BANKA E SHQIPËRISË

Intervistë e z.Shkëlqim Cani Guvernator i Bankës së Shqipërisë, dhënë revistës "The Banker".

Data e publikimit: 17.04.2001

 

1. Çfarë përparësie ka anëtarësimi në BE në objektivat e politikës tuaj të jashtme?
Që në hapat e parë të periudhës së tranzicionit, në fillim të viteve '90, anëtarësimi në BE ishte forca kryesore shtytëse e procesit të tranzicionit në Shqipëri. Ka një mirëkuptim absolut ndërmjet partive politike dhe, në tërësi, në të gjithë vendin për rëndësinë e anëtarësimit.

2. Cilat do të jenë përfitimet dhe kostot e anëtarësimit në BE?
Problemet me reformat strukturore në Shqipëri janë si makroekonomike ashtu edhe mikroekonomike, kështu që është e vështirë të vlerësosh një pamje të plotë e të gjithanshme të kostove dhe përfitimeve. Me përfitimet e ardhme, të natyrës së sigurimit të stabilitetit të çmimeve dhe disiplinës makroekonomike, vendi mund të bëhet më i besueshëm për komunitetin e investimeve të huaja. Por, ne ende shqetësohemi për faktin që ekonomia shqiptare do të jetë e paaftë të ballafaqohet me konkurrencën në rritje nga BE.

3. A mendoni ju se procesi me anë të të cilit BE zgjedh vendet që ajo dëshiron të negociojë për anëtarësim është i ndershëm?
Procesi nëpërmjet të cilit BE përzgjedh dhe negocion me vendet që po kërkojnë të pranohen në BE ka dekurajuar vendet e tjera që janë duke menduar të anëtarësohen në BE. Edhe pse kriteret e vendosura mund të konsiderohen nxitëse për konsolidimin e demokracive të reja në Europën Lindore, pikënisja drejt Europës e vendeve të tilla si Shqipëria, që është mbrapa vendeve të tjera në tranzicion, do të thotë një kufi i mbyllur drejt BE-së.

4. A do t'i pëlqente vendit tuaj të bashkohet me euron dhe a do të shqyrtoni adaptimin në mënyrë të njëanshme të euros pa qenë anëtarë të BE-së?
Madhësia e tregtisë dhe e shërbimeve me vendet e Eurozonës është rritur në mënyrë të konsiderueshme këto 10 vjetët e fundit. Tregtia me BE përmban më shumë se 80 për qind të totalit të volumit të tregtisë (partnerët më kryesorë janë Italia, Greqia dhe Gjermania). Një pjesë e konsiderueshme e transaksioneve tona me botën kryhen në euro. Për momentin, ne nuk po mendojmë të ndërmarrim një veprim të menjëhershëm për t'u bashkuar në euro, qoftë edhe në mënyrë të njëanshme. Por, megjithatë, ne jemi duke studiuar rëndësinë relative dhe rolin e euros në ekonominë tonë.

5. Në qoftë se disa vende lihen jashtë Zonës së Euros ndërsa të tjera hyjnë në të, a mendoni se kjo mund të rrisë pabarazinë dhe të krijojë probleme të tilla si imigracioni ilegal?
Në parim procesi i anëtarësimit në BE ka për qëllim të ngushtojë diferencat ndërmjet vendeve anëtare dhe Bashkimit Europian. Unë nuk mund të jem i sigurtë që vendet e lëna jashtë BE-së do të lulëzojnë. Ndërkohë, problemet me imigrimin ilegal do të rriten. Por, megjithatë, anëtarësimi (pranimi) i parakohshëm i disa vendeve duke u bazuar në
konsideratat të tjera të ndryshme nga përmbushja e plotë e kërkesave të BE-së mund të ketë disa pasoja psikologjike ose politike në vendet e tjera që janë futur në rradhë dhe presin.

6. Cilat janë planet tuaja për të përmirësuar dhe për të zhvilluar sistemin bankar dhe sektorin financiar në vendin tuaj?
Fillimisht ne duhet të zhvillojmë një sektor financiar të gjithanshëm dhe më pas të marrim masa ta përmirësojmë atë. Ne duhet të vazhdojmë politikën tonë për të lejuar bankat e reja dhe institucionet financiare, në veçanti ato me kapital të huaj, që të hyjnë në treg. Në këtë mënyrë, ato do të rrisin konkurrencën dhe do të përmirësojnë teknologjinë dhe qeverisjen. Përmirësimi i sistemit të pagesave është një përparësi tjetër për ne. Kështu që Banka e Shqipërisë po nxit krijimin e një tregu ndërbankar dhe të huadhënies bankare.