BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, për emisionin “Argument” në televizionin Scan, 17 maj 2021

Data e publikimit: 17.05.2021

 

Gazetari: Mirëmbrëma të gjithëve, përshëndetje, mirë se vini në Scan, mirë se vini në Argument!

Ne sot ndodhemi në selinë e Bankës Qendrore të Shqipërisë për të folur me Guvernatorin, z. Gent Sejko, pikërisht mbi pritshmëritë dhe analizën e pothuajse gjysmës së vitit 2021 dhe vitin 2020. Jemi këtu për të folur mbi shëndetin e ekonomisë shqiptare, parë në këndvështrimin e ekonomisë reale dhe sigurisht mbarëvajtjen e institucioneve financiare, qofshin këto banka apo institucione financiare jobanka, apo dhe agjentëve të tjerë ekonomikë, që merren me aktivitetin financiar të vendit.

Kemi pyetur Guvernatorin për çështje që në fakt prekin shumë prej nesh, për çështje që lidhen me aftësinë e Shqipërisë për të dalë nga kriza që përjetoi në vitin 2020 si pasojë e pandemisë. Nivelin e rritjes ekonomike, aftësinë e kompanive për të punësuar njerëz, apo më tej akoma dhe fuqinë e ekonomisë shqiptare për të qenë një aktor i rëndësishëm në rajon, qoftë i fuqizuar apo i ushqyer nga turizmi, po ashtu pse jo edhe nga aktiviteti financiar.

Kemi marrë gjithashtu informacion mbi hedhjen në treg të 10 mijë lekëshit të ri, një prerje kartëmonedhe që qarkullon për herë të parë në historinë ekonomike moderne të Shqipërisë. Kemi folur gjithashtu dhe për paranë jashtë sistemit, apo për ato çështje që ishin relativisht problematike në muajt e fundit të vitit të kaluar, gjatë pandemisë. Luftën e madhe të edukimit financiar për përfshirjen e secilit qytetar, shtetas shqiptar, në organizimin e madh financiar të përdorimit të kartave të kreditit, pagesave online apo dhe të marketingut elektronik. Të gjitha këto dhe shumë të tjera do të mund t’i mësoni nga kjo intervistë me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Ju ftoj të gjithëve të na ndiqni!

Guvernatori: Përshëndetje të gjithëve, jemi në sallën e mbledhjeve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Shqipërisë, këtu ku merren gjithë vendimet më të rëndësishme të institucionit më të lartë financiar në vend.

Gazetari: Unë kam kënaqësinë dhe nderin që më jepet mundësia për të intervistuar Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Shumë faleminderit që pranuat ftesën.

Guvernatori: Faleminderit dhe mirë se erdhët!

Gazetari: Zoti Sejko, po e nis me një çështje që ka qenë mjaft problematike përgjatë vitit 2020, kur Banka e Shqipërisë lehtësoi bankat tregtare që të mund të shtynin këstet e kredive për bizneset dhe individët. Sot në pothuajse fund të gjysmës së parë të vitit 2021, situata kërkon përsëri një ndërhyrje të tillë apo paraqitet më e stabilizuar?

Guvernatori: Situata sigurisht është më e stabilizuar. Shifrat dhe indikatorët e tregojnë qartë që situata është përmirësuar ndjeshëm. Viti 2020 ishte një vit tejet i vështirë. Përballë kësaj situate krize të rënduar u pa e nevojshme të realizoheshin një sërë ndërhyrjesh dhe masash emergjente. Ne si institucion financiar mbikëqyrës dhe rregullator ndërmorëm masat tona. Një nga këto masa që vlen të përmendet këtu ishte edhe shtyrja e kësteve të kredisë me dy tremujorë. Paralelisht, ne ndërmorëm edhe disa masa me karakter makroprudencial, si për shembull disa ndryshime rregullative të cilat kishin të bënin me dhënien e mundësisë të bankave të niveli të dytë për të bërë ristrukturime proaktive të kredisë. Pra, në këtë kontekst, ne i lehtësuam bankat nga kërkesat rregullative për provigjione dhe fonde rezervë për mbulimin e humbjeve nga huatë.

Masat që përmenda më sipër ndikuan pozitivisht në koordinimin e punës të bankave të nivelit të dytë me klientët, bizneset dhe individët. Ne kishim një pritshmëri të caktuar me fillimin e krizës, një pritshmëri e cila ishte më negative nga ajo çka ndodhi në realitet. Fatmirësisht, treguesit rezultuan mjaft pozitivë në nivel total. Kështu, niveli i prodhimit të përgjithshëm bruto pësoi një rënie më pak të ulët nga ajo çka pritej. Më konkretisht, rënia ekonomike arriti në nivelin -3.3% nga një parashikim i Fondit Monetar Ndërkombëtar që shkonte deri në -7.5%.

