BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 25 korrik 2012

Data e publikimit: 25.07.2012

 

Sot, në datën 25 korrik 2012, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit. Pas kësaj uljeje, norma e marrëveshjeve të riblerjes me afat njëjavor zbret në një minimum të ri historik, prej 4%. Në opinionin e Këshillit Mbikëqyrës, lehtësimi i mëtejshëm i kushteve monetare në ekonomi do të ndihmojë në respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme.

Njëkohësisht, ky lehtësim do të nxitë më tej aktivitetin ekonomik në vend, duke rritur stimulin monetar në mbështetje të kërkesës së brendshme.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e monetare, si dhe të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

* * *

Ndonëse në një kontekst global gjithnjë e më sfidues, ekonomia shqiptare ka vijuar të ruajë parametrat e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të saj gjatë gjysmës së parë të vitit 2012. Inflacioni i çmimeve të konsumit, treguesit e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, bilanci i pagesave dhe gjendja financiare e sistemit bankar rezultuan të qëndrueshme apo në përmirësim.

Në veçanti, sektori financiar i vendit mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe i aftë të ushtrojë funksionin e tij të ndërmjetësimit. Nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe, ekonomia shqiptare është përballur me disa goditje të ofertës, me lëvizje strukturore në tregjet e brendshme financiare, si dhe me një kërkesë të ngadaltë të brendshme dhe të huaj. Këto zhvillime ndikuan në rënien e PBB-së në tremujorin e parë të vitit dhe njëkohësisht vështirësuan veprimin e politikave stabilizuese mbi kërkesën agregate.

Me uljen e pritur të tensioneve në pjesën e mbetur të vitit, ekonomia shqiptare pritet të regjistrojë norma pozitive rritjeje.

Inflacioni mesatar vjetor rezultoi 1.9% në tremujorin e dytë të vitit, duke u rritur me 0.8 pikë përqindje kundrejt tremujorit të parë.

Rritja graduale e çmimeve të konsumit ka reflektuar kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve të papërpunuara, ndërkohë që çmimet e ushqimeve të përpunuara dhe ato të mallrave të konsumit joushqimor kanë ulur kontributin e tyre në inflacion gjatë tremujorit të dytë. Kategoritë e tjera të shportës së çmimeve të konsumit kanë patur një ecuri të qetë dhe janë karakterizuar nga norma të ulëta inflacioni.

Nga një këndvështrim makroekonomik, ecuria e çmimeve të konsumit vijon të reflektojë presione të dobëta inflacioniste, si nga kahu i kërkesës ashtu edhe nga ai i ofertës. Nga kahu i kërkesës, prania e kapaciteteve të lira në shfrytëzimin e faktorëve të prodhimit është reflektuar në kontrollin e kostove në ekonomi dhe në presione rënëse mbi inflacion.

Nga kahu i ofertës, ngadalësimi i presioneve të importuara inflacioniste, rënia e çmimit të naftës dhe të lëndëve bazë, mosrritja e çmimeve të administruara, pritjet e ulëta inflacioniste dhe efektet minimale të veprimit të dytë nuk kanë gjeneruar presione inflacioniste. Inflacioni i çmimeve të konsumit mbetet në nivele të ulëta dhe parashikohet të jetë i tillë edhe në periudhën e ardhshme. Këto vlerësime kanë kushtëzuar ruajtjen e natyrës stimuluese të politikës monetare edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit. Norma bazë ka qëndruar në nivelin më të ulët historik, duke ofruar kushte monetare lehtësuese, në funksion të respektimit të objektivit tonë të inflacionit dhe të mbështetjes së zhvillimit të aktivitetit ekonomik në vend. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka vijuar të injektojë të gjithë likuiditetin e kërkuar nga sistemi bankar, kundrejt një baze të zgjeruar kolaterali dhe me afate të përshtatshme maturimi.

