BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 23 mars 2011

Data e publikimit: 23.03.2011

 

Sot, në datë 23 mars 2011, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas kësaj rritjeje, norma bazë e interesit shkon në nivelin 5.25 për qind.

Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike, si dhe të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.

***

Ekonomia botërore karakterizohet nga shenja të qarta rritjeje gjatë tremujorit të parë të vitit 2011. Vendet në zhvillim mbeten udhëheqëset e rritjes ekonomike botërore, ndërkohë që ekspansioni ekonomik në vendet e zhvilluara është më i zbehtë. Ekonomia e Eurozonës, vendet anëtare të së cilës janë edhe partnerët tanë kryesorë tregtarë, ka vijuar të rritet gjatë kësaj periudhe. Kjo ekonomi vazhdon të përjetojë gjithashtu tensione të rritura financiare dhe rritje të ulët ekonomike në vendet periferike të saj. Projeksionet për të ardhmen flasin për forcimin e mëtejshëm të ekonomisë botërore, por kjo rritje do të kushtëzohet dukshëm nga procesi i korrektimit fiskal të ndërmarrë në shumë vende si dhe nga tendecat rritëse të inflacionit.

Nga ana tjetër, gjallërimi i kërkesës botërore, probleme strukturore me ofertën, si dhe faktorë klimaterikë apo zhvillime gjeopolitike në rajone të caktuara, kanë çuar në rritjen e çmimeve të lëndëve të para dhe të mallrave bazë. Kjo rritje çmimesh është bërë veçanërisht e ndjeshme për produktet bujqësore e agroindustriale, duke i risjellë indekset e tyre pranë rekordeve historike të shënuara në vitin 2008. Për rrjedhojë, presionet inflacioniste janë shtuar dhe çmimet e konsumit kanë pësuar tendenca të forta rritëse.

Këto zhvillime janë reflektuar edhe në ekonominë shqiptare. Nën ndikimin e fortë të rritjes së çmimeve në tregjet botërore, norma vjetore e inflacionit kërceu në nivelin 4.5 për qind në muajin shkurt, duke sinjalizuar për një përcjellje më të madhe të presioneve inflacioniste në tregun e brendshëm. Ndërsa kahu i lëvizjes së inflacionit ishte i pritur dhe i komunikuar nga Banka e Shqipërisë, shpejtësia e rritjes së tij nuk ishte. Në këndvështrimin e kompozimit të shportës, rritja e inflacionit në muajin shkurt u shkaktua nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të produkteve energjetike. Në veçanti, inflacioni i ushqimeve të përpunuara dhe të papërpunuara është përgjegjës për rreth 70 për qind të inflacionit total, ndërsa rritja e çmimeve të administruara kontribuoi me 0.4 pikë përqindjeje në këtë inflacion. Ndikimi i rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore në inflacion është më i ndjeshëm në vendet në zhvillim, si Shqipëria, ku këto produkte kanë një peshë të konsiderueshme në shportë. Nga ana tjetër, pesha e konsiderueshme bën që rritja e këtyre çmimeve të transmetohet edhe në rritjen e inflacionit bazë, inflacion i cili u rrit në 3.2 për qind në muajin shkurt, dhe të zhvendosë në kahun rritës pritjet inflacioniste në ekonomi. Grupet e tjera të shportës kanë dhënë një ndikim më të vogël në inflacion, por kontributi i disa prej tyre ka ardhur në rritje.

Në kontekstin makroekonomik, rritja e inflacionit në muajin shkurt i detyrohet pothuajse tërësisht presioneve të shtuara inflacioniste me origjinë nga ekonomia e jashtme ndërkohë që presionet inflacioniste nga ekonomia e brendshme vijojnë të jenë të kontrolluara. Zhvillimet në ekonominë reale vazhdojnë të rezultojnë në kapacitete të lira prodhuese, si në tregun e punës ashtu edhe në atë të kapitalit, dhe në një hendek ende negativ prodhimi.

Duke kaluar në vlerësimin e ekonomisë së brendshme, duhet theksuar se gjykimi jonë mbi ecurinë e ekonomisë reale mbetet përgjithësisht i njëjtë me atë të muajve të mëparshëm. Mbulimi me shifra i ekonomisë reale në muajt e parë të vitit është i ulët, por të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se ritmet pozitive të rritjes janë mbartur edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Të dhënat më të fundit nga tregtia e jashtme dhe sektori fiskal, kanë konfirmuar pritjet tona për një kontribut të shtuar të kërkesës së brendshme në rritjen ekonomike. Ky kontribut i detyrohet në një masë të madhe rritjes shpenzimeve publike dhe të deficitit buxhetor gjatë tre muajve të parë, duke reflektuar dhe duke i paraprirë një pozicioni më stimulues të politikës fiskale në kërkesën agregate të vitit 2011.