Gazetari: Madje në disa raste parashikimi për rënien ekonomike arrinte deri në -12%.

Guvernatori: Në një moment të caktuar, parashikimi për rënien ekonomike arriti deri në -12%. Në fakt, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020 pati një rënie të thellë ekonomike, e cila u kompensua në dy tremujorët në vijim, ku sigurisht dhanë impaktin e tyre edhe masat e sipërpërmendura. Këto masa dhanë një efekt mjaft pozitiv në vijimësinë e jetës ekonomike dhe qëndrueshmërinë jo vetëm të sistemit bankar por edhe të aktivitetit ekonomik në përgjithësi.

Fundi i vitit 2020 rezultoi me disa tregues mjaft më pozitivë nga çka ne prisnim, jo vetëm në raport me PBB-në, por edhe në raport me treguesit e tjerë të sistemit financiar. Kreditë me probleme nuk pësuan rritje të mëtejshme por përkundrazi u ulën më tej. Këto kredi shënuan një rënie më të madhe nga ajo çka pritej krahasuar edhe me nivelin e mëparshëm duke arritur në vlerën prej 7.96%.

Pavarësisht parashikimeve tona për një rritje të kredive me probleme, sistemi bankar vijon të jetë mjaft optimist në këtë drejtim. Ky optimizëm mbështetet edhe në rritjen e depozitave dhe kreditimit, por edhe në një rritje totale të bilanceve të sistemit bankar pavarësisht gjithë situatës së krizës përmes të cilës kaloi vendi ynë.

Masat tona rregullative makro dhe mikroprudenciale u kombinuan me mjaft efektivitet edhe me masat fiskale dhe paketat e qeverisë shqiptare, të tilla si garancitë sovrane, të cilat u kanalizuan nëpërmjet sistemit bankar. Në këtë kontekst, harmonizimi i masave lehtësuese, politika monetare  lehtësuese, ulja e normës bazë të interesit, në nivelin e saj minimal historik 0.5% ndihmuan për të stimuluar kreditimin, konsumin dhe investimet.

Tregjet financiare tashmë paraqiten më të qeta dhe me qëndrueshmëri të kënaqshme. Kursi i këmbimit është i qëndrueshëm dhe parashikimet tona janë mjaft më optimiste. Sa i përket rritjes ekonomike, për këtë vit, ne si bankë qendrore pas rishikimeve përkatëse vlerësojmë se do të arrijë në nivelin 5.3%. Në vijimësi, për vitet e ardhshme, ne parashikojmë një rritje ekonomike pak më poshtë se 5.3% por gjithmonë në këto nivele, midis 4.5 dhe 5%. Sigurisht që kjo është e kushtëzuar edhe nga situata e pandemisë.

E përsëris se të gjitha këto parashikime janë të kushtëzuara nga rreziqet që vijnë nga një tejzgjatje e pandemisë. Bazuar në informacionin e përftuar nga ekspertët e fushës dhe mjekët në arenën ndërkombëtare dhe kombëtare po vërejnë një tendencë rënëse të infektimeve. Aktualisht, jemi përpara sezonit turistik dhe turizmi ka një ndikim të madh në ekonominë shqiptare. Të ardhurat nga turizmi në përgjithësi janë në nivelin e 2-3 miliardë eurove, të cilat hyjnë çdo vit në ekonominë shqiptare. Viti i kaluar regjistroi një rënie pothuajse me 50% në nivelin e turizmit. Kjo rënie mund të kishte qenë edhe më e ndjeshme nëse nuk do të ndikonte pozitivisht turizmi rajonal që vinte nga Maqedonia, Kosova apo vendet kufitare. Ky vit ka një pritshmëri më pozitive, por parashikimet dhe prirjet tona janë të kushtëzuara nga kohëzgjatja e pandemisë.

Gazetari: Në kushtet aktuale, ne ende nuk mund të kemi dijeni për surprizat që mund të na sjellë pandemia. Pavarësisht këtij momenti, dëshiroj t’ju pyes: A është sistemi bankar i shëndetshëm, i mirëkapitalizuar dhe likuid për t’u përballur me çdo lloj situate të papritur?

Guvernatori: Sikurse e theksova edhe më lart, me gjithë impaktin që pati pandemia mbi sistemin bankar, përsëri ai mbetet i shëndetshëm dhe me një nivel të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit në mbi 18% krahasuar me nivelin prej 12% që është norma minimale e kërkuar.

Njëkohësisht, sistemi bankar disponon një tepricë të lartë likuiditeti, tepricë të cilën e ka disponuar edhe më parë. Sigurisht, kjo tepricë likuiditeti duhet përkthyer në kredi të shëndetshme për ekonominë. Sikurse e përmenda edhe më sipër, niveli i kredive me probleme ka qëndruar në nivele mjaft të ulëta dhe kjo tregon se kreditimi bankar është mjaft prudent dhe serioz, pra është proaktiv, por gjithmonë me kritere serioze dhe rregullative.

