BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 22 dhjetor 2010

Data e publikimit: 22.12.2010

 

Sot, në datën 22 dhjetor 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare për muajin dhjetor. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e financiare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritshme të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.00%. Këshilli Mbikëqyrës i gjykon kushtet monetare aktuale të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit në afat të mesëm.

Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike, si dhe të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme, të cilat motivuan vendimin e mësipërm.

***

Analizat tona, të bazuara në të dhënat më të fundit ekonomike e financiare të disponuara, konfirmojnë vazhdimësinë e ritmeve pozitive të rritjes ekonomike edhe në gjysmën e dytë të vitit. Vlerësimi i rritjes ekonomike sipas komponentëve të kërkesës agregate tregon një mbështetje më të madhe të saj në kërkesën e huaj për mallra e shërbime shqiptare, ndërkohë që rritja e kërkesës së brendshme paraqitet ende e zbehtë.

Ecuria e kësaj të fundit është kushtëzuar nga tërheqja e stimulit fiskal, e cila ka qenë veçanërisht e ndjeshme në gjysmën të dytë të vitit. Nga ana tjetër, rritja e konsumit dhe e investimeve të sektorit privat të ekonomisë ka vijuar të jetë e dobët, kryesisht si pasojë e një sjelljeje më konservatore të familjeve e bizneseve në vendimet e tyre për shpenzim e investime. Megjithë regjistrimin e normave pozitive të rritjes, aktiviteti ekonomik në vend mbetet ende nën nivelin e tij potencial, duke gjeneruar presione rënëse në inflacion gjatë vitit 2010.

Gjithashtu, analiza e treguesve monetarë konfirmon ekzistencën e presioneve të kontrolluara inflacioniste në ekonomi për periudhën afatmesme. Në këto rrethana, norma vjetore e inflacionit të çmimeve të konsumit ka ardhur në rënie gjatë gjysmës së dytë të vitit. Në muajin nëntor, ky inflacion rezultoi 2.8%, duke zbritur lehtësisht nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Në mënyrë më të detajuar, të dhënat më të fundit nga ekonomia botërore konfirmojnë vlerësimet për ritme më të moderuara të rritjes ekonomike dhe të shkëmbimeve tregtare në gjysmën e dytë të këtij viti. Në vendet kryesore të zhvilluara, vazhdimësia e rritjes ekonomike është vështirësuar nga vijimi i korrektimit të bilanceve të agjentëve ekonomikë, nga ecuria e dobët e tregut të punës dhe nga besimi ende i ulët konsumator.

Ndërkohë, në vendet në zhvillim, rikuperimi ekonomik ka vijuar të jetë më i qëndrueshëm se në vendet e industrializuara, edhe pse më i moderuar se në gjysmën e parë të vitit. Presionet inflacioniste mbeten përgjithësisht të kontrolluara, në prani të një hendeku negativ prodhimi në nivel botëror.

Duke iu rikthyer zhvillimeve në ekonominë vendase, të dhëna të tërthorta sugjerojnë për një rritje të ngadaltë të konsumit dhe të investimeve private në tremujorin e tretë të vitit. Edhe pse në prani të rritjes së të ardhurave – siç dëshmohet nga ecuria e pagës reale, e numrit të të punësuarve dhe e remitancave – kërkesa konsumatore vijon të jetë e dobët.

Ecuria e shpenzimeve konsumatore kushtëzohet kryesisht nga pasiguria për të ardhmen, sikurse ilustrohet nga të dhënat e vrojtimit konsumator, ndërkohë që fenomeni i rregullimit të bilanceve financiare të familjeve shqiptare është më pak i nevojshëm se në vendet e tjera.

Investimet private në ekonomi mbeten ende të dobëta, ndonëse tregues të tërthortë, si rritja e qëndrueshme e kredisë për investime dhe rritja e investimeve të huaja direkte gjatë tremujorit të tretë të vitit, dëshmojnë për ritme pozitive rritjeje në këtë periudhë. Megjithatë, në prani të kapaciteteve të lira në ekonomi si dhe të kushteve ende të shtrënguara të financimit, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme, rritja e tyre vlerësohet të ketë qenë e ngadaltë.

Duke parë nga e ardhmja, e gjej me vend të ritheksoj edhe një herë mesazhin e dhënë në vazhdimësi nga Banka e Shqipërisë se perspektiva e zhvillimit të ekonomisë shqiptare mbetet pozitive. Në këtë kontekst, ne gjykojmë se biznesi e konsumatori kanë hapësira për rishikimin e sjelljes së kujdesshme të adoptuar prej tyre në drejtim të konsumit e të investimeve.

Pas sjelljes kundërciklike të shfaqur gjatë vitit 2009, politika fiskale gjatë vitit 2010 është orientuar drejt konsolidimit fiskal dhe kontrollit të deficitit buxhetor e të borxhit publik. Të dhënat e disponuara deri në muajin tetor, tregojnë se të ardhurat publike janë rritur me ritme të moderuara, ndërkohë që shpenzimet buxhetore kanë qenë më të ulëta se një vit më parë.

Kjo sjellje e kujdesshme fiskale është materializuar në një deficit prej rreth 23.3 miliardë lekësh; deficit ky rreth 53% më i ulët se një vit më parë.

Vijimi i kësaj përqasjeje fiskale, të orientuar drejt kontrollit të qëndrueshmërisë afatgjatë të borxhit publik, do të krijojë një shtrat të përshtatshëm për uljen e primeve të rrezikut, për kontrollin e ekuilibrave makroekonomikë dhe për zhvillimin e sektorit privat në të ardhmen.

