BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 29 janar 2014

Data e publikimit: 29.01.2014

 

Sot, në datën 29 janar 2014, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Deklaratën e Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2013. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.0%.

Në gjykimin e Këshillit, presionet inflacioniste që vijnë nga sektori real dhe financiar i ekonomisë janë dhe do të vazhdojnë të mbeten të ulëta. Këto rrethana e bëjnë të nevojshëm ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare edhe për periudhën në vijim. Stimuli monetar, i transmetuar nëpërmjet normave të ulëta të interesit bazë dhe injektimit të vazhdueshëm të likuiditetit, krijon kushtet e duhura për respektimin e objektivit tonë të inflacionit, në një periudhë afatmesme.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Viti 2013 ishte një vit i vështirë për ekonominë shqiptare. Kërkesa agregate dhe rritja ekonomike mbetën në nivele të ulëta, inflacioni u luhat në kufijtë e poshtëm të tolerancës së Bankës së Shqipërisë, ndërsa deficiti buxhetor e borxhi publik shënuan rritje të ndjeshme. Kjo ecuri u kushtëzua nga një ambient ekonomik i pafavorshëm, si në kontekstin e brendshëm ashtu dhe në atë të jashtëm. Për më tepër, zgjedhjet e përgjithshme të muajit qershor paraqitën një moment shtesë pasigurie për ekonominë dhe për tregjet financiare. Sikurse kemi deklaruar, konsumi dhe investimet vazhdojnë të vuajnë nga shkalla e ulët e besimit si dhe nga kushtet e shtrënguara të financimit. Po ashtu, politika fiskale përballet me një nivel të lartë borxhi publik, i cili ka kufizuar mundësitë e saj për stimul makroekonomik. Nga ana tjetër, ambienti i jashtëm është karakterizuar nga vazhdimi i problemeve në Eurozonë, çka kufizon rritjen e eksporteve tona por edhe iu imponon tregjeve financiare ndjekjen e politikave konservatore të kreditimit ndaj vendeve në zhvillim.

Megjithatë, viti 2013 pati edhe zhvillime pozitive. Tregjet financiare u karakterizuan nga përmirësimi i likuditetit dhe nga tendenca rënëse të normave të interesit, në përgjigje të politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, këtë vit, prezantimi i instrumenteve dhe agjentëve të rinj financiarë ka thelluar më tej tregjet. Sistemi bankar vazhdon të mbetet solid dhe i mirë-kapitalizuar, pavarësisht rritjes së kredive me probleme. Deficiti i llogarisë korente shënoi reduktim, duke krijuar premisa më të mira për qëndrueshmërinë e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe të kursit të këmbimit. Këto zhvillime kanë ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.

Duke analizuar zhvillimet specifike të gjashtëmujorit të dytë, të dhënat zyrtare flasin për një ngadalësim të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik dhe për forcim të tendencës rënëse të inflacionit në këtë periudhë.

Inflacioni mesatar vjetor rezultoi 1.5% në tremujorin e katërt të vitit, duke qëndruar i pandryshuar në krahasim me tremujorin e tretë. Norma e inflacionit u rri në 1.9% në muajin dhjetor. Ecuria e tij u përcaktua pothuajse tërësisht nga çmimet e produkteve ushqimore, e në veçanti të atyre të papërpunuar. Çmimet e grupeve të tjera të shportës kanë qenë përgjithësisht të qëndrueshme dhe ndikimi i tyre në inflacion ka qenë i ulët.

Në aspektin makroekonomik, inflacioni i ulët u përcaktua nga ecuria e dobët e kërkesës agregate, nga rënia e inflacionit të importuar dhe nga pritjet e kontrolluara për inflacionin.

Prodhimi i brendshëm bruto ra me 2.3% në tremujorin e tretë. Në një masë të madhe, kjo rënie u përcaktua nga goditje afatshkurtra të ardhura nga tërheqja e plotë e stimulit fiskal dhe nga pasiguria pas-zgjedhore, e cila vlerësohet të ketë ndikuar negativisht konsumin, investimet e turizmin në këtë periudhë. Me përjashtim të sektorit të bujqësisë, sektorët e tjerë të ekonomisë shënuan rënie vjetore.

