BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 8 maj 2024

Data e publikimit: 08.05.2024

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në datën 8 maj 2024, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e dytë.

Analiza e të dhënave të disponuara sugjeron se ekonomia shqiptare ka lëvizur në kahun e pritur. Aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të fundit, inflacioni ka vijuar të bjerë, tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje progresive. Normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare ka kontribuar pozitivisht në këtë ecuri, nëpërmjet kontrollit të presioneve të brendshme inflacioniste dhe garantimit të funksionimit normal të tregjeve financiare.

 DSC0296 498x332

Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se këto trende pozitive zhvillimi do të vijojnë edhe në të ardhmen. Vëllimi i aktivitetit ekonomik do të vijë në rritje gjatë vitit 2024 e në vazhdim, ndërsa inflacioni do të luhatet rreth niveleve aktuale gjatë dy tremujorëve të ardhshëm dhe do të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë tremujorit të fundit.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për garantimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.

 DSC0473 498x332

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie relativisht të ndjeshme dhe më të shpejtë se pritjet tona gjatë tre muajve të parë të vitit. Inflacioni mesatar i tremujorit të parë zbriti në nivelin 2.7%, nga niveli 3.9% i tremujorit paraardhës. Në këndvështrimin e artikujve të shportës, kjo rënie u diktua thuajse tërësisht nga rënia e shpejtë e inflacionit të ushqimeve, në pasqyrim të një ecurie të ngjashme në partnerët tanë tregtarë. Nga ana tjetër, kontributi agregat në inflacion i artikujve të tjerë të shportës mbeti i pandryshuar, pavarësisht luhatjeve të vogla të tyre.

Në këndvështrimin makroekonomik, trendi rënës i inflacionit në vend vijon të përcaktohet nga rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, nga forcimi i kursit të këmbimit, si dhe nga normalizimi i qëndrimit të politikës monetare. Ky normalizim ka diktuar ankorimin e pritjeve të agjentëve ekonomikë për inflacionin, duke kufizuar transmetimin e goditjes së ofertës në efekte të raundit të dytë, si dhe një ecuri më të ekuilibruar të kërkesës dhe ofertës në tregun vendas.

Pavarësisht këtij trendi afatmesëm, rënia e shpejtë e inflacionit në tremujorin e parë duket se pasqyron një goditje tjetër të ofertës së huaj, këtë herë me ndikim rënës në çmimet e ushqimeve. Rritja e ofertës së artikujve ushqimorë ka sjellë një rënie të shpejtë të inflacionit të tyre në të gjithë vendet e rajonit. Megjithatë, efekti i kësaj goditjeje në Shqipëri ishte më i ndjeshëm, si pasojë e peshës së lartë që artikujt ushqimorë kanë në shportën e konsumit. Analizat tona sugjerojnë se çmimet e ushqimeve në vend do të vijojnë të jenë subjekt i kësaj goditjeje edhe për disa muaj, por efekti i saj pritet të mbetet gjithsesi kalimtar.

Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste, ndonëse në rënie, mbeten relativisht të larta. Këto presione ushqehen nga kërkesa solide për mallra e shërbime, kërkesë e cila pasqyrohet në rritje të shpejtë të punësimit, të pagave dhe të kostove të prodhimit të sektorit privat.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.4% gjatë vitit të shkuar, duke shënuar një përmirësim në  3.8% të ritmeve të rritjes në gjysmën e dytë të tij. Të dhënat e disponuara sugjerojnë se rritja ekonomike ka qëndruar në nivele të përafërta edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2024. Rritja ekonomike e tremujorëve të fundit është diktuar nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve të sektorit privat, si dhe nga zgjerimi i eksportit të shërbimeve. Në veçanti, kontributi i turizmit në zgjerimin e aktivitetit ekonomik ka ardhur në rritje progresive gjatë vitit. Nga ana tjetër, eksporti i mallrave ka ardhur në rënie dhe politika fiskale ka pasur një natyrë konsoliduese, pavarësisht përqendrimit të shpenzimeve në tremujorin e fundit. Kjo strukturë kërkese është pasqyruar në rritjen e aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i bujqësisë kanë shënuar tkurrje.

Në aspektin makroekonomik, zgjerimi i kërkesës agregate vijon të ushqehet nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, nga përmirësimi i besimit të biznesit dhe familjeve, nga kushtet ende stimuluese monetare e financiare, si dhe nga rritja e kërkesës së huaj për shërbimet shqiptare. Këta faktorë pritet të mbështesin zgjerimin e kërkesës dhe rritjen ekonomike edhe gjatë periudhës në vazhdim.

Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime e mban ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo ecuri është pasqyruar në rritjen e vazhdueshme të punësimit, në nivelet minimale historike të normës së papunësisë, si dhe në rritjen e shpejtë të pagave në sektorin privat. Zgjerimi i punësimit dhe pagave ka vijuar të mbështesë rritjen e konsumit në ekonomi, por – nga ana tjetër – ai mban të larta edhe presionet e brendshme mbi inflacionin.

Politika monetare ka pasur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetarë e financiarë të vendit. Normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare ka bërë të mundur reduktimin e presioneve inflacioniste, pa dëmtuar perspektivat afatmesme të rritjes ekonomike. Në përgjigje të kësaj politike, tregjet financiare kanë qenë të qeta, në prani të një likuiditeti të bollshëm dhe të primeve të reduktuara të rrezikut.

Po ashtu, ritmi i rritjes së kredisë bankare ka ardhur në përshpejtim gjatë tremujorit të parë, duke regjistruar një nivel mesatar prej 11.6%. Zgjerimi i saj ka mbuluar nevojat e bizneseve dhe të individëve, si për investime ashtu edhe për kapital qarkullues. Në veçanti, struktura e portofolit të kredisë vijon të shfaqë një zhvendosje progresive drejt lekut, e nxitur edhe nga normat më të ulëta të interesit të kredisë në lekë, dhe një përmirësim të cilësisë së portofolit, sikundër dëshmohet nga rënia e mëtejshme e treguesit të kredive me probleme. Ky trend pozitiv pritet të vijojë dhe në të ardhmen, i mbështetur si nga rritja e kërkesës për kredi bankare ashtu dhe nga kushtet ende akomoduese të ofertës.

Përditësimi i parashikimeve rikonfirmon parashikimet tona të mëparshme. Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik projektohet të vijojë të rritet, si në horizontin afatshkurtër dhe në atë afatmesëm, i mbështetur nga përmirësimi gradual i ambientit të huaj, bilancet solide të sektorit privat dhe kushtet akomoduese monetare. Paralelisht me të, inflacioni parashikohet të luhatet pranë niveleve aktuale në horizontin afatshkurtër dhe të kthehet gradualisht në objektiv brenda harkut kohor të një viti. Balanca e rreziqeve ndaj parashikimit të inflacionit është në kahun e poshtëm për horizontin afatshkurtër dhe neutrale për atë afatmesëm.

***

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.25%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.25%.
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.25%;

Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është konsistent me pritjet tona të skenarit bazë dhe i përshtatshëm për garantimin e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se balanca e përgjithshme e presioneve inflacioniste po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Megjithatë, presionet inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten ende relativisht të larta. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.