Sistemi bankar është në gjendje mjaft të mirë. Shëndeti i sistemit bankar ka një efekt domethënës dhe ka shërbyer si një nga shtyllat kryesore për të mbajtur në këmbë dhe stimuluar ringritjen ekonomike. Kjo për shkak se shëndeti dhe cilësia e mirë e sistemit bankar përbëjnë një parakusht themelor për vijimësinë e rritjes ekonomike në të ardhmen.

Gazetari: Zoti Guvernator, ne raportuam para pak ditësh për një rritje të lehtë të inflacionit, i cili mbështetur edhe në raportin e Bankës së Shqipërisë, qëndron në nivelin 1%, që është dhe limiti fundor i këshilluar nga Banka e Shqipërisë. A kemi ne pasoja nga një inflacion i ulët? Pa u futur në thellësi të çështjeve shumë teknike, mund të na jepni një shpjegim sa më të thjeshtë për të sqaruar publikun e gjerë?

Guvernatori: Sigurisht. Aktualisht, ne kemi një nivel inflacioni prej 1.9%. Ky nivel pësoi një rënie të lehtë dhe përgjithësisht ka shfaqur luhatje për shkak të çmimeve të shportës, të cilat përbëjnë paketën nga del inflacioni. Inflacioni ka qene nën objektivin ligjor të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Sigurisht që kjo nuk përbën një problem madhor për ne, por është një simptomë e ekonomisë në përgjithësi për shkak se inflacioni tregon nivelin e çmimeve. Nëse ne do të përjetonim një inflacion të tejrritur, atëherë do të ishim përpara një situate me rritje çmimesh e cila nuk do të ishte e pëlqyeshme.

Ne kërkojmë ta stimulojmë ekonominë. Ne kërkojmë të arrijmë si objektiv një nivel inflacioni të tillë që të ketë impakt në rritjen ekonomike. Ta tejnxehim pak ekonominë, pasi është shumë e vakët.

Gazetari: Ta ndezim..

Guvernatori: Duam ta ndezim ekonominë. Ky është qëllimi ynë, prandaj ndjekim një politikë  monetare lehtësuese. Duke marrë në konsiderate faktin se situata pas krizës së vitit 2008-2009 në mbarë botën, përfshirë këtu Eurozonën dhe Shtetet e Bashkuara ka qenë jo shumë e favorshme, me një rënie të ndjeshme të kërkesës, qarkullimit të parasë dhe investimeve. Në këtë kontekst, sistemi financiar ka përjetuar një situatë me probleme madhore nga humbjet nga kreditë. Gjithë kjo situatë tejet e rënduar ka krijuar një stepje dhe ngërç në ekonomi dhe për këtë arsye bankat qendrore kanë ndërmarrë politika monetare lehtësuese përmes uljes së normës bazë të interesit në nivele minimale historike, madje edhe në terrene negative.

Shumë banka qendrore të shteteve të mëdha kanë aplikuar norma negative interesi dhe praktikisht kjo është bërë për të nxitur investitorët, konsumin dhe investimet. Pra, për të bërë të mundur transferimin e kursimeve dhe investimeve nga sistemi financiar në ekonominë reale. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe ne si bankë qendrore, por pa arritur në nivelet e normave negative të interesit. Gjithsesi, kemi bërë të mundur uljen e normës së interesit për të stimuluar ekonominë dhe për të arritur objektivin tonë të inflacionit, i cili qëndron në nivelin prej 3%.

Niveli i ulët i inflacionit i shoqëruar nga një situatë e rënduar tregon që ekonomitë operojnë nën potencialin e tyre. Pra tregojnë një kërkesë të vakët të konsumit dhe të investimeve. Ne parashikojmë që objektivi ynë i inflacionit të arrihet rreth fundit të vitit 2022, në mënyrë që ekonomia të operojë në potencialin e saj brenda kësaj periudhe.

Gazetari: Ne kemi ndjekur nga afër raportet e Bankës së Shqipërisë dhe vendimin mbi uljen e normës bazë të interesit në nivelin 0.5%, që është edhe norma më e ulët historike. Sikurse, ju pyeta edhe në fillim të intervistës tonë: A janë bizneset në një situatë më të favorshme pas ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë apo do të duhet të shohim ulje të mëtejshme të normës bazë të interesit?

Guvernatori: Sigurisht, që ky është një vendim që merret nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Aktualisht, situata parashikohet të vijë drejt përmirësimit. Në këto kushte, nuk vlerësoj se do të jetë e nevojshme një ulje e mëtejshme e normës bazë të interesit.

