BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 29 shkurt 2012

Data e publikimit: 01.03.2012

 

Sot, në datën 29 shkurt 2012, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.50%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, kushtet aktuale monetare janë të përshtatshme për të përmbushur objektivin afatmesëm të inflacionit, duke ofruar njëkohësisht stimulin e nevojshëm monetar për mbështetjen e aktivitetit ekonomik në vend.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor në muajin janar rezultoi 1.6%, duke shënuar një reduktim të lehtë prej 0.1 pikësh përqindjeje krahasuar me vlerën e shënuar në muajin paraardhës. Normat vjetore të inflacionit kanë qenë në rënie që në gjysmën e dytë të vitit 2011, duke reflektuar kryesisht zbutjen e presioneve inflacioniste nga kahu i ofertës: shuarjen e efektit të rritjes së çmimeve të administruara, rritjen e prodhimit bujqësor vendas dhe ngadalësimin e inflacionit të importuar. Ecuria rënëse e inflacionit vjetor në muajin janar ka reflektuar reduktimin e mëtejshëm të inflacionit të importuar nga sektori i huaj i ekonomisë, të materializuar në një kontribut më të ulët të çmimeve të mallrave të ushqimeve të përpunuara. Çmimet e ushqimeve të papërpunuara kanë vijuar të ndikojnë në uljen e inflacionit vjetor, ndërkohë që kontributet e kategorive të tjera kanë qenë relativisht të qëndrueshme.

Presionet inflacioniste nga ana e kërkesës mbeten të ulëta, të kushtëzuara nga vijimësia e hendekut negativ të prodhimit dhe mungesa e presioneve nga ana e kostove në ekonomi. Gjithashtu, rritja e ulët e çmimeve të konsumit ka pasqyruar pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare u përmirësuan në tremujorin e tretë të vitit 2011, duke shënuar një rritje vjetore prej 2.6% në këtë tremujor. Nga ana e prodhimit, kjo rritje u mbështet kryesisht nga degë të sektorit të industrisë dhe të shërbimeve. Nga ana e kërkesës, rritja ekonomike vijon të nxitet nga kërkesa e huaj, ndërkohë që kërkesa e brendshme mbetet e ngadaltë. Një model i ngjashëm rritjeje vlerësohet të jetë mbartur edhe në tremujorin e katërt të vitit të kaluar.

Duke analizuar përbërësit e kërkesës agregate, Banka e Shqipërisë vlerëson se kërkesa e huaj ka qenë burimi kryesor i rritjes së kërkesës gjatë vitit 2011. Edhe pse jo në nivelet e vitit të mëparshëm, eksportet vijojnë të shfaqin ritme rritëse. Të dhënat më të fundit të tregtisë së jashtme tregojnë për një rritje vjetore prej 20.7% të eksporteve tona në muajin dhjetor. Ndërkohë, importet kanë shpejtuar ritmin e rritjes në këtë muaj, duke shënuar një rritje vjetore prej 14.5%. Kjo ecuri e tyre është reflektuar në zgjerimin e deficitit tregtar me 12.0% në terma vjetorë. Në një masë të madhe, ecuria e deficitit tregtar reflekton ecurinë e çmimeve në tregjet botërore. Në terma realë, deficiti tregtar vlerësohet të jetë ngushtuar gjatë vitit 2011.

Të dhënat e tërthorta sugjerojnë për një ecuri të dobët të konsumit edhe në gjysmën e dytë të vitit 2011, por me tendencë përmirësimi në tremujorin e katërt të vitit. Të dhëna indirekte të përftuara nga ecuria e importit të mallrave të konsumit, nga treguesit fiskalë dhe nga treguesit e besimit të konsumatorit, japin sinjale për gjallërim të konsumit në këtë periudhë. Nga ana tjetër, prezenca e pasigurive për të ardhmen tek konsumatori shqiptar vijon të shkurajojë konsumin dhe të diktojë një sjellje të orientuar drejt kursimit.

Ecuria e investimeve private vlerësohet gjithashtu më e përmirësuar në tremujorin e katërt të vitit, por përmirësimi mbetet ende në degë të caktuara të ekonomisë ndërkohë që në nivel ekonomie ato mbeten të ulëta. Rritja nën potencial e ekonomisë dhe shkalla e ulët e shfrytëzimit të kapaciteteve kanë reduktuar incentivat për ndërmarrjen e investimeve të reja.

