BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 28 mars 2012

Data e publikimit: 29.03.2012

 

Sot, në datë 28 mars 2012, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 4.25% . Ky vendim u motivua nga rënia e mëtejshme e balancës së presioneve inflacioniste, si dhe nga nevoja për rritjen e stimulit makroekonomik në ekonomi në kushtet e një politike fiskale më të kujdesshme gjatë vitit në vazhdim.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se, në vazhdim të lehtësimeve të mëparshme të politikës monetare, ulja e fundit e normës bazë të interesit do të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit dhe për nxitjen e aktivitetit ekonomik.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor në muajin shkurt rezultoi 0.6%, duke shënuar një reduktim të fortë kundrejt vlerës prej 1.6% të regjistruar një muaj më parë. Ngadalësimi i shpejtë i inflacionit erdhi si pasojë e rënies vjetore të çmimeve të ushqimeve në këtë muaj dhe baza e lartë e krahasimit me muajin shkurt të vitit të kaluar. Në përgjithësi, të gjithë faktorët me ndikim në inflacion shfaqin një intensitet të dobët veprimi dhe ecuria e çmimeve të mallrave të tjerë të shportës nuk përmban shenja për presione inflacioniste në ekonomi.

Nga këndvështrimi makroekonomik, prirja rënëse e inflacionit vjetor është diktuar kryesisht nga reduktimi i shpejtë i presioneve të kahut të ofertës, ku spikasin: ngadalësimi i rritjes së çmimeve të mallrave kryesorë në tregjet botërore dhe inflacioni i ulët në partnerët tanë kryesorë tregtarë; shuarja e efektit të rritjes së çmimeve të rregulluara; dhe, qëndrueshmëria e monedhës kombëtare. Megjithëse këto zhvillime ishin faktorizuar në analizat dhe projeksionet tona, ndikimi i tyre rezultoi më i madh se pritjet. Nga ana tjetër, presionet inflacioniste me origjinë kërkesën agregate kanë vijuar të jenë të ulëta, në prani të një rritjeje ekonomike nën potencial, dhe të pritjeve të ankoruara për inflacionin.

Mbulimi me shifra i zhvillimeve të ekonomisë reale gjatë vitit 2012 është ende i pakët. Të dhënat e tërthorta statistikore, të disponuara për sektorin monetar, për sektorin fiskal dhe për atë të tregtisë, sinjalizojnë një rritje të ngadaltë të aktivitetit ekonomik në tremujorin e parë të vitit.

Ashtu si pritej, kërkesa agregate është mbështetur më pak nga stimuli fiskal, në përgjigje të një sjelljeje të kujdesshme fiskale për vitin 2012. Po ashtu, edhe kontributi i kërkesës së huaj gjatë kësaj periudhe vlerësohet të ketë qenë i dobët, si pasojë e ngadalësimit ekonomik në vendet partnere. Ndërkohë, edhe pse ka sinjale për një gjallërim të kërkesës së brendshme private, ajo mbetet e ngadaltë, nën ndikimin e hezitimit të konsumatorit dhe të biznesit privat në kryerjen e shpenzimeve dhe të investimeve.

Të dhënat për sektorin fiskal në muajin janar tregojnë një balancë pozitive të buxhetit në këtë muaj, prej rreth 1.6 miliardë lekësh. Suficiti fiskal ka reflektuar rënien e njëkohshme të të ardhurave dhe të shpenzimeve publike, respektivisht me 5.3% dhe 5.5% në terma vjetorë. Reduktimi i shpenzimeve buxhetore ka marrë formën e rënies së shpenzimeve kapitale, ndërkohë që shpenzimet korrente kanë shfaqur rritje në këtë periudhë.

Të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë për një tkurrje vjetore me rreth 8.7% të eksporteve shqiptare në muajin janar, ndërkohë që importet kanë ngadalësuar në 4.5% ritmin vjetor të rritjes së tyre. Këto zhvillime në tregtinë e jashtme janë materializuar në thellim të deficitit tregtar, i cili është rritur me rreth 13.8% kundrejt nivelit të regjistruar një vit më parë. Ecuria e këtij treguesi gjatë dy muajve të parë të vitit mund të jetë subjekt i veprimit të faktorëve të përkohshëm dhe dinamika e tij në të ardhmen mbetet në monitorim. Kërkesa e huaj ka qenë nxitësi kryesor i rritjes së kërkesës tonë agregate gjatë dy viteve të fundit dhe Banka e Shqipërisë gjykon se ajo do të japë një ndikim të vogël pozitiv edhe gjatë vitit 2012.

