BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko për televizionin News 24

Data e publikimit: 29.05.2020

 

Pyetje: Përshëndetje zoti Sejko! Është kënaqësi të jemi serish së bashku në një komunikim. Dje Kryeministri Rama na njohu me atë që ai vetë e konsideroj si lajm i mirë, me bashkëfirmosjen tuaj për një shtyrje të mëtejshme tremujore të kësteve të kredive deri më 31.8.2020. A mund të na jepni detaje në lidhje më këtë vendim?

Guvernatori: Gjatë kësaj periudhe, ne kemi bërë analiza të vazhdueshme të situatës makroekonomike, si dhe të situatës financiare në raport me bankat e nivelit të dytë. Si rezultat i masave shtrënguese të marra për kufizimin e pandemisë, klientët e bankave kanë qenë në vështirësi financiare dhe një tremujor nuk do ta zgjidhte problemin për shlyerjen e kredive në vazhdimësi, sipas rregullave dhe kësteve të parashikuara nga kontratat e kredisë. Në këto kushte, pasi bëmë një analizë të sistemit financiar dhe bazuar në kërkesën e Shoqatës së Bankave dhe të shoqatave të biznesit, vendosëm që të bëjmë edhe një shtyrje tjetër tremujore të kësteve të kredive. Pas marrjes së vendimit nga Këshilli Mbikëqyrës, ne bëmë një bashkëfirmosje me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, pasi përveç efekteve që ka në raport me bilancet e bankave të nivelit të dytë, ky vendim ka efekt dhe implikime edhe mbi fiskun dhe tatimet, si për bankat ashtu dhe për klientët që do të përfitojnë nga shtyrja tremujore. Pra, në rastin konkret, përmes këtij vendimi, ne kemi lehtësuar bankat për të shtyrë këstet e kredive me tre muaj, për ata klientë të cilët do vazhdojnë të kenë vështirësi financiare si rezultat i pandemisë dhe kjo shtyrje është e vlefshme deri më datë 31 gusht. Pra, për ata klientë të cilët do të aplikojnë dhe njëherë tek bankat dhe në varësi të analizës që do të bëjnë bankat e nivelit të dytë, do të kemi një shtyrje të kësteve të kredive edhe për një tremujor.

Pyetje: Për shkak të situatës së krijuar në vend si pasojë e COVID-19 edhe më herët, pra në periudhën mars-prill-maj, ju së bashku me Kryeministrin e vendit nënshkruat një urdhër për shtyrjen e kësteve të kredive, për çdo individ dhe biznes. A do të aplikohet përsëri e njëjta metodë?

Guvernatori: Po, ne kemi nënshkruar dje të njëjtin urdhër me Kryeministrin. Pra do të veprohet në të njëjtën formë si është vepruar edhe herën e parë. Ky vendim është në kuadrin e koordinimit ndërinstitucional dhe të gjithë masave të marra në funksion të krijimit të lehtësirave fiskale dhe monetare për sistemin bankar dhe ekonominë e vendit, për të tejkaluar situatën e krizës të krijuar nga pandemia.

Pyetje: Kjo është shtyrja e fundit që ju bëni z. Guvernator?

Guvernatori: Po, kjo duhet të jetë shtyrja e fundit. Dje në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, paralelisht me vendimin për shtyrjen e kësteve, janë bërë edhe ndryshime rregullative për t’u mundësuar bankave një ristrukturim më të thellë se një shtyrje tremujore, për ata klientë të cilët do të hasin vështirësi më të mëdha nga kriza. Këtu mund të futen klientë dhe industri të ndryshme. Kjo është lënë në gjykimin e bankave, pasi ato e kanë informacionin e plotë dhe gjykojnë më saktë lidhur me vështirësitë dhe nevojën për ristrukturim të industrive të ndryshme si turizmi, fasonet, transporti etj. Ristrukturimi mund të zgjasë 6 muaj, 9 muaj, 1 vit ose më gjatë, dhe do të jetë specifik, rast pas rasti, në varësi të ciklit të biznesit të klientit dhe industrisë së caktuar. Kështu, vendimi i djeshëm i ka krijuar mundësi rregullative bankave për të qenë më proaktive në raport me këto ristrukturime për klientë dhe për industri të caktuara. Shtyrja tremujore do të jetë e fundit, pasi me ndryshimet rregullative që kemi bërë, bankat kanë mundësi që, në bashkëpunim me klientët e tyre, të bëjnë marrëveshje të reja dhe ristrukturim kredish me afate më të gjata. Këto janë masa që lehtësojnë klientët, por edhe bankat, në raport me menaxhimin e pasqyrave të të ardhurave dhe shpenzimeve të tyre.