Vetëm nëse do të kishim një përkeqësim të situatës ekonomike dhe materializim të rreziqeve që përmenda më sipër, atëherë ne do të mund të ndërmerrnim një veprim të tillë. Por e përsëris edhe një herë se nuk e besoj se do të gjendemi përpara një situate të tillë.

Megjithatë e ritheksoj se kjo normë interesi vazhdon të jetë mjaft stimuluese për ekonominë shqiptare. Politika jonë monetare është transmetuar mirë në të gjitha segmentet e tregut financiar, si në bono thesari, kredi ashtu edhe në depozita.

Gazetari: Zoti Guvernator, sapo përmbyllëm fushatën elektorale dhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit. Gjatë periudhës së fushatës dhe veçanërisht dy apo tre muajt e fundit qarkullonin zëra për një rritje të parasë jashtë sistemit. Meqenëse kam mundësinë t’ju pyes, sa të vërteta janë këta zëra dhe çfarë mendon Banka e Shqipërisë mbi këtë rrezik potencial?

Guvernatori: Sigurisht që paraja jashtë sistemit është rritur. Ky ka qenë një fenomen të cilin ne e kemi marrë në konsideratë edhe gjatë periudhës së krizës. Ky fenomen ka ndodhur edhe në vendet e rajonit dhe më gjerë.

Si pasojë e situatës së pandemisë dhe shpenzimeve për të adresuar problematikat përkatëse, ne kemi përjetuar një rritje të masës monetare në përgjithësi të shoqëruar me rritje të kredisë dhe depozitave, por edhe me një zgjerim të deficitit buxhetor, deri në masën prej 100 milionë lekë.

Njëkohësisht, vlen të përmendet se situata specifike e krijuar nga pandemia i ka orientuar njerëzit drejt mbajtjes së parasë cash.

Ne jemi ende një ekonomi me nivel të lartë përdorimi të parasë cash. Ky përben një problem që jemi munduar ta adresojmë në mënyrë konstante. Për këtë arsye kemi ndërmarrë edhe një paketë masash në nivel reformash strukturore dhe financiare. Pavarësisht kësaj rritjeje specifike që lidhet me situatën e pandemisë, objektivi ynë mbetet i pandryshueshëm për formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e përfshirjes financiare dhe edukimit financiar.

E rëndësishme është që të theksohet se pavarësisht rritjes së përdorimit të parasë cash në ekonomi gjatë kësaj periudhe përsëri sistemi bankar mbeti i qëndrueshëm, likuid dhe me parametra të shëndetshëm.

Gazetari: Do të vazhdojë të qëndrojë si objektiv i juaji një fushatë për edukimin financiar dhe uljen e parasë cash në ekonomi?

Guvernatori: Patjetër. Ne synojmë, që kjo reformë strukturore me objektivat tona madhore të fokusohet te edukimi financiar në kuadër të përfshirjes financiare dhe modernizimit të sistemit të pagesave. Në funksion të këtij qëllimi, ne miratuam edhe ligjin për shërbimet e pagesave në vitin 2020. Në zbatim të këtij ligji përfshihen disa reforma për të modernizuar sistemin e pagesave, të cilat po ndiqen hap pas hapi me plane dhe me masa konkrete.

Sigurisht, gjithë kjo veprimtari po kryhet në bashkëveprim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe me aktorët e tjerë të tregut. Por, banka qendrore luan këtu rolin kryesor, si koordinues dhe iniciues për këto reforma.

Në këtë kuadër, ne jemi duke punuar për të bërë të mundur operacionalizimin e qarkullimit të pagesave në euro, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Aktualisht, banka qendrore kryen qarkullimin e pagesave në lekë. Ndërkohë që pagesat në euro, dollar apo në valutë të huaj kryhen nëpërmjet bankave korrespondente. Përmes këtyre ndryshimeve në kuadrin ligjor dhe rregullativ, ne do të mund të realizojmë që nëpërmjet sistemit tonë të kryhet jo vetëm qarkullimi i pagesave të brendshme, por edhe i atyre në valutë si në euro, dollar dhe valuta të tjera.

Ky operacionalizim do të përshpejtonte kohën e transfertave të pagesave dhe do të ulte mjaft kostot e tyre. Pra, do të ndihmonte agjentët ekonomikë në të dy drejtimet e mundshme, si në përshpejtimin e kohës për kryerjen e transfertës, ashtu edhe në  uljen e ndjeshme të kostove të transfertës.

Gazetari: Kjo besoj vlen edhe për ne konsumatorët si përfituesit finalë në këtë proces.

