BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko për televizionin Ora News

Data e publikimit: 11.05.2020

 

Pyetje: Ju vazhdimisht e keni përsëritur që nëse kriza do të vazhdojë, efektet do të jenë negative në ekonomi. Shoqëria, pak nga pak, po i kthehet normalitetit. Me kaq sa keni parë këto 9-10 javë, çfarë po ndodh me ekonominë shqiptare? Çfarë pasojash kemi?

Guvernatori: Ju bëtë një përmbledhje në hyrje të prezantimit që është pak a shumë mesazhi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për ekonominë shqiptare. Ekonomia shqiptare, ashtu si ato të rajonit e me gjerë në të gjithë botën, është goditur nga COVID-19. Kjo është një goditje që ka ardhur si në kërkesë ashtu dhe në ofertë; është ndërprerë zinxhiri i prodhimit, si pasojë e masave të distancimit social. Qytetarët kanë qenë të detyruar të vetëizolohen dhe patjetër që kjo ka pasur efektet e saj në ekonomi. Ne si Këshill Mbikëqyrës bëmë analizën tonë dhe parashikojmë që goditja më e fortë në ekonominë shqiptare do të jetë në tremujorin e dytë - kjo në fakt është sipas skenarit pozitiv që ne kemi parashikuar - dhe në tremujorin e tretë dhe atë të katërt të vitit 2020 do të vazhdojmë të kemi rënie ekonomike, megjithëse jo kaq të fortë sa ky tremujor. Kështu, ringritja parashikohet të ndodhë në vitin 2021 - kjo gjithmonë nëse nuk do të ketë një kthim të situatës së virusit dhe nuk do të kemi përsëritje të masave izoluese. Shpresojmë që periudha e verës të ketë një relaksim të menaxhuar dhe të kujdesshëm të masave, të ndjekur nga një rihapje dhe një ringritje e domosdoshme e aktivitetit ekonomik.

Pyetje: Shpresojmë se do të kemi një ringritje së paku nga turizmi...

Guvernatori: Patjetër, siç e kemi theksuar në dalje të tjera televizive, turizmi është një nga shtyllat e ekonomisë së Shqipërisë. Vendi ynë ka bregdet dhe agroturizëm. Presim që në muajin qershori të ketë një hapje të menaxhuar dhe turizmi të ketë efektin e tij në ekonomi, por përtej turizmit edhe industri të tjera gradualisht do të fillojnë të hapen. Presim që shifrat e të prekurve të vijnë në rënie dhe pastaj mbetet të shohim se sa e shpejtë do të jetë ringritja ekonomike. Ne shpresojmë që ajo të jetë e shpejtë, pavarësisht se efektet do të vazhdojnë edhe në dy tremujorët në vijim. Ashtu si e kanë parashikuar dhe institucionet ndërkombëtare, për Shqipërinë dhe Eurozonën, ringritja do të jetë shumë e fortë në vitin 2021. Ky është parashikim, por natyrisht që ne mund të përballemi me një skenar më pozitiv ose më negativ.

Pyetje: Zoti Sejko, ndërkohë, në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, rezulton se ulja e depozitave ka ardhur në pesëdhjetë milion euro, ka pasur gjithashtu një rritje të kredive të këqija për muajin mars. Çfarë po ndodh me depozitat e shqiptarëve? Pasi kemi krizën COVID-19, por gjithashtu kemi edhe një krizë të shkaktuar nga tërmeti i nëntorit. Pra janë disa valë goditjesh...

