv final? Domethënë, viti 2030 mund të na gjejë në euro, apo ndoshta 2040-ta? Pra, a mund të kemi ne një objektiv afatgjatë apo afatmesëm në këtë drejtim?

Guvernatori: Kjo do të varet kryesisht nga serioziteti ynë në drejtim të zbatimit të reformave ekonomike.

Gazetari: A aspirojmë ne që të shkojmë drejt adoptimit të Euros apo do të qëndrojmë konsekuent në mbajtjen e monedhës tonë kombëtare?

Guvernatori: Në këtë drejtim janë kryer disa analiza dhe vrojtime empirike në nivele të ndryshme. Mbi 90% e qytetarëve shqiptarë aspirojnë të shkojnë drejt adoptimit të Euros. Mënyra jonë e jetesës është drejt euros. Patjetër që ne dëshirojmë të shkojmë drejt euros, drejt Bashkimit Evropian. Euro është kartëmonedha, kur flasim për kartëmonedhën…

Gazetari: Dakord, dakord, po flisja konkretisht, jo si një qasje politike, por si një qasje financiare.

Guvernatori: Po ne sigurisht nuk kemi rrugë tjetër. Modeli ynë i jetesës, aderimi, ankora jonë si Shqipëri është drejt euros. Të gjitha përpjekjet tona janë të projektuara drejt Bashkimit Evropian. Ne e kemi konfirmuar tashmë drejtimin tonë drejt perëndimit. Ekonomia jonë është ekonomi tregu e lirë dhe e hapur. Standardet tona janë në përputhje të plotë me kursin për adoptimin e euros. Për më tepër, vetë standardet e kartëmonedhave të reja dhe ndryshimet që kanë pësuar ato tregojnë synimin tonë për t’u përafruar drejt euros. Pavarësisht sa përmenda më sipër, ne duhet të jemi seriozë në kryerjen e reformave strukturore me qëllim që Shqipëria të vijojë në rrugën e zgjedhur drejt Bashkimit Evropian. Sigurisht që e gjithë kjo kërkon kohën e saj. Sa më seriozë të jemi ne në ndërmarrjen e reformave strukturore, aq më shumë do të përshpejtohet koha.

Në drejtim të konvergimit tonë drejt euros ka disa skenarë, si ai pesimist ashtu edhe ata realistë dhe optimistë. Skenari optimist, i cili mbështetet në një sërë analizash empirike, na tregon se brenda një periudhe kohore të konsiderueshme, ne mund të kemi përmbushur standardet e kërkuara. Pra, brenda një afati kohor prej 20 vjetësh ne do të mund të adoptonim monedhën euro. Kjo mund të ndodhë edhe më shpejt nëse mbështetemi plotësisht te skenarët pesimistë.

Gazetari: Tani unë po ndërmarr një kurs komplet tjetër, kjo për shkak se njerëzit në tregjet e hapura, po flasin gjithnjë e më tepër për monedhën virtuale. Pra, kemi paranë kombëtare, lekun, euro dhe monedhën virtuale ose Bitcoin siç njihet ndryshe. Aktualisht, ndoshta është momenti që ne të mendojmë për kapërcimin nga Leku menjëherë te Bitcoini, pra pa adoptimin e Euros? Pyetja duket paksa naive, por besoj se ia vlen të diskutohet mbi këtë çështje.

Guvernatori: Jo, patjetër që ia vlen ta diskutojmë dhe trajtojmë si çështje. Monedhat virtuale, Bitcoin, kriptomonedhat, janë jashtë kontrollit të bankave qendrore, janë disa monedha të cilat...

Gazetari: A është e ardhmja, Bitcoin dhe monedha virtuale? Dëshiroj t’ju drejtohem juve së pari si profesionist në këtë drejtim.

