BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Leksion i Guvernatorit Sejko në London School of Economics and Political Science (LSE)
Data e publikimit: 30.03.2023
Në datën 28 mars 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mbajti një leksion publik të organizuar nga Shkolla Ekonomike dhe e Shkencave Politike të Londrës (LSE) London School of Economics and Political Science, me temë “Dealing with Shocks at the Gates of EU: New Policy Instruments & The Role of Central Banks”.
Ky leksion u organizua në kuadër të bashkëpunimit që Banka e Shqipërisë ka ndër vite me LSE-në në fushën akademike dhe studimore, si dhe u ndoq nga ekspertë ndërkombëtarë në fushën e ekonomisë, akademikë të Universitetit, nga studentë të huaj dhe shqiptarë, që studiojnë pranë kësaj shkolle.
Gjatë leksionit, Guvernatori diskutoi mbi sfidat ekonomike dhe financiare me të cilat përballen ekonomitë e vogla të hapura të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti Shqipëria në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian (BE), dhe implikimet që paraqesin sfida të tilla për politikat monetare dhe financiare të ndërmarra nga bankat qendrore përkatëse.
Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lidhura ngushtë me BE-në në aspektin kulturor, ekonomik, financiar e politik, dhe anëtarësimi në të mbetet një nga aspiratat e mëdha për vendet e këtij rajoni. Prej më shumë se dy dekadash, rajoni ynë punon për një konvergjencë të qëndrueshme me standardet e jetesës së BE-së, por ritmi i kësaj konvergjence është ngadalësuar në dekadën e fundit, nisur nga krizat me të cilat është përballur BE-ja dhe që janë importuar edhe nga vendet e këtij rajoni.
Procesi i integrimit evropian përbën një nga ankorat më të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në aspektin e reformave strukturore me qëllim arritjen e konvergjencës në një kohë sa më të shkurtër. Nga ana tjetër, duke qenë në portat e BE-së, vendet e rajonit kanë qenë importues shoku, pa akses të drejtpërdrejtë në politikat e miratuara brenda BE-së.
Për sa i përket Shqipërisë, Guvernatori theksoi se njësoj si vendet e rajonit, edhe ne jemi përballur me goditje të importuara nga BE-ja dhe si një përgjigje efektive kemi kombinuar instrumentet e politikës monetare, masat makroprudenciale dhe reformat e sektorit financiar. Efektiviteti i politikave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë u rrit nga fleksibiliteti dhe fuqia relativisht e mirë e ekonomisë shqiptare. Pavarësisht kësaj, Banka e Shqipërisë mbetet e kujdesshme dhe gjithmonë në monitorim të vazhdueshëm të ndërlikimeve të mundshme negative të situatës dhe sfidave më të cilat përballet ekonomia shqiptare.
Në përfundim, Guvernatori theksoi se axhenda e politikave strukturore është thelbësore për përmirësimin e ekonomive të rajonit të Ballkanit Perëndimor, për t'i afruar ato me shtetet anëtare të BE-së dhe për të siguruar që të jemi partnerë të barabartë dhe të merituar kur të vijë koha për t'u bashkuar. Nëse autoritetet e vendeve të rajonit tonë vazhdojnë zbatimin e reformave strukturore, rritja potenciale do të rritet, ritmi i rritjes ekonomike do të jetë më i lartë dhe konvergjenca do të jetë më e shpejtë.
Më tej, prezantimi i Guvernatorit u pasua nga diskutimet e profesorëve të Shkollës Ekonomike dhe Shkencave Politike të Londrës (LSE) zj. Piroska Nagy-Mohácsi dhe z. Vassilis Monastiriotis, të cilët vlerësuan politikat e Bankës së Shqipërisë që kanë ndihmuar në tejkalimin me sukses të goditjeve të jashtme dhe e kanë përgatitur institucionin e bankës qendrore për procesin e integrimit në BE.
Ata theksuan se Banka e Shqipërisë, falë reagimit të shpejtë dhe koordinimit të politikave ekonomike, ka arritur të japë një mbështetje konkrete për zhvillimin e vendit, përballimin e goditjeve të njëpasnjëshme të viteve të fundit dhe të shërbejë si një institucion model në procesin e integrimit evropian të vendit.
Gjithashtu, profesorët e LSE-së falënderuan Guvernatorin Sejko për mbajtjen e leksionit dhe çështjet e trajtuara, të cilat i vlerësuan si tepër aktuale dhe me mjaft interes për pjesëmarrësit.
Në përfundim, Guvernatori Sejko iu përgjigj interesit dhe pyetjeve të të pranishmëve në këtë leksion.
- Prezantimi i Guvernatorit në LSE (në anglisht)