Guvernatori: Patjetër. Po përpiqem t’ua shpjegoj sa më thjesht. Nëse do të donim të bënim një transfertë nga një bankë tek një bankë tjetër brenda territorit të Shqipërisë në valutë, atëherë sot kjo transfertë do të kryhet nëpërmjet një banke korrespondente që ndodhet për shembull në New York apo Washington, nëse transferta është në dollar, apo në Frankfurt nëse do të jetë në euro; pra në vendin ku do të kishte drejtorinë e përgjithshme banka korrespondente.

Me ndryshimet e realizuara, transfertat do të kryhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe do të realizohen përmes bankave vendase. Në këtë kontekst, datë valuta apo afati i kryerjes së pagesës do të shkurtohet, por ajo që është më e rëndësishmja do të ulen ndjeshëm edhe kostot përkatëse. E përsëris edhe një herë, arsyeja kryesore këtu qëndron në uljen e kostove dhe ne synojmë ta realizojmë këtë brenda vitit 2020.

Në të njëjtën kohë, ne parashikojmë të ndërmarrim edhe një set masash të tjera si: implementimi i një switch-i, dhe i një platforme kombëtare për kryerjen e pagesave me kartë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Dëshiroj këtu të theksoj se kjo masë do të ulte mjaftueshëm kostot për përdoruesit e kartave dhe do të rriste ndjeshëm përdorimin e tyre, si të debitit ashtu edhe të kreditit. Në drejtim të përfshirjes financiare, një masë tjetër që vlen të përmendet është edhe implementimi i një skeme debitimi direkt pavarësisht marrëveshjeve që mund të kenë bankat me kompanitë utilitare, siç janë kompanitë e ujit dhe dritave.

Synimi ynë është që edhe shtresat më të varfra të popullatës dhe individët me të ardhura minimale, të mund të kenë akses në llogaritë bankare, përmes kryerjes së pagesave me komisione shumë të ulëta apo ndoshta edhe me komision zero. Në këtë mënyrë rritet ndjeshëm përfshirja financiare, ku çdo individ ka llogarinë e vet bankare dhe është pjesë e sistemit financiar. Këto janë disa elemente mjaft inovatore për Shqipërinë, por që janë aplikuar gjerësisht në shtete të tjera. Në këtë aspekt, objektivi ynë është të rrisim formalizimin e ekonomisë dhe njëkohësisht edhe përfshirjen financiare. Sa më shumë biznese dhe individë të përfshirë, aq më e konsoliduar bëhet marrëdhënia e tyre me bankat. Kjo ndikon pozitivisht në shumë aspekte dhe mbi të gjitha në zbutjen e pabarazisë midis shtresave të ndryshme sociale.

Sigurisht që çelësi këtu është edukimi financiar. Edukimi financiar është edukimi i drejtë i publikut për arritjen e objektivave që sapo përmenda, dhe këtu kuptohet dhënia e një informacioni të përshtatshëm jo vetëm për bizneset, të cilat janë më të mirinformuara, por edhe për individët e thjeshtë. Më konkretisht, këtu ne diskutojmë për individë në zonat rurale dhe në zona të tjera të cilët disponojnë një nivel të ulët informacioni për produktet bankare dhe nuk arrijnë të përfitojnë prej tyre.

Ne parashikojmë të ndërmarrim veprime konkrete në kuadër të reformave strukturore financiare që ne po ndjekim si bankë qendrore. Këto reforma do t’i shërbejnë modernizimit të sistemit të pagesave, i cili duhet të ecë me hapin e kohës njëlloj si në shtetet e tjera.

Aktualisht, mund të themi me bindje se është bërë një progres i ndjeshëm gjatë këtyre viteve. Po të rikthehemi pas në kohë, mund të kujtojmë se vetëm 10 apo 15 vite më parë, ne nuk dispononim karta debiti apo krediti dhe ekonomia shqiptare funksiononte mbështetur plotësisht te paraja cash.

Progres i madh është realizuar edhe në drejtim të përdorimit të ATM-ve – nëpërmjet përdorimit të kartave të debitit si dhe atyre të kreditit. Por, sigurisht që ne tashme po jetojmë në epokën e digjitalizimit dhe duhet ta modernizojmë sistemin jo vetëm në drejtim të rritjes së përdorimit të pagesave me kartë, por edhe përmes implementimit të pagesave me celular dhe digjitalizimit të pagesave.

Gazetari: Z. Guvernator ju e prekët pak më lart çështjen e politikës së deeuroizimit që ka ndjekur Banka e Shqipërisë. Dëshiroj t’ju pyes fillimisht për rezultatet e arritura. A kemi ne tashmë një stabilitet të kursit të këmbimit në Shqipëri përballë valutave të tjera? A është kjo edhe rezultat i kësaj politike dhe a kanë lidhje këto të dyja me njëra-tjetrën?

