BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Ftesë për pjesëmarrje

Data e publikimit: 07.10.2019

 

Në kuadër të angazhimeve që rrjedhin nga procesi i bashkërenduar i integrimit evropian dhe mbështetur në Urdhrin e Kryeministrit nr. 113, datë 30.08.2019 “Për format e pjesëmarrjes, funksionimin dhe strukturën institucionale të platformës së partneritetit për integrimin evropian”, Banka e Shqipërisë, si drejtuese e dy Grupeve Ndërinstitucionale të Punës të Integrimit Evropian (GNPIE – Kapitulli 17 dhe  GNPIE – Kapitulli 4), shpall njoftimin “Ftesë për pjesëmarrje” drejtuar:

  • Shoqatës Shqiptare të Bankave;
  • përfaqësuesve të botës akademike në fushën e ekonomisë dhe/ose financave;
  • përfaqësuesve të medias së shkruar ose audiovizive me fokus çështjet ekonomike dhe financiare;

për të qenë anëtarë të:

  1. Tryezës së Këshillimit dhe Diskutimit për Kapitullin 17 – Politikat Ekonomike dhe Monetare të legjislacionit të BE-së;
  2. Tryezës së Këshillimit dhe Diskutimit për Kapitullin 4 – Lëvizja e lirë e Kapitalit të legjislacionit të BE-së.

Tryezat do të shërbejnë për diskutimin dhe shqyrtimin e qëndrimeve dhe rekomandimeve për fushën që mbulojnë sipas kapitullit të legjislacionit të BE-së. Tryezat, gjithashtu, këshillojnë në lidhje me programimin, zbatimin dhe vlerësimin e asistencës së Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

Për t’u bërë pjesë e Tryezave të sipërpërmendura, personat e interesuar duhet të paraqesin, brenda datës 15 tetor 2019, një letër interesi ku të specifikojnë Tryezën për të cilën kanë interes, si dhe një CV të personit apo grupimit që përfaqëson, duke dëshmuar se kanë ekspertizën apo interesin e mjaftueshëm për të kontribuar në tryezat përkatëse.

Dokumentet paraqiten pranë Godinës Qendrore të Bankës së Shqipërisë, Sheshi “Skënderbej”, nr. 1, Tiranë.

Për informacione të mëtejshme, lutem na kontaktoni në numrat e telefonit të Bankës së Shqipërisë:

+ 355 4 241 93 01

+ 355 4 241 93 02

+ 355 4 241 93 03

Ose në adresën elektronike: [email protected]