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT-it, ekonomia shqiptare ka shënuar rënie vjetore prej 0.2% në tremujorin e parë të vitit. Tkurrja e aktivitetit ekonomik në këtë tremujor ka qenë më e theksuar në degën e industrisë, e cila ka shënuar rënie vjetore prej 19.3%, kryesisht si pasojë e uljes së ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike. Gjithashtu, edhe dega e ndërtimit ka regjistruar rënie të aktivitetit në terma realë, me 17.6%, duke dhënë një kontribut negativ në ecurinë e prodhimit të brendshëm bruto. Nga ana tjetër, sektori i shërbimeve ka ndikuar pozitivisht në ecurinë e aktivitetit ekonomik, duke shënuar një rritje vjetore prej 6.0%. Gjithashtu, aktiviteti në sektorin e bujqësisë ka shënuar një rritje vjetore prej 4.5% gjatë kësaj periudhe, duke dhënë një kontribut pozitiv në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto.

Vlerësimet për ecurinë e kërkesës agregate në tremujorin e parë të vitit sugjerojnë vazhdimin e ecurisë së plogësht të kërkesës së brendshme. Politika fiskale konsoliduese ka përcaktuar mungesën e stimulit fiskal në këtë periudhë dhe një rënie të kërkesës së sektorit publik për mallra e shërbime. Dinamika e konsumit privat mbetet e ngadaltë, duke reflektuar sjelljen e kujdesshme konsumatore dhe rritjen e prirjes për kursim. Investimet private kanë qenë gjithashtu të ulëta. Në prani të potencialeve të lira të prodhimit, bizneset shqiptare kanë parë pak hapësira për rritjen e investimeve të tyre në makineri, pajisje dhe hapësira prodhuese, ndërkohë që kërkesa për ndërtesa rezidenciale mbetet e dobët.

Në të njëjtën kohë, kërkesa e huaj vlerësohet të ketë patur një ecuri të dobët në këtë tremujor, si pasojë e problemeve në eurozonë dhe në partnerët tanë kryesorë në tregtinë e huaj. Ecuria e dobët e kërkesës së huaj, si dhe problemet në prodhimin e energjisë elektrike, kanë përcaktuar rritjen e ngadaltë të eksporteve shqiptare.

Informacioni ekonomik i zotëruar për tremujorin e dytë të vitit është i pjesshëm. Të dhënat e tërthorta të disponuara sinjalizojnë një gjallërim të ngadaltë të ekonomisë në këtë periudhë. Analiza e tyre mbështet vlerësimin për vijimësi të ecurisë së dobët të kërkesës agregate, veçanërisht të asaj të brendshme. Nga ana e prodhimit, pritet që dinamika e shfaqur nga sektorët e ekonomisë në tremujorin e parë të vitit të mbartet edhe në tremujorin e dytë të tij.

Zhvillimet fiskale në tremujorin e dytë të vitit kanë ndjekur linjat e vërejtura në tremujorin e parë të tij, të karakterizuara nga sjellje konsoliduese e politikës fiskale dhe nga orientimi i saj drejt ruajtjes së objektivave për deficitin buxhetor e borxhin publik. Kjo sjellje është shprehur në tkurrjen e shpenzimeve buxhetore me 2.5% në gjashtë muajt e parë të vitit. Ndërkohë, të ardhurat fiskale janë rritur me 3.7% gjatë kësaj periudhe, duke vijuar të shfaqin dinamikë të ngadaltë të komponentit tatimor të tyre. Ecuria e shpenzimeve dhe e të ardhurave publike në gjysmën e parë të vitit është materializuar në ngushtimin e ndjeshëm të deficitit buxhetor në terma vjetorë, në masën 37.7%. Në vlerë monetare, ky deficit rezultoi 16.8 miliardë lekë dhe vlerësohet në 2.6% të PBB-së.

Të dhënat mbi zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë tregojnë për reduktim të shkëmbimeve tregtare në pesë muajt e parë të vitit. Eksportet në vlerë kanë shënuar një rritje të ulët vjetore, prej 1.3% gjatë kësaj periudhe, në reflektim të moderimit të kërkesës së huaj dhe ecurisë së çmimeve në tregjet botërore. Po për këtë periudhë, importet janë tkurrur me 2.0% në terma vjetorë. Këto zhvillime kanë rezultuar në ngushtimin vjetor me 4.2% të deficitit tregtar në pesë muajt e parë të vitit. Ecuria e tregtisë së jashtme në këta muaj është ndikuar në një masë të madhe nga shkëmbimet tregtare të energjisë elektrike. Duke përjashtuar këtë ndikim, rritja e eksporteve është më e madhe dhe tkurrja e importeve më e thellë, duke rezultuar në ngushtim të deficitit tregtar në masën 18.1%.

