BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Data e publikimit: 27.04.2011

 

Sot, në datën 27 prill 2011, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritshme të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25%. Në opinionin e Këshillit, kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit dhe për vazhdimin e stimulimit të aktivitetit ekonomik.

Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike, si dhe të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.

Ekonomia shqiptare vlerësohet të ketë patur një ecuri pozitive gjatë tremujorit të parë të vitit 2011. Aktiviteti ekonomik vlerësohet në rritje, ndërkohë që balancat kryesore makroekonomike janë përmirësuar dhe primet e rrezikut e normat e interesit në tregjet financiare kanë rënë. Rritja ekonomike gjatë vitit 2011 është mbështetur si nga kërkesa e huaj për mallrat shqiptare, ashtu edhe nga kërkesa e brendshme. Ecuria e konsumit dhe e investimeve në vend mbetet e ngadaltë, përtej efektit sezonal që karakterizon tremujorin e parë. Zgjerimi i shpejtë i eksporteve dhe rritja e moderuar e importeve kanë sjellë një përmirësim të deficitit tregtar, duke ndihmuar në balancimin e kërkesës dhe të ofertës për valutë dhe në ruajtjen e vlerës së monedhës vendase. Presionet inflacioniste të gjeneruara nga kërkesa mbeten të kontrolluara, si pasojë e ekzistencës së kapaciteteve të lira në ekonomi dhe përmbajtjes së konsumit, ndërkohë që rritja e çmimeve të importit ka qenë burimi kryesor i rritjes së çmimeve në vend.

Inflacioni në muajin mars 2011 arriti në 4.3%. Mesatarisht, gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, inflacioni rezultoi 4.0%, duke qëndruar një pikë përqindjeje mbi objektivin afatmesëm për inflacionin. Ekonomia e vendit tonë ka vijuar të rritet gjatë tremujorit të katërt të vitit 2010, dhe të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë se edhe tremujori i parë i vitit 2011 ka qenë pozitiv. Në terma mesatarë, kjo rritje vlerësohet të ketë qenë më e ulët se rritja potenciale e ekonomisë, duke sugjeruar se presionet inflacioniste nga ana e kërkesës së brendshme kanë qenë të dobëta. Rritja e shpejtë e çmimeve gjatë dy muajve të fundit i dedikohet kryesisht efektit të rritjes së çmimeve të mallrave ushqimore dhe çmimit të naftës në tregjet botërore, duke shkaktuar rritjen e lehtë të pritjeve inflacioniste dhe fillimin e shfaqjes së efekteve të raundit të dytë, në muajin shkurt. Në përgjigje të këtij fenomeni, Banka e Shqipërisë rriti normën e saj bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje në fund të muajit mars. Pritjet inflacioniste mbeten të ankoruara pranë objektivit afatmesëm të Bankës së Shqipërisë. Krahas kërkesës së brendshme, edhe qëndrueshmëria relative e kursit të këmbimit ka ndihmuar në frenimin e rritjes së mëtejshme të inflacionit.

foto web 3899 0

Më konkretisht, gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, inflacioni reflektoi rritjen e lartë të çmimeve të disa produkteve ushqimore, rritjen e mëtejshme të çmimeve të naftës, si dhe rritjen e çmimeve të barnave mjekësore. Me afrimin e stinës së ngrohtë, prodhimi vendas bujqësor pritet të kontribuojë në shtimin e ofertës në vend, duke zbutur presionet e larta të çmimeve të mallrave të importit.

Banka e Shqipërisë vlerëson se politikat në nxitje të prodhimit të brendshëm, që ulin ekspozimin e ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve të jashtme përbëjnë një domosdoshmëri.

Inflacioni vjetor i sektorit të mallrave të tregtueshme në tremujorin e parë të vitit 2011, rezultoi 4.9% duke shpjeguar rreth 75% të shifrës së inflacionit total. Shkaqet kryesore për këtë sjellje kanë qenë konjuktura e rënduar aktuale dhe e pritshme për çmimet e lëndëve të para, situata e pazakontë gjeopolitike në ekonomitë e rëndësishme prodhuese të naftës dhe të produkteve agro-industriale, si dhe kushtet e pafavorshme të motit të cilat kanë dëmtuar produktet bujqësore. Inflacioni i produkteve të patregtueshme të shportës së IÇK-së, i cili pasqyron presionet e brendshme, në tremujorin e parë të vitit 2011 rezultoi 2%. Kjo vlerë është e përafërt me atë të një viti më parë dhe e krahasueshme me mesataren e tij historike.

Prirja e inflacionit e zhveshur nga efektet e përkohshme mbi të, ose inflacioni bazë iu afrua vlerës 3.0%, duke arritur vlera të larta historike. Ky përbërës afatgjatë i inflacionit, tregon se pritjet inflacioniste në ekonomi, megjithëse reflektojnë një vlerë relativisht më të lartë, mbeten mirë të ankoruara me objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Në të ardhmen, presionet inflacioniste përgjatë horizontit kohor të veprimit të politikës monetare parashikohen të mbeten të larta, por intensiteti i tyre do të vijë në rënie gjatë vitit. Në vijim do të trajtoj në mënyrë të detajuar faktorët që përcaktojnë zhvillimet në inflacion së bashku me rreziqet përkatëse.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, aktiviteti ekonomik në botë ka shfaqur rritje, ndonëse papunësia mbetet e lartë. Rritja ekonomike pritet të intensifikohet në vazhdim, dhe i dedikohet kryesisht sektorit privat, duke krijuar kështu kushte për tërheqjen e sektorit publik.

Si rezultat i divergjencave të mëdha midis vendeve, sfidat me të cilat përballen autoritetet janë të ndryshme. Në ekonomitë e zhvilluara, fokusi është mbi zvogëlimin e borxhit publik dhe rregullimin e bilanceve financiare të agjentëve ekonomikë, ndërkohë që në vendet në zhvillim rreziku kryesor shfaqet në mbinxehjen e ekonomisë dhe në rritjen e lartë të kredisë. Presionet inflacioniste vlerësohen në rritje si rrjedhojë e goditjeve të ofertës në tregun e naftës dhe mallrave të tjera. Nga ana tjetër, si arsye e rritjes së shpejtë të kërkesës në disa nga vendet në zhvillim, çmimet e faktorëve të prodhimit si ai i energjisë, i lëndëve të para dhe i kostove të punës, janë rritur. Parashikimet për të ardhmen përmbajnë një nivel të rritur pasigurie, si pasojë e turbullirave social-politike dhe katastrofave natyrore në disa vende të botës. Rritja e çmimeve në nivel botëror dhe shkalla e përcjelljes së tyre në ekonomi të ndryshme ka ndikuar vendimet për normat e interesit të aplikuara nga disa banka qendrore. Kështu, si rezultat i pritjeve për një inflacion mbi nivelin e synuar, Banka Qendrore Evropiane vendosi të rrisë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje. Po ashtu, në tregjet financiare të huaja vihet re një rritje e lehtë e normave të interesit që faktorizon pritjet për një inflacion më të lartë.

Aktiviteti ekonomik në vend në tremujorin e katërt regjistroi një rritje prej 5.4% në terma vjetorë, duke ngushtuar ndjeshëm hendekun negativ të prodhimit. Rritja ekonomike u mbështet nga kërkesa e jashtme e nxitur pozitivisht nga rimëkëmbja e vazhduar e ekonomisë në nivel global. Përshpejtimi i normës vjetore rritëse të PBB-së reale në tremujorin e katërt, u nxit nga rritja e kontributit pozitiv të degës së industrisë. Ndërkohë, vlera e shtuar e sektorit të shërbimeve dhe e sektorit bujqësor kontribuan pozitivisht, por në një masë më të ulët, në rritjen vjetore të PBB-së reale.
Të dhënat më të fundit për tremujorin e parë të vitit 2011 nga vrojtimet e besimit të biznesit, nga ecuria e aktivitetit tregtar me jashtë, dhe nga treguesit monetarë e fiskalë, mbështesin vijimin e rikuperimit të aktivitetit ekonomik vendas, kryesisht prej kontributit pozitiv të sektorit prodhues.

Të dhënat e pjesshme që disponohen për konsumin privat, sugjerojnë një rritje të shpejtë të tij në terma vjetorë në tremujorin e katërt të vitit 2010. Ndërkohë, të dhëna të pjesshme për tremujorin e parë, sugjerojnë për një kontribut të moderuar të konsumit në kërkesën agregate. Vrojtimet e tremujorit të parë të vitit 2011 tregojnë se pasiguria për të ardhmen vlerësohet e lartë nga konsumatorët, duke ndikuar qëndrueshmërinë e rritjes së konsumit për periudhat në vazhdim. Banka e Shqipërisë gjykon se në terma afatshkurtër konsumatori shqiptar ka hapësirë për adoptimin e një sjelljeje më racionale në drejtim të zgjerimit të konsumit. Për sa i përket investimeve, vlerësohet se ecuria e tyre ka qenë më e qëndrueshme gjatë dy tremujorëve të fundit. Rritja e kërkesës së jashtme për bizneset prodhuese, pritjet pozitive për kërkesën në disa sektorë prodhues dhe lehtësimi i kushteve të financimit në tremujorin e fundit të vitit 2010 sinjalizojnë një vazhdimësi të kontributit pozitiv të investimeve private gjatë vitit në vazhdim. Megjithatë, shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese mbetet i ulët, dhe situata e konsumit të brendshëm mbetet e paqartë duke sugjeruar se ekonomia vazhdon të operojë nën potencialin e saj.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, vlerësohet se shpenzimet qeveritare kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbajtjen e kërkesës në nivele pozitive, ndryshe prej sjelljes së vënë re vitin e kaluar. Në fundin e tremujorit të parë të vitit 2011, deficiti buxhetor shënoi një vlerë prej 11.8 miliardë lekësh, kundrejt suficitit prej 0.7 miliardë lekësh të regjistruar në fundin e të njëjtit tremujor një vit më parë.

Gjatë kësaj periudhe, shpenzimet buxhetore janë rritur në terma nominalë me 16.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, kryesisht si pasojë e rritjes së shpenzimeve korente. Ruajtja e ritmeve të rritjes të ngjashme edhe përgjatë tremujorëve të tjerë të vitit, pritet të përkthehet në kontribut më të lartë të përbërësit të shpenzimeve qeveritare në kërkesën agregate, krahasuar me vitin 2010. Zhvillimet e vërejtura si në kahun e të ardhurave dhe atë të shpenzimeve, kanë shkaktuar rënien e balancës primare në vlera negative gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, pas një përmirësimi të dukshëm të saj në tremujorin e fundit të vitit 2010.

Në tremujorin e katërt të vitit 2010, pozicioni neto i llogarisë korente u vlerësua në deficit prej 373.6 milionë eurosh ose në 16.4% ndaj PBB-së nominale. Në ndryshim me tre tremujorët e parë të vitit ku u regjistrua një ngushtim vjetor i deficitit të llogarisë korente, në tremujorin e katërt të vitit 2010, ky deficit u zgjerua me rreth 15.1% në terma vjetorë. Faktori kryesor në zgjerimin e deficitit të llogarisë korente ka qenë zgjerimi i deficitit tregtar, megjithë rritjen e lartë të eksportit të mallrave dhe shërbimeve prej 20.7% në terma vjetorë. Kërkesa e huaj ka vijuar të mbështesë rritjen ekonomike edhe gjatë dy muajve të parë të vitit 2011. Performanca e mirë e eksporteve ka ndikuar në ngushtimin e deficitit tregtar me 5.9% në nivel vjetor për këtë periudhë. Raporti mesatar i mbulimit të importeve prej eksporteve u vlerësua në 47.3% dhe regjistroi pikën e tij më të lartë historike. Shkëmbimet tregtare shënuan një rritje vjetore prej 30.4% gjatë dy muajve të parë të vitit. Eksportet në vlerë, vijuan prirjen e përshpejtuar rritëse të nisur gjatë tremujorit të parë të vitit 2010 dhe u zgjeruan me 66% në nivel vjetor.


