BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 30 prill 2013

Data e publikimit: 30.04.2013

 

Sot, në datën 30 prill 2013, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.75%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme.

Në nivelin e tyre aktual, normat e interesit dhe situata e likuiditetit në ekonomi ofrojnë njëkohësisht stimulin e nevojshëm monetar për nxitjen e kërkesës së brendshme.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

aktiviteti ekonomik në vend u rrit me 1.6% gjatë vitit 2012. Ekonomia shqiptare shfaqi shenja dobësie gjatë vitit të kaluar, duke reflektuar pasigurinë e përgjithshme në ambientin e brendshëm dhe të jashtëm. Megjithatë, pavarësisht kontekstit të zhvillimeve të pafavorshme, treguesit kryesorë të balancave të brendshme e të jashtme të vendit kanë qëndruar brenda parametrave të shëndetshëm. Gjatë kësaj periudhe, inflacioni rezultoi brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe treguesit e shëndetit të sistemit bankar u përmirësuan.

Ruajtja e këtyre ekuilibrave krijon premisat e duhura makroekonomike për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Duke u rikthyer te ecuria e inflacionit, të dhënat e INSTAT-it tregojnë se çmimet e konsumit u rritën mesatarisht me 2.5%, në tremujorin e parë të vitit 2013. Ecuria e inflacionit vijon të përcaktohet nga çmimet e ushqimeve: kontributi i tyre përbën rreth 90% të inflacionit total. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve ushqimorë është balancuar nga reduktimi i inflacionit të mallrave të konsumit jo-ushqimor. Inflacioni i kësaj kategorie ka reflektuar rënien e çmimit të naftës, si pasojë e reduktimit të çmimit të saj në tregjet botërore. Efekt rënës në inflacion ka dhënë edhe reduktimi i çmimeve të mallrave të konsumit afatgjatë, ndërkohë që çmimet e kategorive të tjera të mallrave të konsumit nuk kanë shfaqur ndryshime të rëndësishme.

Nga këndvështrimi makroekonomik, ecuria e inflacionit vijon të reflektojë presionet e ulëta nga kahu i kërkesës agregate dhe mungesën e goditjeve të kahut të ofertës.

Rritja nën potencial e kërkesës agregate, sjell mos-shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese dhe gjeneron presione të ulëta për rritjen e pagave, të kostove të prodhimit, dhe të marxheve të fitimit të biznesit. Në këto rrethana, presionet e brendshme mbi çmimet e konsumit paraqiten të dobëta, sikurse reflektohen edhe nga niveli i ulët i inflacionit bazë. Nga ana tjetër, inflacioni i importuar ka rezultuar i përmbajtur, në prani të inflacionit të ulët në vendet partnere dhe të qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit.

Të dhënat më të fundit mbi ekonominë reale i përkasin tremujorit të katërt të vitit 2012. Sipas tyre, ekonomia shqiptare u rrit me 1.7%, e mbështetur nga zgjerimi i aktivitetit në sektorin e shërbimeve, të industrisë dhe të bujqësisë, ndërkohë që aktiviteti në sektorin e ndërtimit vijoi të tkurret. Të dhënat mbi ecurinë e aktivitetit ekonomik, në tremujorin e parë të këtij viti, mbeten të pakta.

Analizat tona, të bazuara mbi tregues indirektë, vlerësojnë se rritja ekonomike ka qenë e ulët - ajo është mbështetur kryesisht në kërkesën e huaj, ndërkohë që komponentët e kërkesës së brendshme vijojnë të shfaqin një ecuri të plogësht. Konsumi dhe investimet private mbeten të dobët, në prani të pasigurive për të ardhmen, të ngadalësimit të të ardhurave të disponueshme, të kushteve më të shtrënguara të financimit dhe të kapaciteteve të lira të prodhimit.

Ecuria e treguesve buxhetorë në tremujorin e parë të vitit, tregon për rritjen e stimulit fiskal. Deficiti buxhetor u rrit me 41.5% gjatë këtij tremujori, duke reflektuar rënien me 3.6% të të ardhurave fiskale dhe rritjen me 1.4% të shpenzimeve publike. Banka e Shqipërisë tërheq edhe njëherë vëmendjen për rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrave fiskalë dhe për kontrollin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik në nivele të përballueshme e të padëmshme për ekonominë shqiptare. Në opinionin tonë, prioriteti afatmesëm i politikës fiskale duhet të mbetet ruajtja e disiplinës buxhetore.

Në afat të gjatë, borxhi publik shqiptar duhet të reduktohet dhe të ankorohet në një rregull fiskal të besueshëm, efektiv dhe transparent.

Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë tregojnë për vazhdimësi të kontributit pozitiv të eksporteve neto në rritjen e kërkesës agregate. Të dhënat e tregtisë së jashtme për muajt janar dhe shkurt, tregojnë për ngushtimin vjetor me 27.1% të deficitit tregtar, duke reflektuar njëkohësisht rritjen e mëtejshme të eksporteve dhe ecurinë e dobët të importeve. Për këtë periudhë, importet janë tkurrur me 9.5% në terma vjetorë, ndërkohë që eksportet kanë ruajtur ritme të larta të rritjes vjetore, prej 18.6%.

Zhvillimet monetare kanë qenë në linjë me ecurinë e ekonomisë reale, gjatë tremujorit të parë. Në dy muajt e parë të vitit, kredia për ekonominë ka shfaqur një ecuri të dobët në të gjithë segmentet e saj.

Në fund të muajit shkurt, portofoli i kredisë së sektorit bankar ishte vetëm 1.7% më i lartë se një vit më parë. Sikurse e kemi theksuar, problemi kryesor i kreditimit mbetet kërkesa e ulët për kredi nga biznesi dhe konsumatori shqiptar. Megjithatë, edhe politikat kredituese të bankave paraqiten më konservatore, çka reflektohet edhe në kushte relativisht të shtrënguara kreditimi.

Vlerësimet për ecuri të përmbajtur të çmimeve të konsumit dhe për rritje të dobët të ekonomisë në periudhën e ardhshme, motivuan lehtësimin e mëtejshëm të politikës monetare në fillim të këtij viti. Në muajin janar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë uli me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 3.75%. Nëpërmjet ankorimit të pritjeve inflacioniste, qetësimit të presioneve të likuiditetit dhe uljes së normave afatshkurtra të interesit, politika monetare ka synuar të ulë koston e financimit afatgjatë të ekonomisë dhe të mbështesë rritjen e kredisë, të konsumit dhe të investimeve në vend.

Politika lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka gjetur pasqyrim të diferencuar në segmentet e tregut financiar. Reduktimi i radhës i normës bazë u reflektua shpejt dhe i plotë në tregun ndërbankar dhe në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë. Nga ana tjetër, tejçimi i saj në tregun e depozitave ka qenë i pjesshëm, ndërsa ai në tregun e kredisë, edhe më i zbehtë. Këto zhvillime ilustrojnë faktin se, në prani të primeve të shtuara të rrezikut dhe ndryshimeve strukturore të sjelljes në tregun financiar dhe në ekonominë reale, efektiviteti i veprimit të politikës monetare është më i ulët. Për këto arsye, Banka e Shqipërisë vendosi të mbështesë politikën e saj stimuluese monetare me ndërmarrjen e disa ndryshimeve në kahun lehtësues të kuadrit rregullator mbikëqyrës e makroprudencial. Këto masa, të cilat i kemi detajuar gjatë muajit të shkuar, synojnë të ulin më tej primet e likuiditetit dhe kostot e ndërmjetësimit në tregjet financiare, me qëllim nxitjen e kreditimit dhe rritjen e aktivitetit ekonomik.


Projeksionet tona për vitin 2013 mbështesin vlerësimin për një rritje ekonomike në nivele pranë atyre të vërejtura në vitin e kaluar. Kërkesa e huaj do të jetë nxitësi kryesor i rritjes së aktivitetit ekonomik, ndërkohë që në të njëjtin kah por me intensitet më të ulët, pritet të kontribuojë edhe politika fiskale gjatë vitit në vazhdim. Nga ana tjetër, ecuria e konsumit dhe investimeve private mbetet e dobët dhe e paqëndrueshme. Vazhdimësia e rritjes ekonomike nën potencial do të përcaktojë presione të ulëta inflacioniste edhe gjatë periudhës së ardhshme. Në mungesë të goditjeve të paparashikuara nga kahu i ofertës, çmimet e konsumit do të vazhdojnë rritjen me norma të ulëta. Me një probabilitet ndodhjeje 90%, inflacioni vjetor pritet të luhatet në intervalin 0.6% – 3.6%, pas 4 tremujorëve. Nivelet e ulëta të inflacionit vjetor dhe parashikimi për vazhdimësi të tyre përgjatë horizontit kohor të veprimit të politikës monetare, kushtëzojnë ruajtjen e natyrës stimuluese të politikës monetare monetar edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.75%. Ai konkludoi se kushtet monetare stimuluese krijojnë premisat për respektimin e objektivit të inflacionit në afat të mesëm, si dhe mbështesin rritjen e kërkesës agregate dhe shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese. Presionet e dobëta inflacioniste kërkojnë vazhdimin e një politike monetare stimuluese nga ana e Bankës së Shqipërisë. Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës rithekson nevojën e vazhdimit dhe thellimit të reformave strukturore, të cilat rritin produktivitetin dhe forcojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Këto reforma i hapin rrugë zgjerimit të potencialit ekonomik dhe duhen parë si instrumenti kryesor që mbështet rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të vendit.