BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 25.05.2011

 

Sot, në datën 25 maj 2011, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e tyre të pritshme , Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 %. Sipas opinionit të Këshillit, kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit dhe për vazhdimin e stimulimit të aktivitetit ekonomik.

(Më lejoni që në vijim të parashtroj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike, si dhe të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Ekonomia shqiptare vijon të ruajë një prirje pozitive zhvillimi. Gjallërimi i kërkesës së brendshme gjatë katër muajve të parë të vitit, si dhe kontributi pozitiv i kërkesës së huaj, kanë ndikuar në rritjen pozitive të ekonomisë shqiptare. Gjithashtu, balancat kryesorë makroekonomike mbeten të qëndrueshme dhe treguesit e sistemit financiar paraqiten përgjithësisht të përmirësuar.

25 05 2011 web 3947 0

Pas goditjes që pësoi në muajin shkurt, inflacioni i çmimeve të konsumit ka ndjekur një trajektore rënëse, në reflektim të presioneve të kontrolluara inflacioniste në ekonominë dhe në tregjet financiare shqiptare. Të dhënat e disponuara për tremujorin e parë të vitit 2011 tregojnë se aktiviteti ekonomik ka regjistruar rritje, por ekzistenca e kapaciteteve të lira sugjeron se kjo rritje mbetet nën potencial. Hendeku negativ i prodhimit nënkupton ekzistencën e presioneve të ulëta inflacioniste që gjenerohen nga kërkesa e brendshme, por goditjet e vazhdueshme të çmimeve të mallrave importit kanë sjellë një rritje të lehtë të pritjeve inflacioniste. Nga ana tjetër, qëndrueshmëria relative e kursit të këmbimit dhe rritja e ofertës së brendshme të mallrave ushqimorë, kanë qenë faktorë me ndikim pozitiv në frenimin e normës së inflacionit. Duke synuar stabilizimin e pritjeve inflacioniste në një periudhë afatmesme, Banka e Shqipërisë rriti me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit në fund të muajit mars.

Pas goditjes që pësoi në muajin shkurt, inflacioni i çmimeve të konsumit ka ndjekur një trajektore rënëse, në reflektim të presioneve të kontrolluara inflacioniste në ekonominë dhe në tregjet financiare shqiptare. Të dhënat e disponuara për tremujorin e parë të vitit 2011 tregojnë se aktiviteti ekonomik ka regjistruar rritje, por ekzistenca e kapaciteteve të lira sugjeron se kjo rritje mbetet nën potencial. Hendeku negativ i prodhimit nënkupton ekzistencën e presioneve të ulëta inflacioniste që gjenerohen nga kërkesa e brendshme, por goditjet e vazhdueshme të çmimeve të mallrave importit kanë sjellë një rritje të lehtë të pritjeve inflacioniste. Nga ana tjetër, qëndrueshmëria relative e kursit të këmbimit dhe rritja e ofertës së brendshme të mallrave ushqimorë, kanë qenë faktorë me ndikim pozitiv në frenimin e normës së inflacionit. Duke synuar stabilizimin e pritjeve inflacioniste në një periudhë afatmesme, Banka e Shqipërisë rriti me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit në fund të muajit mars.

Kjo lëvizje është përcjellë në tregjet financiare, në përputhje me kohëvonesat e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare.

Inflacioni në muajin prill 2011 arriti në 4.1%, duke zbritur gradualisht drejt objektivit të Bankës së Shqipërisë. Ecuria e inflacionit pasqyron rritjen e lartë të çmimeve të produkteve ushqimore, çmimet e rritura të disa mallrave të akcizës dhe në një masë më të vogël, inflacionin e çmimeve të administruara. Oferta më e lartë e mallrave bujqësore, ashtu si edhe në muajin mars, dha një kontribut pozitiv në reduktimin e normës vjetore të inflacionit. Në krahasim me muajin e kaluar, indeksi i çmimeve të konsumit ra me 0.6 %, duke shënuar vlerën më të ulët të inflacionit mujor të muajve prill në dhjetëvjeçarin e fundit.

Kategoritë “Ushqime të përpunuara” dhe “Mallra konsumi jo-ushqimorë”, ku përfshihen edhe nafta e barnat, kanë dhënë kontributin kryesor në inflacion. Kategoria e parë, pas rritjes së çmimeve të produkteve bazë në tregjet botërore, është dhe do të vijojë të mbetet përcaktuese e vlerave të inflacionit vjetor përgjatë gjithë vitit 2011. Kategoria e dytë ka shënuar vlera pozitive në rritje si rezultat i konjukturës globale të çmimeve të mallrave të kësaj kategorie, në veçanti të çmimit të naftës.

Krahas rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë, në inflacionin e muajit prill janë shfaqur edhe efektet e raundit të dytë, të materializuara në rritjen e çmimeve të disa shërbimeve. Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare duhet të gjejë hapësira për të përballuar goditjet e ofertës së jashtme apo luhatjet e çmimeve në tregjet botërore, nëpërmjet nxitjes së prodhimit të brendshëm në disa sektorë kyç.

Inflacioni vjetor i sektorit të mallrave të tregtueshme në muajin prill rezultoi 4.9%, duke shpjeguar rreth 73% të shifrës së inflacionit total. Niveli i lartë i inflacionit të këtij sektori të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK), ka vijuar të ndikohet nga nivelet e larta të çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore, nga parashikimet jo optimiste për to në terma afatmesme, si dhe nga efektet e ardhura nga kursi i nënçmuar i këmbimit. Nga ana tjetër, rënia e peshës së këtij komponenti në përcaktimin e inflacionit total ishte rezultat i hyrjes në treg të ofertës bujqësore vendase. Inflacioni i produkteve të patregtueshme, i cili pasqyron më mirë presionet e brendshme inflacioniste, rezultoi 2.5% në muajin prill, duke konfirmuar një prirje të lehtë në rritje. Prirja e inflacionit e zhveshur nga ndikimet e përkohshme mbi të, ose inflacioni bazë në muajin prill iu afrua vlerës 3.3%, duke arritur vlera të larta historike.

Ritmet mujore të rritjes së tij, të cilët janë një sinjalizues më i mirë i tendencës së pritjeve inflacioniste, shënuan megjithatë vlera më të ngadalësuara se në muajt paraardhës. Inflacioni bazë tregon se pritjet inflacioniste në ekonomi, megjithëse pasqyrojnë një vlerë relativisht më të lartë, mbeten  të mirëankoruara me objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë gjykon se, për periudhën në vazhdim, presionet inflacioniste përgjatë horizontit kohor të veprimit të politikës monetare do të mbeten relativisht të larta, por intensiteti i tyre do të vijë në rënie gjatë vitit. Në vijim do të trajtoj në mënyrë të detajuar faktorët që përcaktojnë zhvillimet në inflacion së bashku me rreziqet përkatëse.

Gjatë muajve të parë të vitit 2011, aktiviteti ekonomik botëror vazhdoi të rritet, ndonëse sinjalet që vijnë nga indekset e besimit sugjerojnë se rreziqet që shoqërojnë këto zhvillime pozitive mbeten të pranishme. Në nivel botëror, presionet inflacioniste janë rritur si rezultat i një kërkese më të lartë dhe i goditjeve të vazhdueshme të ofertës. Në ekonomitë e zhvilluara, shqetësimi kryesor mbetet konsolidimi fiskal dhe zvogëlimi i borxhit publik, ndërkohë që rritja e inflacionit ka zvogëluar hapësirën për stimul monetar.

Në vendet në zhvillim, momenti pozitiv i kërkesës botërore ka sjellë rritje të kërkesës agregate, ndërkohë që presionet inflacioniste në rritje kanë shkaktuar reagimin e bankave qendrore në drejtim të shtrëngimit të politikës monetare. Në tregjet financiare, shëndeti i bilanceve publike ka qenë përcaktues në ecurinë e yield-eve të disa shteteve, ndërkohë që tensionet politike në disa vende kanë rritur kërkesën për instrumentet e gjykuara si më të sigurta. Parashikimet për të ardhmen rrethohen nga një nivel i lartë pasigurie, si pasojë e rritjes së çmimeve në nivel botëror, konsolidimit fiskal në disa vende të zonës së euros dhe hapësirat më të ngushta për stimul fiskal e monetar.