Kontributin kryesor në këtë ecuri e dha rritja treshifrore vjetore e eksportit të energjisë elektrike, ndërkohë që vihet re se eksportet e metaleve të përpunuara dhe të produkteve tekstile me karakter rieksportues kanë vijuar të kontribuojnë pozitivisht në ecurinë vjetore të eksporteve në vlerë.

Në periudhën pas krizës globale, ekonomia e vendit po përshtatet me një model të ri rritjeje, i cili kërkon ndryshime strukturore të rëndësishme. Gjatë këtij procesi rishpërndarjeje burimesh në sektorët më eficientë të ekonomisë, si dhe të një sjelljeje më konservatore ndaj konsumit të familjeve shqiptare, prodhimi potencial i saj pritet të jetë më i ulët për një periudhë afatmesme. Nga analiza e përbërësve të kërkesës rezulton se përmirësimi i ritmeve të rritjes në dy tremujorët e fundit mund të ketë ngushtuar ndjeshëm hendekun negativ të prodhimit, por ekzistenca e kapaciteteve të lira në ekonomi edhe gjatë vitit 2011, sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të operojë nën potencial, duke gjeneruar presione të dobëta inflacioniste nga kërkesa e brendshme.

Nga ana e ofertës, produktiviteti në rritje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2010 dhe rritja më e ngadaltë e kostove për njësi të punës, gjenerojnë presione më të ulëta inflacioniste nga ana e faktorit punë. Presionet inflacioniste mbi nivelin e çmimeve në vend, të cilat burojnë prej luhatjeve të çmimeve të naftës, dhe çmimeve të mallrave ushqimore në konjukturat ndërkombëtare, vlerësohen se do të jenë të pranishme gjatë vitit në vazhdim, por në rënie të vazhdueshme. Për shkak të situatës së rënduar gjeopolitike në botë, pasiguria që i rrethon këto pritje mbetet e lartë. Aftësia absorbuese e ekonomisë së brendshme ndaj këtyre goditjeve si dhe shmangja e presioneve të qëndrueshme në inflacion, do të jenë funksion i ecurisë së ekonomisë shqiptare dhe i kontrollit të pritjeve inflacioniste të agjentëve.

Ecuria e treguesve monetarë ka pasqyruar ngadalësim të ofertës monetare në dy muajt e parë të këtij viti, duke konfirmuar presione të përmbajtura inflacioniste me natyrë monetare. Agregati M3 shënoi një rritje mesatare vjetore me 11.2%. Përbërësi valutor i ofertës monetare ka dhënë një kontribut në rënie në zgjerimin e parasë së gjerë, por përdorimi i valutës së huaj në nivele të larta në sistemin bankar dhe në ekonomi mbetet një ndër dobësitë e ekonomisë shqiptare. Duke shprehur interesin e tij për të adresuar këtë problem, në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori vendimin për heqjen e remunerimit të rezervës së detyruar në valutë. Kjo masë, efektivisht do t’i nxisë bankat tregtare të ulin kostot e mbledhjes së fondeve, duke favorizuar ndërmjetësimin në monedhën vendase. Ritmi i kërkesës për para nga agjentët ekonomikë privatë dhe publikë është rritur. Vlerësimet tona tregojnë se zgjerimi monetar është në përputhje me kërkesën e sektorit privat të ekonomisë për para reale. Ecuria e kredisë për sektorin privat ka qenë në linjë me sjelljen sezonale të saj në këtë periudhë të vitit, duke u rritur mesatarisht me 10.1% në terma vjetorë. Edhe pse deri tani zhvillimet në kredi kanë qenë të ngadalta, ka shenja inkurajuese për një ecuri më të mirë të kredisë në të ardhmen. Kërkesa e sektorit privat për kredi, niveli i ulët i së cilës ka qenë edhe pengesa kryesore në gjallërimin e kredisë, është rritur në tremujorin e parë të vitit dhe pritet të rritet edhe në tremujorin e ardhshëm. Sistemi bankar gëzon shëndet dhe likuiditet të mirë për të mbështetur rritjen e kërkesës për kredi, madje edhe me kushte më të mira kreditimi. Banka e Shqipërisë mbështet iniciativat e bankave për të pastruar bilancet, duke synuar rritjen e transparencës dhe krijimin e fondeve të lira për të mbështetur aktivitetin kreditues.