Guvernatori: Sigurisht që është e ardhmja, por jo në këtë formë siç e nënkuptoni ju. Bankat qendrore, Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Banka Qendrore e Anglisë dhe Banka Qendrore Evropiane, po bëjnë analiza të thella mbi impaktin e mundshëm të monedhës digjitale. Në këtë kontekst, me zhvillimet e reja teknologjike synohet që të jetë banka qendrore ajo e cila do të emetojë monedhën digjitale paralelisht me kartëmonedhën letër apo me format e tjera të saj. Ndërkohë, meqenëse aktualisht kriptomonedha nuk është nën kontrollin e bankës qendrore, ajo mbart një risk të lartë për investitorët e mundshëm. Njëkohësisht, ka edhe luhatje të ndryshme të saj, të cilat vijnë si rrjedhojë e luhatjeve të tregut dhe që mbeten ende të pakontrolluara.

Gazetari: Pyetja konkrete është kjo: Bankat qendrore dhe ata që bëjnë politikat financiare globale, synojnë ta motivojnë kriptomonedhën apo ta demotivojnë atë?

Guvernatori: Tregjet financiare kanë në dispozicion të tyre instrumente nga më të larmishmet. Bankat qendrore dhe rregullatorët e tjerë mbajnë përgjegjësi ligjore lidhur me gjithë instrumentet e pagesave dhe elementet e tjera në tregjet financiare, prandaj sensibilizimi dhe informimi i publikut mbetet një domosdoshmëri. Parë nga ky këndvështrim, këto instrumente pagesash dhe reforma financiare duhet të administrohen, mbikëqyren dhe lançohen nga institucionet financiare për të garantuar publikun e gjerë në lidhje me to. Çdo element tjetër në tregun financiar, çdo mjet pagese ose formë investimi, e cila nuk është e monitoruar apo mbikëqyrur nga institucionet financiare, mbart rreziqe të mjaftueshme për investitorët dhe bankat qendrore.

Gazetari: Qartë, deri tani nuk ka një promovim të tyre dhe veçanërisht nga bankat qendrore. Për ta mbyllur edhe një pyetje të fundit që lidhet me diskutimin tonë për 10 mijë lekëshin e ri, pra 100 mijë lekëshin e vjetër. Kjo prerje e lartë e kartëmonedhës, a mbart një risk të shtuar për të pasur një inflacion në rritje? Zakonisht kur priten para të reja, nënkuptohet ideja e inflacionit.

Guvernatori: Prerja e kartëmonedhës ndjek nivelin e inflacionit dhe nuk është prerja e kartëmonedhës ajo që stimulon inflacionin. Kur ka inflacion të lartë, priten kartëmonedha me vlerë të lartë.

Gazetari: Prandaj jua bëra pyetjen, sepse nënkupton gjithmonë këtë.

Guvernatori: Ne nuk jemi përpara një situate inflacioniste. Shpeshherë ndodh që situatat e vështira të pasuara nga kriza të forta ekonomike të detyrojnë shtete të caktuara të presin kartëmonedha me disa zero shtesë si pasojë e inflacionit. Në rastin tonë, prerjen e re nuk e kemi prodhuar si pasojë e inflacionit. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e një studimi disavjeçar dhe mbi të gjitha si një nevojë për mirëfunksionimin e sistemit të pagesave.

Gazetari: Pra lidhet me borxhin që është mbi 80%. Borxhin publik?

Guvernatori: Jo. Mund të them se nuk ka asnjë lidhje me borxhin publik. Sikurse e trajtuam më sipër, kemi të bëjmë thjesht me një instrument pagese. Pra, është një para e hedhur në qarkullim për të ndihmuar qarkullimin e parasë si mjet financiar. Nuk jemi këtu përpara një situate inflacioniste. Madje ne synojmë që inflacioni të pësojë një rritje të lehtë për shkak se aktualisht ndodhet në një nivel disi më të ulët se objektivi i Bankës së Shqipërisë.

Gazetari: Na shkoftë mbarë 10 mijë lekëshi i ri! Faleminderit zoti Gent Sejko. Ishte Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Ky do të jetë 10 mijë lekëshi i ri që do të hyjë në qarkullim më 30 qershor, njëkohësisht me 1000 lekëshin e ri.