Të dhënat për shkëmbimet tregtare me vendet e tjera tregojnë për vazhdimësinë e kontributit pozitiv të kërkesës së huaj në rritjen ekonomike, por me ritme më të moderuara në krahasim me gjysmën e parë të vitit. Rritja vjetore e eksporteve prej 63.4% gjatë muajit tetor ishte në linjë me rritjen e shfaqur gjatë tremujorit të tretë, por më e ulët se ajo e gjysmës së parë të vitit.

Ky ngadalësim ka ardhur kryesisht si pasojë e reduktimit të pritur të eksporteve të energjisë elektrike, por rritja e eksporteve vijon të ketë një bazë të gjerë. Nga ana tjetër, rritja e importeve gjatë tremujorit të tretë e në vijim është reflektuar në një korrektim më të ulët të deficitit të eksporteve neto.

Ky deficit u ngushtua me 10.7% në terma vjetorë gjatë kësaj periudhe, nga një mesatare prej 18.5% gjatë dy tremujorëve të parë të vitit.

Kjo dinamikë sugjeron se pozicioni i jashtëm i ekonomisë shqiptare mbetet një dobësi strukturore e saj, e cila kërkon vëmendje të mëtejshme nga politikat makroekonomike e reformat strukturore.

Vazhdimësia e hendekut negativ të prodhimit, në prani të një ecurie të qëndrueshme të kursit të këmbimit, të shuarjes së efektit të rritjes së disa prej çmimeve të administruara, si dhe të pritjeve të ankoruara inflacioniste, janë materializuar në rënien e mëtejshme të normës vjetore të inflacionit në muajin nëntor.

Inflacioni vjetor rezultoi 2.8%, duke rënë për herë të parë gjatë këtij viti poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni bazë vjetor për këtë muaj rezultoi 2.0%, duke konfirmuar ekzistencën e presioneve të dobëta nga kahu i kërkesës.

Zhvillimet monetare kanë qenë në linjë me ecurinë e treguesve të ekonomisë reale. Paraja e gjerë, M3, është rritur me 11.7% në muajin tetor, duke qëndruar pranë mesatares historike të saj. Vlerësimet tona tregojnë se zgjerimi i ofertës monetare është në përputhje me kërkesën reale të agjentëve ekonomikë për para.

Kërkesa e moderuar e sektorit privat për para është reflektuar edhe në aktivitetin kreditues. Kredia për sektorin privat u rrit me 8.0%, në terma vjetorë gjatë muajit nëntor, ritme këto në nivele të ulëta historike. Gjatë vitit 2010 vihet re një rigjallërim i kredisë për investime biznesi, e mbështetur edhe nga rritja e aktivitetit kreditues në valutë. Kredia hipotekare dhe ajo për konsum shfaqin një ecuri të dobët.

Analizat tona tregojnë se kushtet e kreditimit të aplikuara nga sistemi bankar, kryesisht ato “jokosto”, kanë ende hapësira për lehtësim të mëtejshëm.

Megjithatë, problemi kryesor i cili kushtëzon ecurinë jo të kënaqshme të aktivitetit kreditues është kërkesa e ulët e bizneseve dhe e individëve. Banka e Shqipërisë vlerëson se, me rikuperimin e kësaj kërkese, sistemi bankar i plotëson parakushtet e nevojshme për të përmbushur funksionin e tij të ndërmjetësimit financiar: ai mbetet një sistem likuid, si në lekë ashtu edhe në valutë, dhe i mirëkapitalizuar.

Tregjet financiare janë paraqitur të qeta, të karakterizuara nga prime të ulëta rreziku. Normat afatshkurtra të interesit në tregun ndërbankar kanë qëndruar pranë normës bazë. Në tregun primar, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë vijuar të bien më tej, duke reflektuar likuiditetin e kënaqshëm të sistemit bankar dhe kërkesën e ulët të qeverisë për financim. Norma e interesit në tregun e kredive në lekë mbetet në nivele të ulëta historike, ndërkohë që ajo në tregun e depozitave ka shënuar rënie të mëtejshme.

Leku ka vijuar të ngushtojë nënçmimin e tij kundrejt monedhave të huaja dhe tregtimi i këtyre të fundit në tregun vendas ka qenë i qetë dhe me luhatshmëri të ulët.

***

Projeksionet tona sugjerojnë se aktiviteti ekonomik gjatë vitit të ardhshëm do të jetë në linjë me ecurinë e tij gjatë vitit 2010. Rritja ekonomike do të jetë në terma pozitivë, por ekonomia shqiptare do të vazhdojë të karakterizohet nga prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara, duke prodhuar një ambient me presione të përmbajtura inflacioniste. Pritjet inflacioniste vazhdojnë të jenë të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Inflacioni i çmimeve të konsumit parashikohet të qëndrojë afër objektivit tonë prej 3% edhe gjatë vitit 2011.

Shpërndarja e rreziqeve rreth këtij skenari bazë paraqitet relativisht e balancuar.

Në kahun rritës:

  • një ecuri më e mirë e ekonomisë shqiptare si pasojë e rritjes së shpejtë të shkëmbimeve tregtare me jashtë apo si pasojë e një stimuli më të lartë fiskal,
  • një rritje e mëtejshme e çmimeve të administruara,
  • apo një rritje e mëtejshme e çmimeve në tregjet botërore të lëndëve të para,
    mund të ndikojnë në forcimin e presioneve inflacioniste.

Në kahun rënës, mungesa e aftësisë së sektorit privat të ekonomisë për të zëvendësuar kontributin në rënie të kërkesës së huaj, mund të ndikojë në zgjerimin e hendekut negativ të prodhimit dhe të shoqërohet me dobësimin e mëtejshëm të presioneve inflacioniste.

Duke vënë në balancë vlerësimin e mësipërm, Këshilli Mbikëqyrës arriti në përfundimin se kushtet monetare janë të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme. Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.00%.