BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 29 maj 2013

Data e publikimit: 29.05.2013

 

Sot, në datën 29 maj 2013, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.75%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme, duke ofruar njëkohësisht edhe stimulin e nevojshëm monetar për mbështetjen e kërkesës së brendshme.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Të dhënat e fundit ekonomike e monetare tregojnë se presionet inflacioniste vazhdojnë të jenë të dobëta. Inflacioni vjetor në muajin prill rezultoi 2.3%, duke shënuar një rënie të lehtë në krahasim me muajin paraardhës. Kjo prirje u ndikua më së shumti nga rënia e çmimit të naftës dhe e çmimeve të qirave. Në një mjedis me inflacion të ulët, profili i inflacionit vijon të përcaktohet nga ecuria e çmimeve të mallrave ushqimorë, kontributi i të cilave formoi rreth 95% të shifrës vjetore të inflacionit në muajin prill.


Çmimet e mallrave dhe të shërbimeve të tjera të shportës së konsumit nuk kanë pësuar luhatje të mëdha, duke qëndruar rreth niveleve të vërejtura gjatë muajve të kaluar.

Në këndvështrimin makroekonomik, presionet e brendshme dhe të huaja inflacioniste paraqiten të dobëta ose në rënie, ndërkohë që pritjet inflacioniste janë të ankoruara në objektivin e Bankës së Shqipërisë. Ekonomia shqiptare vijon të karakterizohet nga kapacitete të lira në faktorët e prodhimit. Kjo tablo është shoqëruar me reduktimin e ndjeshëm të inflacionit bazë gjatë katër muajve të parë të vitit, duke pasqyruar presionet e ulëta për rritjen e kostove të prodhimit, të marxheve të fitimit dhe të çmimeve finale të produkteve. Nga ana tjetër, çmimet në tregjet botërore kanë ngadalësuar rritjen e tyre, ndërsa kursi i qëndrueshëm i këmbimit nuk ka mbështetur rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit të importuara.

Informacioni më i fundit sugjeron se dobësia e aktivitetit ekonomik është mbartur edhe në muajt e parë të vitit 2013. Në balancë, të dhënat e disponuara tregojnë për ecuri të ngadaltë të konsumit dhe të investimeve private. Familjet shqiptare vazhdojnë të shfaqin një tendencë të ulët për shpenzim, të ndikuara nga pasiguria për qëndrueshmërinë e burimeve të financimit dhe nga ngadalësimi i ritmeve të rritjes së të ardhurave të disponueshme. Në një efekt zinxhir, dobësia e kërkesës agregate, pasiguria e vetë bizneseve për të ardhmen, por dhe kushtet e shtrënguara te kreditimit, nuk kanë inkurajuar ndërmarrjen e investimeve të reja private. Nga ana tjetër, rritja ekonomike në muajt e parë të këtij viti vlerësohet të ketë gjetur mbështetje kryesisht në kërkesën e huaj dhe në kërkesën e sektorit publik.

Politika fiskale ka patur një natyrë stimuluese në katër muajt e parë të vitit, e reflektuar kjo në rritje vjetore të deficitit buxhetor dhe të shpenzimeve publike gjatë kësaj periudhe. Shpenzimet fiskale shënuan një rritje vjetore prej 9.8%, kryesisht si pasojë e rritjes së shpejtë të shpenzimeve kapitale, ndërkohë që shpenzimet korente ruajnë norma të ulëta të rritjes vjetore. Nga ana tjetër, të ardhurat fiskale kanë shënuar një rritje minimale prej 0.3%, në reflektim të ecurisë së ngadaltë të aktivitetit ekonomik. Kjo ecuri e shpenzimeve dhe të ardhurave buxhetore është materializuar në një deficit buxhetor rreth 2 herë më të lartë se në katër muajt e parë të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë vëren se politika afatmesme dhe afatgjatë fiskale duhet të orientohet më shumë drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së borxhit publik. Përmbushja e këtij objektivi ndihmon në uljen e pasigurisë dhe të primeve të rrezikut. Borxhi i ulët dhe i kontrolluar publik krijon një ambient më të mirë për iniciativën private, nëpërmjet ruajtjes së normave të ulëta të interesit dhe rritjes së fondeve të disponueshme, duke ndihmuar kështu rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

Shkëmbimet me partnerët tanë tregtarë kanë dhënë një stimul pozitiv në rritjen e aktivitetit ekonomik edhe gjatë tremujorit të parë të vitit. Deficiti tregtar u tkurr me 28.6% në terma vjetorë gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar ecurinë e mirë të eksporteve dhe rënien e importeve. Eksportet shënuan një rritje vjetore prej 17.2% në tre muajt e parë të vitit, të dominuar nga eksportet në sektorin e energjisë. Nga ana tjetër, importet vazhdojnë të thellojnë rënien e tyre vjetore, rënie e cila për këtë periudhë shënoi vlerën 11.1%.

