BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z.Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për rritjen e normës bazë të interesit me 0,25 për qind

Data e publikimit: 27.11.2007

 

Mirëdita!

Në mbledhjen e datës 27 nëntor 2007, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim zhvillimet ekonomiko - financiare në vend.

Norma vjetore e inflacionit në muajin tetor shënoi vlerën 4.2 për qind, duke rezultuar për të tretin muaj me radhë mbi nivelin prej 4 për qind. Megjithatë, norma mesatare vjetore e inflacionit vazhdon të qëndrojë afër objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind, duke reflektuar normat e ulëta të inflacionit në fillim të vitit.

Presionet nga ana e ofertës tek norma e inflacionit vazhduan të jenë të larta. Ndërkohë, nuk kanë munguar edhe presionet nga krahu i kërkesës, të cilat u manifestuan në një vlerë të lartë të inflacionit bazë, prej 3,5 për qind. Kjo shifër është rreth 2 pikë përqindjeje më e lartë sesa vlera e shënuar në mesin e këtij viti.

Rritjet e njëpasnjëshme të inflacionit gjatë muajve të fundit, kanë ndikuar në rritjen e pritshmërive të konsumatorëve për rritjen e çmimeve të mallrave të përdorimit të gjerë. Pritshmëritë për rritje të inflacionit, në mënyrë të drejtpërdrejtë kontribuojnë në ruajtjen e një ambienti inflacionist në ekonomi.

Zhvillimet monetare, kanë pasqyruar ecurinë e kredisë për ekonominë si dhe të asaj për qeverinë. Nga njëra anë kemi një rritje të qëndrueshme të kredisë për ekonominë në nivelin mbi 50 për qind. Ndërkohë, bilanci fiskal karakterizohet nga teprica të përkohshme likuiditeti, si rezultat i moskryerjes në kohë të shpenzimeve të caktuara buxhetore.

Portofoli i kredisë ka vazhduar të zgjerohet edhe gjatë muajit tetor. Rritja vjetore e kredisë vazhdon të jetë e lartë, rreth 52 për qind. Ritmi i rritjes së kredisë për bizneset ishte rreth 44 për qind, ndërsa ai i rritjes së kredisë për individët ishte rreth 68 për qind, gjë që reflekton kërkesën e lartë për financim nga sistemi bankar.

Rritja e normave të interesit të lekut ka qenë fenomen mbizotërues në tregun e parasë, në tregun e letrave me vlerë dhe në atë të depozitave, duke reflektuar një shkallë të kënaqshme të transmetimit të vendimit të muajit shtator për rritjen e normës bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, në 6.00 për qind.

Sistemi bankar, ka vazhduar të operojë në kushte të shtrënguara likuiditeti, duke bërë që politika operacionale e Bankës së Shqipërisë të jetë e orientuar drejt injektimit afatshkurtër të likuiditetit, nëpërmjet ankandeve të anasjellta të riblerjes 7-ditore në tregun e hapur. Gjatë muajit tetor, janë injektuar mesatarisht rreth 3.0 miliardë lekë me një normë interesi 6.30 për qind, 0.30 pikë përqindjeje mbi normën bazë.

Yield-et e bonove të thesarit në tregun primar janë rritur për të gjitha maturitetet, e më së pari për atë 3-mujor. Në fund të muajit tetor, yield-i 3-mujor arriti vlerën 6.08 për qind ose 0.32 pikë përqindjeje më lart se ai i fundmuajit shtator.

Interesat e depozitave në lekë vazhdojnë të rriten që prej sinjalizimit për orientimin në rritje të normave të interesit në gjashtëmujorin e dytë. Interesi mesatar 12-mujor, u rrit në 6.06 për qind në shtator nga 5.78 për qind, në fund të muajit qershor. Krahasuar me një vit më parë, interesat mesatarë 12-mujorë janë rritur me 0.84 pikë përqindjeje - periudhë kur norma bazë e interesit është rritur me 0.75 pikë përqindjeje. Të dhënat paraprake flasin për rritjen e mëtejshme të këtyre interesave nga sistemi bankar. Një lëvizje e tillë ka sjellë zgjerimin e diferencës midis interesave në monedhën vendase dhe asaj të huaj, në favor të monedhës vendase.

Gjatë muajit tetor, leku është forcuar kundrejt dollarit amerikan dhe euros përkatësisht me 3.6 për qind dhe 1.2 për qind. Mbiçmimi i ndjeshëm i lekut kundrejt monedhës së gjelbër është ndikuar kryesisht nga zhvillimet në tregun ndërkombëtar, ku kjo monedhë ka humbur ndjeshëm terren kundrejt euros. Në tregun vendas, zhvillimet në raportet kërkesë/ofertë kanë mbështetur forcimin e lekut kundrejt euros. Mungesa e kërkesës sezonale është shoqëruar nga një ofertë më e lartë e bankave për valutë (si pasojë e konvertimit të kapitalit të disa bankave), duke rezultuar në një mbiçmim të monedhës vendase. Presionet mbiçmuese të lekut mbështeten dhe nga diferenca pozitive e normave të interesit midis monedhës vendase dhe atyre të huaja.

Në terma nominalë efektivë, leku është forcuar me 3.3 për qind kundrejt shportës së valutës krahasuar me një vit më parë. Duhet theksuar gjithashtu, që mbiçmimi i lekut kundrejt usd me 8.7 për qind ka absorbuar një pjesë të konsiderueshme të rritjes së çmimeve të lëndëve të para, në tregjet ndërkombëtare.

Dinamika e zhvillimeve aktuale dhe të pritshme makroekonomike konfirmon praninë e presioneve inflacioniste në ekonomi, bilanci i të cilave është ende i zhvendosur në kahun rritës. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë arriti në këtë përfundim pasi u njoh me:

  • parashikimet e Bankës së Shqipërisë për zhvillimet inflacioniste në 12 muajt në vijim;
  • buxhetin fiskal të planifikuar për vitin 2008;
  • pritshmëritë e sistemit bankar për inflacionin, kursin e këmbimit dhe përqindjen e interesit për vitin 2007 dhe atë 2008;
  • rezultat e vrojtimit mbi konfidencën e biznesit dhe të konsumatorit për tremujorin e tretë të vitit 2007;
  • rezultat e vrojtimit të bërë për ndikimet e mundshme të krizës energjetike të vitit 2007 në ecurinë e biznesit.

Duke analizuar me kujdes të gjithë informacionin e mësipërm, Këshilli Mbikëqyrës vendosi t'i komunikojë tregut, agjentëve të tjerë ekonomikë si edhe publikut në përgjithësi faktorët që vlerësohen si burim rreziku për të ardhmen e stabilitetit të çmimeve në ekonomi:

KREDIA PËR EKONOMINË.
Rritja e shpejtë e kredisë për ekonominë në vitet e fundit ka krijuar premisat për gjallërimin e shpejtë të kërkesës së brendshme në ekonomi. Ndikimi bëhet më i ndjeshëm po t'i referohemi rritjes së kredisë konsumatore, e cila ushqen në mënyrë të drejtpërdrejtë sentimentet e agjentëve ekonomikë për të konsumuar më shumë, duke çuar në gjallërimin e presioneve inflacioniste në ekonomi.

POLITIKA FISKALE.
Bilanci pozitiv neto i llogarisë fiskale deri në këtë moment është një sinjal se deficiti buxhetor prej rreth 3.5 për qind, i planifikuar për tërë vitin 2007 do të materializohet në muajin dhjetor dhe në muajin e parë të vitit 2008. Si rezultat, efektet në kërkesën agregate do të shtrihen gjatë vitit 2008. Këtij impulsi do t'i shtohet edhe deficiti fiskal i vitit 2008, i planifikuar në rritje. Efekti total i tyre përbën një presion të konsiderueshëm në kërkesën agregate kundrejt vitit aktual, i dominuar kryesisht nga balanca fiskale pozitive.

LLOGARIA KORENTE.
Sipas të dhënave më të fundit vlerësohet se deficiti i llogarisë korente mund të luhatet rreth nivelit 9 - 10 për qind të PBB-së, një sinjal ky që dëshmon për një prirje më të lartë konsumatore dhe për rrjedhim, presione për rritje të çmimeve në ekonominë vendase.

ÇMIMET E LËNDËVE TË PARA DHE EFEKTI SEKONDAR.
Gjendja aktuale e tregut ka konfirmuar praninë e presioneve rritëse të çmimeve në ekonomi si rezultat i efektit të çmimeve të lëndëve të para, të çmimeve të naftës dhe krizës energjitike. Këto efekte vlerësohen të jenë të natyrës së drejtpërdrejtë si dhe çka është më problematike mund të gjenerojnë efekte të raundit të dytë. Prirja e përgjithshme priret drejt transmetimit të këtyre kostove tek çmimet e konsumit në një horizont afatmesëm.

RRITJA E ÇMIMEVE TË ADMINISTRUARA.
Kohët e fundit, në kuadër të përafrimit të çmimit të shitjes me kostot e blerjes, është bërë publik synimi i KESH për të rritur më tej çmimin e energjisë elektrike, duke dhënë një ndikim të drejtpërdrejtë në IÇK për 12 muajt në vijim. Ndërmjet të tjerash, duke qenë se energjia është produkt konsumi, kjo rritje mund të mbartë edhe efekte të natyrës së tërthortë.

Duke marrë në konsideratë sa më sipër Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë normën e interesit për marrëveshjet e riblerjes me 0.25 pikë përqindjeje. Në këto kushte, niveli i normës bazë arin në 6.25 për qind.

Rritja e normës bazë të interesit synon kontrollin më të mirë të presioneve që gjenerohen nga kërkesa e brendshme, akomodimin më të mirë të luhatjeve nga ana e ofertës si dhe orientimin e pritjeve inflacioniste drejt objektivit tonë numerik prej 3 për qind.

Reflektimi i saj në tregjet financiare dhe në instrumentet e tregut të parasë, do të vendosë një raport më të qëndrueshëm midis stimulit monetar të aktivitetit ekonomik dhe presioneve inflacioniste të lindura prej tij. Gjithashtu, rritja e normës bazë të interesit synon të ruajë strukturën kohore dhe valutore të mjeteve monetare, në përputhje me trendet e tyre historike dhe të rivlerësojë incentivat për ruajtjen e kursimeve në lekë.

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë vigjilente, duke bërë përpjekjet maksimale që edhe në të ardhmen vendimet e saj të jenë në përputhje me objektivin themelor, atë të stabilitetit të çmimeve të konsumit.