BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 27 mars 2014

Data e publikimit: 27.03.2014

 

Sot, në datën 27 mars 2014, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%.

Në gjykimin e Këshillit, presionet inflacioniste në ekonomi janë dhe do të vazhdojnë të mbeten të ulëta. Në këto rrethana, politika monetare do të vazhdojë të ruajë kahun e saj stimulues edhe për periudhën në vijim, çka do të sigurojë kushtet e duhura monetare për respektimin e objektivit tonë të inflacionit në periudhën afatmesme.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor rezultoi 1.9% në muajin shkurt, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me muajin e kaluar. Kjo rritje u shkaktua nga rritja e çmimeve të prodhimeve bujqësore, nga tarifat më të larta të ujit të pijshëm në disa qarqe të vendit dhe të sigurimit të automjeteve. Çmimet e artikujve të tjerë të shportës së konsumit shfaqen të qëndrueshëm dhe inflacioni i tyre i ulët.

Informacioni i ri i përftuar gjatë muajit të fundit është i pakët. Ky informacion le të pandryshuar vlerësimin tonë se ambienti i përgjithshëm ekonomik e financiar karakterizohet nga presione të ulëta inflacioniste. Parashikimet tona për të ardhmen kanë mbetur përgjithësisht të pandryshuara, por rreziqet afatshkurtra në kahun rënës vlerësohen të jenë më të mëdha.

Si pasojë e kërkesës së dobët agregate, hendeku i prodhimit mbetet negativ dhe ekonomia shqiptare vazhdon të karakterizohet nga përdorimi jo i plotë i kapaciteteve prodhuese. Rritja e ulët ekonomike është shoqëruar me një ecuri të dobët të treguesit të punësimit, duke sjellë më tej presione të dobëta për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit. Gjithashtu, kërkesa e plogësht agregate mban të ulëta marxhet e fitimit. Presionet e dobëta nga kostot e prodhimit dhe pritjet inflacioniste në rënie kanë dhënë kontributin kryesor në vlerat e ulëta të inflacionit bazë dhe atij total. Paralelisht me to, inflacioni i importuar ka qenë i kontrolluar, në reflektim të inflacionit të ulët në nivel botëror dhe të qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit. Kjo tablo pritet të jetë e pranishme edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm.

Analiza makroekonomike e përditësuar me informacionin e ri për dy muajt e parë të vitit tregon për një rritje të ulët ekonomike në këtë periudhë. Konsumi dhe investimet private kanë mbetur të dobët, si pasojë e besimit të ulët të agjentëve ekonomikë, e ngadalësimit të të ardhurave të disponuara, e kushteve të shtrënguara të financimit dhe e pranisë së kapaciteteve të pashfrytëzuara të prodhimit.

Deficiti tregtar u zgjerua me 3.6% në muajin janar, kryesisht si rezultat i rënies së eksporteve dhe në ndryshim nga një muaj më parë, kur zgjerimi i tij erdhi si rezultat i rritjes së pazakontë të importeve. Kontributin kryesor në reduktimin e eksporteve të mallrave e dha kategoria “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, ndërkohë që eksporti i mallrave të kategorinë “Tekstile dhe këpucë” shënoi rritje.

Rritja e eksporteve, në përgjigje të përmirësimit të konkurrueshmërisë dhe zhvendosjes së burimeve financiare e njerëzore drejt sektorëve eksportues, duhet të jetë një nga kolonat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit për periudhën e ardhshme. Në të ardhmen e afërt, sektori eksportues i ekonomisë pritet të ndihmohet edhe nga përmirësimi i kërkesës së partnerëve tanë tradicionalë tregtarë.

Treguesit fiskalë janë karakterizuar nga rritja e të ardhurave dhe reduktimi i shpenzimeve gjatë dy muajve të parë të vitit. Deri në muajin shkurt, të ardhurat buxhetore shënuan një rritje vjetore prej 4.9% ndërsa shpenzimet dhe deficiti buxhetor u reduktuan respektivisht me 9% dhe 82%. Reduktimi i shpenzimeve i detyrohet kryesisht reduktimit të shpenzimeve kapitale ndërkohë që rritja e të ardhurave është mbështetur nga rritja e të ardhurave tatimore.

Këto zhvillime kanë përcaktuar një kah konsolidues të politikës fiskale dhe kanë mbajtur të ulët ndikimin e saj në kërkesën agregate dhe në rritjen ekonomike. Duke përjashtuar efektin e pagimit të detyrimeve të prapambetura, kahu konsolidues i politikës fiskale parashikohet të ruhet edhe në periudhën e afatmesme. Si gjithnjë, Banka e Shqipërisë mbështet dhe inkurajon masat për konsolidimin fiskal, duke i konsideruar ato të domosdoshme për reduktimin e primeve të rrezikut në ekonomi dhe për ruajtjen e stabilitetit afatmesëm dhe afatgjatë të vendit. Nga ana tjetër, brenda këtij viti buxhetor është planifikuar shlyerja e një pjese të detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj bizneseve, zhvillim i cili pritet të përmirësojë bilancet financiare dhe kërkesën e sektorit privat.

Në përgjigje të kahut lehtësues të politikës monetare, si dhe të situatës së likuiditetit, tregjet financiare janë shfaqur të qeta në terma tregtimi dhe me prirje reduktimi të normave të interesit. Ulja e fundit e normës bazë në muajin shkurt është reflektuar tek normat afatshkurtra të interesit në tregun e parasë. Në të njëjtën kohë, rënie kanë shënuar edhe yield-et e letrave me vlerë të qeverisë dhe interesat e depozitave në lekë, ndërkohë që interesi i kredisë në lekë vazhdon të lëvizë sipas një trendi rënës afatmesëm. Në tërësi, edhe pse në rënie, kosto e kredisë faktorizon nivele të larta të rrezikut të moskthimit të kredisë.

Ecuria e treguesve monetarë ka reflektuar zhvillimet në ekonominë reale dhe ka ushtruar presione të ulëta inflacioniste. Paraja e gjerë shënoi një rritje vjetore prej 2.8% në muajin janar, kundrejt 2.3% në muajin paraardhës, e mbështetur kryesisht nga zgjerimi i komponentit valutor.
Kredia për sektorin privat ruajti të njëjtën normë tkurrjeje vjetore edhe në muajin janar, -1.4%. Sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe me parametra të shëndoshë financiarë. Megjithatë, aktiviteti kreditues i sistemit bankar vijon të pasqyrojë kërkesë të dobët për financim nga sektori privat, si pasojë e rënies së kërkesës për kredi dhe e kujdesit të shtuar të bankave në kredidhënie.

***

Të dhënat e reja të disponuara mbështesin vlerësimin tonë për një rritje graduale të ekonomisë në tremujorët në vazhdim. Përcjellja e stimulit monetar, pagimi i detyrimeve të prapambetura të qeverisë dhe përmirësimi i klimës së besimit, pritet të nxisin konsumin dhe investimet në vend.

Gjithashtu, rikuperimi i qëndrueshëm i ekonomisë botërore vlerësohet se do të rrisë kërkesën e huaj dhe kontributin e saj në kërkesën agregate. Megjithatë, ekonomia shqiptare pritet të operojë nën potencial edhe gjatë periudhës së ardhshme. Rritja ekonomike nën potencial dhe presionet e ulëta inflacioniste që vijnë nga sektori i huaj, pritet të reflektohen në nivele të ulëta inflacioni në periudhën afatshkurtër.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%. Kjo politikë do të ndihmojë në sigurimin e kushteve të nevojshme për respektimin e objektivit të inflacionit dhe është konsistente me parashikimet  tona për kthimin e inflacionit në objektiv në afat të mesëm.

Në këtë kontekst, gjej me vend të theksoj se Banka e Shqipërisë pret një reagim më të mirë të sistemit bankar në drejtim të kreditimit. Ky reagim duhet të faktorizojë, ndër të tjera, perspektivën pozitive të zhvillimit të ekonomisë shqiptare dhe politikat stimuluese të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.

Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimet e pritura ekonomike dhe financiare do të kërkojnë ruajtjen e natyrës lehtësuese të politikës monetare gjatë tremujorëve në vijim.