BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko për televizionin Euronews Albania

Data e publikimit: 12.03.2020

 

Pyetje: Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur sot që të ketë një pezullim të pagesës së kredive për të gjithë debitorët. Vendimi është marrë në kuadër të masave të vendosura nga qeveria për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Banka e Shqipërisë njofton gjithashtu se anulon dhe disa aktivitete edukative të Javës së Parasë të parashikuara për t’u organizuar në datat 23-29 mars. Çfarë nënkupton ky vendim për të pezulluar tre muaj pagesat e kredive për ata shtetas apo biznese që kanë kredi. Pse arritët në këtë vendim dhe cilat janë kategoritë që preken nga ky pezullim?

Guvernatori: Ky vendim u mor sot nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në kuadër të masave të ndërmarra për të përballuar situatën aktuale. Ndërsa dje ne kemi shpërndarë udhëzime të qarta për të gjitha bankat e nivelit të dytë, sa i përket mënyrës së operimit në kushtet e kësaj situate të jashtëzakonshme. Udhëzimet tona parashikojnë që bankat të punojnë me një numër të kufizuar punonjësish, duke marrë masat e duhura parandaluese për mbrojtjen e punonjësve dhe klientëve, por pa ndërprerë operacionet bankare.

Në lidhje me pyetjen tuaj konkrete, sot Këshilli Mbikëqyrës mori një vendim për riskedulimin e kësteve të kredisë, pra për një shtyrje të këtyre kësteve për të gjithë kategoritë e klientëve, si individë ashtu edhe biznese, për një afat tremujor.

Ne jemi të ndërgjegjshëm që në këtë situatë shumë biznese janë mbyllur – kjo vlen veçanërisht për bizneset e vogla, bar-kafetë, restorantet, por pa përjashtuar bizneset e mëdha - dhe në këtë situatë të vështirë të krijuar nga masat shtrënguese, synojmë të lehtësojmë “frymëmarrjen” e biznesit. Kjo bëhet njëkohësisht dhe për të ulur numrin e kontakteve në sportelet e bankave të nivelit të dytë. Në këtë aspekt, dua të theksoj që nuk ka falje të kësteve të kredisë, por thjesht një shtyrje apo një riskedulim me tre muaj të pagesave të kredive. Njëkohësisht, dëshiroj të sqaroj se klientët që duan të kryejnë pagesat e kredive si zakonisht mund të vazhdojnë ta bëjnë këtë; bankat janë të hapura dhe të disponueshme për të vazhduar marrëdhëniet normale. Ne si Bankë e Shqipërisë kemi lehtësuar kriteret tona rregullative për rastet e vonesave - pra kemi bërë një moratorium – duke mos i rënduar kredimarrësit me interesvonesa për pagesat e kësteve të kredisë.

Pyetje: Çfarë ndodh mbas këtyre tre muajve? Fillon pagesa e tre muajve që kanë mbetur apo e tre muajve bashkë? Çfarë do të ndodhë kur të kalojë kjo periudhë?

Guvernatori: Pas kësaj periudhe tremujore, rifillon pagesa e kredisë sipas skedulit normal. Pra, afati i maturimit dhe skeduli i pagesave shtyhet me tre muaj. Janë po të njëjtat këste dhe po e njëjta sasi kredie për t’u paguar, thjesht skeduli i pagesave shtyhet me tre muaj.

Pyetje: Po ndërkohë a duhet të ketë lehtësi?

Guvernatori: Bankat nuk rëndohen me provigjone. Lehtësia është që nuk do të rëndohen me interesvonesa.

Pyetje: A duhet të ketë lehtësi dhe për detyrime të tjera që ata kanë? Qira, tarifa për ujin, për energjinë gjatë këtyre tre muajve apo dhe më shumë?

Guvernatori: Gjykoj se duhet të ketë, por kjo është pjesë e punës së Qeverisë Shqiptare dhe jo e Bankës së Shqipërisë ose bankave të nivelit të dytë. Jam i sigurt që qeveria po shqyrton masat për të krijuar lehtësi për individët dhe për bizneset, por lidhur me këtë nuk mund t’ju jap një përgjigje konkrete. Iu përgjigja konkretisht pyetjes tuaj lidhur me një vendimmarrje të sotme që ka të bëjë me bankat e nivelit të dytë dhe me klientët kredimarrës, të cilët nuk janë pak.

Pyetje: Z. Guvernator, Kryetari i Partisë Demokratike, z. Basha, i ka bërë thirrje bankave që të japin kredi me interesa të ulëta. A vlen të trajtohet kjo ide?

Guvernatori: Nuk kisha dijeni mbi këtë deklaratë, por mund të them se bankat kanë planet e tyre të biznesit. Ato janë institucione private dhe njësoj si gjithë institucionet e tjera, do të marrin në konsideratë çdo lloj mundësie, sigurisht pa prekur përfitimet ose të ardhurat e tyre. Nuk e di konkretisht se çfarë është thënë apo kërkuar, por di që dje Kryetari i Partisë Demokratike e ka ngritur këtë shqetësim, sikurse e kanë ngritur edhe shoqatat e biznesit. Vetë Shoqata e Bankave e ka diskutuar më parë me mua çështjen e një shtyrjeje tremujore, por lidhur me uljen e normave të interesit apo lehtësira të tjera nuk është diskutuar ende.

Ajo që mund të them është se politika jonë monetare lehtësuese i ka ulur në maksimumin e mundshëm normat e interesit. Kemi një transmetim të politikës monetare në të gjitha segmentet e tregut financiar, në interesat e kredive, depozitave ashtu dhe të bonove të thesarit. Në këtë kontekst, duke pasur parasysh situatën e krijuar nga pandemia dhe pasojat që ajo mund të ketë në ekonomi - për të cilat ne jemi duke bërë analizat tona dhe duke parashikuar skenarët - ne si bankë qendrore patjetër që do të vazhdojmë me politikën tonë monetare lehtësuese. Mund të kemi dhe një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare që do të thotë se do të ketë dhe ulje të normës së interesit, në rast se ne do të shohim që rezultatet e analizave na e imponojnë marrjen e një vendimi të tillë. Sidoqoftë, ky është një vendim që i përket Këshillit Mbikëqyrës.

Politika monetare lehtësuese synon uljen e normave të interesit, lehtësimin e kushteve të kreditimit, për të stimuluar kreditimin, konsumin dhe investimet. Vetë bankat kanë ulur normat e interesit, si pasojë e reflektimit të politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë edhe Banka Qendrore Evropiane ka pasur një politikë monetare lehtësuese që i ka ulur normat e interesit të kredive në Euro. Pra, gjatë viteve të fundit, interesat janë ulur në mënyrë graduale si në Lek ashtu dhe në Euro.

Pyetje: Z. Guvernator a mund të kemi ulje të konsumit dhe rënie ekonomike në këtë periudhë? Me parashikimet që ju po bëni, prisni që të keni ulje të konsumit dhe rënie ekonomike? Cili është parashikimi juaj më i përafërt për humbjen që do të ketë ekonomia?

Guvernatori: Nuk kemi shifra; nuk mund ta them me saktësi se sa është parashikimi, pasi situata ndryshon ditë pas dite. Një gjë është e sigurt, që do të kemi ulje të konsumit dhe të ritmit të rritjes ekonomike. Parashikimi ynë për rritjen ekonomike që do ishte 3%, besojmë se do të jetë më i ulët. Këtë po e marrim në analizë këto ditë dhe, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, do ta bëjmë publike përmes deklaratës sonë të politikës monetare. Aty do të bëhet publik dhe qëndrimi që do të mbajë Banka e Shqipërisë me instrumentet që ligji i ka vënë në dispozicion.

Për momentin, nuk mund të them se sa do të jetë ulja, por mund të them që ne nuk do të biem në recesion, sikurse u ka ndodhur shumë shteteve. Pasojat në ekonominë botërore janë shumë të rënda dhe ne do të kemi patjetër ndikime si një ekonomi e vogël dhe e hapur, e ndërthurur kryesisht me vendet e Bashkimit Evropian. Siç e dini, Italia është një nga partnerët tanë kryesorë tregtarë, si në drejtim të shkëmbimeve tregtare ashtu dhe të investimeve të huaja direkte. Këta i konsiderojmë faktorë të jashtëm rreziku që kanë ndikimin e tyre në ekonominë shqiptare; po e analizojmë me kujdes situatën. Nuk besoj se do të biem në recesion - analizat tona nuk e parashikojnë këtë – por mund të ulet ritmi i rritjes ekonomike. Lidhur me këtë do të jemi në një video-konferencë me misionin e FMN-së ditën e nesërme.

