BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pjesë nga intervista e përbashkët e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani dhe Ministrit të Financave, Z. Arben Malaj dhënë gazetës Financial Times, "Paraja e ardhur nga jashtë është kyçi i progresit", Uashington, 12 prill 2005

Data e publikimit: 13.04.2005

 

Hyrjet e vazhdueshme të cash-it nga jashtë ndihmojnë në zbutjen e varfërisë duke përmirësuar relativisht gjendjen e vështirë ekonomike të të afërmve të papunë dhe të moshuarve. Dërgesat e ardhura nga jashtë prej emigrantëve kanë sjellë gjithashtu, edhe një boom në ndërtimin e shtëpive të banimit. Por, vetëm një përqindje e vogël investohet në prodhim dhe shërbime, - thekson Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Varësia ndaj importeve, pasojat e së cilës i vuajnë emigrantët nëpërmjet parasë që dërgojnë e bën llogarinë korente jashtëzakonisht të lartë, - shton ai. Në sajë të rritjes së arritur në turizëm si dhe rritjes së eksportit të tekstileve, veshjeve të këmbës dhe perimeve, vitin e kaluar deficiti ra por vazhdon të mbetet në nivelin prej 7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB).

Ndryshe nga dekadat e mbështetjes së detyrueshme në forcat e veta të periudhës së komunizmit, Shqipëria importon shumicën e ushqimeve të saj, përfshirë prodhime të freskëta nga Greqia dhe Maqedonia, të cilat shesin me çmime më të ulëta sesa çmimet e frutave dhe zarzavateve të rritura brenda vendit. "Për të ndikuar në bilancin tregtar, ne duhet të mbështesim financiarisht prodhuesit dhe përpunuesit vendas, - thotë Z. Fullani. "Ka shumë vend për rritje në sektorin e bujqësisë".

Niveli i ndërmjetësimit financiar është duke u rritur, pjesërisht edhe si rezultat i fushatës propagandistike të qeverisë për të pakësuar përdorimin e parasë cash. Ministria e Financave dha një shembull duke mundësuar që punonjësit e sektorit publik të paguhen nëpërmjet sistemit bankar.

Kredia bankare ndaj sektorit privat po rritet me shpejtësi, por ende është më e ulëta në rajon, në rreth 8.5 për qind e PBB-së për vitin 2004.

Bizneset e vogla, përfshirë ato të sektorit bujqësor, mbështeten në hua të administruara nën programet e donatorëve ndërkombëtarë dhe financimin e mikrokredisë, por bankat tregtare po fillojnë ta vlerësojnë këtë sektor.

Arben Malaj, Ministri i Financave pohon se remitancat mund të mbështesin rritjen ekonomike edhe për disa vite të tjera, por nevojitet rritja e flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte me qëllim që vendi të fillojë të ngushtojë hendekun e të ardhurave me pjesën tjetër të Ballkanit. Buxheti i këtij viti përfshin një paketë fiskale që synon ta afrojë vendin me vendet e tjera të Ballkanit lidhur me përqindjet e taksave dhe praktikat e biznesit. Për shkak të rritjes së konkurrencës midis vendeve të Ballkanit, duke patur parasysh se ulja e përqindjeve të taksave nxit investimet, qeveria ka ulur normën e taksave mbi të ardhurat e korporatës nga 25 për qind në 23 për qind dhe do ta ulë atë në 20 për qind gjatë vitit tjetër.

"Ne jemi të vendosur të përmirësojmë administrimin e taksave për të lehtësuar rrugën për investitorë cilësorë, - thotë z. Malaj.

Pas shitjes së Bankës së Kursimeve, banka më e madhe në Shqipëri, tek grupi Raiffeisen i Austrisë, qeveria ka planifikuar që këtë vit të shesë kuotën e pjesëmarrjes aksionare të saj prej 40 për qind në dy banka të vogla, - Bankës Italo-Shqiptare dhe Bankës së Bashkuar të Shqipërisë.