BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 26 qershor 2013

Data e publikimit: 26.06.2013

 

Sot, në datën 26 qershor 2013, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.75%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme. Njëkohësisht, këto kushte ofrojnë edhe stimulin e nevojshëm monetar për mbështetjen e kërkesës së brendshme.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor vijoi prirjen rënëse edhe në muajin maj, duke shënuar nivelin 2.1%. Reduktimi i çmimeve të produkteve bujqësore, si pasojë e shtimit të ofertës së tyre në tregun vendas, e zhvendosi për poshtë inflacionin e këtij muaji. Nga ana tjetër, çmimet e mallrave dhe të shërbimeve të tjera të shportës së konsumitjanë luhatur rreth niveleve të  muajve të kaluar.

Nga këndvështrimi makroekonomik, ecuria e çmimeve të konsumit vijon të reflektojë presione të dobëta inflacioniste, si nga kahu i kërkesës ashtu edhe nga ai i ofertës. Dobësia ciklike e ekonomisë është shoqëruar me reduktimin e fortë të inflacionit bazë gjatë kësaj periudhe. Hapësirat e pashfrytëzuara në tregun e punës dhe të kapitalit mbajnë në nivele të ulëta rritjen e kostove të prodhimit dhe të marxheve të fitimit, duke u përcjellë më tej në rritje të ulëta të çmimeve finale të mallrave të konsumit të prodhuara në vend. Gjithashtu, stabilizimi i çmimeve në tregjet botërore si dhe pritjet e ankoruaratë agjentëve ekonomikëpër inflacionin,janë reflektuar në rritje të ulëta tëçmimeve në tregun e brendshëm.Inflacioni i çmimeve të konsumit shfaqet në nivele të ulëta dhe parashikohet të jetë i tillë edhe në periudhën e ardhshme.

Përditësimi i analizës makroekonomike me informacionin më të fundit të disponuar tregon për rritje të ulët të kërkesës agregate gjatëpesëmuajve të parë të vitit. Rritja ekonomike është mbështetur nga kërkesa e huaj dhe nga rritja e shpenzimeve publike gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që ecuria e konsumit dhe e investimeve private është e dobët.Gjatë tremujorëve të fundit, konsumi dhe investimet private vlerësohet të kenë vuajtur nga pasiguria për të ardhmen dhe nga kushtet më të shtrënguara të financimit. Ecuria e mëtejshme e tyre do të kushtëzohet në një masë të madhe nga përmirësimi i këtyre dy faktorëve frenues.

Në pesë muajt e parë të vitit, politika fiskale ka shfaqur një karakter stimulues për ekonominë, të shfaqur në zgjerimin me ritme të shpejta të deficitit fiskal dhe të shpenzimeve publike. Gjithashtu, lehtësimi fiskal është mbështetur edhe në politikën tatimore të uljes së drejtpërdrejtë apo indirekte të disa lloj taksash. Shpenzimet buxhetore u rritën me rreth 13.3%, të diktuara kryesisht nga rritja e investimeve publike gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, të ardhurat fiskale janë ulur me 0.2%, kryesisht në reflektim të tkurrjes së komponentit tatimor të tyre. Deficiti buxhetor për 5 muajt e parë të vitit rezultoi rreth 38.3 miliardë lekë, duke qenë rreth 1.1 herë më lartë se një vit më parë dhe duke ndikuar në rritjen në nivelin 62.4% të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së. Banka e Shqipërisë vazhdon të tërheqë vëmendjen mbi nevojën e marrjes së masave fiskale të cilat garantojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit publik, rritin besimin e tregjeve financiare në financat tona publike dhe ulin koston afatgjatë të shërbimit të borxhit. Ky objektiv duhet të jetë prioriteti kryesor afatmesëm i financave publike.

Të dhënat mbi zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë tregojnë për një kontribut pozitiv të kërkesës së huaj neto në rritjen ekonomike të tremujorit të parë. Deficiti i llogarisë korrente u ngushtua në terma vjetorë dhe vlerësohet të qëndrojë në 9.8% të PBB-së në këtë periudhë. Të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin prill tregojnë për ngushtim të mëtejshëm vjetor tëdeficitit tregtar, me rreth 5.3% në terma vjetore. Ky ngushtim erdhi kryesisht si pasojë e rritjes së eksporteve ndërkohë që, për herë të parë qëprej muajit shtator 2012, importet totale shënuan rritje me rreth 3.6% në këtë muaj. Sikurse e kemi theksuar dhe më herët, deficiti i llogarisë korente përbën një dobësi strukturore të ekonomisë shqiptare. Korrektimi i saj zbut një nga burimet e mundshme të rrezikut të ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare, si dhe rrit hapësirat për ndjekjen e politikave makroekonomike stimuluese në të ardhmen.

Ecuria e treguesve monetarë ka qenë në linjë me zhvillimet në ekonominë reale dhe analizat tona tregojnë se presionet monetare mbi inflacion janë të ulëta. Rritja vjetore e ofertës së parasë u përshpejtua në muajin prill, duke ndaluar prirjen ngadalësuese të vënë re që nga muaji korrik i vitit të kaluar. Agregati i parasë së gjerë, M3, regjistroi një rritje prej 5.2% nga 4.6% në muajin mars, kryesisht në reflektim të rritjes së kërkesës për financim nga sektori publik. Nga ana tjetër, kërkesa e ulët e sektorit privat është pasqyruar në ecurinë e plogësht të kredisë. Kredia për ekonominë u ngadalësua më tej në muajin prill, duke shënuar një normë vjetore rritjeje prej vetëm 0.9%. Krahas kërkesës së ulët, dobësimi i kreditimit pasqyron edhe rritjen e kujdesit të bankave në kredidhënie, të materializuar në kushte krahasimisht të shtrënguara kreditimit. Ky fenomen ka një përhapje rajonale dhe diktohet në një masë të madhe nga zhvillimet në tregjet financiare të Eurozonës.

Tipari kryesor i zhvillimeve në tregjet financiare ka qenë ecuria rënëse e normave të interesit gjatë muajve të fundit. Tejçimi i sinjaleve lehtësuese të politikës monetare ka qenë i përgjithshëm ndonëse në masë të ndryshme për segmente të ndryshme të tregut. Normat e interesit në tregun ndërbankar ndoqën uljen e fundit të normës bazë që në muajin mars dhe vazhdojnë të qëndrojnë të ankoruara rreth saj. Ndërkohë, në muajin maj e qershor, vijon rënia e yield-eve në tregun primar në linjë me ciklin lehtësues të politikës monetare. Normat e interesit në tregun e depozitave dhe atë të kredive po reagojnë më ngadalë, në përputhje me kohëvonesat në mekanizmin e transmisionit të politikës monetare, por dhe në prezencë të pasigurisë së agjentëve ekonomikë për të ardhmen dhe primeve të rrezikut që shoqërojnë aktivitetin kreditues.

Zhvillimet e faktuara deri më tani nuk kanë ndryshuar projeksionet tona bazë për zhvillimet ekonomike në të ardhmen. Për  vitin 2013, rritja ekonomike projektohet pranë niveleve të vitit të kaluar, ndonëse balanca e rreziqeve është zhvendosur në kahun rënës.Kërkesa e huaj pritet të japë një kontribut më të ulët gjatë këtij viti, e ndikuar nga ngadalësimi ekonomik në vendet partnere. Ndërkohë, intensifikimi i shpenzimeve gjatë tremujorit të dytë të vitit pritet të shfaqet si kontribut pozitiv i sektorit publik në rritjen e kërkesës agregate në këtë periudhë. Por, aftësia e saj për të induktuar një rritje të qëndrueshme të sektorit privat duket e limituar në kohë dhe e kufizuar nga respektimi i treguesve të deficitit buxhetor. Në këto kushte, ecuria e kërkesës së brendshme private mbetet përcaktuese për rritjen e kërkesës agregate në të ardhmen. Akumulimi i kursimeve financiare dhe stimuli lehtësues i politikës monetare pritet të materializohet në një ecuri më të mirë të konsumit dhe shpenzimeve private në të ardhmen.Rritja e kërkesës nën potencialin e ekonomisë edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit do të vijojë të ushtrojë presione të dobëta inflacioniste nga kahu i kërkesës.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.75%. Tabloja e zhvillimeve ekonomike e financiare brenda dhe jashtë vendit përcakton ruajtjen e natyrës lehtësuese të kushteve monetare përgjatë horizontit kohor të politikës monetare. Një politikë e tillë krijon kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të inflacionit në afat të mesëm, duke mbështetur njëkohësisht rritjen e kërkesës agregate dhe shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese në ekonomi.

Zhvillimet e pritura ekonomike e financiare kërkojnë ruajtjen e natyrës lehtësuese të kushteve monetare përgjatë horizontit kohor të politikës monetare. Banka e Shqipërisë është e gatshme të reagojë, në kohën dhe në masën e duhur, për të krijuar kushtet e duhura monetare për respektimin e objektivit të saj të inflacionit.