Pyetje: A kanë likuiditet bankat dhe a mund të presim ndonjë ulje apo rritje të Euros?

Guvernatori: Këto janë pyetje me vend. E para, bankat kanë tepricë likuiditeti. Madje problemi ynë ka qenë si ta përkthejmë këtë likuiditet në kredi për ekonominë. Kredia vitin e fundit është rritur pozitivisht, me shifra shumë të mira, deri në nivelin 8%. Fatkeqësisht, ne patëm goditje nga tërmeti dhe tani kemi goditje nga gjendja e pandemisë, e cila do t’i ndikojë ritmet e kreditimit dhe rritjen e kredive me probleme. Megjithatë, situata e likuiditetit të bankave është e shëndetshme dhe nuk parashikojmë të kemi krizë likuiditeti. Në këtë pikë, dua të theksoj se ne i kemi udhëzuar bankat që të merrin masa parandaluese për COVID-19 - duhet të ruhen distancat dhe të merren masa higjenizimi. Kjo mund të bëjë që të krijohen radhë dhe mund të krijohet ideja e gabuar se bankat kanë probleme financiare. Kjo nuk është e vërtetë, pasi gjithçka bëhet për të ruajtur shëndetin publik. Këto ditë ne kemi marrë dhe masa të tjera për të krijuar lehtësira në sistemet e pagesave online ose në menaxhimin e cash-it, në mënyrë që klientët të kenë mundësi të tërheqin cash nga ATM-të.

E dyta, lidhur me pyetjen tuaj për kursin e këmbimit, mbetet për t’u parë se si do të ndikohet ai. Ne kemi pasur Lek të mbiçmuar, si pasojë e faktorëve që i kemi përmendur. Në vitin 2018, kemi ndërhyrë në treg për të tërhequr tepricën dhe për të stabilizuar kursin e këmbimit. Euroja e nënçmuar dhe Leku i mbiçmuar kanë ndikuar negativisht dhe në nivelin e inflacionit të synuar, por sigurisht që kanë ndikuar dhe në ekonominë shqiptare, kryesisht në drejtim të eksporteve. Tani mund të kemi një sjellje kryesisht në kahun e kundërt, por kjo mbetet për t’u parë. Ekonomia është shumë komplekse dhe pasojat e implikimet që do të ketë pandemia në Eurozonë dhe në ekonominë shqiptare mbeten për t’u parë në vijim. Për momentin, kursi i këmbimit është stabilizuar dhe kështu parashikojmë të mbetet edhe në të ardhmen.

Pyetje: A duhet të jenë shqiptarët po kaq të qetë sa dukeni ju sot, sa i takon aspektit ekonomik, megjithëse janë të karantinuar?

Guvernatori: Shqiptarët duhet të ruajnë qetësinë. Është tepër e rëndësishme të shmangim panikun, pasi kjo do të krijonte probleme më të mëdha në të gjitha aspektet e jetës, jo vetëm në ekonomi. Institucionet duhet të veprojnë të koordinuara, pasi jemi në gjendje pandemie dhe të gjithë duhet të jemi rigorozë në respektimin e masave parandaluese. Qytetarët shqiptarë duhet të izolohen, të pakësojnë kontaktet sa më shumë të jetë e mundur, të respektojnë masat e vendosura nga institucionet e shëndetit publik. Unë dëshiroj të siguroj publikun që nga ana jonë do të bëhen të gjitha analizat dhe do të merren të gjitha masat e nevojshme. Megjithëse veprojmë në një situatë që mbart pasiguri, ne nuk parashikojmë përballemi me recesion, por natyrisht që do të kemi rënie të ritmit të rritjes ekonomike dhe efekte negative në ekonomi. Vijoj të theksoj se parësor, në këtë moment, është shëndeti i popullatës, ndërsa ecuria ekonomike do të shihet në vijim.