Analiza më e detajuar e eksporteve evidenton përqendrimin e lartë të tyre në segmentin e burimeve natyrore. Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e konkurrueshmërisë së produkteve e shërbimeve tona, si dhe zgjerimi i bazës së eksporteve, mbetet instrumenti më i mirë për të siguruar korrektimin e shëndetshëm të llogarisë korente. Ky objektiv kërkon vazhdimin e thellimin e reformës strukturore, si në tregjet e produkteve ashtu dhe në atë të faktorëve të prodhimit.

Ecuria e treguesve monetarë dëshmon për presione të ulëta inflacioniste me natyrë monetare në ekonomi. Rritja vjetore e ofertës së parasë ka vijuar të ngadalësohet më tej, duke zbritur në 4.6% në fund të muajit mars. Kërkesa e ulët për para e agjentëve ekonomikë është reflektuar në një ecuri të dobët të kreditimit. Rritja vjetore e kredisë në muajin mars shënoi 1.2%. Krahas faktorëve të kërkesës, ecuria e ngadaltë e kredisë reflekton edhe politikën e kujdesshme të bankave në kreditim dhe shkallën e ulët të gatishmërisë së tyre për të marrë përsipër rrezik. Kjo sjellje konservatore e bankave kushtëzohet nga zhvillimet në hapësirën evropiane dhe politikat më të shtrënguara mbikëqyrëse e rregullatore të vendeve të origjinës. Duke u nisur nga rrethanat aktuale në të cilat ndodhet sistemi bankar evropian, Banka e Shqipërisë vlerëson se ajo mund të vijojë të shoqërojë ekonominë shqiptare në një afat të mesëm.

Tregu financiar është karakterizuar nga presione të ulëta të likuiditetit dhe të inflacionit, duke mundësuar një përcjellje më të mirë të stimulit monetar në ekonomi. Normat e interesit në tregun ndërbankar kanë ndjekur uljen e normës bazë të interesit dhe vazhdojnë të qëndrojnë të ankoruara rreth saj.

Ndërkohë, në muajin prill e maj, vijon rënia e yield-eve në tregun primar në linjë me ciklin lehtësues të politikës monetare. Normat e interesit në tregun e depozitave dhe atë të kredive kanë reaguar më ngadalë, në përputhje me kohëvonesat në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare. Gjithashtu, transmetimi i politikës lehtësuese monetare në normat e interesit të kredive është ndikuar edhe nga primet e larta të rrezikut që shoqërojnë aktivitetin kreditues.

Duke iu rikthyer zhvillimeve ekonomike, projeksionet për ecurinë e ekonomisë në të ardhmen mbeten të njëjta, si edhe në muajin e mëparshëm. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të rritet me norma të ulëta pozitive, pranë niveleve të vitit të kaluar. Kërkesa e huaj dhe politika fiskale priten të japin stimul pozitiv në rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, konsumi dhe investimet private do të kenë një ecuri të dobët edhe gjatë këtij viti. Rritja nën potencial e ekonomisë do të vijojë të kushtëzojë presione të dobëta mbi çmimet e konsumit. Në mungesë të goditjeve të paparashikuara të ofertës, inflacioni vjetor pritet të qëndrojë rreth niveleve aktuale edhe gjatë vitit në vazhdim.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.75%. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se kushtet aktuale monetare janë të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit në afat të mesëm. Uljet e mëparshme të normës bazë të interesit po përkthehen gradualisht në norma më të ulëta financimi të sektorit publik e privat, duke krijuar premisa për një rritje më të shpejtë të kërkesës agregate.

Gjithashtu, lehtësimi i disa kërkesave mbikëqyrëse e rregullatore në muajin mars stimulon rritjen e aktivitetit kreditues të sistemit bankar.

Zhvillimet e pritura ekonomike e financiare do të kërkojnë ruajtjen e natyrës lehtësuese të kushteve monetare përgjatë horizontit kohor të politikës monetare. Banka e Shqipërisë mbetet gjithnjë e gatshme të reagojë, në kohën dhe në masën e duhur, për të krijuar kushtet e duhura monetare për respektimin e objektivit të saj të inflacionit.