BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 23 shkurt 2011

Data e publikimit: 23.02.2011

 

Sot, në datë 23 shkurt 2011, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritshme të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.00 për qind. Në opinionin e Këshillit, kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit në horizontin afatmesëm dhe për mbështetjen e aktivitetit ekonomik në vend.

Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike, si dhe të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.

* * *

Të dhënat më të fundit nga ekonomia botërore konfirmojnë momentin pozitiv të aktivitetit ekonomik në ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Megjithë tërheqjen graduale të stimujve fiskalë e monetarë, rritja ekonomike ka qenë e qëndrueshme, si pasojë e gjallërimit të kërkesës së sektorit privat në vendet në zhvillim.

Nga ana tjetër, kërkesa e shtuar ka nxitur rritjen e çmimeve të lëndëve të para, të mallrave bazë dhe të artikujve ushqimorë, duke ndikuar në zhvendosjen e presioneve inflacioniste në kahun rritës. Megjithatë, inflacioni i çmimeve të konsumit në nivel botëror mbetet ende i përmbajtur, për sa kohë që ekonomitë e mëdha vazhdojnë të karakterizohen nga rritje ekonomike nën potencial. Tregjet financiare botërore janë duke u përmirësuar, por ato janë ende mjaft të ndjeshme ndaj perspektivave fiskale të ekonomive të veçanta dhe ndaj tensioneve në eurozonë. Gjithashtu, këto tregje shfaqin një vëmendje krahasimisht të ulët për vendet e Evropës Juglindore, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Në tërësi, rritja ekonomike botërore pritet të mbetet në nivele të larta edhe për periudhën në vazhdim, duke kontribuar gjithashtu në nxitjen e presioneve inflacioniste dhe duke rritur vëmendjen e autoriteteve monetare ndaj ekuilibrave makroekonomikë.

Zhvillimet ekonomike e monetare në vend kanë vijuar të prodhojnë një ambient me presione të kontrolluara inflacioniste. Inflacioni vjetor në muajin janar 2011 rezultoi 3.3%, duke rënë me 0.1 pikë përqindjeje në krahasim me dhjetorin e vitit 2010. Rënia e inflacionit në muajin janar është diktuar tërësisht nga efekti statistikor i shuarjes së ndikimit rritës në inflacion të disa çmimeve të administruara. Nga ana tjetër, mallrat ushqimorë dhe nafta kanë patur një rritje të ndjeshme çmimesh, si pasojë e rritjes së çmimeve në tregjet botërore. Këta faktorë kanë dhënë një kontribut prej rreth 80 për qind në formimin e shifrës së inflacionit. Rritja e çmimeve të produkteve bujqësore ka prekur më shumë shtresat me të ardhura të ulëta të shoqërisë shqiptare.

Ashtu siç e theksova edhe më parë, presionet inflacioniste në vend kanë natyrën e goditjeve afatshkurtra të ofertës, ndërsa inflacioni i gjeneruar nga kërkesa e brendshme është i ulët, siç reflektohet edhe në ecurinë relativisht të qëndrueshme të inflacionit bazë. Kjo ecuri kushtëzohet nga ekzistenca e kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonominë shqiptare si dhe ekspansioni i kontrolluar monetar dhe pritjet e ankoruara inflacioniste të konsumatorëve, të biznesit e të agjentëve të tregut financiar. Banka e Shqipërisë gjykon se, në vija të përgjithshme, këta faktorë do të vazhdojnë të jenë të pranishëm edhe gjatë vitit 2011.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë në parashikimin e inflacionit në të ardhmen ka faktorizuar edhe parashikimet e deritanishme të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatës Botërore të Ushqimit për ecurinë e naftës dhe mallrave ushqimorë. Në mungesë të goditjeve të shtuara dhe të paparashikueshme nga ana e ofertës apo të shfaqjes së fenomeneve zinxhir të raundit të dytë, ecuria e inflacionit pritet të jetë në linjë me objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Në vijim të fjalës time do të paraqes një analizë më të detajuar të zhvillimeve aktuale e të pritshme në ekonominë shqiptare e në tregjet financiare, duke vlerësuar edhe implikimet e tyre për ecurinë e pritur të inflacionit të çmimeve të konsumit.

