BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko për televizionin A2CNN

Data e publikimit: 01.04.2020

 

Pyetje: Z. Guvernator, pyetja e parë ka të bëjë me takimin e sotëm, me konferencën online me Kryeministrin. Çfarë u diskutua saktësisht?

Guvernatori: Mirëmbrëma! Sot, siç e keni parë dhe ju, kemi organizuar një takim nëpërmjet video-konferencës me Qeverinë Shqiptare, Kryeministrin dhe ministrin Ahmetaj, dhe me drejtorët e bankave të nivelit të dytë. Takimi ishte koordinativ, këshillimor, pra nuk pati vendimmarrje, por shkëmbim informacioni, në funksion të veprimeve që po ndërmarrim kohët e fundit. Kjo ishte mjaft e nevojshme për të rakorduar veprimet midis bankave të nivelit të dytë, qeverisë, tregut dhe bankës qendrore. Konkretisht, ne diskutuam në radhë të parë lidhur me iniciativën dhe vendimin për shtyrjen tremujore të kësteve të kredive të klientëve bankarë, dhe pamë që bankat e nivelit të dytë, praktikisht, e kanë adresuar seriozisht dhe në mënyrë proaktive problemin. Ato po veprojnë ditë pas dite me gjithë klientët, si biznese dhe individë; nuk shikojmë ndonjë problem në këtë aspekt. Na u kërkua që të fillojmë të mendojmë në vazhdimësi nëse do të ketë probleme me biznesin edhe pas një tremujori, për të parë lehtësirat e mundshme që mund të krijojmë nga ana rregullative.

Pyetje: Është një çështje shumë interesante kjo e kredive për një periudhë tremujore, duke pasur parasysh që ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit të biznesit, por pa dyshim e mirëpritur dhe nga qytetarët e thjeshtë. Megjithatë shpesh herë është shoqëruar me një paqartësi, në rast se bëhet fjalë për pranimin e të gjitha kërkesave që do të vijnë nga individët dhe bizneset apo vetëm për ato biznese apo qytetarë të cilët do t’i vërtetojnë bankës që ndodhen në vështirësi. Në përfundim, do të jetë banka ajo që do të vendosë apo bëhet fjalë për një urdhër dhe sistemi bankar është i detyruar që të aprovojë shtyrjen për çdo rast që paraqitet? Kjo është çështje që vlen të sqarohet.

Guvernatori: Vendimi ynë i jep bankave të drejtën për të gjykuar rastet, pra jo të gjithë klientëve do t’u shtyhet kësti i kredisë në mënyrë automatike. Kjo mund të bëhej vetëm nëpërmjet një ligji, me një garanci të caktuara dhe duhet të kishte formën e një moratoriumi të prerë. Ne nuk e gjykuam këtë si mënyrën e duhur, pasi mund të krijonte vështirësi financiare për disa nga bankat e nivelit të dytë dhe siç dihet, stabiliteti financiar për ne ka rëndësi parësore. Pavarësisht nga kjo, filozofia, përqasja dhe ndërmarrja e veprimeve nga ana e bankave është shumë proaktive dhe pothuajse të gjitha kërkesat janë duke u trajtuar si të ishte një mënyrë automatike; bankat e nivelit të dytë po e aplikojnë shtyrjen në mënyrë të menjëhershme pas marrjes së kërkesës, madje disa prej tyre e kanë aplikuar pothuajse për të gjithë klientët. Sigurisht që ka raste përjashtimore që nuk janë të prekur nga kriza, p.sh. kur burimi i të ardhurave nuk është të prekur nga kriza, dhe në këto raste nuk ka kuptim që të ketë miratim për shtyrje të këstit të kredisë. Këta klientë mund të jenë të pakët, por gjithsesi ekzistojnë. Nga diskutimi i sotëm nuk vëmë re që ka problematika. Qeveria nga ana e saj ishte e interesuar që të shikonte reagimin e bankave, njëkohësisht dhe ne nga këndvështrimi ynë në mbrojtje të stabilitetit financiar, donim të shikonim si po ecte procesi. Problemet do t’i shikojmë ndoshta pas një tremujori, dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme, në rast se do të vazhdojë të ketë vështirësi.

Pyetje: Në fakt, z. Guvernator, në këtë situatë sistemi bankar është shumë i rëndësishëm, pasi jo vetëm që është financuesi kryesor i ekonomisë, por është një aktor kryesor në zbatimin e planit A të emergjencës ku përfshihen: garancia sovrane 100 milionë dollarë që do të vihet në dispozicion në mbështetje të të gjitha bizneseve të mesme dhe të mëdha të cilat do të kenë vështirësi në dhënien e pagave dhe mund t’i drejtohen sistemit bankar për marrjen e një kredie për mbulimin e kësaj nevoje; si dhe hapja e llogarive për kalimin e pagës së luftës. Duke pasur parasysh se edhe bankat në vetvete janë biznes, cila ka qenë qasja e sistemit bankar apo rekomandimet dhe një kërkesat e tyre, në mënyrë që dhe ato të jenë në një situatë optimale në këtë periudhë të vështirë për të gjithë?