Pyetje: Nga informacioni që ju keni, me vendimin e mëparshëm, sa është niveli i kredive të shtyra nga bankat si pasojë e vështirësive financiare të krijuara COVID-19 në vend?

Guvernatori: Në tremujorin e parë të shtyrjes së kësteve, ne kemi 23 mijë klientë, me një portofol në total prej 2 miliardë eurosh që kanë përfituar nga vendimi i Bankës së Shqipërisë për shtyrjen e pagesave të kësteve të kredisë; këstet e kredive janë në një nivel më të ulët, prej rreth 75-80 milionë euro. Ne do të shohim sesi do të evoluojë situata në këtë tremujor, pasi aktiviteti ekonomik po rifillon dhe disa nga bizneset mund të kenë mundësi pune. Kjo do shihet në vijim. Ne mund të konfirmojmë vetëm shifrën e tremujorit të parë, por besoj se gjatë tremujorit të dytë do të jetë një shifër më e ulët.

Pyetje: Z. Guvernator, besoj se jeni në dijeni që ka pasur problematika sa i përket aplikimit për kredi me garanci sovrane. A janë zgjidhur ato?

Guvernatori: Në përgjithësi, bankat kanë procedurat e tyre. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që kjo ka qenë një periudhë e stresuar për klientët, për bankat, por edhe për autoritetet publike. Në një situatë të tillë, klientët, me të drejtë, kanë pasur kërkesa për një shqyrtim sa më të shpejtë dhe bankat kanë reaguar në mënyrë tepër proaktive. Shifrat që unë përmenda lidhur me shtyrjen e kësteve janë bërë në një kohë rekord; duhet kuptuar që kjo është një punë kolosale e kryer në mënyrë të lavdërueshme dhe tepër profesionale nga ana e bankave. Po kështu, edhe garancia e parë sovrane që ka si qëllim pagesat e pagave, është akoma në proces. Me shifrat e javës së fundit, janë 35 milionë euro kredi të lëvruara për këtë qëllim, në 350 raste, si dhe 350 raste të tjera në proces shqyrtimi. Natyrisht që procesi merr kohë, pasi bankat kanë kriteret e tyre të riskut. Vetë Shoqata e Bankave ka theksuar se këto garanci nuk janë një automat që prodhon cash sipas kërkesës, por gjithçka do të bëhet sipas procedurave dhe duke respektuar kriteret e caktuara.

Pyetje: A ndërhytë ju si institucion që ta rregullonit këtë marrëdhënie që komplikohet për shkak të pandemisë?

Guvernatori: Sigurisht që ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me bankat e nivelit të dytë për të marrë informacionin dhe për të parë problemet. Njëkohësisht, ne si institucion mbikëqyrës dhe rregullator për bankat, në bazë të ligjit, presim dhe ankesat e klientëve lidhur me probleme të ndryshme që ata kanë me bankat e nivelit të dytë. Pra, bazuar në ankesat e klientëve, por edhe në një monitorim dhe bashkëpunim të ngushtë me sistemin bankar, ndërhyrjet janë të vazhdueshme; puna është e vazhdueshme për të koordinuar të gjithë veprimet, në mënyrë që bankat të jenë sa më efeciente në ndihmën për klientët dhe bizneset, por ndërkohë të respektohen procedurat, si dhe të ruhet gjendja e stabilitetit financiar të vendit. Ne jemi të angazhuar në koordinimin e procesit. Në rastin konkret, natyrisht që ne kemi ndërhyrë për të ndihmuar procesin sa i përket bankave, por roli ynë është më i gjerë, pasi po shërbejmë edhe si koordinatorë me të gjithë institucionet e tjera publike, veçanërisht me Ministrinë e Financave, si dhe me ministrin koordinues për këtë çështje.

