BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 27 mars 2013

Data e publikimit: 27.03.2013

 

Sot, në datën 27 mars 2013, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.75%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme, duke ofruar njëkohësisht edhe stimulin e nevojshëm monetar për mbështetjen e aktivitetit ekonomik.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor në muajin shkurt rezultoi 2.5%, duke rënë me 0.2 pikë përqindje në krahasim me vlerën e shënuar një muaj më parë. Ndikimin kryesor në rënien e inflacionit e ka patur reduktimi i çmimit të naftës, si pasojë e efektit bazë të rritjes së taksave të mjedisit gjatë vitit të shkuar dhe uljes së çmimeve në tregun ndërkombëtar. Në tërësi, ecuria e inflacionit vijon të përcaktohet nga rritja e çmimeve të mallrave ushqimorë; inflacioni i tyre ka përbërë rreth 90% të vlerës totale të inflacionit në muajin shkurt. Çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tjera të shportës kanë qenë përgjithësisht të qëndrueshme, duke dhënë një kontribut të ulët në inflacionin total.

Në aspektin makroekonomik, kushtet e përgjithshme ekonomike e monetare kanë favorizuar ruajtjen e inflacionit në nivele të ulëta.

Në veçanti, kërkesa agregate shfaqet e dobët dhe nuk arrin të gjenerojë një shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese, duke mos ushtruar presione për rritje të kostove të prodhimit, të marzhave të fitimit, dhe për rrjedhojë, të çmimeve finale të mallrave dhe të shërbimeve. Sikurse e kemi thënë në vazhdimësi, rritja ekonomike nën potencial është dhe do të vijojë të mbetet faktori me ndikim kryesor në nivelin e ulët të inflacionit. Paralelisht me të, ecuria e çmimeve në tregjet botërore, gjendja e likuiditetit në ekonomi dhe në tregjet financiare shqiptare, si dhe pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin, nuk kanë dhe nuk pritet të gjenerojnë presione të forta inflacioniste në afat të mesëm.

Të dhënat indirekte mbi ecurinë e aktivitetit ekonomik për tremujorin e katërt të vitit të kaluar sugjerojnë për një rritje të ngadaltë ekonomike. Kërkesa agregate është mbështetur kryesisht nga rritja e eksporteve, ndërkohë që kërkesa e brendshme private vlerësohet të ketë dhënë një kontribut pozitiv, por të ulët. Nga ana tjetër, shpenzimet e sektorit publik janë tkurrur, duke dhënë një kontribut negativ në rritjen e kërkesës agregate.

Informacioni për zhvillimet ekonomike në tremujorin e parë të këtij viti është i pakët. Megjithatë, analiza e treguesve indirektë të disponuar sugjeron për vazhdimin e një kërkesë të dobët agregate dhe rritje ekonomike nën potencial. Aktiviteti ekonomik është mbështetur më së shumti nga kërkesa e huaj dhe një stimul më i lartë fiskal, ndërkohë që kontributi i konsumit dhe i investimeve private mbetet i ulët. Konsumi dhe investimet private vazhdojnë të vuajnë nga pasiguria e përgjithshme për të ardhmen, nga ngadalësimi i rritjes së të ardhurave të disponuara, nga prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara të prodhimit, si edhe nga kushtet relativisht të shtrënguara të financimit. Këta faktorë janë reflektuar në orientimin në rritje të familjeve shqiptare drejt kursimit dhe në hezitimin e bizneseve për të kryer investime.

Kërkesa e huaj dhe kushtet e favorshme klimaterike kanë sjellë rritjen e eksporteve shqiptare me rreth 34.6% në muajin janar. Në prani edhe të ecurisë së dobët të konsumit e investimeve në vend, e cila është reflektuar në rënien me 8.1% të importeve në këtë periudhë, kjo tendencë ka ndikuar në përmirësimin e mëtejshëm të pozicionit të jashtëm të ekonomisë shqiptare.

Kështu, deficiti tregtar i vendit është ulur me 32.5% në këtë muaj. Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë janë reflektuar në raporte të përmirësuara të kërkesës dhe të ofertës për valutë, çka ka përcaktuar më tej një sjellje të qëndrueshme të kursit të këmbimit.

Politika fiskale ka shfaqur natyrë lehtësuese në dy muajt e parë të vitit, të shprehur në rritjen e shpenzimeve publike dhe në zgjerimin e deficitit buxhetor. Shpenzimet buxhetore shënuan një rritje vjetore prej 1.3% në këta dy muaj, rritje kjo e reflektuar si në zërin e shpenzimeve korrente ashtu edhe në atë të shpenzimeve kapitale. Të ardhurat buxhetore vijojnë të tkurren, nën ndikimin e ecurisë së plogësht të ekonomisë, duke shënuar një rënie vjetore prej 0.8% në këta dy muaj. Kjo ecuri e shpenzimeve dhe të ardhurave publike është materializuar në rritjen e deficitit fiskal me rreth 5.1% për këta dy muaj.

Duke reflektuar mbi zhvillimet e pritura ekonomike e financiare, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka marrë një natyrë gjithnjë e më stimuluese.

Nëpërmjet uljeve të vazhdueshme të normës bazë të interesit si dhe injektimit të likuiditetit në tregun bankar, Banka e Shqipërisë ka synuar të krijojë kushte monetare më të përshtatshme për respektimin e objektivit të saj të inflacionit në afat të mesëm. Ecuria e tregut financiar tregon për presione të ulëta të likuiditetit dhe të inflacionit, të cilat kanë mundësuar përcjelljen e lehtësimit monetar në tregun e parasë dhe në atë primar. Normat e interesit në tregun ndërbankar kanë reflektuar shpejt uljen e fundit të normës bazë dhe yield-et e letrave me vlerë të borxhit publik kanë vijuar të bien. Rënia e normave të interesit është reflektuar më shumë në tregun e depozitave se në atë të kredive, duke sinjalizuar për një sjellje më konservatore të bankave në kreditim dhe për një sektor real më shumë të orientuar drejt kursimit.

Ecuria e treguesve monetarë ka qenë në linjë me zhvillimet e ekonomisë reale dhe presionet inflacioniste me natyrë monetare mbeten të ulëta. Oferta monetare në ekonomi është ngadalësuar më tej në muajin janar, duke shënuar një rritje vjetore prej 4.9%.

Ngadalësimi i masës monetare ka reflektuar kërkesën e ulët të bizneseve dhe individëve për financim, si edhe reduktimin e financimit të deficitit buxhetor nga sistemi bankar. Rritja vjetore e kredisë për ekonominë vijon të ngadalësohet, duke regjistruar nivele të ulëta historike,  prej 2.1% në muajin janar. Ecuria e plogësht e kredisë vihet re për të gjitha kategoritë dhe monedhat e financimit, si tek individët ashtu edhe tek bizneset.

***

Informacioni i ri i disponuar këtë muaj nuk ndryshon projeksionin tonë bazë për ecurinë e ekonomisë në vitin në vazhdim, por ai evidenton zhvendosje të balancës së rreziqeve në kahun e poshtëm. Aktiviteti ekonomik pritet të rritet me norma të ulëta e nën potencial, duke reflektuar ngadalësimin e kërkesës së huaj, ecurinë e dobët të konsumit e investimeve private dhe një stimul pozitiv fiskal bazuar në buxhetin e planifikuar për këtë vit.

Presionet inflacioniste parashikohen të mbeten të ulëta, në prani të hendekut negativ të prodhimit dhe në mungesë të presioneve nga tregjet botërore dhe kushtet e likuiditetit në ekonominë shqiptare.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.75%. Tabloja e zhvillimeve ekonomike e financiare brenda dhe jashtë vendit përcakton vazhdimin e ciklit lehtësues të kushteve monetare përgjatë horizontit kohor të politikës monetare. Një politikë e tillë krijon kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të inflacionit në afat të mesëm, duke mbështetur njëkohësisht rritjen e kërkesës agregate dhe shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese në ekonomi.

Këshilli Mbikëqyrës, në   mbledhjen e sotme, vendosi për ndryshimin e disa rregulloreve të cilat kanë të bëjnë me aktivitetin e sistemit bankar.

 Në tërësinë e tyre, këto ndryshime fuqizojnë mekanizmin e transmetimit të politikës monetare dhe krijojnë kushte më të mira për rritjen e kredisë. Në këtë aspekt, këto ndryshime harmonizohen mirë me kahun lehtësues të politikës monetare dhe i shërbejnë stimulimit të aktivitetit ekonomik në vend. Më konkretisht, ndryshimet e miratuara rritin shkallën e lejuar të përdorimit të likuiditetit nga sistemi bankar si dhe krijojnë hapësira më të mëdha për përdorimin e levës financiare nga sistemi bankar. Të dy këto nisma mbështesin direkt një rritje më të shpejtë kredie në ekonomi.