Në terma sasiorë, shpenzimet buxhetore u rritën me 14% në terma vjetorë në muajin janar, në sajë të rritjes me rreth 8 për qind të shpenzimeve korrente dhe të rritjes me 40 për qind të shpenzimeve kapitale. Konsumi dhe investimet private vlerësohet të jenë rritur me ritme të përmbajtura, duke dhënë një kontribut të ulët në kërkesën e brendshme. Të dhënat më të fundit mbi sektorin e jashtëm të ekonomisë tregojnë për një kontribut në rënie të kërkesës së huaj në kërkesën agregate në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Deficiti i eksporteve neto u zgjerua me 2.3%, si rrjedhojë e rritjes më të lartë të importeve në këtë tremujor. Të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin janar ecin gjithashtu në të njëjtën linjë. Eksportet e mallrave kanë ruajtur ritmet e larta të rritjes, duke u rritur me 53.8% në terma vjetorë ndërsa importet kanë shënuar një rritje vjetore prej 19.3%. Këto zhvillime kanë rezultuar në zgjerimin në terma vjetorë të deficitit tregtar me rreth 3.0%.

Analiza e zhvillimeve monetare konfirmon vlerësimet e deritanishme për presione të kontrolluara me natyrë monetare në afat të mesëm. Ritmet e rritjes nominale të ofertës monetare u zbutën në 11.5%, duke qenë rreth 1 pikë përqindje më të ulëta se ato të muajit dhjetor. Rritja e depozitave në sistemin bankar vijon të jetë e qëndrueshme dhe gjendja e likuiditetit në të është e përmirësuar.

Nga ana tjetër, me gjithë shenjat e gjallërimit të shfaqura së fundmi, kreditimi i ekonomisë po rritet me ritme të ngadalta. Rritja vjetore e kredisë në muajin janar shënoi 9.8%, në reflektim të njëkohshëm të kërkesës së moderuar për kredi dhe të sjelljes sezonale të saj në muajt e parë të vitit. Informacioni i marrë nga tregjet financiare dëshmon gjithashtu për prime të ulëta të rrezikut dhe të likuiditetit. Normat e interesit në tregun ndërbankar kanë marrë vlera pranë normës bazë të interesit dhe kanë shfaqur luhatshmëri të ulët. Në tregun primar, yield-et kanë shënuar një rritje të lehtë, duke reflektuar kërkesën më të lartë të sektorit fiskal për financim dhe duke korrektuar kështu një pjesë të rënies së fortë të shfaqur prej tyre gjatë dy muajve të fundit të viti të kaluar. Tregu valutor ka qenë gjithashtu i qetë dhe ecuria e kursit të këmbimit karakterizohet nga një nënçmim mjaft i ulët vjetor.

***

Në vijim të mbledhjes, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë diskutoi mbi ecurinë aktuale dhe të pritur të inflacionit. Në opinionin e Këshillit, rritja e shpejtë e inflacionit në muajin shkurt sugjeron se presionet nga inflacioni i importuar paraqiten më të larta sesa vlerësimet tona fillestare dhe efekti i tyre është duke u transmetuar më i plotë.
Presionet inflacioniste kanë përgjithësisht origjinë të huaj dhe natyrën e goditjeve të ofertës. Por, masa e importimit të presioneve të jashtme inflacioniste dhe materializimi i shpejtë i tyre në çmimet e konsumit në vend tregon se aftësia e tregtarëve dhe bizneseve për të diktuar çmimet finale në ekonomi është rritur. Ky zhvillim mund të jetë ndihmuar nga rigjallërimi i kërkesës në vend. Ai mund të tregojë gjithashtu zhvendosje në kahun lart të pritjeve inflacioniste në ekonomi apo edhe tendenca të shfaqjes së efekteve të raundit të dytë, duke gjykuar nga zgjerimi i bazës së artikujve që kontribuojnë në inflacion.

Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste në periudhën afatmesme paraqiten të rritura. Ecuria e çmimeve të konsumit në të ardhmen pritet të jetën nën presionin e rritjes së çmimeve në tregjet botërore. Duke faktorizuar edhe projeksionet për çmime të larta të produkteve bujqësore e të naftës në këto tregje, projeksioni bazë i inflacionit paraqitet në rritje në krahasim më muajt paraardhës. Gjithsesi, ecuria faktike e inflacionin do të varet në një masë të madhe nga ankorimi i pritjeve inflacioniste të publikut dhe nga prania e intensitetit të efekteve të raundit të dytë.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 5.25 për qind. Rritja e normës bazë së interesit synon të krijojë kushte monetare të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në periudhën afatmesme. Kjo rritje e rivendos normën e faktuar reale të interesit në linjë me tendencat e saj historike, pas rënies së fortë që pësoi kjo normë nga rritja e inflacionit dhe e projeksioneve të tij. Ajo gjithashtu reflekton ndikimin e pritur të politikës fiskale në ekonomi, duke ruajtur pozicionin stimulues të politikave makroekonomike por duke i bërë ato më të kujdesshme në kushtet e realitetit të ri. Në linjë me horizontin afatgjatë kohor të veprimit të politikës monetare, objektivi final i kësaj lëvizjeje mbetet ankorimi i pritjeve të publikut për inflacionin pranë objektivit 3 për qind të Bankës së Shqipërisë, duke synuar parandalimin e minimizimin e efekteve të raundit të dytë.

Banka e Shqipërisë gjykon se ky hap, i marrë në momentin e duhur, do të kontribuojë në frenimin e rritjeve të përgjithshme apo spekulative të çmimeve, duke mos cënuar në të njëjtën kohë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike.