BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 16 dhjetor 2013

Data e publikimit: 16.12.2013

 

Sot, në datën 16 dhjetor 2013, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 3.0%.

Reduktimi i normës bazë të interesit – i dyti në radhë pas atij të muajit të shkuar - reflekton projeksionet tona për presione të dobëta inflacioniste në afat të mesëm. Kërkesa agregate dhe rritja ekonomike parashikohet të mbeten nën potencial, duke u shoqëruar me rritje të ngadalta të kostove të prodhimit dhe të çmimeve të konsumit. Po kështu, presionet inflacioniste nga tregu i huaj pritet të jenë të ulëta dhe në rënie. Duke reflektuar edhe korrektimin e pritur fiskal gjatë vitit të ardhshëm e në vazhdim, lehtësimi i politikës monetare synon të mbështesë kërkesën agregate nëpërmjet përmirësimit të kushteve të financimit dhe të krijojë kushtet e duhura për respektimin e objektivit tonë të inflacionit në afat të mesëm.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

* * *

Inflacioni vjetor rezultoi 1.0% në muajin nëntor, duke pësuar një rënie të ndjeshme kundrejt vlerës së shënuar gjatë muajit paraardhës. Ky reduktim ka ardhur thuajse tërësisht si pasojë e rënies së inflacionit të ushqimeve gjatë këtij muaji. Në një plan më të gjerë krahasimi, ngadalësimi i rritjes së çmimeve të ushqimeve në gjysmën e dytë të këtij viti është një fenomen i vërejtur edhe në vendet e tjera të rajonit, në reflektim të konjukturës globale të çmimeve. Çmimet e mallrave të tjera të shportës kanë dhënë kontribute mjaft të ulëta në inflacionin total, me një efekt rezultant të papërfillshëm.

Nga këndvështrimi i faktorëve makroekonomikë, vlerat e ulëta të inflacionit gjatë muajve të fundit reflektojnë një rënie të përgjithshme të presioneve inflacioniste në ekonomi. Ecuria e dobët e kërkesës agregate vazhdon të kushtëzojë një shfrytëzim të pjesshëm të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë, duke u përcjellë më tej në rritje të ngadalta të kostove të prodhimit të mallrave e shërbimeve në vend.

Po ashtu, ngadalësimi i ndjeshëm i rritjes së çmimeve të huaja dhe qëndrueshmëria e kursit të këmbimit kanë shkaktuar rënien e inflacionit të importuar. Nga ana tjetër, pritjet inflacioniste dhe situata e likuiditetit në ekonomi përmbajnë sinjale për rritje të moderuara çmimesh në periudhën afatmesme.

Të dhënat mbi ecurinë e ekonomisë reale në gjysmën e dytë të vitit mbeten të pakta. Informacioni i ri i përftuar gjatë javëve të fundit mbështet projeksionet tona të mëparshme për një rritje të ulët pozitive të ekonomisë shqiptare në këtë periudhë. Megjithatë, një sërë treguesish të rinj të marrë gjatë muajit të fundit sinjalizojnë një ecuri edhe më të ngadaltë të ekonomisë krahasuar me vlerësimet tona fillestare.

Ecuria e sektorit të jashtëm të ekonomisë tregon për dobësimin e kontributit të kërkesës së huaj në rritjen e kërkesës agregate. Në terma realë, deficiti i eksporteve neto vlerësohet të jetë zgjeruar gjatë tremujorit të tretë të vitit, kryesisht si rrjedhojë e ecurisë së dobët të turizmit gjatë kësaj periudhe. Nga ana tjetër, të dhënat më të fundit mbi tregtinë e jashtme konfirmojnë vazhdimësinë e ngushtimit nominal vjetor të deficitit tregtar në muajin tetor, në masën 12.2%, të shkaktuar kryesisht nga rritja vjetore e eksporteve prej 17.1%, ndërkohë që importet kanë rënë me 0.3%.