Guvernatori: Faktikisht, duhet thënë që këtyre goditjeve kaq të forta e të paparashikueshme sistemi financiar shqiptar u ka rezistuar më së miri. Në fillimet e krizës, parashikimet ishin më të zymta, por ky test vërtetoi edhe njëherë që sistemi ynë financiar është i mirëkapitalizuar dhe me likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar situata kaq të vështira krize. Në fakt nuk është se ka një rënie esenciale depozitash. Depozitat totale janë rreth 8 miliardë, por pavarësisht nga shifra, duke pasur parasysh këtë, rënia me 50 milion euro nuk është e papërfillshme, pasi kemi pasur një bllokim të aktivitetit ekonomik dhe sigurisht që mund të kemi pasur tërheqje, por nuk kanë qenë tërheqje substanciale. Sistemi bankar ka funksionuar shumë mirë. Ai ka kryer aktivitetin e tij operacional pa asnjë problem si në transaksionet operacionale ashtu edhe në transaksionet e cash-it. Pavarësisht kësaj, problem de facto është shtyrja e kësteve të kredive që krijon një implikim në treguesit financiarë të bankave të nivelit të dytë, pasi nuk do të tërheqin likuiditetin sipas parashikimit. Treguesi i kredive me problem, deri tani, nuk ka pasur një rritje të ndjeshme, por natyrisht që në muajt në vijim ne do të kemi përkeqësim të disa shifrave si treguesi i kredive me probleme ose rritja e kreditimit në sistemin bankar. E rëndësishme është që bankat kanë likuiditet dhe mjaftueshmëri kapitali. Pavarësisht gjendjes shumë të mirë të tyre, ne si rregullator duhet të jemi të kujdesshëm të mos e kalojmë të gjithë barrën e riskut te sistemi bankar, por të mbikëqyrim dhe monitorojmë me shumë kujdes të gjithë aktivitetin.

Pyetje: Ju flisni për një sistem bankar të shëndetshëm dhe për një ekonomi që gjithsesi ka likuiditete, megjithatë Qeveria Shqiptare vazhdimisht kërkon hua. Ajo ka siguruar një kredi të fundit prej 174 milion eurosh për të përballuar krizën nga FMN-ja. Çështja është çfarë ndodh me borxhin e shqiptarëve sepse ai është rritur vazhdimisht dhe para krizës ka qenë të paktën 65%?

Guvernatori: Sigurisht, borxhi ra në nivelin 65% të prodhimit të brendshëm bruto para krize, por gjatë kësaj periudhe, jo vetëm ne si BSH, por edhe institucionet ndërkombëtare dhe të gjitha bankat qendrore në mbarë botën, kanë dalë nga kriteret dhe parametrat e ruajtjes së nivelit të borxhit. Kjo goditje kaq e fortë ekonomike sigurisht që imponon edhe mosrespektimin e nivelit të borxhit për një periudhë të caktuar. Natyrisht që Qeveria Shqiptare burimet e nevojshme për të përballuar këtë krizë do t’i gjejë përmes huasë. Kjo për shkak se bllokimi i ekonomisë, bllokimi i veprimtarive prodhuese, i bizneseve, turizmit dhe të gjitha industrive, ka bërë që të mos ketë të ardhura të nevojshme në buxhetin e shtetit. Pra, ashtu si në sektorin privat, është prishur normaliteti edhe në funksionimin e buxhetit të shtetit. Në këto kushte, të gjitha qeveritë janë të detyruara të marrin borxh, që t’i ndihmojë në kapërcimin e kësaj krize, borxh i cili do të menaxhohet në vitet në vijim. Kjo është mënyra se si do të arrijnë të gjitha qeveritë që të bëjnë kapërcimin e krizës. Pra, niveli i borxhit patjetër do të rritet, rëndësi ka që ne ta kalojmë këtë moment goditjeje pa falimente, pa thyerje, dhe të jemi në gjendje të ruajmë stabilitetin financiar dhe monetar të vendit. E rëndësishme është gjithashtu që të kemi një ringritje ekonomike dhe për këtë ne do të na duhet të menaxhojmë gjithmonë e më mirë dhe fiskun. Banka qendrore, në fakt, ka objektiv kryesor politikën monetare, ndërsa politika fiskale menaxhohet nga qeveria.

Pyetje: Dy ditë më parë, “The Economist” shkruante: “Shumicën e ekonomistëve nuk i shqetësohen fakti se qeveritë do të marrin hua në mënyrë të pamatur, por se do të ngurojnë për ta bërë këtë, për shkak të frikës irracionale nga rritja e borxhit publik. Kur flasim për terma ekonomikë, ne zakonisht krahasohemi me vendet e rajonit. Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë ndjekur politikën e ndjekjes së eksporteve dhe prodhimit, ndërsa Shqipëria është përqendruar veçanërisht te koncesionet, pra këto janë dhe aktivitete që kanë rritur më së shumti borxhin, ndërkohë që tani na ka goditur edhe kjo krizë e re. Deri ku mund të mbajë borxhi publik i Shqipërisë?

Guvernatori: Për këtë nuk ka një shifër ekzakte, pasi varet nga mirëmenaxhimi i financave publike; sa më mirë të menaxhohen financat publike aq më mirë do të shkojë niveli i borxhit. Para krize, objektiv kryesor i menaxhimit nga Qeveria Shqiptare ka qenë konsolidimi fiskal. Pra, ne kemi ndjekur një politikë monetare lehtësuese, e cila shkonte në drejtim të uljes së normave të interesit për të nxitur kreditimit, konsumin dhe investimet, dhe një politikë fiskale konsoliduese, e cila synonte uljen e nivelit të borxhit publik. Tashmë me këtë krizë sikurse dhe me goditjen që morëm nga tërmeti, do të jemi të detyruar të kalojmë nga konsolidimi fiskal në një farë lehtësimi fiskal. Është e vërtetë që sa më i lartë të jetë borxhi aq më e vështirë është mirëmenaxhohet dhe aq më vështirësi ka qoftë likuidimi i detyrimeve nga ana e qeverisë, qoftë dhe tërheqja e investitorëve të huaj dhe të gjithë parametrave të tjerë makroekonomikë, por në rast se do të ketë një menaxhim të mirë fiskal sigurisht që niveli i borxhit do të ulet përsëri. Për nivelin e borxhit ka një objektiv të përcaktuar me ligj organik nga i cili do të duhet të dilet në këtë periudhë, për t’iu rikthyer më pas me kalimin e krizës.

Pyetje: Zoti Sejko, në datë 8 prill, banka qendrore ka marrë vendimin për heqjen e komisioneve të transfertave bankare. Si po ecën ky proces?

Guvernatori: Procesi po ecën mirë. Ne kemi bërë ndryshime rregullative dhe kemi marrë vendim për të hequr komisionet bankare që aplikojmë ne si Bankë Shqipërie dhe në këtë lloj mënyre, indirekt, ne i detyrojmë bankat e nivelit të dytë të heqin komisionet bankare vetëm për transfertat digjitale. Me këtë vendim kemi ecur paralel me masat e distancimit social dhe kemi krijuara lehtësi për klientët, individë ose biznese, për të kryer sa më shumë veprime digjitale. Në fakt, këto veprime janë rritur mjaftueshëm dhe kjo është në linjë me objektivin tonë të luftës kundër informalitetit dhe të rritjes së përfshirjes financiare – rritja e numrit të individëve me llogari dhe e veprimeve bankare. Kjo është një nga masat që kemi marrë në periudhën e krizës, paralel me masat e tjera.

Pyetje: Një masë tjetër shumë e rëndësishme është edhe ristrukturimi i kredive, pra shtyrja e kësteve të kredive nga tre në gjashtë muaj. Megjithatë, do të ketë ndërkaq biznese që do të kenë nevojë për shtyrje të mëtejshme. A do të marrë një vendim tjetër Banka e Shqipërisë për këto raste ekstreme?

Guvernatori: Këtë jemi ende duke e shqyrtuar. Vendimi i parë që ju përmendët ishte për një shtyrje tremujore të kësteve të kredive, për shkak të mbylljes së aktivitetit dhe mospasjes së të ardhura për të likuiduar detyrimet nga individët dhe bizneset. Bankat u treguan shumë mirëkuptuese në drejtim të ndryshimeve rregullative që ne si Bankë Shqipërie bëmë për shtyrjen me një tremujor të kësteve të kredisë. Ato vepruan shpejt dhe në mënyrë proaktive. Kemi pasur të bëjmë me dy miliard euro kredish të shtyra për një tremujor, nga katër miliard që është në total portofoli i kredive. Pra rrethe 50% e portofolit të kredive është shtyrë, ose rreth 21 mijë raste. Pavarësisht kësaj, ne jemi të ndërgjegjshëm që bizneset vazhdojnë të qëndrojnë mbyllur. Cikli i prodhimit për shumë prej tyre do të vazhdojë të jetë në vështirësi, të ardhurat e tyre nuk do të jenë në përputhje me projeksionet përpara krize dhe këto vështirësi natyrisht që do të pasqyrohen në shlyerjen e detyrimeve kundrejt sistemit bankar. Në këtë kontekst, ne jemi duke analizuar edhe njëherë situatën me bankat e nivelit të dytë, për të parë nëse do të jetë e nevojshme një shtyrje tjetër. Natyrisht që për të mirën e biznesit kjo do të ishte e nevojshme, por nga ana tjetër prioriteti ynë kryesor është stabiliteti financiar, pra t’i mbajmë bankat e shëndetshme.

Pyetje: Nga shifrat e deri tanishme rezulton që bankat e nivelit të dytë janë të shëndetshme, megjithëse kanë fitime më të vogla krahasuar me një vit më parë.

Guvernatori: Patjetër, çdo aktivitet funksionon me fitim. Bankat janë biznese private dhe si çdo biznes tjetër kanë pasur fitimet e tyre, por efektet e krizës do të ndihen në kapital edhe në përfitueshmëri. Ne jemi ende në fillim dhe efektet financiare në institucionet financiare reflektohen gjithmonë me vonesë. Në muajt në vijim do të shohim një përkeqësim në portofolin e kredive, gjithashtu do të kemi një rritje më të moderuar ose një rënie në ritmet e kreditimit. Pavarësisht nga gjendja e mirë e likuiditetit në banka, ne na duhet t’i mbrojmë ato, në mënyrë që të kenë vijimësi të shëndetshme. Nuk duhet të harrojmë që të gjitha këto fonde dhe likuiditete për të cilat po flasim janë depozitat e qytetarëve shqiptarë dhe ne duhet t’i mirëmenaxhojmë. Bankat janë ndërmjetës financiarë që duhet të kryejnë rolin e tyre, por nuk janë varka shpëtimi nga kjo krizë. Ato po luajnë një rol të rëndësishëm, megjithatë roli ynë si rregullator është që të kujdesemi që ato të bëjnë gjithçka në ndihmë të biznesit, por pa u thyer vetë.

Pyetje: Ju thatë pak më parë që nuk ka problem likuiditeti në ekonominë shqiptare. Çështja është si kanë ndikuar dy paketat e propozuara nga qeveria në kuadër të masave për të ndihmuar individët dhe biznesin në këtë krizë pandemie?

Guvernatori: Paketa e dytë është duke u përpunuar dhe do të lançohet shumë shpejt. Deri tani, bizneset kanë përdorur vetëm paketën e parë të qeverisë, e cila ka qenë garancia sovrane për t’u përdorur për të paguar pagat e punonjësve. Nga shifrat e para dy ditëve – shifër jopërfundimtare pasi është në përditësim të vazhdueshëm – kemi të bëjmë me rreth 8.5 milionë euro, ndoshta 9 milion euro kredi të dhëna nga bankat për këtë qëllim. Nga informacioni më i fundit, në mos gaboj, qeveria mori vendim edhe për të marrë përsipër pagesën e interesit për këto kredi. Duhet theksuar që, pavarësisht nga garancia sovrane e cila merr përsipër riskun për këtë pjesë, shumë klientë kanë ekspozime edhe më të mëdha, pra kriteret e riskut janë pak më gjerë sesa niveli i kësaj garancie dhe kërkon një vështrim më të kujdesshëm nga ana e bankave. Ka raste klientësh që kanë pakënaqësitë, por duhet të kemi parasysh që kjo vjen si pasojë e performancës së tyre të mëparshme me bankat, e ciklit të tyre të biznesit dhe e situatës së tyre financiare. Thënë ndryshe, jo gjithë klientët mund të jenë në gjendje të përfitojnë nga kjo garanci, por shumica e tyre po përfitojnë.

Pyetje: Ndërkaq, Banka e Shqipërisë ka nisur aplikimin e politikës monetare jokovencionale. Mund ta shpjegoni se ku konsiston ajo, për të qenë pak më të qartë për ata që na ndjekin?