Ecuria e treguesve monetarë ka qenë në linjë me zhvillimet në ekonominë reale dhe analizat tona tregojnë se presionet monetare mbi inflacion janë të kontrolluara. Rritja vjetore e agregatit M3 rezultoi 8.7% në muajin maj, duke ruajtur nivelet mesatare të muajve të mëparshëm të këtij viti. Por, në krahasim me vitin e kaluar, ritmet e rritjes së ofertës së parasë janë ngadalësuar, në reflektim të kërkesës më të ulët të agjentëve ekonomikë për para. Sjellja konsoliduese fiskale është shoqëruar me rënie të huamarrjes së sektorit publik, ndërkohë që edhe agjentët privatë të ekonomisë kanë shfaqur një kërkesë të ulët për financim. Kredia për sektorin u rrit me 7.5% në muajin maj, duke ndjekur trendin e ngadalësimit të nisur që në fund të vitit të kaluar. Ecuria e saj, përveç kërkesës së ulët të bizneseve dhe individëve, reflekton edhe sjelljen e kujdesshme përzgjedhëse të bankave në kredidhënie.

Duke u ndalur te problemet e kreditimit, Banka e Shqipërisë vëren se bilancet e sistemit bankar janë të shëndosha, me likuiditet dhe kapital të mjaftueshëm për të përballuar kërkesën e ekonomisë për mjete monetare. Kjo gjendje pozitive e bilanceve të tij, ka mundësuar rritjen e kreditimit gjatë viteve të fundit, në një kohë kur shumë vende të rajonit përjetuan tkurrje të kredisë. Sistemi bankar ka rishikuar drejt shtrëngimit, standardet e kredidhënies gjatë viteve të fundit, por kjo sjellje në drejtim të rritjes së disiplinës financiare të ekonomisë është e mirëpritur dhe do t’i shërbejë pozitivisht rritjes afatgjatë të vendit. Nga ana tjetër, ecuria e kredisë është duke vuajtur gjithnjë e më shumë nga mungesa e kërkesës, e cila është diktuar nga hezitimi i konsumatorit dhe biznesit në kryerjen e shpenzimeve dhe investimeve.

Banka e Shqipërisë gjykon se, pavarësisht situatës ciklike të ekonomisë shqiptare, perspektivat afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit të saj mbeten pozitive. Kjo gjë, ndër të tjera, dëshmohet edhe nga interesimi i investitorëve të huaj për të rritur ekspozimin e tyre drejt ekonomisë shqiptare. Në veçanti, sektorët e ekonomisë të cilët lidhen me eksportin, degët e shërbimeve të cilat operojnë në industrinë e turizmit, dhe sektori i bujqësisë i cili i shërben tregut vendas dhe atij rajonal, ofrojnë potenciale të pashfrytëzuara zhvillimi.

Banka e Shqipërisë gjykon se, brenda parametrave të logjikës së shëndoshë të biznesit, sipërmarrësit dhe konsumatori shqiptar kanë hapësira për një përqasje më aktive drejt rritjes së investimeve dhe të konsumit të tyre.

Tregjet financiare janë karakterizuar nga luhatshmëri e ulët e normave të interesit dhe nivel i mjaftueshëm i likuiditetit në tremujorin e dytë të vitit. Reduktimi i normave të interesit është përcjellë edhe në tregun e depozitave në lekë, shoqëruar me ritme normale rritjeje të nivelit të depozitave. Në të kundërt, yield-et në tregun primar janë rritur, veçanërisht për afatet e gjata. Sikurse e kemi përmendur, kjo ecuri ka reflektuar ripozicionimin e disa agjentëve në këtë treg si dhe kërkesën për financim në këtë periudhë, pa nënkuptuar zhvendosje të pritjeve inflacioniste. Fillimi i muajit korrik ka evidentuar përmirësimin e raporteve si dhe reduktimin e kostos huamarrëse në tregun primar. Tremujori i dytë ka përcjellë edhe sinjale për lehtësimin e interesave të kredisë në lekë nga bankat. Megjithatë, ritmet e kredidhënies mbeten të ulëta dhe të destinuara kryesisht për përdorim afatshkurtër, duke bërë që normat e interesit të jenë të luhatshme.

Një zhvillim pozitiv, i cili vlen të përmendet në analizën e tregjeve financiare gjatë gjashtëmujorit të parë, është futja në treg e ndërmjetësve të rinj financiarë, të specializuar në kanalizimin e kursimeve të publikut në letra me vlerë të qeverisë. Ky zhvillim, i shoqëruar edhe me rritjen e interesit të publikut kundrejt letrave me vlerë të qeverisë, rrit thellësinë e sistemit tonë financiar, përmirëson likuiditetin dhe rrit aftësinë e tij për të administruar rrezikun, kufizon luhatjet e normave të interesit, rrit qëndrueshmërinë e borxhit publik shqiptar, dhe ushtron presion në drejtim të uljes së kostos së financimit të sektorit publik.

Ecuria e faktuar e aktivitetit ekonomik në vend dhe informacioni i filtruar nga tregues të tërthortë mbi të kanë zhvendosur në kahun rënës projeksionet tona bazë për ecurinë ekonomike në pjesën e mbetur të vitit. Kjo zhvendosje reflekton materializimin e një pjese të rreziqeve rreth projeksioneve bazë të mëparshme, të pritura dhe të faktorizuara në skenarët tanë. Ekonomia vendase pritet të ketë një ecuri të ngadaltë në pjesën e mbetur të vitit, e kushtëzuar nga dobësia e kërkesës së brendshme dhe të huaj.

Në kushtet e sjelljes konsoliduese fiskale dhe të ngadalësimit të kërkesës së huaj, ecuria e kërkesës së brendshme private mbetet përcaktuese e rritjes së aktivitetit ekonomik. Por, dy komponentët e kësaj të fundit, konsumi dhe investimet private nuk kanë dhënë ende sinjale gjallërimi.

Zhvillimet e pritshme brenda dhe jashtë vendit rezultojnë në një balancë të kontrolluar të presioneve inflacioniste, duke përcaktuar një rritje të ngadaltë të çmimeve të konsumit në të ardhmen. Rritja e kërkesës nën potencialin e ekonomisë edhe në periudhën e ardhshme do të vijojë të ushtrojë presione në kahun rënës mbi inflacion. Në të njëjtën kohë, edhe presionet e prodhuara nga faktorët e kërkesës paraqiten të përmbajtur. Bazuar në ecurinë e deritanishme të faktorëve përcaktues të inflacionit dhe projeksionet për ecurinë e tyre në të ardhmen, me një probabilitet ndodhjeje 90%, inflacioni pritet të luhatet në intervalin 1.0% – 3.3% pas 12 muajsh.

* * *

Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet mbi çmimet e konsumit në vend mbeten të ulëta përgjatë horizontit kohor të politikës monetare, por ato janë zhvendosur në kahun rënës gjatë muajve të fundit. Nga ana e kërkesës, rritja ekonomike nën potencial do të vazhdojë të gjenerojë presione të ulëta inflacioniste, ndërkohë që edhe goditjet e kahut të ofertës pritet të jenë të moderuara.

Zhvillimet e pritura ekonomike dhe në inflacion nënkuptojnë ruajtjen e natyrës stimuluese të politikës monetare edhe gjatë periudhës së ardhshme. Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj zhvillimeve të ardhshme dhe informacionit të ri, e gatshme për të reaguar në masën dhe kohën e duhur në funksion të përmbushjes së misionit të saj ligjor.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit, me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në nivelin 4%. Ky vendim synon të krijojë kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të inflacionit në afat të mesëm. Gjithashtu, politika monetare ofron mbështetjen e duhur për stimulimin e kërkesës agregate.