Të gjithë komponentët e kërkesës agregate u karakterizuan nga një ecuri e dobët në gjysmën e dytë të vitit. Konsumi privat ka shfaqur nivele të ulëta, në reflektim të besimit të ulët konsumator dhe të ngadalësimit të rritjes së të ardhurave. Normat e ulëta të inflacionit kanë ndihmuar në ruajtjen e vlerës së kursimeve. Megjithatë, familjet shqiptare vazhdojnë të shfaqin një sjellje të kujdesshme ndaj konsumit. Gjithashtu, investimet private kanë thelluar prirjen rënëse në gjysmën e dytë të vitit. Ecuria e këtij komponenti ka reflektuar rënien e kërkesës finale, pasigurinë e lartë dhe kushtet e shtrënguara të financimit të adoptuara nga sistemi bankar. Vrojtimet periodike raportojnë se gjendja financiare e bizneseve mbetet e vështirë dhe kjo frenon më tej aftësinë e tyre për të kryer investime.

Politika fiskale ka patur një natyrë stimuluese gjatë vitit 2013, por të përqendruar kryesisht në pjesën e parë të vitit. Stimuli fiskal është realizuar si nëpërmjet rritjes së shpenzimeve ashtu edhe nëpërmjet reduktimit të taksave. Të dhënat e fundit fiskale i përkasin muajit nëntor. Gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë, deficiti buxhetor është rritur me 71.5% në terma vjetorë, shpenzimet buxhetore janë rritur me 4.7%, ndërsa të ardhurat fiskale kanë rënë me 3.1%. Rënia e të ardhurave ka reflektuar jo vetëm politikën lehtësuese tatimore, por edhe ecurinë e dobët të aktivitetit ekonomik. Zhvillimet fiskale të vitit 2013 kanë përkeqësuar dinamikën e borxhit publik. Ky borxh tenton të rritet gjatë periudhave të ngadalësimit ekonomik, në përgjigje të politikave kundër-ciklike fiskale por edhe të veprimit të stabilizatorëve automatikë. Megjithatë, duke u nisur nga roli parësor që ka qëndrueshmëria fiskale për stabilitetin e përgjithshëm ekonomik e financiar të vendit si dhe nga niveli i lartë i borxhit publik në vend, Banka e Shqipërisë ka kërkuar dhe mbështetur marrjen e masave për kontrollin dhe reduktimin e këtij borxhi në një periudhë afatmesme.

Në këtë kontekst, ne përsërisim edhe një herë mesazhin tonë për nevojën e ankorimit të këtij procesi në një rregull fiskal, i cili do të orientojë politikën fiskale në një horizont afatgjatë dhe do të jetë i besueshëm dhe transparent për të gjithë agjentët ekonomikë, të brendshëm e të jashtëm.

Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë sinjalizojnë për ecuri të dobët të kërkesës së huaj në tremujorin e tretë të vitit. Megjithë reduktimin e deficitit tregtar, ndikimi i sektorit të jashtëm në rritjen ekonomike ka qenë negativ si pasojë e rënies së të ardhurave nga turizmi. Në muajt tetor dhe nëntor, të dhënat për tregtinë e jashtme të mallrave tregojnë për vijimësi të tkurrjes nominale vjetore të deficitit tregtar, në masën 11.9%. Gjatë kësaj periudhe, ngushtimi i deficitit në terma nominalë vjetorë ka ardhur si pasojë e rritjes së eksporteve me 12.0% dhe rënies së importeve, me 2.0%.. Aftësia e ekonomisë shqiptare për të ruajtur dhe përshpejtuar ritmet pozitive të rritjes së eksporteve do të jetë vendimtare për rritjen ekonomike afatmesme dhe afatgjatë të vendit. Në afat të mesëm, rritja e eksporteve ndihmon në kompensimin e dobësisë së kërkesës së brendshme ndërsa, në afat të gjatë, rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregjet botërore duhet të jetë në themel të modelit të ri të rritjes ekonomike të vendit.

Kërkesa e ulët për konsum dhe investime, si dhe politikat konservatore të bankave në kreditim, kanë ndikuar në ngadalësimin e treguesve monetarë. Rritja e ofertës së parasë është reduktuar në mesatarisht 2.5% në muajt tetor dhe nëntor, e diktuar nga rënia e kërkesës së sektorit privat për financim. Kredia për ekonominë ka vijuar të tkurret dhe në muajin nëntor rezultoi 2.4% më e ulët se një vit më parë.