Guvernatori: Nuk kanë lidhje direkte me njëra-tjetrën këto dy elemente. Në vendin tonë, ne aplikojmë një regjim të lirë të kursit të këmbimit, që bazohet tek oferta dhe kërkesa. Aktualisht, ne kemi një kurs të qëndrueshëm që përbën një element mjaft pozitiv për ekonominë dhe për agjentët tregtarë dhe veçanërisht për eksportuesit dhe importuesit.

Stabiliteti i kursit të këmbimit zbut rreziqet që mund të vijnë nga humbjet e shkaktuara nga luhatjet e kursit të këmbimit. Por sigurisht që ndikon edhe në sistemin financiar, si tek bankat ashtu dhe tek kredimarrësit  për shkak se luhatjet në kursin e këmbimit qoftë për mbiçmimin apo nënçmimin e lekut do të shkaktonin humbje sipas ekspozimeve të ndryshme që do të kishin agjentët; ndërkohë që një kurs stabël i ndihmon të gjithë aktorët pjesëmarrës.

Sigurisht që kemi përjetuar luhatje të lehta të kursit, pasi kemi një regjim të lirë. Ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se me këtë kurs të lirë këmbimi do të kemi flukse të larta hyrjesh në monedhën euro. Shqipëria pavarësisht se nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, gjeografikisht është në Eurozonë. Partnerët tanë kryesorë tregtarë janë brenda Eurozonës. Emigrantët shqiptarë janë kryesisht të punësuar në Eurozonë. Turistët vijnë kryesisht nga Eurozona, por dhe ata që nuk vijnë nga jashtë saj, përsëri përgjithësisht sjellin euro. Investimet e huaja direkte kryesisht kryhen me euro. Pra, me gjithë këto flukse të mëdha hyrjesh në euro, përsëri kursi i këmbimit ka qenë i qëndrueshëm. Pa përmendur këtu shifra konkrete, mund të themi se janë miliarda euro që hyjnë në ekonominë shqiptare nga këto burime. Dhe ruajtja e një kursi stabël tregon qartë qëndrueshmërinë e lekut.

Deeuroizimi ka të bëjë me uljen e përdorimit të euros aty ku nuk është e nevojshme dhe kjo ndodh  për dy arsye. Ne kemi monedhën kombëtare që është Leku dhe për sa kohë që ne përdorim këtë monedhë ndihmojmë ekonominë tonë në dy drejtime.

Së pari, kemi një transmetim më të mirë të politikës monetare. Është një instrument të cilin ne e disponojmë, ndërkohë që shumë shtete të zhvilluara, që nga momenti që janë bërë anëtare të Eurozonës nuk e kanë më në dispozicion për shkak se politika e tyre monetare kryhet nga Banka Qendrore Evropiane.

Sikurse e theksuam edhe në fillim të intervistës, ne kemi mundësi që nëpërmjet politikës monetare të stimulojmë kreditimin, të stimulojmë konsumin dhe investimet. Ky instrument na ka ndihmuar që gjatë 4 viteve të fundit të kemi një rritje ekonomike përafërsisht 4%. Padyshim që këtu kanë ndikuar edhe reformat strukturore të ndërmarra nga qeveria shqiptare, Banka e Shqipërisë dhe aktorë të tjerë.

Por nga kahu tjetër, na kanoset një rrezik serioz mbi sistemin financiar që është ekspozimi në euro për ata klientë të cilët i kanë të ardhurat në monedhën lokale në lekë. Për shembull, nëse ju keni përftuar një kredi në monedhë të huaj, qoftë si biznes apo individ (le te themi në euro meqenëse euro është monedha më e përdorshme), dhe të ardhurat i disponon në lekë, atëherë në kushtet e një situate inflacioniste pra në një periudhë afatmesme apo afatgjatë nëse do të kishim një zhvlerësim të monedhës kombëtare, atëherë klientëve të bankës do t’iu ulej ndjeshëm aftësia paguese e kësteve të kredisë.

Dhe jo vetëm klientët nuk do të mund të paguanin këstet e kreditë, por njëkohësisht dhe bankat do të kishin probleme serioze me bilancet e tyre. Duke marrë në konsideratë faktin se një e katërta e totalit të kredive është në valutë të huaj dhe e pambrojtur, atëherë ne do të përballeshim me një përkeqësim të ndjeshëm të bilanceve të bankave. Dhe ky është një ekspozim serioz. Ndodhemi përballë të njëjtës situatë sikurse është pjesa e borxhit të jashtëm në valutë që ka marrë qeveria shqiptare, ndërkohë që të ardhurat buxhetore janë në monedhën lokale.

Në këtë këndvështrim, si borxhi i jashtëm ashtu edhe ekspozimi i klientëve ndaj bankave përbëjnë një rrezik serioz në rast zhvlerësimi të kursit të këmbimit. Sigurisht, që aktualisht ndodhemi përpara në një situate të qëndrueshme për sa kohë ne aplikojmë një regjim të lirë të kursit të këmbimit.