Aktiviteti ekonomik

Në mungesë të të dhënave direkte dhe duke gjykuar mbi një sërë treguesish të tërthortë, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet edhe gjatë tremujorit të katërt të vitit 2010. Rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga kërkesa e huaj për eksportet shqiptare.

Megjithatë, edhe kërkesa e brendshme ka shfaqur shenja gjallërimi së fundi, sikurse dëshmohet nga ecuria pozitive e kredisë bankare, nga tregues indirektë të konsumit, si dhe nga përmirësimi i treguesit të ndjesisë ekonomike të biznesit e konsumatorit shqiptar.

Konsumi dhe investimet private, dy përbërësit më të rëndësishëm të kërkesës agregate, kanë patur një ecuri të ngadaltë gjatë vitit 2010. Megjithëse të ardhurat e disponueshme të konsumatorit shqiptar vlerësohet të jenë rritur në terma realë, pasiguria e lartë dhe kushtet e shtrënguara të kreditimit të aplikuara nga sistemi bankar kanë frenuar konsumin në vend. Nga ana tjetër, biznesi shqiptar është përballur me një kërkesë të pamjaftueshme për shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve të tij, si dhe me një rritje të kostos së financimit. Kjo ecuri është ndjerë më shumë në sektorë të caktuar të ekonomisë, si ndërtimi, i cili mbështetet tërësisht në kërkesën e brendshme, dhe më pak në sektorë të tjerë, si industria, e cila gjeneron një pjesë më të madhe të aktivitetit të saj nga kërkesa e huaj. Në këto rrethana, ritmi i investimeve ka qenë relativisht i ulët, krahasuar me vitet e mëparshme. Banka e Shqipërisë vlerëson se konsumi dhe investimet në vend do të kenë një ecuri më të mirë gjatë vitit në vazhdim.

Kushtet e financimit të kërkesës së sektorit privat paraqiten të përmirësuara, ndërkohë që primet e rrezikut në tregjet financiare paraqiten më të ulëta dhe pasiguria për të ardhmen duhet të vijë në rënie. Gjithashtu, ndikimi i pritur pozitiv i kërkesës së huaj dhe i politikës fiskale gjatë vitit 2011, pritet të stimulojnë kërkesën e brendshme.

Korrektimi i sjelljes fiskale është shoqëruar me një kontribut më të ulët në rritjen ekonomike përgjatë vitit 2010. Kështu, shpenzimet publike janë tkurrur me rreth 5% në terma vjetorë, ndërsa deficiti buxhetor është ulur me rreth 4 pikë përqindjeje të PBB-së. Banka e Shqipërisë e ka theksuar gjithnjë se qëndrueshmëria fiskale është një parakusht themelor për një rritje afatgjatë ekonomike. Në këtë kontekst, ne mendojmë se respektimi i objektivave të buxhetit për deficitin buxhetor dhe huamarrjen publike gjatë vitit 2011 do të japë një kontribut pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit. Ruajtja e niveleve relative të deficitit buxhetor do të eliminojë ndikimin negativ direkt në rritjen ekonomike, ndërsa nivelet relativisht të ulëta të huamarrjes publike do të ndikojnë në kontrollin e normave afatgjata të interesit dhe uljen e primeve të rrezikut në tregjet financiare.

Këto zhvillime u manifestuan gjatë gjysmës së dytë të vitit 2010 dhe pritet të nxitin kërkesën e brendshme edhe gjatë vitit të 2011.

S ektori i jashtëm i ekonomisë ka vijuar të karakterizohet nga një kontribut pozitiv, por në rënie, i kërkesës së huaj në rritjen ekonomike. Ritmi i korrektimit të deficitit tregtar është zbehur në këtë tremujor. Deficiti tregtar është ulur me 1.2% kundrejt normave dyshifrore të korrektimeve të regjistruara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010. Kjo ecuri e deficitit tregtar është përcaktuar kryesisht nga përshpejtimi i importeve, të cilët shënuan një rritje vjetore prej 10.8% në tremujorin e katërt të vitit 2010, duke regjistruar njëkohësisht rritje për të tretin tremujor radhazi. Nga ana tjetër, eksportet shqiptare u rritën me 48.8% në terma vjetorë, duke ruajtur ritme të larta rritjeje.

Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare do ta ketë të vështirë të ruajë të njëjtat norma rritjeje të eksporteve edhe gjatë vitit 2011; ndër të tjera ky parashikim reflekton faktorët e përkohshëm që ndikuan në rritjen e vitit 2010 dhe është në linjë me ecurinë e ekonomisë botërore dhe me efektet bazë statistikorë. Megjithatë, kërkesa e huaj pritet të japë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike edhe gjatë vitit 2011.

Treguesit monetarë, tregjet financiare dhe inflacioni

Ecuria e treguesve monetarë vazhdon të prodhojë presione të kontrolluara inflacioniste me natyrë monetare në ekonominë vendase. Oferta monetare u rrit me 12.5% në muajin dhjetor të vitit të kaluar, duke reflektuar ecurinë e mirë të depozitave të sistemit bankar gjatë gjithë gjysmës së dytë të këtij viti. Vlerësimet tona tregojnë se zgjerimi monetar është në përputhje me kërkesën e sektorit privat të ekonomisë për para reale. Ecuria e mirë e aktivitetit ekonomik dhe primet në rënie të rrezikut janë reflektuar edhe në rritjen e kërkesës për kredi të sektori privat. Parametrat e kënaqshëm të sistemit bankar në terma të likuiditetit dhe të kapitalizimit kanë mundësuar një mbështetje më të madhe të sektorit privat me kredi bankare. Në muajin dhjetor, rritja e kredisë për sektorin privat shënoi 10.6% në terma vjetorë. Përtej bizneseve private, të cilët kanë qenë përdoruesit kryesorë të financimit me kredi gjatë vitit 2010, sinjale pozitive vijnë edhe nga konsumatorët, kërkesa për kredi e të cilëve është rritur në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Tregjet financiare janë karakterizuar nga prime në rënie të rrezikut dhe të likuiditetit, reflektuar në rënien e mëtejshme të yield-eve në tregun primar dhe të normave interesit në tregun e depozitave e kredive në lekë. Në tregun ndërbankar, normat afatshkurtra të interesit kanë qëndruar pranë normës bazë të interesit dhe kanë shfaqur luhatshmëri të ulët. Tregtimi i valutës në tregun vendas ka qenë gjithashtu i qetë. Leku ka vijuar të nënçmohet në terma nominalë vjetorë kundrejt monedhave të huaja, por me ritme më të buta krahasuar me vitin 2010.

* * *

Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste në periudhën afatmesme mbeten të kontrolluara. Ecuria e çmimeve të konsumit në të ardhmen pritet të jetë nën presionin e rritjes së çmimeve në tregjet botërore, por, në mungesë të efekteve të raundit të dytë, ndikimi i tyre pritet të jetë kalimtar. Nga ana tjetër, kërkesa ende e pamjaftueshme do të vazhdojë të kushtëzojë nivele nën potencial të shfrytëzimit të kapaciteteve në vend, duke ushtruar presione në kahun rënës mbi inflacion.

Pritjet inflacioniste vazhdojnë të jenë të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Në mungesë të goditjeve të papritura, inflacioni pritet të jetë afër objektivit të Bankës së Shqipërisë në periudhën afatmesme. Banka e Shqipërisë, në vazhdim, do të monitorojë natyrën e këtyre goditjeve të jashtme dhe përcjelljen e tyre në çmimet në vend, për të reaguar në kohë me qëllim eleminimin e presioneve të qëndrueshme inflacioniste.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës konkludoi se kushtet monetare paraqiten të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme dhe vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.00 për qind.