BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 29 maj 2012

Data e publikimit: 29.05.2012

 

Sot, në datën 29 maj 2012, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.25%. Ky vendim pasqyron opinionin e Këshillit se kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për të respektuar objektivin e Bankës së Shqipërisë për inflacionin në një periudhë afatmesme. Ai e le normën bazë të interesit në nivelin e saj më të ulët historik, duke ruajtur kështu natyrën e fortë stimuluese të politikës monetare, në mbështetje të kërkesës agregate dhe të rritjes ekonomike. Në të njëjtën kohë, ky vendim reflekton pasigurinë e shtuar që vjen nga ambienti i jashtëm i ekonomisë dhe veçanërisht nga zhvillimet në Greqi.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike dhe të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor shënoi vlerën 1.6% në muajin prill, duke vijuar të ndjekë një trajektore rritëse gjatë dy muajve të fundit dhe duke iu afruar kufirit të poshtëm të objektivit. Tendenca rritëse e inflacionit, pas nivelit minimal të shënuar në muajin shkurt, ishte e pritur dhe e komunikuar nga Banka e Shqipërisë. Në masën më të madhe, ajo reflekton shuarjen graduale të goditjeve me ndikim rënës në inflacion të ardhura nga ana e ofertës. Ngadalësimi i çmimeve të mallrave kryesore në tregjet botërore, inflacioni i ulët i partnerëve tregtarë dhe ecuria e qëndrueshme e kursit të këmbimit, kanë përcjellë vlera të reduktuara të inflacionit të importuar.

Megjithatë, pavarësisht rritjes, inflacioni mbetet i ulët. Niveli i ulët i tij kushtëzohet nga shfrytëzimi jo i plotë i kapaciteteve në ekonomi, i cili pasqyrohet në presione të dobëta për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit. Në të njëjtën kohë, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin janë të ulëta dhe ekspansioni monetar është në përputhje me kërkesën e ekonomisë për para. Gjithashtu, mungesa e rritjes së çmimeve të rregulluara ka dhënë ndikimin e saj në normën e ulët të inflacionit, të shënuar gjatë vitit 2012.

Gjatë analizës së zhvillimeve ekonomike, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se rikthimi i tensioneve në tregjet financiare botërore në muajin e fundit ka rritur ndjeshëm pasiguritë në tregjet financiare ndërkombëtare, duke u përkthyer në kushte më të vështira financimi për sektorin publik e privat. Rënia e kërkesës së huaj dhe shtimi i rrezikut të perceptuar për të gjithë zonën kanë filluar të ndikojnë ecurinë e aktivitetit ekonomik në vendet e rajonit.

Informacioni i disponueshëm statistikor për tremujorin e parë të vitit 2012 tregon për një ecuri të ngadaltë të aktivitetit ekonomik. Ndër të tjera, kjo ecuri është ndikuar edhe nga faktorë të përkohshëm, si pasojë e kushteve të vështira klimaterike. Megjithatë, analiza e treguesve të disponuar arrin në përfundimin se kërkesa e brendshme dhe ajo e huaj mbeten të dobëta.

Pas gjallërimit në tremujorin e fundit të vitit, konsumi privat vlerësohet të jetë ngadalësuar në tremujorin e parë të vitit 2012. Ecuria e importit të mallrave për konsum dhe rritja e ulët vjetore e të ardhurave të grumbulluara nga TVSh-ja, sugjerojnë një kërkesë të dobët konsumatore në këtë tremujor. Ky vlerësim mbështetet edhe nga të dhënat cilësore të filtruara nga vrojtimet e konsumatorëve, të biznesit dhe të sektorit bankar. Dinamika e treguesve sasiorë dhe cilësorë sugjeron gjithashtu për një ecuri të ngadaltë të i nvestimeve.

Të përballur me një kërkesë të ulët dhe me kapacitete të lira prodhuese, si dhe në prani të pasigurisë për zhvillimet brenda dhe jashtë vendit, bizneset kanë shtyrë në kohë vendimet e tyre për investime të reja. Gjithashtu, kontributi i investimeve publike në rritjen e kërkesës agregate, vlerësohet të ketë qenë negativ gjatë tremujorit të parë.

Politika fiskale ka ndjekur një sjellje të kujdesshme gjatë katër muajve të parë të vitit, e reflektuar në uljen vjetore me 28% të deficitit buxhetor gjatë kësaj periudhe. Të ardhurat buxhetore vijojnë të shënojnë norma të moderuara rritjeje vjetore, duke reflektuar ecurinë e aktivitetit ekonomik dhe duke ilustruar ndikimin e ndërsjellë midis dinamikës së sektorit publik dhe privat. Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjykon se ndjekja e një politike fiskale të orientuar drejt qëndrueshmërisë afatgjatë të treguesve buxhetorë dhe të borxhit publik do të sjellë përfitime të qarta afatmesme dhe afatgjata për ekonominë shqiptare, në formën e uljes së primeve të rrezikut, të rritjes së hapësirave dhe të uljes së kostove të financimit për sektorin privat. Gjithashtu, kjo politikë është në përputhje me zhvillimet në tregjet financiare të brendshme dhe të huaja.

Kërkesa e huaj vlerësohet të ketë mbështetur zgjerimin e ekonomisë edhe në tremujorin e parë të këtij viti, por kontributi i saj është ulur ndjeshëm. Rritja e ngadaltë e eksporteve mbetet shqetësuese, për sa kohë që ajo ndikon ecurinë e ekonomisë gjatë vitit 2012 dhe ilustron varësinë e madhe të Shqipërisë në disa tregje gjeografike apo produkte të caktuara.

Analiza e të dhënave monetare sugjeron se ecuria e treguesve monetarë ka qenë në linjë me zhvillimet në ekonominë reale. Oferta monetare ka ruajtur ritmin e rritjes të vërejtur në fundin e vitit të kaluar, duke shënuar një rritje vjetore prej 8.8% në muajin mars. Analizat tona sugjerojnë se zgjerimi i saj është në përputhje me ecurinë e kërkesës së ekonomisë për para reale, duke sinjalizuar presione të përmbajtura inflacioniste me natyrë monetare në periudhën afatmesme. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 9.0% në muajin mars. Ecuria e kredisë për sektorin privat, veçanërisht në muajt e fundit, është diktuar nga një kërkesë e ulët e këtij sektori për financim dhe nga një sjellje e kujdesshme e bankave në kredidhënie.

Tregjet financiare kanë qenë likuide dhe të qëndrueshme. Normat e interesit në tregun ndërbankar janë ulur ndjeshëm në muajin prill dhe vëllimi i shkëmbyer në këtë treg ka pësuar rritje. Përçimi i sinjaleve lehtësuese të politikës monetare ka vijuar dhe në tregun e depozitave në lekë, normat e të cilave janë ulur.

Në tregun primar, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë qëndruar në nivele të njëjta me ato të muajit të kaluar. Rritja e tyre në tremujorin e parë reflekton zhvillimet në faktorët strukturorë të kërkesës dhe ofertës për to, pa sinjalizuar për prime të shtuara të inflacionit. Normat e interesit të kredive në lekë kanë reaguar në mënyrë jo të plotë ndaj sinjaleve lehtësuese, në reflektim të rritjes së primeve të rrezikut të kredisë për degë të veçanta të ekonomisë.

Informacioni i ri mbështet vlerësimin tonë të mëparshëm për një rritje ekonomike nën potencial edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm, të ndikuar nga moderimi i kontributit të kërkesës së huaj, nga mungesa e stimulit fiskal dhe nga kërkesa e dobët e brendshme. Dy përbërësit kryesorë të kësaj kërkese, konsumi dhe investimet private, mbeten të ngadaltë. Shfrytëzimi jo i plotë i kapaciteteve, i shoqëruar me rritje të ngadaltë të pagave dhe të kostove të punës për njësi, pritet të ushtrojë presione të kontrolluara inflacioniste në periudhën ardhme.

Pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin paraqiten të ankoruara pranë objektivit, por ato mund të jenë subjekt i reagimit ndaj zhvillimeve ndërkombëtare në periudhën afatshkurtër. Shuarja graduale e goditjeve të ofertës në periudhën e ardhshme, përfundimi i veprimit të efekteve bazë, si dhe efekti në kohë i politikës stimuluese të Bankës së Shqipërisë, pritet të shoqërohen me një tendencë rritëse të inflacionit duke iu afruar objektivit të Bankës së Shqipërisë në periudhën afatmesme.

Banka e Shqipërisë ka lehtësuar vazhdimisht politikën monetare gjatë muajve të fundit, duke synuar respektimin e objektivit të inflacionit në terma afatmesëm, si dhe kontrollin e pritjeve të inflacionit dhe të primeve të rrezikut në ekonomi. Kjo politikë ka synuar ti përgjigjet një situate ku pengesa kryesore për rimëkëmbjen e kërkesës së sektorit privat dhe investimeve te huaja direkte lidhet me pasigurinë për të ardhmen dhe qasjen ndaj rrezikut në terma afatshkurtër dhe afatmesëm. Ne gjykojmë se dhënia e një stimuli të kujdesshëm monetar, të kushtëzuar nga kontrolli i primeve të rrezikut dhe nga ruajtja e stabilitetit financiar, është kontributi më i rëndësishëm që Banka e Shqipërisë mund të japë në rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

***

Duke vlerësuar informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se rreziqet rreth trajektores së pritur të inflacionit mbeten të balancuara. Nga ana e kërkesës, rritja ekonomike nën potencial do të vazhdojë të gjenerojë presione të ulëta inflacioniste, ndërkohë që edhe goditjet e kahut të ofertës pritet të jenë të përmbajtura. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.25%. Ky vendim synon të krijojë kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të inflacionit në afat të mesëm dhe ofron mbështetjen e duhur për stimulimin e kërkesës agregate.