Megjithatë, ekonomia është shumë komplekse dhe ne kemi qenë dëshmitarë të eksperiencave nga më të ndryshmet që kanë ndodhur edhe në shtetet më të zhvilluara, si në Zvicër me frangën zvicerane, ku u shfaqën probleme serioze jo vetëm në sistemin bankar por edhe në ekonomi. Për këto arsye, ne kemi aplikuar një politikë deeuroizimi me qëllim uljen e nivelit të përdorimit të euros dhe aktualisht kjo politikë ka funksionuar.

Në këtë kuadër, Grupi Këshillimor i Komitetit të Stabilitetit Financiar i përbërë nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe agjencitë e tjera rregullatore nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për Politikën e Deeuroizimit, në vitin 2017, dhe në shkurt të vitit 2018 i dhamë udhë këtij projekti. Që prej këtij momenti, kemi një rënie të ekspozimeve në euro si në aktive ashtu dhe në pasive, si në kredi ashtu edhe në depozita.

Aktualisht, ne po përjetojmë një rritje të ndjeshme të kreditimit në lekë që është një zhvillim mjaft pozitiv. Pra, individët dhe bizneset janë ndërgjegjësuar që nuk kanë pse të kenë ekspozime në valutë të huaj kur të ardhurat i kanë në lekë dhe normat e interesit të lekut qëndrojnë në nivele shumë të ulëta pothuajse si normat e euros.

Kësti binte më i ulët kur norma e interesit në euro qe më e ulët se në lekë. Tashmë që janë pothuajse të përafërta nuk ke dhe për momentin nuk vlen më, kështu që si në afat të shkurtër dhe në afat të gjatë, mirë është që dhe kredia të merret në lekë. Ky program është dhe një reformë në kuadër të kërkesave të Bashkimit Evropian. Pra, nuk është shpikje e jona, pasi i njëjti program është implementuar në të gjitha vendet në zhvillim, që kanë të njëjtin fenomen. Natyrisht që ka pasur një keqkuptim, po e përmend përsëri se përse duhet të përdorim lekun dhe jo euron.

Gazetari: Është kjo pyetje?

Guvernatori: Ne jemi ende larg standardit të BE-së. Ekonomia jonë pavarësisht progresit pozitiv të realizuar, është akoma larg standardeve dhe konvergimit me ekonominë e Bashkimit Evropian. Mund të marrim si shembull Republikën Çeke, e cila akoma ka monedhën e saj dhe është gati për t’u bërë pjesë e Eurozonës, por ende dëshiron të ketë në dorë këtë instrument të politikës monetare pavarësisht se ka përmbushur plotësisht standardet për të adoptuar monedhën Euro.

Kroacia po aplikon një tjetër program, atë të adoptimit gradual të euros. Ne e kemi të nevojshme të përdorim instrumentet e politikës monetare. Kur ne të arrijmë nivelin e kërkuar, nuk mund të përcaktojmë këtu një periudhë të saktë kohore, por ndoshta pas disa vitesh, pasi të ndjekim me seriozitet hapat e këtyre vendeve, të cilat sot gëzojnë një standard më të lartë ekonomik, nuk do të jetë e largët dita që edhe ne të jemi jo vetëm anëtarë të Bashkimit Evropian, por edhe pjesë përbërëse e Eurozonës.

Për momentin, në këtë stad zhvillimi ekonomik, ne implementojmë këtë politikë që është dhe kërkesë e Bashkimit Evropian.

Gazetari: A janë këto politika të përshtatshme për stadin aktual të zhvillimit tonë ekonomik?

Guvernatori: Nuk do të doja të zgjerohesha së tepërmi në këtë çështje për të mos kaluar në detaje teknike, por do të doja të theksoja se përdorimi i euros nuk është i lejuar dhe mbart në vetvete disa rreziqe evidente. Në këtë kontekst, ka vende të cilat e kanë adoptuar euron si monedhë të tyren, si p.sh. Kosova dhe Mali i Zi dhe shpeshherë bëhen krahasime me vendin tonë.

Gazetari: Dhe këto shtete nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian?

Guvernatori: Po, këto shtete nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe, në momentin që kanë fituar pavarësinë, nuk kanë pasur monedhën e tyre kombëtare. Në këto kushte, është bërë një marrëveshje dhe janë lejuar nga Eurozona që të mund të përdorin euron si monedhë kombëtare. Kështu, kanë bërë të mundur shmangien e riskut të kursit të këmbimit, por nuk i disponojnë më instrumentet e politikës monetare.