Duke iu kthyer ekonomisë shqiptare, të dhënat më të fundit për tremujorin e parë të vitit 2011 nga vrojtimet e besimit të biznesit, nga ecuria e aktivitetit tregtar me jashtë, dhe nga treguesit monetarë e fiskalë, mbështesin vijimin e rikuperimit të aktivitetit ekonomik vendas, kryesisht prej kontributit pozitiv të sektorit prodhues Faktorët me ndikimin kryesor në këtë rritje kanë qenë kërkesa e jashtme dhe stimuli fiskal. Të dhënat e analizuara nga Këshilli Mbikëqyrës tregojnë se shpenzimet buxhetore të tremujorit të parë të vitit janë rritur me 16.8%, të mbështetura pjesërisht edhe nga rritja me 12.5 miliardë lekë e deficitit buxhetor, kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, informacioni i muajit prill tregon një rritje më të ngadaltë të të ardhurave buxhetore në këtë periudhë, duke theksuar nevojën e marrjes së masave për respektimin e nivelit të planifikuar të deficitit buxhetor. Të dhënat e ekonomisë reale sugjerojnë një rritje të ngadaltë të konsumit, në vijim të pasigurive mbi situatën e ardhshme të punësimit. Nga ana tjetër, ecuria më pozitive e kredisë për bizneset dhe rritja e importeve të mallrave kapitalë sugjeron se investimet kanë qenë më pozitive duke forcuar premisat për një rritje ekonomike më të qëndrueshme në të ardhmen. Vijimësia e investimeve të bizneseve nga ana tjetër kërkon reagimin e kërkesës konsumatore, për të cilën Banka e Shqipërisë gjykon se ka hapësira rritjeje. Nga ana tjetër, rritja afatgjatë e investimeve do të kushtëzohet nga aftësia e ekonomisë shqiptare për të tërhequr kapitalin e huaj. Në këtë kontekst, institucionet përgjegjëse, në nivel makro dhe mikroekonomik, duhet të forcojnë më tej punën për reformat strukturore të cilat zhvillojnë më tej avantazhet krahasuese të ekonomisë shqiptare dhe të rrisin konkurueshmërinë e ekonomisë sonë në tregjet e produkteve, të punës e të kapitalit. Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e parametrave të stabilitetit makroekonomik është një parakusht i domosdoshëm në këtë drejtim, duke e orientuar gjithnjë punën e saj nga garantimi i stabilitetit të çmimeve dhe mbështetja e stabilitetit financiar të vendit.

Të dhënat mbi ecurinë e aktivitetit tregtar të vendit tonë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, dëshmojnë për një ngushtim të lehtë të deficitit tregtar, i ndikuar prej rritjes së importeve dhe prej ngadalësimit të ritmeve rritëse të eksporteve gjatë muajit mars. Në nivel vjetor, deficiti i tregtisë në mallra u ngushtua me përafërsisht 0.3% dhe u vlerësua në nivelin 22.1% të PBB-së. Raporti i mbulimit të importeve prej eksporteve ishte mesatarisht 44.5%, ose rreth 9 pikë përqindjeje më i lartë krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës. Gjatë periudhës në analizë, eksportet në vlerë vijuan prirjen rritëse të nisur gjatë tremujorit të parë të vitit 2010 dhe u zgjeruan me 45.4% në nivel vjetor. Megjithatë, pas një rritjeje të përshpejtuar gjatë dy muajve të parë të vitit, ritmet rritëse të eksporteve tona janë zbutur ndjeshëm gjatë muajit mars. Gjatë së njëjtës periudhë, importet shënuan një rritje vjetore prej 15.9%. Në ndarjen e importeve sipas përdorimit final të tyre, spikat rritja e përshpejtuar e importit të mallrave të ndërmjetëm dhe të mallrave kapitalë. Projektimi i këtyre tendencave në të ardhmen, mund të shoqërohet me zgjerim të deficitit tregtar e të atij të llogarisë korrente të vendit. Banka e Shqipërisë është mjaft e vëmendshme ndaj këtij zhvillimi, duke qenë se ai kushtëzon ndjeshëm ekuilibrat e jashtëm të ekonomisë shqiptare dhe ato të tregut valutor.

Ekspansioni monetar gjatë tremujorit të parë të vitit 2011 ka qenë në përputhje me kërkesën për para të agjentëve ekonomikë, duke shënuar një rritje vjetore të qëndrueshme rreth nivelit 11%. Rritja prej 6.2% e ofertës së parasë reale në terma vjetorë ka qëndruar pranë niveleve më të ulta historike. Ritmet e moderuara të rritjes së agregatit M3 dhe të treguesve të tjerë monetarë, janë në linjë me vlerësimet e deritanishme për ekzistencën e presioneve të përmbajtura inflacioniste me natyrë monetare. Kjo prirje mbështetet edhe nga zhvillimet në treguesin e parasë jashtë bankave. Ky tregues vijon të reduktohet në terma vjetorë dhe, së bashku me zhvendosjen e strukturës së depozitave drejt maturiteteve më të gjata, tregon për një preferencë më të ulët drejt likuiditetit të agjentëve ekonomikë.

Në muajin mars ekspansioni vjetor i parasë së gjerë është mbështetur nga rritja e kredisë për sektorin privat, e cila u shfaq më e gjallëruar gjatë këtij muaji, në linjë me sjelljen sezonale të saj. Kontributi në rritje i kërkesës për para nga sektori privat i ekonomisë ka kompensuar rënien graduale të mjeteve valutore neto. Kërkesa për para e sektorit publik ka qenë në rritje, në mbështetje të sjelljes më aktive të qeverisë në tremujorin e parë të vitit. Në terma vjetorë, portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi rritje me 11.5%, nga 10.3% në muajin shkurt.

Kredia për biznese mbetet kontribuuesi kryesor në zgjerimin e kredisë për sektorin privat. Ndërkohë, gjatë muajit mars, shenja pozitive ka shfaqur edhe kredia për individë.

Ecuria e përgjithshme e tregjeve financiare gjatë katër muajve të parë të vitit 2011 ka qenë pozitive. Informacioni i përcjellë nga tregjet financiare tregon për pritje të ankoruara inflacioniste të agjentëve. Rritja e normës bazë në fund të muajit mars është përcjellë tek normat afatshkurtra të interesit në tregun e parasë, duke sjellë një sheshim të lehtë të pjerrësisë së yield-eve të bonove të thesarit. Në tregun e depozitave ka vazhduar rënia e normave të interesit, duke reflektuar edhe korrektimin e niveleve të larta që shënuan ato pas vitit 2008. Tregu i shkëmbimeve valutore ka operuar i qetë dhe kursi i këmbimit ka vijuar të nënçmohet me ritme të ulëta vjetore. Banka e Shqipërisë ka furnizuar tregun ndërbankar me likuiditetin e nevojshëm për funksionimin normal të tyre.

Në mënyrë të përmbledhur, Banka e Shqipërisë gjykon se presionet relativisht të larta inflacioniste të tremujorit të parë të vitit kanë përgjithësisht natyrën e goditjeve kalimtare. Faktorët e tjerë që ndikojnë në inflacion, si ecuria aktuale dhe e pritur ekonomike përkundrejt ritmit potencial të zhvillimit, ekspansioni i mjeteve monetare në ekonomi, dhe pritjet e publikut e të tregjeve financiare, ushtrojnë ndikim frenues në inflacion.

Projeksionet tona për të ardhmen mbështesin ruajtjen e ecurisë pozitive të ekonomisë shqiptare edhe në vazhdim të këtij viti. Konsumi dhe investimet private pritet të rriten më tej, ndërkohë që pas ngadalësimit në vitin 2010 edhe sektori fiskal pritet të japë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. Pavarësisht kësaj, rritja e kërkesës vlerësohet se do të jetë nën potencialin e ekonomisë sonë edhe për vitin 2011. Kjo do të kushtëzojë presionet rënëse mbi inflacion nga ekonomia e brendshme, të cilat pritet të balancojnë efektin e rritjes së çmimeve të huaja. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë është e vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme në kohën e duhur për të respektuar objektivin e saj të inflacionit në periudhën afatmesme.

***

Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste në periudhën afatmesme janë të kontrolluara. Pritjet inflacioniste vazhdojnë të jenë të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Në mungesë të goditjeve të papritura, në periudhën afatmesme inflacioni pritet të jetë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Faktorët e rrezikut që rrethojnë këtë skenar bazë paraqiten gjithashtu të balancuar.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës konkludoi se kushtet monetare paraqiten të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme dhe vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 %.