Ecuria e përgjithshme e tregjeve financiare gjatë tremujorit të parë të vitit 2011 ka qenë pozitive.

Duke i qëndruar objektivit të saj kryesor të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, Banka e Shqipërisë mori vendimin për rritjen e normës bazë të interesit në fund të muajit mars. Ky vendim u reflektua në interesa më të larta në tregun ndërbankar, ndërkohë që ai pritet të përcillet edhe në tregjet e tjerë gjatë periudhës në vazhdim. Paralelisht me këtë lëvizje, Banka e Shqipërisë ka furnizuar tregun ndërbankar me likuiditetin e nevojshëm për funksionimin normal të tyre. Ndërkohë, në tregun e depozitave prirja rënëse e normave të interesit ka vazhduar. Për sa i përket ecurisë së normave të interesit në tregun e kredive ato janë luhatur, në rritje për lekun dhe në rënie për euron, ndonëse ky zhvillim gjykohet se përfaqëson politikat e veçanta të bankave për segmente të caktuara të ekonomisë. Së fundi, kursi nominal efektiv i këmbimit për të shtatin tremujor radhazi ka reduktuar prirjet e tij nënçmuese. Analizat tona tregojnë se në tërësi faktorët fondamentalë të ekonomisë po mbështesin një ekuilibër të ri të kursit të këmbimit, i cili dhe pse është më i lartë se tre vite më parë, është në përshtatje të ekuilibrave financiarë dhe ekonomikë në vend, duke mbështetur rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Ecuria e qëndrueshme e kursit të këmbimit ka shërbyer për konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar në vend, pa ushtruar presion mbi aktivitetin e bankave dhe sjelljen e agjentëve ekonomikë. 

Projeksionet tona për të ardhmen mbështesin ruajtjen e ecurisë pozitive të ekonomisë shqiptare edhe në vazhdim të vitit 2011. Konsumi dhe investimet private pritet të rriten më tej, ndërkohë që pas ngadalësimit në vitin 2010, edhe sektori fiskal pritet të japë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. Pavarësisht kësaj, rritja e kërkesës vlerësohet se do të jetë nën potencialin e ekonomisë sonë edhe për vitin 2011.

Kjo do të kushtëzojë presione rënëse mbi inflacion nga ekonomia e brendshme, të cilat pritet të balancojnë efektin e rritjes së çmimeve të huaja. Banka e Shqipërisë është e vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme në kohën e duhur për të respektuar objektivin e saj të inflacionit në periudhën afatmesme.

Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste në periudhën afatmesme janë të shtuara, por ato mbeten të kontrolluara. Ecuria e çmimeve të konsumit në të ardhmen pritet të jetë nën presionin e rritjes së çmimeve në tregjet botërore. Nga ana tjetër, kërkesa ende e pamjaftueshme do të vazhdojë të kushtëzojë nivele nën potencial të shfrytëzimit të kapaciteteve në vend, duke ushtruar presione në kahun rënës mbi inflacion. Pritjet inflacioniste vazhdojnë të jenë të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës konkludoi se kushtet monetare paraqiten të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme dhe vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25%.