BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 4 tetor 2023

Data e publikimit: 04.10.2023

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në datën 4 tetor 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare për tremujorin e tretë.

Të dhënat e reja të marra në analizë kanë qenë, në përgjithësi, në linjë me pritjet tona. Aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet në tremujorin e dytë e të tretë të vitit, ndërsa inflacioni ka ardhur në rënie.

 DSC0873 498

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare ka dhënë një kontribut pozitiv në trendin rënës të inflacionit dhe në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë të vendit.

Projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive. Me gjithë ngadalësimin e përkohshëm, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në të ardhmen, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv në mesin e vitit 2024. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

***

Inflacioni vijoi të shënojë rënie në tremujorin e tretë të vitit, duke regjistruar vlerat respektive prej 4.2% dhe 4% në muajt korrik e gusht. Reduktimi i inflacionit kishte një bazë relativisht të gjerë ndër artikujt e ndryshëm të shportës së konsumit. Megjithatë, ritmi i rënies erdhi në ngadalësim gjatë tremujorit të tretë, ndërkohë që inflacioni i çmimeve të shërbimeve, të qirave dhe të mallrave të konsumit afatgjatë, u shfaq përgjithësisht i qëndrueshëm, duke ilustruar si kërkesën e lartë ashtu dhe rritjen e kostove të prodhimit në vend.

 DSC0906 498

Në aspektin makroekonomik, rënia e inflacionit u diktua nga rënia e inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste – ndonëse në rënie – shfaqen më të qëndrueshme. Në një këndvështrim më të detajuar, rënia e inflacionit të importuar pasqyroi stabilizimin e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe forcimin e kursit të këmbimit të lekut gjatë viteve të fundit. Në të kundërt, qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste diktohet nga rritja e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit.

Në gjykimin tonë, stabilizimi në nivele të ulëta i inflacionit të importuar, një ecuri më e balancuar e kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime në vend, si dhe konvergjenca graduale e pritjeve për inflacionin në objektiv, do të diktojnë reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në tremujorët në vijim.

Sipas të dhënave të Instat-it, ekonomia shqiptare vijoi të rritet në gjysmën e parë të vitit 2023. Ritmi i rritjes ekonomike shënoi një përmirësim të lehtë në tremujorin e dytë, duke arritur nivelin 3.2%, ndërkohë që të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë një ritëm të ngjashëm rritjeje edhe për tremujorin e tretë.

Rritja ekonomike ka pasqyruar zgjerimin e aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe degë të caktuara të sektorit të shërbimeve, ndërkohë që sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë shënuan rënie. Kjo ecuri është diktuar nga zgjerimi i kërkesës së brendshme për mallra e shërbime, si pasojë e rritjes së konsumit familjar dhe të investimeve të sektorit privat, si dhe nga rritja e eksportit të shërbimeve. Nga ana tjetër, politika fiskale ka mbetur në kahun konsolidues, ndërsa eksporti i mallrave ka ardhur në rënie.

Rritja relativisht e shpejtë e kërkesës për mallra e shërbime gjatë tre viteve të fundit është pasqyruar në një pozicion ciklik pozitiv të ekonomisë shqiptare. Ky pozicion ka sjellë përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve shqiptare, e kryesisht të atyre të industrisë së shërbimeve, dhe – përballë mungesave të vëna re në tregun e punës, – është pasqyruar në rritje të shpejtë të pagave në sektorin privat. Në veçanti, punësimi shënoi një rritje vjetore prej 2.7% në tremujorin e dytë të vitit ndërsa paga mesatare në sektorin privat u zgjerua me rreth 15%, duke rritur të ardhurat e familjeve shqiptare por duke mbajtur të larta edhe kostot e prodhimit dhe presionet e brendshme inflacioniste.

Në aspektin makroekonomik, zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime vijon të ushqehet nga kushtet ende stimuluese financiare në vend, nga përmirësimi gradual i besimit të biznesit dhe të konsumatorit gjatë vitit 2023, si dhe nga rritja e shpejtë e sektorit të turizmit.

Tregjet financiare shqiptare kanë qenë relativisht të qeta gjatë tremujorit të shkuar. Në veçanti, luhatjet e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros po vijnë drejt reduktimit, ndërsa raporti i shkëmbimit të lekut ndaj euros duket se është stabilizuar rreth niveleve aktuale.

Normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare ka sjellë një rritje të përgjithshme të nivelit të normave të interesit në vend. Megjithatë, kushtet e brendshme financiare mbeten ende stimuluese. Po ashtu, kostot e financimit të sektorit privat dhe publik pasqyrojnë prime të kontrolluara rreziku të likuiditetit dhe të kreditit, duke sugjeruar një ambient relativisht të qetë financiar dhe një perceptim përgjithësisht pozitiv të sektorit bankar mbi zhvillimet e ardhshme ekonomike. Ritmi i rritjes së kredisë për sektorin privat ka ardhur në ngadalësim gjatë tremujorëve të fundit, në pasqyrim të reduktimit të nevojave të bizneseve për kapital qarkullues, si dhe të një përqasjeje më të kujdesshme të sektorit bankar në kredidhënie.

Nga ana tjetër, pas një forcimi të shpejtë në periudhën maj – korrik, kursi i këmbimit të lekut është stabilizuar në periudhën gusht-shtator, duke gjetur një ekuilibër të ri rreth niveleve aktuale. Kjo ecuri sugjeron se ndërsa përmirësimi i bilanceve të huaja të ekonomisë shqiptare dikton një sjellje të kahut forcues të lekut në periudha afatmesme e afatgjata, tregu valutor ka qenë dhe do të mbetet subjekt i luhatjeve afatshkurtra. Për këtë arsye, të gjithë operatorët e tregut valutor duhet të jenë të kujdesshëm në aktivitetin e tyre, duke shmangur marrjen e ekspozimeve të panevojshme ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Përditësimi i parashikimeve le të pandryshuara pritjet tona për të ardhmen.

Projeksionet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë periudhës në vijim, ndërsa inflacioni do të kthehet në objektiv rreth mesit të vitit 2024. Në periudhën afatshkurtër, një ritëm më i moderuar i rritjes ekonomike pritet të sjellë një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, duke ndihmuar reduktimin e presioneve të brendshme inflacioniste dhe stabilizimin e çmimeve gjatë vitit të ardhshëm. Më tej, në periudhën afatmesme, ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë drejt normalizimit, në linjë me potencialet prodhuese të vendit.

Ky skenar parashikimesh faktorizon pritjet tona për një ecuri të ngadaltë, por gjithsesi pozitive, të ekonomisë së Eurozonës, pritjet për reduktim gradual të inflacionit në ambientin e huaj, si dhe pritjet për një ecuri të qetë të ekonomisë dhe të tregut financiar shqiptar.

Në të njëjtën kohë, përditësimi i analizës dhe parashikimeve sugjeron një profil më neutral të balancës së rrezikut.

***

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo vendimmarrje ndihmon në krijimin e kushteve të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm. Gjithashtu, ajo është konsistente me kahun konsolidues, aktual e të pritur, të politikës fiskale, si dhe me kahun forcues që ka ndjekur ecuria e kursit të këmbimit gjatë vitit 2023.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këtë kontest, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për garantimin e stabilitetit të çmimeve.