Guvernatori: Këto që sapo përmendët ishin dhe dy nga çështjet që u diskutuan në takimin e sotëm pra: si do të operohej me fondin e garancisë prej 100 milionësh, akorduar nga qeveria për pagat e punonjësve të sektorit privat; dhe hapja e llogarive bankare nga ana e bankave të nivelit të dytë, të cilave iu kërkua nga qeveria të kenë një qasje fleksibël dhe mundësisht me kosto sa më të ulëta. Unë dua t’i falënderoj të gjithë drejtuesit e bankave të nivelit të dytë për qasjen e tyre proaktive deri në këtë moment, pavarësisht nga disa problematika të vogla. Në përgjithësi, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ndodhemi në një situatë emergjence dhe të gjitha bankat kanë treguar gatishmërinë e duhur, kanë qenë bashkëpunuese dhe kanë kryer aktivitetin në mënyrë të përkryer. Normalisht, fondi i garancisë i lëshuar nga qeveria do të përdoret nga bankat e nivelit të dytë, pra ato e kanë marrë këtë detyrë me seriozitet; ky ishte konfirmimi që ne morëm nga drejtorët e bankave të nivelit të dytë. Gjithsesi, ecuria e procesit do shihet në vijim. Gjithashtu, nga drejtuesit e bankave të nivelit të dytë na u premtua se hapja e llogarive bankare do procesohet shpejt. Në këtë kontekst, ata kishin një shqetësim në lidhje me orarin e punës, pasi masat kufizuese të lëvizjes së popullatës krijojnë problematikë në funksionimin operacional të bankave të nivelit të dytë. Duhet të jemi të qartë që një klient banke shpenzon më shumë kohë se një klient që shkon në supermarket pasi vetë procesi kërkon një farë kohe dhe kjo krijon radhë. Bankave iu premtua se mund të vazhdojnë punën operacionale deri në ora 13:00. Me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është rakorduar që nëse punonjësit e bankave do të jenë në lëvizje pas orës 13:00, duke treguar kartën e bankës si punonjës banke, ata nuk do të ndalohen. përdorimi i operacioneve një takim informues dhe koordinues, për të matur se sa është kuptuar nga sistemi bankar paketa e masave të marra, si dhe ndryshime të caktuara rregullative që janë bërë dhe do të bëhen në vijim, si nga ana e qeverisë ashtu edhe nga ana nga ana e bankës qendrore.. Pati disa kërkesa nga drejtuesit e bankave për ne si bankë qendrore, për të marrë në shqyrtim lehtësira të tjera në vazhdimësi, sa i përket trajtimit me provigjione ose kërkesave për kapital. Këto do të elaborohen në ditët në vijim, por sigurisht që gjithçka do të varet nga kohëzgjatja e krizës. Për momentin, unë do të thosha që gjendja e stabilitetit financiar dhe e sistemit bankar vazhdon të mbetet e shëndetshme, me tepricë likuiditeti, me një normë të lartë mjaftueshmërie, një personel të mirëtrajnuar e të gatshëm për të shërbyer. Bankat do të jenë në funksionim dhe fatmirësisht sistemi bankar është një nga shtyllat kryesore që do të ndihmojë në kalimin e kësaj situate të vështirë, në mënyrë sa më të mirëmenaxhuar dhe më me pak vështirësi.

Pyetje: Z. Guvernator, padyshim që është një lajm i mirë që sistemi bankar është likuid dhe i mirëkapitalizuar, duke pasur parasysh se duhet të jetë dhe në përgjigje të një prej veprimeve që ka marrë së fundmi Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, nënkuptoj këtu uljen e kostos së Lekut, normës bazë të interesit, që tashmë ka zbritur në minimumin historik të 0.5 për qind. A e shikoni ju si një mekanizëm që do të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë në një periudhë të dytë, pasi faza e emergjencës shëndetësore të ketë kaluar, dhe a do të ketë ndonjë përgjigje nga ana e bankave, nëpërmjet një reagimi të uljes së interesave të kredive të reja në Lek?

Guvernatori: Nëse shikon planin e masave të të gjitha bankave qendrore të prekura nga kjo situatë - të rajonit, të Eurozonës, por dhe më gjerë – has pothuajse në të njëjtat masa. Duke qenë se bankat qendrore kanë si objektiv kryesor stabilitetin e çmimeve, masa e parë është ulja e normës së interesit - me përjashtim të bankës qendrore evropiane, e cila ishte në një normë negative interesi, të gjitha bankat e tjera qendrore, FED-i e etj. që kanë pasur hapësirën e nevojshme, kanë bërë një ulje të normës së interesit. Ulja e kësaj norme shërben për të ulur koston e huamarrjes dhe koston e shërbimit të borxhit, pra politika monetare lehtësuese aplikohet me uljen e normës së interesit, për të nxitur kreditimin, konsumin dhe investimet. Sigurisht që dhe pas kësaj situate krize, kjo ulje e normës së interesit do të ndihmojë publikun, të gjithë agjentët ekonomikë dhe sistemin bankar, për të pasur një kosto sa më të ulët të kredisë, por në funksion të nxitjes së konsumit dhe investimeve. Ky është instrumenti bazë i bankave qendrore që dhe ne aplikuam pasi, duke qenë në nivelin 1%, kishim ende pak hapësirë. Përtej kësaj, sikurse kemi theksuar edhe në komunikime të mëparshme, kemi planifikuar masa të tjera me instrumente jokonvencionale, të cilat mund t’i përdorim, në rast se situata do të përkeqësohet. Fatmirësisht, kemi një gjendje të mirë likuiditeti dhe këtë gjendje likuiditeti ne do ta përdorim, gjithmonë në përputhje me kriteret dhe kufizimet ligjore.

Pyetje: Tashmë është pranuar nga të gjithë - nga Christine Lagarde e FMN-së, nga ECB-ja, OECD-ja - që pandemia COVID-19 do të shoqërohet me një krizë ekonomike, dhe pritet që të gjithë të biem në një recesion të thellë nga i cili edhe Shqipëria nuk mund shpëtojë. Duket sikur shenjat e para të kësaj krize kanë trokitur, duke pasur parasysh edhe pushime nga puna në disa industri, të diktuara edhe nga situata. Në një letër drejtuar sot Kryeministrit nga industria fason kërkohej mbështetje për biznesin e madh. Në kuadër të të gjithë dinamikës, sa e thellë pritet të jetë kriza dhe cilat janë masat që ju do të rekomandonit, në mënyrë që edhe rimëkëmbja pas pandemisë të jetë sa më e shpejtë?

Guvernatori: Kjo që thoni është e vërtetë dhe çështja është shumë komplekse. Ekzistojnë një set masash, që ne do të rekomandonim. Në fakt, kjo është një krizë e rrallë, me cilën globi nuk është përballur prej gati 100 vitesh, që nga koha e gripit spanjoll 1917-1918, për këtë arsye bota është gjendur e papërgatitur. Në këtë situatë, të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare si FMN-ja dhe BB-ja, por dhe bankat qendrore të shteteve të mëdha e të vogla, kanë filluar të bëjnë analizat dhe prognozat e tyre, në funksion të ecurisë së krizës dhe të zhvillimeve ekonomike dhe makroekonomike. Sigurisht që situata ndryshon çdo ditë dhe çdo lloj prognoze është shumë e paqartë, pasi varet nga kohëzgjatja e krizës shëndetësore. Për sa kohë që kjo situatë do të vazhdojë, natyrisht që do të ketë dhe masa izoluese, të cilat godasin direkt ekonominë në dy drejtime, si në drejtim të prodhimit ashtu dhe të konsumit. Kjo është realisht një goditje e fortë, e cila po të zgjatet ka pasoja edhe në sistemet financiare. Nëse do t’i referohesha disa shifrave, megjithëse këto analiza nuk janë zyrtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë parashikuar një recesion mbi 5% gjatë këtij viti, ndërsa Kina një recesion afër 4% , pra kemi të bëjmë me shifra të thella recesioni. Ekonomia shqiptare, pavarësisht se është një ekonomi e vogël t, është e hapur ndaj tregjeve dhe partnerët tanë kryesorë janë në Eurozonë. Vende si Italia janë prekur rëndë nga pandemia dhe do të kenë problemet e tyre ekonomike, të cilat do t’i sjellin goditjet e tyre në ekonominë shqiptare. Siç e thashë, gjithçka do të varet nga kohëzgjatja e pandemisë. Sa më e gjatë të jetë pandemia, aq më e vështirë do të jetë rimëkëmbja dhe aq më i thellë do të jetë dëmi financiar dhe ekonomik. Një parashikim i përafërt i ekspertëve të shëndetit është se në fund të muajit prilli do të kemi një rënie të shifrave të të prekurve dhe stina e verës shpresojmë të na kthejë në një situatë ku mund të fillojmë rimëkëmbjen. Rritja ekonomike pas kësaj situate do të vijë e shpejtë, por gjithçka është e lidhur me dëmin e bërë gjatë kësaj periudhe. Faleminderit!