BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko për televizionin Vizion Plus

Data e publikimit: 31.03.2020

 

Kronika: Efektet që do të pësojë ekonomia nga izolimi i pandemisë do të jenë të dyfishta, si nga ana e kërkesës, ku konsumi dhe investimet do të bien, ashtu dhe nga oferta, ku prodhimi dhe volumet tregtare do të tkurren. Por askush deri më tani nuk llogarit dot kostot, për aq kohë sa nuk dihet kohëzgjatja e pandemisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në një intervistë për Vizion Plus, thotë se me mirëmenaxhim, situata mund të përballohet edhe për 3 muaj me radhë.

Guvernatori Sejko: Masat e Bankës së Shqipërisë janë në njërin kah, në kahun e ofertës; sigurisht që ka shumë masa të tjera të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare, të cilat janë bërë tashmë publike, që kanë të bëjnë me politikën dhe lehtësirat fiskale. Duke marrë në kompleks të gjithë masat e marra, unë mendoj që, të paktën për një tremujor, ne jemi të përgatitur për ta kaluar këtë situatë. Situata është vërtet dinamike dhe nuk kemi ende shifra të sakta, por me burimet dhe rezervat që kemi, besoj se e përballojmë me sukses këtë situatë për një tremujor.

Kronika: Sipas Guvernatorit, aktualisht jemi ende larg skenarit për të prekur rezervën valutore. Kjo pasi fillimisht banka mund të përdorë mekanizmin që njihet si lehtësimi sasior, që parashikon blerjen e bonove të thesarit të qeverisë.

Guvernatori Sejko: Po injektojmë dhe po furnizojmë tregun me likuiditetin e nevojshëm. Për këtë, gjatë kësaj periudhe, kemi organizuar ankande pa limit. Në rast se sistemi bankar ose qeveria do të kenë nevoja të mëtejshme për likuiditet - në raste përkeqësimi të situatës, nga izolimi dhe bllokimi - atëherë sigurisht që ne do të përdorim lehtësimin sasior, pra nëpërmjet sistemit bankar do të blejmë bono thesari të Qeverisë Shqiptare.Rezerva valutore është instrumenti/ elementi i fundit që mund të përdoret, jo për arsye se është tabu, por për përdorimin e saj ka kritere ligjore dhe ekonomike të përcaktuara. Unë besoj që me instrumentet që përmenda, ne nuk do të shkojmë tek prekja e rezervës valutore, pasi ne kemi mallra dhe materiale importi të nevojshme për vazhdimin normal të jetës. Ekonomia, pavarësisht kufizimeve, po vazhdon të funksionojë.

Kronika: Por izolimi nga pandemia ka sjellë edhe një nënçmim të monedhës kombëtare, duke bërë që kursi i këmbimit të pësojë luhatje. Që nga koha e karantinës, Euroja është forcuar me rreth 9 lekë, duke u këmbyer me 131 lekë në tregun valutor.

Guvernatori Sejko: Situata aktuale ka bërë që një sërë kanalesh si turizmi apo investimet dhe të hyrat e tjera, të ndërpriten, si pasojë e masave izoluese për mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Kjo natyrisht që do të ketë një ndikim në kursin e këmbimit, pasi ai është në radhë të parë rezultat i kërkesës dhe ofertës për euron në treg. Megjithatë, do të thosha që sot ne vumë re një stabilizim, pra një ngushtim të spread-eve në kursin e këmbimit. Shpresojmë të mos kemi një mbiçmim të vazhdueshëm, shumë më të lartë.

Kronika: Ajo çka pritet më tej është një rritje e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, por Banka e Shqipërisë thotë se për shkak të rezervave që ka tregu, rritja nuk pritet të jetë e ndjeshme.

Guvernatori Sejko: Ashtu si kusi i këmbimit edhe çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg, por një lajm i mirë është që ne kemi rezerva të mjaftueshme ushqimore dhe të mallrave kryesore për të cilat ka nevojë tregu, jo vetëm për një tremujor. Kjo do të garantojë që të mos kemi një rritje të ndjeshme të çmimeve. Do të këtë sigurisht luhatje në disa produkte të caktuara, në disa mallra të shportës, për të cilat mund të ketë një kërkesë më të madhe nga tregu. Besoj që rritja e çmimeve nuk do të jetë me përmasa galopante.