Guvernatori: Ne kemi njoftuar që do të vazhdojmë me lehtësimin e politikës me masat tona për një politikë monetare lehtësuese. Politika monetare lehtësuese është ulja e normës bazë së interesit, të cilën ne e kemi çuar në minimumin e saj historik prej 0.5%. Kjo do të thotë që njerëzit mund të marrin kredi me norma interesi më të ulëta. Kjo bëhet për të stimuluar kreditimin, por edhe konsumin dhe investimet. Një masë tjetër e jona si bankë qendrore është edhe politika monetare jokonvencionale, pra injektimi i likuiditetit në ekonomi. “Quantitative easing” ose në shqip “lehtësimi sasior” është një formë e injektimit të likuiditetit në treg. Në vendet e zhvilluara, likuiditeti injektohet duke blerë letra me vlerë të qeverive ose të korporatave. Në Shqipëri, duke qenë se ne nuk kemi një treg kapitalesh dhe nuk mund të funksionojë blerja e letrave me vlerë të korporatave, kjo do të kryhej duke blerë letrat me vlerë të Qeverisë Shqiptare nëpërmjet tregut sekondar, pra tregut bankar. Në vendin tonë, kjo lloj mase nuk është aplikuar ende, por në rast se do të shohim që niveli i deficitit buxhetor do të zgjerohet dhe qeveria do të ketë nevojë për likuiditet në një moment të caktuar, natyrisht që ne do të aplikonim lehtësim sasior. Pra, ne jemi të përgatitur për ta përdorur atë. Qeveria Shqiptare, mesa kemi dijeni, po përgatitet për të marrë një Eurobond dhe tërheqja e tij do të krijonte likuiditet të mjaftueshëm. Megjithatë, në muajt në vijim do të shohim si do të performojë ekonomia.

Pyetje: Zoti Guvernator, dua t’ju pyes, a ka ndërhyrë Banka e Shqipërisë këto kohë për të stabilizuar kursin e këmbimit valutor, sepse ditët e para të bllokimit nga pandemia u vu re një rritje shumë e shpejtë e kursit të këmbimit të euros?

Guvernatori: Kursi i këmbimit është një indikator shumë sensitiv që kryesisht përcaktohet nga kërkesë/oferta në treg. Ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit, dhe për sa kohë është kështu, ai do të përcaktohet nga kërkesa dhe oferta në treg. Duhet ta dini që faktori psikologjik ka një ndikim të fortë në nivelin e kursit të këmbimit. Kur ka goditje të forta, aktiviteti spekulativ shtohet dhe faktori psikologjik ndikon. Natyrisht, bankat qendrore dhe Banka e Shqipërisë, në këtë kontekst, kanë parametrat e tyre për të ndërhyrë. Ne nuk kemi një objektiv të caktuar për kursin e këmbimit, por ndërhyjmë në rast se prishen disa parametra, pra kur niveli i kursit të këmbimit godet nivelin e inflacionit. Në vitin 2018 kemi ndërhyrë duke blerë një sasi eurosh për të stabilizuar kursin e këmbimit, ndërsa tani jemi në rastin e kundërt, pra tani është zhvlerësuar monedha kombëtare dhe Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë shumë pak në momentin e kulmor, duke shitur një sasi në dy ditë të caktuara. Në vijim, kursi është stabilizuar dhe për fat ka vazhduar të mbetet i tillë. Kursi i këmbimit, sikurse e kemi theksuar, përcaktohet nga të hyrat, pra ka disa burime fondamentale që sjellin euron në Shqipëri, siç janë investimet e huaja direkte, turizmi dhe remitancat. Natyrisht, këto burime do të goditen nga kriza dhe kjo do të sjellë një pakësim të euros dhe nga ana tjetër do të bjerë kërkesa. Pra përveç ofertës ka rënë dhe kërkesa, dhe kjo ka krijuar një kurs stabël. Në rast se periudha e verës do të ketë një aktivitet të rigjallëruar të turizmit, kjo do të ndikojë pozitivisht në stabilizimin e kursit të këmbimit. Në kushte fondamentale teorike, krizat sjellin gjithmonë zhvlerësim në kursin e këmbimit, pra mund të kemi një inflacion, por praktikisht Shqipëria ka specifikat e veta. Partnerët tanë tregtarë janë në Eurozonë dhe ne kemi euro në sasi të mjaftueshme. Besoj se kursi do të jetë i stabilizuar dhe mund të mos ketë nevojë për ndërhyrje të fuqishme nga ana jone, gjë që do të na i gërryente rezerva.