Aktualisht ne jemi në një situatë krejt ndryshe. Edhe sikur të mos kishim gjykimin dhe logjikën e këtyre avantazheve apo disavantazheve, nuk do të ishim të lejuar të implementonim adoptimin e euros.

Gazetari: Po, kushdo që kishte pyetje, e mori përgjigjen.

Guvernatori: Nuk do të mundeshim ta bënim dhe nëse do të ishim lejuar, kjo është arsyeja. Dhe arsyet themelore janë ato që përmenda më sipër, që ne duhet të stimulojmë ekonominë në mënyrë që të kemi rritje ekonomike, në funksion të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Këto janë instrumente që ndikojnë në drejtim të rritjes ekonomike. Pra, janë politikat monetare, financiare, makroekonomike, që duhet të harmonizohen me politikat fiskale të qeverisë shqiptare për të pasur rezultatin e kërkuar të rritjes ekonomike.

Gazetari: Zoti Guvernator, më lejoni një pyetje të fundit. Këtë vit ne presim emetimin e kartëmonedhës së parë 10 mijë lekëshe, një kartëmonedhë që nuk e kemi pasur asnjëherë. Kur do të ndodhë kjo dhe kur do mundemi ta kemi në përdorim?

Guvernatori: Shumë shpejt. Në qershor, planifikojmë të bëjmë njoftimin përkatës dhe të nisim prezantimin për hedhjen në qarkullim të kartëmonedhës 10 mijë lekëshe. Ne kemi ndryshuar të gjithë serinë e kartëmonedhës shqiptare. Vjet kemi prezantuar serinë e re të kartëmonedhës. Janë hedhur dy prerje të reja të kartëmonedhës në qarkullim që janë ato 5000 Lekë dhe 200 Lekë. Këtë vit do të hedhim dy prerje të reja, të kësaj serie që janë 10000 Lekë dhe 1000 Lekë.

Gazetari: 10000 Lekëshi është një prerje e re që nuk ka qarkulluar më parë?

Guvernatori: Po, është një prerje e re që do të hidhet në qarkullim. Prerja më e madhe deri tani ka qenë 5000 lekëshi dhe këtë vit ne planifikojmë të hedhim në qarkullim 10000 lekëshin e ri. Vlerësoj se është koha e përshtatshme, pasi kemi vite që çmimet janë shtrenjtuar. Kjo monedhë do të jetë më e thjeshtë për përdoruesit, pasi është një prerje më e madhe për ta mbajtur qoftë në portofol qoftë në qarkullim. Në këtë kontekst ulet nevoja për sasi të mëdha përdorimi të cash-it.

Së bashku me 10 mijë lekëshin do të hidhet në qarkullim edhe prerja 1 mijë lekëshe, si pjesë e serisë së re. Pra, do të jetë e njëjta tematikë, te 1 mijë lekëshi, por do të ndryshojë dizajni, pamja dhe janë shtuar disa elemente të sigurisë. Ne parashikojmë që në qershor të hedhim këto dy prerje të reja në qarkullim.

Ndoshta nga fundi i vitit apo fillimi i vitit tjetër do të jenë dhe dy prerjet e fundit të serisë që do të hidhen në qarkullim. Kështu do të jetë e gjithë seria e re e hedhur në qarkullim.

Dua të ritheksoj për të sqaruar dhe një herë që të mos ketë keqkuptime. Këto prerje të reja do të jenë në qarkullim paralelisht me prerjet e vjetra, pra edhe prerjet e vjetra do të vazhdojnë të jenë funksionale. Patjetër që 10 mijë lekëshi është vetëm një dhe s’ka prerje të vjetër, por për të gjitha prerjet e tjera do të kemi nga dy kartëmonedha me kurs ligjor. Pra kemi në qarkullim 5 pesë mijë lekëshin e ri dhe të vjetrin. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me kartëmonedhat e tjera.

Gazetari: Deri sa të realizohet zëvendësimi i plotë i tyre me kartëmonedhat e reja?

Guvernatori: Po. Deri sa të zëvendësohen plotësisht me kartëmonedhat e reja. Prerjet e vjetra me përdorimin e madh konsumohen dhe asgjësohen gradualisht. Ka një formulë specifike në qarkullimin e parasë. Pra, paraja e vjetër tërhiqet gradualisht nga qarkullimi dhe asgjësohet dhe vendin e saj e merr gradualisht paraja e re, prerjet e reja.

Gazetari: Ju falënderoj shumë zoti Guvernator. Morëm prej jush informacione shumë të rëndësishme. Për më tepër që nga qershori do të kemi një kartëmonedhë të re, dhe lajmi më i mirë është që ekonomia shqiptare është stabël dhe drejt një rritjeje të qëndrueshme.

Zoti Guvernator shumë faleminderit për intervistën, punë të mbarë!

Guvernatori: Faleminderit juve.