BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Intervistë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, dhënë Agjencisë së Lajmeve See - News, 9 maj 2005

Data e publikimit: 09.05.2005

 

Shqipëria planifikon të përfundojë privatizimin e sektorit të saj bankar duke shitur aksionet e fundit prej 40 për qind të dy bankave, Bankës Italo-Shqiptare dhe Bankës së Bashkuar të Shqipërisë. Pritet që privatizimi i sektorit bankar të përfundojë deri në shtator të vitit 2005. Në këtë mënyrë sektori bankar shqiptar do të jetë privatizuar plotësisht,- tregon Fullani në një intervistë dhënë Agjencisë së Lajmeve See-News.

Banka Italo-Shqiptare u themelua në vitin 1992, si rezultat i një bashkëpunimi midis Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës së Romës (Banca di Roma) dhe Ministrisë Shqiptare të Financave. Ministria e Financave dhe Banka e Romës zotërojnë përkatësisht 40 për qind të aksioneve të kësaj banke.

Banka e Bashkuar e Shqipërisë, ish-Banka Arabo-Shqiptare, u licencua nga Banka e Shqipërisë në vitin 1999. Bankat private dhe individët zotërojnë rreth 60 për qind të aksioneve të kësaj banke.

Duket se në fund të këtij viti sektorit bankar të këtij vendi do t'i shtohet edhe anëtari i tij i 17-të.

Në shkurt të këtij viti banka qendrore i dha një licencë paraprake Unionit Financiar Tirana, përfaqësues i Western Union për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Së bashku me Bankën Credins dhe atë Popullore, ky institucion i ri financiar do të përbëjë bankën e tretë të formuar me kapital tërsësisht shqiptar.

"Si një institucion financiar, Western Union nuk është i ri në treg. Banka e Shqipërisë beson se një bankë e re e këtij lloji do të ketë një influencë të konsiderueshme në sistemin e pagesave, do të ndihmojë në zhvillimin e kartave të kreditit dhe do të nxisë konkurrencën."- vazhdon Fullani.

Nëse do t'i jepet licenca përfundimtare, banka e re do të fokusohet mbi sigurimin e shërbimeve bankare individëve dhe kompanive të vogla, si dhe mbi zgjerimin e shërbimeve të ofruara klientëve nga Western Union. Sipas ligjit shqiptar, licenca finale për themelimin e një banke jepet vetëm gjashtë muaj pas dhënies së licencës paraprake.

Rritja e kreditimit

Z. Fullani thotë që sfidat kryesore të sektorit bankar shqiptar janë konsolidimi dhe zgjerimi i tij në mbarë vendin, ofrimi i produkteve dhe i shërbimeve të reja, përmirësimi i sistemit të pagesave, zhvillimi i kreditimit të individëve dhe korporatave dhe edukimi i publikut në lidhje me bankingun.

Një nga rrugët kryesore për reduktimin e pagesave cash në ekonominë shqiptare është promovimi i përdorimit të kartave të kreditit.

Kjo detyrë mund të përmbushet nëpërmjet vendosjes së një infrastrukture moderne të shërbimeve financiare, duke përfshirë një rrjet të gjerë të ATM dhe terminaleve të pikave të shitjes POS.

Aktualisht, nga 16 bankat e vendit vetëm disa prej tyre ofrojnë karta debiti dhe tërheqje të lekëve nëpërmjet bankave për një popullsi prej 3.1 milionë banorësh. Paraja në qarkullim arrin vlerën e 132.9 bilionë lekë (1.1 bilionë euro/1.4 bilionë dollarë) në fund të muajit janar të këtij viti. Paraja jashtë bankave M3 arrin vlerën 514.87 bilionë lekë.

Ne do të krijojmë kushtet e nevojshme për klientët që ata të zëvendësojnë pagesat cash me një para virtuale, - thotë Fullani. Problemi kryesor është të gjendet rruga dhe mënyra për të nxitur rritjen e kreditimit në Shqipëri. Kushtet më parësore kanë të bëjnë me ndryshimet dhe rregullimet institucionale, dhe zbatimin e ligjit. Ligji mbi pronësinë e tokës dhe ai mbi të drejtat e pronës janë më emergjente. Mungesa e legjislacionit përkatës do të vinte në rrezik planet për rritjen e kreditimit.

Stabiliteti i çmimeve

Stabiliteti i çmimeve dhe kontrolli mbi tregun e parasë është në qendër të politikës monetare të bankës qendrore,- thotë Fullani,- duke shtuar se konsolidimi i treguesve makroekonomikë të vendit ka lejuar Bankën e Shqipërisë të ulë normën bazë të interesit në një minimum historik prej 5 për qind.

Norma e inflacionit në Shqipëri ishte 2.9 për qind vitin e kaluar. Pësëri këtë vit inflacioni pritet të jetë në intervalin midis 2 dhe 4 për qind. Rritja ekonomike në Shqipëri ishte 6 për qind në vitin 2004, parashikohet të jetë midis 6 dhe 7 për qind këtë vit.

"Jam i mendimit se ekzistojnë kushtet e domosdoshme për një vit të qëndrueshëm, në këtë mënyrë ne do të jemi në gjendje të nënshkruajmë një marrëveshje tjetër trevjeçare me FMN" - thotë Fullani.

Shqipëria shpreson të përfundojë programin "Reduktimi i Varfërisë Nxitja e Rritjes" (PRGF), nënshkruar me FMN në qershor të vitit 2002. Në këtë kuadër, FMN dha një kredi prej 28 milionë sdr ose afërsisht 42.5 milionë usd (33.1 milionë euro), në formën e një kredie dhjetëvjeçare me një interes vjetor 0.5 për qind.