Kontributi i sektorit publik, i cili mbështeti rritjen e kërkesës në pjesën e parë të vitit, ka qenë më i zbehtë në gjysmën e dytë të tij. Politika fiskale në dhjetë muajt e parë të vitit ka shfaqur natyrë ekspansioniste, të përqendruar kryesisht në tremujorin e dytë të vitit. Shpenzimet buxhetore janë rritur me 7.1% kundrejt vitit të kaluar, të nxitura kryesisht nga rritja e shpenzimeve korrente. Nga ana tjetër, të ardhurat fiskale kanë shënuar rënie vjetore prej 2.7% gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar dobësimin e aktivitetit ekonomik dhe të importeve në vend. Pavarësisht ngadalësimit të shpenzimeve në gjysmën e dytë të vitit dhe rënies më të ulët të të ardhurave, deficiti buxhetor ka vijuar të rritet. Deri në muajin tetor, ky deficit rezultoi rreth dy herë më i lartë se një vit më parë.

Duke u nisur nga shkalla e lartë e borxhit publik, Banka e Shqipërisë gjykon se trajektoret e tanishme fiskale nuk janë të përballueshme në afat të mesëm. Për këtë arsye, ne kemi mbështetur dhe mirëpresim masat për një korrektim sa më të shpejtë dhe të qëndrueshëm fiskal.

Dy komponentët e rëndësishëm të kërkesës së brendshme, konsumi dhe investimet private, mbeten të dobët, në përgjigje të pasigurive për të ardhmen, shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve, besimit të ulët konsumator dhe burimeve të kufizuara të financimit.

Në prani të presioneve të ulëta inflacioniste, Banka e Shqipërisë forcoi më tej natyrën lehtësuese të politikës së saj monetare në muajin nëntor, duke ulur normën bazë të interesit dhe duke e çuar atë në nivelin 3.25%. Sinjalet e politikës monetare janë përcjellë shpejt në pjesën më të madhe të segmenteve të tregut financiar, të ndihmuara edhe nga primet e ulëta të likuiditetit në to.

Kështu, normat e interesit në tregun ndërbankar, yield-et në tregun primar dhe normat e interesit të depozitave në lekë kanë vijuar prirjen rënëse në ndjekje të uljes së normës bazë në ekonomi. Rënie kanë shënuar së fundi edhe normat e interesit të kredisë, por me një intensitet dhe shpejtësi më të vogël. Reagimi i plogësht i tyre, krahas kohëvonesave të zakonshme të mekanizmit të transmisionit, reflekton kryesisht primet e larta të rrezikut të kredisë dhe politikat mjaft konservatore të imponuara nga zhvillimet në tregun financiar evropian.

Ecuria e treguesve monetarë ka qenë në linjë me zhvillimet në ekonominë reale dhe dëshmon për presione të ulëta inflacioniste me natyrë monetare në ekonomi. Rritja vjetore e ofertës monetare është ngadalësuar në 2.3% në muajin tetor, në reflektim të kërkesës së ulët të ekonomisë për para. Përqasja e kujdesshme e bankave në kreditimin e ekonomisë, por edhe kërkesa e dobët e sektorit privat për financim, janë materializuar në përkeqësimin e ecurisë së kredisë. Në veçanti, në muajin tetor, kredia për ekonominë thelloi në 2.2% tkurrjen vjetore të saj, duke reflektuar një ecuri të dobët në të gjitha segmentet.

Projeksionet tona bazë për të ardhmen mbeten përgjithësisht të pandryshuara. Rritja ekonomike në tremujorët e ardhshëm pritet të jetë pozitive, por nën potencialin prodhues të ekonomisë. Në kushtet e dobësimit të kërkesës së huaj neto dhe të konsolidimit të pritur të financave publike, rritja ekonomike do të përcaktohet në një masë të madhe nga ecuria e konsumit dhe investimeve private, të cilat ende nuk japin sinjale gjallërimi. Vazhdimësia e hendekut negativ të prodhimit do të kushtëzojë presione të ulëta mbi çmimet në afatin e mesëm, ndërkohë që edhe presionet e ofertës pritet të jenë të përmbajtura. Në mungesë të goditjeve të paparashikuara, inflacioni parashikohet të luhatet në vlera të ulëta gjatë tremujorëve të ardhshëm.

* * *

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të reduktojë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 3.0%. Vlerësimet tona tregojnë se përcjellja e stimulit monetar në tregjet financiare dhe në ekonominë reale do të ndihmojë në kthimin gradual të inflacionit afër objektivit tonë prej 3%. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ruajë kahun lehtësues të politikës monetare deri në përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit.