BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 26 shkurt 2014

Data e publikimit: 26.02.2014

 

Sot, në datën 26 shkurt 2014, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas kësaj uljeje, norma bazë zbret në nivelin 2.75%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, rritja e stimulit monetar krijon kushtet e përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit në afat të mesëm, nëpërmjet nxitjes së kërkesës agregate dhe ankorimit të pritjeve inflacioniste.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Zhvillimet makroekonomike të vitit 2013 u karakterizuan nga një rritje e dobët ekonomike dhe nga presione inflacioniste në rënie. Banka e Shqipërisë pret një përmirësimin gradual të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2014, por ekonomia shqiptare do të vijojë të mbetet nën potencial dhe inflacioni pritet të qëndrojë në nivele të ulëta edhe gjatë këtij viti. Në veçanti, rritja e akcizave duket se do të ketë një efekt më të ulët se vlerësimet tona fillestare në inflacionin e vitit 2014. Në këto rrethana, lehtësimi i kushteve monetare synon të krijojë stimujt e duhur monetarë për rikthimin e inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor afatmesëm.

Inflacioni vjetor rezultoi 1.7% në muajin janar, duke shënuar një rënie të lehtë në krahasim me muajin e kaluar. Ky reduktim erdhi si pasojë e rënies së inflacionit të ushqimeve të papërpunuara, në reflektim të çmimeve më të ulëta në vendet partnere dhe të rritjes së prodhimit bujqësor vendas. Rritja e akcizave për kategori të veçanta produktesh dha një ndikim shtesë prej 0.5 pikësh përqindjeje në inflacionin total, por ky faktor u kompensua tërësisht nga rënia e inflacionit të ushqimeve. Çmimet e mallrave dhe të shërbimeve të tjera të shportës së konsumit u luhatën rreth niveleve të muajve të kaluar.

Ambienti i përgjithshëm ekonomik e financiar ka përcjellë presione të ulëta inflacioniste gjatë dy viteve të fundit. Kërkesa e dobët private vazhdon të diktojë dobësinë ciklike të ekonomisë, duke u shoqëruar me rritje të ulët të punësimit dhe të kostove të prodhimit dhe duke ushtruar presion mbi marzhet e fitimit. Ky zinxhir faktorësh përcillet më tej në presione të dobëta për rritjen e çmimeve finale të mallrave të konsumit të prodhuara në vend dhe reflektohet në vlerat e ulëta të inflacionit bazë. Paralelisht me të, inflacioni i ulët në nivel botëror dhe qëndrueshmëria e kursit të këmbimit janë reflektuar në nivele të ulëta të inflacionit të importuar. Kjo tablo pritet të jetë e pranishme edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm.

Ekonomia shqiptare shfaqi shenja të qarta ngadalësimi gjatë vitit 2013. Rritja ekonomike e këtij viti gjeti mbështetje në kërkesën e huaj dhe në stimulin fiskal, ndërkohë që konsumi dhe investimet private vlerësohen të jenë tkurrur. Informacioni i ri për zhvillimet e sektorit real në tremujorin e katërt nuk ndryshon vlerësimet tona për një kërkesë të dobët agregate dhe për rritje ekonomike nën potencial. Megjithatë, ai e zhvendos balancën e rreziqeve rreth parashikimit në kahun rënës.

Besimi i ulët i biznesit dhe i konsumatorit, plogështia e tregut të punës dhe kushtet e shtrënguara të financimit vazhdojnë të shkaktojnë dobësinë e kërkesës private.

Të ardhurat e disponuara vlerësohen të kenë shënuar rritje dhe bilancet e konsumatorit paraqiten likuide, por ai heziton të rrisë konsumin dhe shfaqet më i interesuar drejt kursimit. Nga ana tjetër, mungesa e kërkesës finale dhe prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara frenojnë investimet private.

Të dhënat më të fundit të tregtisë së jashtme tregojnë një zgjerim vjetor me 13.5%, të deficitit tregtar gjatë muajit dhjetor. Eksportet e mallrave vijuan prirjen e tyre rritëse, por zgjerimi me ritme dyshifrore i importit solli rritjen e deficitit tregtar gjatë kësaj periudhe. Rritja e importeve vlerësohet të ketë ardhur kryesisht si pasojë e tërheqjes me një muaj në kohë të aktivitetit importues prej tregtarëve, në pritje të hyrjes në fuqi të paketës së re fiskale në janar të vitit 2014. Importet shënuan rritje me rreth 15.8%, ndërkohë që eksportet janë rritur me 19.5%.

Politika fiskale ka vepruar në kahun lehtësues gjatë vitit 2013, duke dhënë një impuls prej 1.3 pikësh përqindjeje në rritjen ekonomike. Stimuli fiskal është reflektuar si në rritjen e shpenzimeve ashtu edhe në rënien e të ardhurave fiskale. Kështu, shpenzimet buxhetore shënuan një rritje vjetore prej rreth 4.7%, ndërsa të ardhurat fiskale ranë me 0.5% gjatë vitit 2013. Gjithsesi, deficiti buxhetor ishte më i ulët se parashikimi, duke shënuar vlerën 4.8% të PBB-së kundrejt nivelit 6.2% të planifikuar. Për vitin në vazhdim, politika fiskale pritet të marrë një natyrë më kujdesshme, çka do të reflektohet në një deficit më të ulët buxhetor dhe në një stimul më të ulët fiskal. Në plotësim të saj, pagimi i faturave të prapambetura pritet të shoqërohet me përmirësim të bilanceve të sektorit privat dhe të krijojë kushte më të mira për gjallërimin e kërkesës së tij.

Banka e Shqipërisë ka kërkuar dhe ka mbështetur marrjen e masave për ruajtjen e qëndrueshmërisë së borxhit publik. Pavarësisht kostove afatshkurtra, ruajtja e borxhit publik në nivele të kontrolluara dhe të përballueshme ndikon në uljen e pasigurisë, rritjen e hapësirave për sektorin privat dhe rritjen e fleksibilitetit të financave publike. Në një aspekt më afatgjatë, ne gjykojmë si të nevojshëm adoptimin e një rregulli fiskal eficient dhe transparent.

Në përgjigje të kahut lehtësues të politikës monetare, si dhe të situatës së qetë të likuiditetit, tregjet financiare janë shfaqur të qeta në terma tregtimi dhe me tendenca të lehta reduktimi të normave të interesit. Tregu ndër-bankar është karakterizuar nga rritja e vëllimeve dhe nga norma të ulëta interesi.

Yield-et e letrave me vlerë të qeverisë, pas rritjes sezonale në fillim të vitit, tentuan të ulen përsëri në muajin shkurt, por pa kapur nivelet e dhjetorit. Sikurse pritej, normat e interesit të depozitave dhe të kredive në lekë kanë shënuar ulje gjatë muajve të fundit.

Ecuria e treguesve monetarë ka qenë në linjë me zhvillimet në ekonominë reale dhe analizat tona tregojnë se presionet monetare mbi inflacion janë të ulëta. Oferta monetare është zgjeruar me ritme të ngadalësuara gjatë vitit 2013. Zgjerimi i masës monetare është mbështetur kryesisht nga huamarrja e shtuar e sektorit publik, e përqendruar në gjysmën e parë të vitit. Aktiviteti kreditues mbetet i dobët, duke reflektuar kërkesën e ulët të agjentëve ekonomikë për financim dhe politikat konservatore të kreditimit të aplikuara nga bankat. Reduktimi i çmimit të kredisë në tremujorin e katërt nuk është shoqëruar ende me rritjen e kërkesës për kredi. Në vetvete, muaji dhjetor pati një ecuri pozitive të kredisë. Në fund të vitit, ndryshimi vjetor i portofolit të kredisë të sistemit bankar qëndroi në nivelet -1.2%.

***

Projeksionet tona bazë për zhvillimet ekonomike në të ardhmen tregojnë për rikuperim gradual të normave të rritjes përgjatë vitit 2014. Krahas kërkesës së huaj pozitive, gjatë vitit në vazhdim pritet një përmirësim i kërkesës së sektorit privat. Shlyerja e pagesave të prapambetura për sektorin privat vlerësohet të përmirësojë likuiditetin në këtë sektor dhe të lehtësojë bilancet e bankave. Gjithashtu, akumulimi i kursimeve financiare dhe stimuli lehtësues i politikës monetare pritet të materializohet në një ecuri më të mirë të konsumit dhe shpenzimeve private në të ardhmen. Me gjithë përmirësimin, ekonomia shqiptare pritet të operojë nën potencialin e saj edhe gjatë periudhës së ardhshme. Rritja ekonomike nën potencial dhe presionet e ulëta inflacioniste që vijnë nga sektori i huaj, pritet të reflektohen në nivele të ulëta inflacioni.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 2.75%. Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimet e pritura ekonomike dhe financiare do të kërkojnë ruajtjen e një natyre lehtësuese të politikës monetare përgjatë tremujorëve në vijim. Kjo politikë do të ndihmojë në krijimin e kushteve të nevojshme për respektimin e objektivit të inflacionit në afat të mesëm.