Dinamika e mësipërme ekonomike dhe monetare ka sjellë presione të ulëta inflacioniste. Kërkesa e ulët agregate ka gjeneruar zgjerimin e hendekut negativ të prodhimit. Presionet nga tregu i punës rezultojnë të përmbajtura në prani të ruajtjes së pandryshuar të normës së papunësisë, të rritjes së moderuar të pagave dhe të shfrytëzimit të pjesshëm të kapaciteteve. Këto zhvillime kanë ndikuar në kontrollin e kostove të prodhimit dhe të marzheve të fitimit dhe janë reflektuar në vlerat e ulëta të inflacionit bazë gjatë kësaj periudhe.

Në të njëjtën kohë, inflacioni i importuar ka qenë në rënie, si pasojë e reduktimit të çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar dhe kursit të qëndrueshëm të këmbimit.

Mbështetur në perspektivën e zhvillimeve të pritura ekonomike dhe duke synuar nxitjen e kërkesës agregate, Banka e Shqipërisë reduktoi me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit gjatë tremujorit të katërt, duke e zbritur atë në nivelin 3.0%. Gjithashtu, vendimet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë janë shoqëruar me injektime të vazhdueshme likuiditeti dhe me orientime mbi kahun e ardhshëm të politikës monetare. Kjo politikë ka arritur të kontrollojë primet e likuiditetit dhe të inflacionit, duke ndihmuar në reduktimin e normave të interesit në tregjet ndërbankare, në tregun e letrave të borxhit të qeverisë, në tregun e depozitave dhe në atë të kredive në lekë.

Megjithatë, çmimi i kredisë në lekë nuk e ka reflektuar plotësisht politikën tonë monetare, duke sugjeruar praninë e primeve të larta të rrezikut dhe duke frenuar transmetimin e stimulit monetar në ekonomi. Këto prime rreziku pasqyrohen edhe në kushtet e tjera të kreditimit, të cilat nuk kanë të bëjnë me çmimin e kredisë dhe që paraqiten më të shtrënguara në raport me ecurinë e tyre historike.

***

Skenari bazë i Bankës së Shqipërisë parashikon një përmirësim të lehtë të ekonomisë gjatë vitit në vazhdim. Kërkesa agregate do të vazhdojë të mbështetet nga rritja e eksporteve dhe nga një ecuri më e mirë e konsumit dhe e investimeve. Politika monetare do të mbështesë kërkesën e brendshme, nëpërmjet ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe vazhdimit të injektimit të stimulit monetar në ekonomi. Gjithashtu, pagimi i detyrimeve të prapambetura do të ndihmojë në përmirësimin e bilancit të firmave dhe të sektorit privat dhe pritet të përmirësojë aftësitë e bizneseve për të tërhequr kredi. Duke përjashtuar pagimin e detyrimeve të prapambetura, buxheti i vitit 2014 parashikon një korrektim fiskal, i cili është i domosdoshëm në kushtet e rritjes së shpejtë të borxhit publik. Në reflektim të dinamikës së dobët ekonomike dhe monetare në vend, presionet inflacioniste pritet të jenë të dobëta.

Pas katër tremujorëve, inflacioni pritet të luhatet brenda intervalit 0.7% – 3.8% me probabilitet ndodhjeje 90%. Kjo gjë do të kërkojë ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare edhe gjatë periudhës afatmesme.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.0%. Duke gjykuar mbi zhvillimet e pritura në inflacion, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare do të mbetet në kahun stimulues përgjatë një periudhe afatmesme. Intensiteti i stimulit monetar mund të forcohet edhe më tej në periudhën e ardhshme, në rast se zhvillimet ekonomike e monetare vazhdojnë të zhvendosin balancën e rreziqeve mbi inflacionin në kahun e poshtëm. Në çdo rast, Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur të garantojë stabilitetin e çmimeve, në përputhje me objektivin e saj të inflacionit.

Banka e Shqipërisë gjykon se viti 2014 duhet të jetë një pikë kthese për ekonominë shqiptare. Ruajtja e stabilitetit ekonomik e financiar, përmirësimi i ambientit të jashtëm, ndjekja e politikave stimuluese makroekonomike, si dhe vazhdimi i reformave strukturore, duhet t’i hapin rrugë zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.