BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit në emisionin Opinion në Klan

Data e publikimit: 12.03.2020

 

Blendi Fevziu: z. Sejko ju keni marrë një masë që kërkon shtyrjen e kredive 3 muaj, cfarë do të thotë kjo? A mund të ma shpjegoni konkretisht për qytetarët?

Guvernatori Sejko: Patjetër. Ne në fakt kemi marrë një sërë masash. Kjo është një nga masat që ne kemi marrë. Duke filluar nga kjo javë ne kemi dërguar disa udhëzime për bankat e nivelit të dytë për të siguruar punën e tyre operacionale në mënyrë sa më të optimizuar, paralelisht me masat që duheshin ndërrmarrë për ruajtjen e shëndetit të punonjësve dhe të klientëve të bankave.

Blendi Fevziu: Bankat do të punojnë?

Guvernatori Sejko: Në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave që u mor për mbylljen e institucioneve publike, edhe ne kemi marrë një vendim për ditën e nesërme, që bankat të mos punojnë, por të kenë siguruar të gjitha pagesat online dhe nëpërmjet cash-it. Kjo është në kuadrin e eliminimit sa më shumë të jetë e mundur të kontakteve që njerëzit mund të kenë me njëri-tjetrin, për parandalimin e përhapjes së virusit. Nga ana tjetër, për ditën e nesërme, janë marrë të gjitha masat që të fuksionojne të gjitha pagesat online dhe pagesat nëpërmjet cash-it nëpërmjet tërheqjeve nga ATM-të. Do të jenë dhe 2-3 ditë pushim dhe javën e ardhshme parashikojmë që aktiviteti të vazhdojë normalisht.

Blendi Fevziu: Kam 3 pyetje z. Sejko, që më kanë ardhur nga qytetarët:

  1. Lidhet me masat e sigurisë së punonjësve të bankave të nivelit të dytë, të tretë, të exchangeve, të cilët si do jenë të pajisur për tu mbrojtur nga kontakti me shumë qytetarë?
  2. Lidhet me cash-in. Cash-i thonë shumë prej qytetarëve përbën një nga shkaqet kryesore, ose një nga mjetet kryesore që mund të shpërndajë virusin. Cfarë do ndodhë me të?
  3. Lidhet me kreditë. Thatë që keni spostuar 3 muaj pagesën e kredive të bankave të nivelit të dytë, por janë disa institucione financiare që mund të quhen të nivelit të tretë,po ato kredi që janë kredi më të vogla a do të shtyhen?
  4. Lidhet me cash-in në automate, kanë një sasi shumë të vogël. Vetëm 20.000 mijë lekë lejohen të tërheqësh.

Këto të katërta kam për ju.

Guvernatori Sejko: Po, z. Fevzi, ju dëgjova. Atëherë fillojmë nga e para.

Lidhur me masat që kanë të bëjnë me punonjësit dhe me klientët bankave e nivelit të dytë ne kemi dërguar një udhëzim të qartë dhe të plotë në të gjitha bankat e nivelit të dytë. Po ashtu, edhe në mënyrë të përmbledhur kemi instruktuar të gjithë punonjësit e bankave për të marrë masat e duhura lidhur me higjenizimin, ruajtjen e distancës dhe masat parandaluese që lindin nga nevoja e kësaj gjëndje, e kësaj situate. Pra, për të ruajtur distancën, për të patur një numër të kufizuar punonjësish në bankat e nivelit të dytë dhe sigurisht për të vijuar aktivitetin operacional. Në këtë konteskt do doja të theksoja që të gjithë klientët, të gjithë qytetarët që kanë marrëdhënie me bankat e nivelit të dytë duhet të kuptojnë që, në rast se do të krijohen radha nga implementimi i këtyre masave, kjo nuk vjen nga situata e vështirë ose gjëndja financiare e bankave, por kjo vjen nga implementimi i këtyre masave. Normalisht instruksionet janë të qarta, të sakta, janë në përputhje me instruksionet e shëndetësisë për ruajtjen e punonjësve të bankave dhe për ruajtjen e klientëve, nëpërmjet ruajtjes së distancës dhe higjenizimin. Këto masa janë shpërndarë dhe bankat i kanë implementuar. 