Pyetje: Zoti Sejko, më lejoni t’ju pyes pak edhe për ecurinë e ekonomisë shqiptare. Në momentet e para të pandemisë, kur biseduam për herë të parë së bashku, ju kërkova të bënim një parashikim sesi do të ishte situata ekonomike në vendin tonë. Ju u shprehët se ishte ende herët për të folur për këtë. Ndërkohë, institucione ndërkombëtare financiare si FMN-ja, BB-ja, BERZH-i kanë bërë parashikime jo fort të mirë për ekonominë shqiptare; flitet për një rënie ekonomike 9%, më të ultën në Ballkan. Çfarë pritshmërish keni ju zoti Sejko?

Guvernatori: Ne vazhdimisht jemi duke bërë analiza dhe parashikime për ecurinë e ekonomisë shqiptare, pasi kjo është detyra jonë. Tashmë pranohet nga të gjithë se jo vetëm Shqipëria, por dhe rajoni e Eurozona më gjerë, në vitin 2020, do të kenë një rënie të fortë ekonomike, pasi të gjitha shtetet kanë qenë të detyruara të mbyllen, të marrin masa distancimi dhe izolimi social për t’u mbrojtur nga pandemia. Kjo situatë natyrisht ka pasur një efekt të fortë në ekonomi, i cili do të shkaktojë një rënie të fortë ekonomike për vitin 2020. Shifrat e parashikuara të rënies ekonomike, si për shtetet e zhvilluara edhe për shtetet në zhvillim, janë të thella, jo vetëm nga BERZH-i, por dhe nga vlerësimi që ka bërë FMN-ja dhe BB-ja. Për shtete më të zhvilluara, do të kemi shifra në nivelet -9 apo -10%. Në vlerësimin e deri tanishëm - pasi situata evoluon dhe është për t’u parë sesi do të jetë reagimi pas hapjes - ne kemi vlerësuar që viti 2020 do të ketë një rënie ekonomike midis vlerës 5% dhe 8%, pra -5 dhe -8%. Në raportin dhe vlerësimin më të fundit me modelin e politikës monetare, ne kemi parashikuar një rënie prej 6% për këtë vit. Megjithatë, kjo shifër nuk është përfundimtare, pasi ne vazhdojmë dhe përpunojmë shifra, matim ekonominë dhe shikojmë zhvillimin. Ndërkohë, ne po koordinojmë masat, në mënyrë që të kemi një ringritje sa më të shpejtë të ekonomisë dhe të reagojmë në mënyrë sa më të eficiente dhe produktive. Parashikimi është që, në rast se nuk do të kemi rikthim të pandemisë, viti 2021 do të jetë viti i rimëkëmbjes ekonomike. Ringritja do të jetë shumë më e fortë, pra kjo rënie e vitit 2020 do të rikuperohet ndoshta me ritme të shpejta në vitin 2021. E rëndësishme është që ne të reagojmë në mënyrë sa më proaktive, në mënyrë që periudha e verës të jetë një periudhë e shëndetshme ekonomike dhe në vazhdimësi të arrijmë të rikuperojmë humbjet që kemi pasur nga periudha e me përparshme.

Pyetje: Kur e parashikoni ju ringritjen e ekonomisë shqiptare, rimëkëmbjen e saj?

Guvernatori: Në rast se nuk do të kemi një rikthim të pandemisë dhe ekonomia do të rihapet gradualisht, ne parashikojmë që ringritja do të fillojë që në tremujorin e parë të vitit 2021. Sipas parashikimit, goditja më e fortë që ka marrë ekonomia shqiptare ka qenë në tremujorin e dytë të vitit 2020, ndërsa tremujori i tretë dhe ai i katërt 2020 janë parashikuar me recesion, por jo aq të fortë. Pra, ringritja parashikohet të vijë që në periudhën e verës, por shifrat pozitive dhe largimi nga recesioni do të vijnë në vitin 2021. Këto janë parashikimet tona si bankë qendrore. Paralelisht me këto parashikime, për ne është shumë e rëndësishme që të ruhet gjendja e stabilitetit financiar, stabilitetit monetar dhe makroekonomik të vendit. Deri tani, ne kemi një gjendje të mirë të stabilitetit financiar; bankat kanë likuiditet të mirë; kanë një normë të lartë mjaftueshmërie kapitali; dhe kanë reaguar shumë mirë gjatë kësaj situate krize. Periudha më e vështirë është tejkaluar dhe kemi rezerva dhe mundësi financiare që të përballohet me sukses dhe situata në vazhdimësi, por sigurisht që edhe stabiliteti monetar ka qenë i mirë. Ne kemi një normë të inflacionit nën kontroll, pavarësisht se është nën objektivin e Bankës së Shqipërisë - duhet të kemi parasysh që tashmë parametrat dhe objektivat kanë ndryshuar për shkak të goditjes tejet të fortë – si dhe stabilitet në kursin e këmbimit. Pra, parametrat makroekonomikë, financiarë dhe monetarë janë stabël. Ruajtja e këtyre parametrave do të shmangë çdo goditje tjetër dhe do të ndihmojë për një rimëkëmbje më të shpejtë të ekonomisë. Për momentin tregjet financiare janë të qeta, por natyrisht që ka nevojë për lehtësira fiskale dhe financiare, për të ndihmuar bankat dhe klientët në këtë situatë të vështirë. Deri tani, fatura e krizës është transferuar nga sektori privat në sektorin publik, por sigurisht që duhet të jemi të qartë që kjo krizë do të ketë ndikime negative në të gjithë aktorët e tregut, privatë dhe publikë; është e nevojshme një shpërndarje proporcionale e faturës së krizës midis bizneseve, individëve, buxhetit dhe sistemi bankar.

Pyetje: Le të jemi solidarë dhe ta tregojmë veten të gjithë edhe në këtë fazë. Pyetje nga publiku: a ka mundësi shtyrjeje kësti edhe për ne individët?

Guvernatori: Po, shtyrja e kësteve është e vlefshme si për individët ashtu edhe për bizneset. Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë i përfshin të gjitha kategoritë e klientëve të bankave të nivelit të dytë. Megjithatë, kjo nuk është një shtyrje automatike. Qytetari i interesuar duhet të kontaktojë me bankën, të aplikojë për shtyrje dhe të tregojë vështirësitë e tij financiare. Bankës i duhet të vlerësoje nëse klienti ka vërtetë mungesë aftësie paguese dhe në këto raste kredia do të shtyhet. Pra, kjo shtyrje vlen vetëm për ata që kanë vërtet vështirësi.

Pyetje: Duhet ta vërtetojnë që janë realisht në vështirësi dhe nuk mund të paguajnë? Në ç’mënyrë bëhet kjo?

Guvernatori: Po, sigurisht. Kështu ka ndodhur edhe në shtyrjen e parë, pra klientët kanë vërtetuar para bankës që kanë pasur vështirësi financiare. Totali i portofolit të kredive në bankat e nivelit të dytë është rreth vlerës 4 miliardë euro, ndërkohë portofoli i kredive të shtyra është 2 miliardë euro, pra 50% e të gjithë klientëve janë goditur nga kriza dhe kanë pasur nevojë për shtyrje, ndërkohë që pjesa tjetër kanë vazhduar shlyerjen e kësteve rregullisht. Kështu do të veprohet edhe këtë herë.

Pyetje: Një pyetje tjetër nga publiku: Kam një biznes dhe më është dashur të marrë kredi për shkak të dëmeve që pësova nga tërmetit që goditi Shqipërinë. Më pas mu desh të merrja përsëri kredi për shkak të COVID-19. Tani jam në vështirësi financiare. Lehtësia vlen vetëm për kredinë e fundit apo edhe për atë të marrë për shkak të tërmetit?

Guvernatori: Besoj se vlen për të gjitha ekspozimet që ka klientja, pavarësisht arsyes përse është marrë kredia. Ekspozimi që ajo ka ndaj bankës është në total. Ajo do të duhet të komunikojë më bankën dhe në rast se do të vërtetojë që ka vështirësi, sigurisht që do të përfitojë nga lehtësitë rregullative që ne kemi bërë, por kjo do të duhet të sqarohet me bankën.