Zhvillimet monetare kanë qenë në linjë me ecurinë e ekonomisë reale. Analiza e tyre konfirmon ekzistencën e presioneve të ulëta inflacioniste me natyrë monetare në ekonomi. Paraja e gjerë, ose agregati monetar M3, ngadalësoi ritmin e rritjes vjetore të tij në 8.1% në muajin janar.

Nga ana e kërkesës, kjo ecuri është ndikuar nga kërkesa e ulët për financim e sektorit publik dhe e sektorit privat në janar. Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat ka ndjekur trendin e ngadalësimit të nisur në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, duke rezultuar 9.9% në muajin janar. Ecuria e saj ka reflektuar një kërkesë më të ulët për kredi, si të bizneseve ashtu edhe të individëve. Kredia për sektorin privat është orientuar drejt financimit të kapitalit qarkullues dhe financimit të konsumit, duke ilustruar një sjellje të kujdesshme të agjentëve privatë në kryerjen e investimeve dhe po ashtu një kujdes të lartë të bankave në kredidhënie. Nga ana tjetër, depozitat në sistem janë zhvendosur drejt afateve më të gjata të maturimit, duke ilustruar tendencën e lartë të kursimit të konsumatorit shqiptar.

Zhvillimet më të fundit në tregjet financiare kanë reflektuar prime të përmbajtura të likuiditetit dhe të inflacionit. Në tregun ndërbankar, normat afatshkurtra të interesit janë ulur, në ndjekje të reduktimeve të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit.

Nga ana tjetër, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë në tregun primar kanë shënuar një rritje të lehtë. Kjo rritje i dedikohet më së shumti ndërveprimit të faktorëve të kërkesës dhe të ofertës në këtë treg, pa sinjalizuar për rritje të primeve të rrezikut në ekonomi. Drejtimi i normave të interesit në tregjet e depozitave dhe kredive ka ndjekur lehtësimin e politikës monetare në gjashtë muajt e fundit, ndërkohë që transmetimi i kësaj politike lehtësuese pritet të shfaqet më i plotë në të ardhmen, në përputhje me kohëvonesat që karakterizojnë mekanizmin e transmetimit të politikës monetare.

Projeksionet për ecurinë e pritur të ekonomisë në të ardhmen mbështesin vlerësimet tona të mëparshme për një rritje pozitive, por nën potencial, të ekonomisë shqiptare edhe gjatë vitit në vazhdim. Megjithatë, rreziqet rreth këtij skenari janë shtuar, kryesisht si rrjedhojë e zhvillimeve të pafavorshme në ekonominë dhe në tregjet financiare botërore.

Në tërësi, ecuria ekonomike në partnerët tanë tregtarë pritet të jetë e ngadaltë dhe kushtet e financimit në Eurozonë pritet të jenë të shtrënguara gjatë vitit në vazhdim. Gjithashtu, hapësirat për stimul fiskal janë ngushtuar, si pasojë e orientimit të politikës fiskale drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së parametrave fiskalë. Në këto rrethana, rritja ekonomike e vendit do të përcaktohet kryesisht nga ecuria e konsumit dhe e investimeve private. Këto të fundit pritet të nxiten nga kushtet më të mira të financimit të brendshëm gjatë vitit 2012, por do të vuajnë njëkohësisht nga pasiguria dhe hezitimi i shfaqur tek konsumatori dhe bizneset private. Banka e Shqipërisë gjykon se gjashtëmujori i dytë i vitit të shkuar shfaqi një pikë kthese në drejtim të një sjelljeje më normale konsumatore, e cila duhet inkurajuar dhe mbështetur më tej gjatë vitit 2012.

***

Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet mbi çmimet e konsumit në vend mbeten të ulta përgjatë horizontit kohor të politikës monetare, por ato janë zhvendosur në kahun rënës gjatë muajve të fundit. Nga ana e kërkesës, rritja ekonomike nën potencial do të vazhdojë të gjenerojë presione të ulëta inflacioniste, ndërkohë që edhe goditjet e kahut të ofertës pritet të jenë të moderuara.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 4.25%. Ky vendim synon të krijojë kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të inflacionit në afat të mesëm. Njëkohësisht, lehtësimi i politikës monetare ofron një mbështetje më të madhe për zhvillimin e kërkesës së sektorit privat në ekonomi.