Kontributi i shpenzimeve fiskale në rritjen e kërkesës agregate ka qenë pozitiv gjatë vitit 2011, duke reflektuar një stimul të moderuar fiskal, veçanërisht në tremujorin e parë dhe të katërt të vitit. Politika fiskale është shfaqur e kujdesshme dhe është orientuar në ruajtjen e treguesve fiskalë brenda parametrave të shëndoshë. Deficiti buxhetor për vitin 2011 rezultoi 45.7 miliardë lekë, duke qëndruar brenda nivelit të parashikuar. Ecuria e tij ka reflektuar ritme të ulëta, si të të ardhurave, ashtu edhe të shpenzimeve fiskale, të cilat shënuan rritje vjetore prej përkatësisht 1.8% dhe 3.7% gjatë vitit 2011.

Ecuria e treguesve monetarë sugjeron për ekzistencën e presioneve të përmbajtura inflacioniste me natyrë monetare.

Agregati monetar M3 shënoi një rritje vjetore prej 9.2% në muajin dhjetor, duke ndjekur tendencat e ngadalësimit të shfaqura në pjesën e dytë të vitit 2011.

Analizat tona vlerësojnë se zgjerimi të parasë është në përputhje me kërkesën për para reale në ekonomi. Zgjerimi i masës monetare është mbështetur nga rritja e kërkesës së sektorit publik për financim në fund të vitit 2011, si dhe nga kontributi i qëndrueshëm i kërkesës së sektorit privat.

Kjo e fundit vijon të pasqyrojë zhvillimet në ekonominë reale, duke u kushtëzuar kryesisht nga ecuria e dobët e kërkesës për kredi nga bizneset dhe individët. Në muajin dhjetor, portofoli i kredisë të sistemit bankar për sektorin privat ishte 10.4% më i lartë se një vit më parë. Sikurse edhe pjesën më të madhe të vitit 2011, ajo ka reflektuar kërkesat e sektorit privat për financimin e nevojave për likuiditet, për konsum, dhe për investim, duke materializuar edhe hezitimin e sektorit privat për t’u angazhuar në projekte afatgjata. Përveç faktorëve të kërkesës, edhe oferta për kredi vlerësohet të ketë qenë më e shtrënguar në pjesën e dytë të vitit 2011, në pasqyrim të rritjes së kujdesit të sistemit bankar në kredi-dhënie.

Zhvillimet më të fundit në tregjet financiare janë ndikuar nga ecuria normale dhe e qetë e kërkesës dhe e ofertës, duke qenë njëkohësisht në linjë me sinjalet e dhëna nga politika monetare. Ulja e normës bazë të interesit në nivelin 4.5% është reflektuar në lehtësimin e kostos së huamarrjes për bankat, ndërkohë që pritet tejçimi i plotë i kësaj uljeje edhe në segmentet e tjera të tregut me maturitet më të lartë. Në përgjithësi, primet e rrezikut, të likuiditetit dhe të inflacionit në tregjet financiare mbeten të kontrolluara.

Projeksionet për ecurinë e pritur të ekonomisë në të ardhmen mbështesin vlerësimin për një rritje pozitive, por nën potencial, të ekonomisë shqiptare edhe në vitin në vazhdim. Kërkesa e huaj pritet të vijojë të japë një kontribut pozitiv në rritjen e kërkesës agregate, por në nivele më të moderuara.

Gjithashtu, edhe impulsi i dhënë nga sektori fiskal pritet të jetë në nivele më ulëta në krahasim me vitin që kaloi. Në këto kushte, shpejtësia dhe ritmi i rritjes së aktivitetit ekonomik në vend do të përcaktohet në një masë të madhe nga ecuria e komponentëve të kërkesës së brendshme private: konsumit dhe investimeve.

Analizat tona tregojnë se ekzistojnë hapësirat për një rritje më të lartë të tyre në të ardhmen. Kjo rritje do të mbështetet edhe nga kushtet monetare e financiare stimuluese, në reflektim të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

***

Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste mbeten të kontrolluara përgjatë horizontit kohor të veprimit të politikës monetare. Hendeku i prodhimit do të mbetet negativ në periudhën e ardhshme, duke u materializuar në presione të ulëta inflacioniste me origjinë nga kërkesa e brendshme. Gjithashtu, presionet inflacioniste nga zhvillimet në ekonominë botërore parashikohen të jenë në rënie, ndërsa pritjet për inflacionin paraqiten të ankoruara.

Kjo ecuri e pritur e treguesve realë e monetarë pasqyrohet në projeksionet për vlera të inflacionit brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë në periudhën e ardhshme.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.5%. Një vendim i tillë është në përputhje me përmbushjen e objektivit afatmesëm për inflacionin, duke mundësuar njëkohësisht kushte monetare të përshtatshme për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në vend. Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj zhvillimeve të ardhshme ekonomike dhe financiare, brenda dhe jashtë vendit, dhe vigjilente në përmbushjen e mandatit të saj.