Blendi Fevziu: Cash-i, që është mbartës i infeksionit, Kina e dizinfektoi gjithë cashin.

Guvernatori Sejko: Ne kemi marrë dje një konfirmim nga Organizata Ndërkombëtare e Kartëmonedhës, e cila i ka bërë të ditur Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që cash-i trajtohet njëlloj si gjithë sipërfaqet e tjera, pra cash-i nuk është mbartës ose përhapës i sëmundjes. Cash-i është njëlloj si të gjithë sipërfaqet e tjera të prekshme nga qytetarët, pra njëlloj siç është kjo sipërfaqe, një tavolinë, një mbajtëse, një dorezë. Pra cash-i nuk është një element i cili kërkon alerte të veçanta ose kërkon një vëmendje të vecantë. Pra, nuk ka nevojë për dizinfektim cash-i. Ne kemi marrë masa sigurisht. Njësoj siç kemi marrë masa në të gjithë zyrat e instituiconit tonë, edhe në qëndrën tonë të përpunimit të cash-it jemi kujdesur që punonjësit të jenë të dizinfektuar, por kjo nuk ka të bëjë specifikisht me cash-in. Kjo ka të bëjë me gjithë masat e ndërmarra. 

Blendi Fevziu: Ndërkohë kreditë jo për bankat e nivelit të dytë, por për institucionet e tjera financiare,  që janë kredi më të vogla?

Guvernatori Sejko: Lidhur me kreditë unë e kam bërë publike shtyrjen. Bëhet fjalë për një moratorium,  për një riskedulim. Doja të theksoja se kjo nuk është falje e kësteve të kredive. Kjo është një riskedulim, pra një shtyrje me një afat 3 mujor, për ata klientë të cilët nuk kanë mundësi për të paguar këstin si pasojë e rrethanave të krijuara. Për ta do të shtyhet skeduli i pagesave të kredisë me tre muaj, pra nuk do rëndohen me kamatë vonesat,  nëse nuk do të paguhen këto 3 muaj. Kjo masë është marrë njësoj  si për bankat, ashtu edhe dhe për institucionet e tjera financiare kredidhënëse. Pra, dhe për institucionet e tjera financiare jo banka kjo masë e marrë sot është e aplikueshme.

Blendi Fevziu: Pyetja e fundit është për cash-in në automate, ka qytetarë që më shkruajnë sot që deri në 20.000 lekë lejohen të tërhiqen nga automati. Eshtë urdhër apo është limitim i bankës vet për kartat e krediti?

Guvernatori Sejko: Jo, nuk ka asnjë urdhër. Bankat kanë limitet e tyre  për tërheqjen e cash-it nga automati. Ne jemi fleksibël dhe mund të ndryshojmë të gjitha rregulloret lidhur me tërheqjen e cash-it nga automati, por nuk e shikojmë të nevojshme. Ne nuk parashikojmë një situatë ku qytetarët ose klientët të kenë nevojë për tërheqje. Një bankë mund ta ketë limitin e tërheqjeve nga automatet 20.000 lekë, një bankë 30.000 lekë. Është cështje e politikave të bankave dhe këto janë shuma që brenda ditës janë të mjaftueshme për ti shërbyer qytetarit. Nuk ka një specifikë të caktuar për këtë pikë. E rëndësishme është që ne kemi marrë masa që, edhe këto ditë që do të jenë pushim, ne si Bankë Qëndrore do të kemi në operim Departamentin tonë të Emisionit për të kryer furnizime të rregullta me cash të bankave të nivelit të dytë. Ne u kemi kërkuar bankave nëpërmjet instruksioneve të këtyre ditëve, por edhe sot, për të furnizuar automatet me cash si normalisht. Pra nuk ka asgjë të veçante. Është një proces normal që do ti shërbej qytetarëve si rregullisht. Qytetarët mund të marrin cash-in e nevojshëm për shërbimet e nevojshme, çdo ditë. Në rast se një ATM nuk punon, mos të krijojmë panik, të shkojmë në një ATM tjetër të tërheqim cash-in. Nuk ka asnjë problem.