BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 24 shkurt 2010

Data e publikimit: 24.02.2010

 

Në mbledhjen e tij të datës 24 shkurt 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, me projeksionet e tyre për të ardhmen, si dhe pasi vlerësoi balancën e pritshme të rreziqeve, në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25%.

***

Ecuria e ekonomisë botërore tregon për vazhdimësinë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik. Pjesa më e madhe e vendeve të zhvilluara dhe të atyre në zhvillim kanë përjetuar rritje ekonomike gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009.

Rritja e aktivitetit tregtar botëror, zhvillimet e qeta në tregjet financiare, si dhe përmirësimi i indekseve të besimit, reflektojnë dhe njëkohësisht induktojnë pritje më optimiste për të ardhmen. Në veçanti, stabiliteti dhe përmirësimi progresiv i bilanceve të sistemit financiar janë shenja inkurajuese për një mbështetje më të madhe të aktivitetit ekonomik. Përmirësimi i ekonomisë botërore është shoqëruar me tendenca në rritje të normës së inflacionit, kryesisht si pasojë e gjallërimit të kërkesës dhe rritjes së çmimeve të lëndëve bazë.

Gjithsesi, shfrytëzimi i ulët i kapaciteteve në nivel botëror parashikohet të ndihmojë në kontrollin e presioneve inflacioniste në periudhën afatmesme. Vëmendja kryesore e politikë-bërësve do të vazhdojë të mbetet e përqendruar në brishtësinë e rritjes ekonomike gjatë vitit 2010. Ky faktor do të kushtëzojë vazhdimësinë e stimujve monetarë dhe fiskalë gjatë kësaj periudhe, ndonëse në nivele më të moderuara.

Duke iu kthyer zhvillimeve në ekonominë vendase, informacioni më i fundit i disponueshëm sugjeron për një ngadalësim të mëtejshëm të kërkesës së brendshme gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009.

Investimet private vlerësohen të kontraktuara gjatë vitit 2009, të diktuara nga ngadalësimi i kërkesës së brendshme dhe të huaj, nga norma e ulët e shfrytëzimit të kapaciteteve, nga niveli i ulët i besimit të bizneseve si dhe nga kushtet e shtrënguara të kreditimit. Gjithashtu, treguesit e besimit të konsumatorit, ecuria e shitjeve me pakicë dhe ajo e importeve të mallrave të konsumit, sinjalizojnë për një ngadalësim të mëtejshëm të konsumit privat në tremujorin e katërt të vitit 2009. Ky ngadalësim reflekton një rritje më të moderuar të të ardhurave të disponueshme, një mbështetje më të ulët të sistemit bankar për kreditë konsumatore dhe hipotekare si dhe një pasiguri të rritur të publikut për të ardhmen. Pritjet e konsumatorëve për të ardhmen sugjerojnë se kontributi i konsumit privat në rritjen ekonomike do të jetë në nivele të ulëta edhe gjatë dy tremujorëve të ardhshëm. Aktiviteti ekonomik në vend është mbështetur nga një stimul i lartë fiskal gjatë vitit 2009, ndërkohë që projeksionet buxhetore sugjerojnë se ky stimul do të jetë më i reduktuar për vitin 2010. Kërkesa e jashtme e ekonomisë ka shënuar zhvillime pozitive gjatë tremujorit të katërt të vitit, duke u karakterizuar nga një nivel më i ulët i deficitit tregtar gjatë kësaj periudhe.

Megjithatë, duke u nisur nga pesha relativisht e vogël e saj në përcaktimin e PBB-së, ndikimi i këtij korrektimi në rritjen ekonomike gjatë vitit 2010 parashikohet të jetë i moderuar.

Inflacioni vjetor në muajin janar shënoi vlerën 3.6% ndërsa norma mesatare vjetore e inflacionit u rrit në 2.4%. Rritja vjetore e çmimeve të konsumit në muajin janar ishte brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin, duke qëndruar në pjesën e sipërme të intervalit të tolerancës. Tendenca rritëse e inflacionit gjatë këtij muaji ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, nën ndikimin e tendencës rritëse të çmimeve të tyre në tregjet botërore dhe të efektit të vonuar të nënçmimit të kursit të këmbimit. Kontributi i grupeve të tjera të shportës së çmimeve të konsumit në inflacion ishte i ulët, por gjithsesi në kahun rritës. Faktorizmi i rritjes së fundit të çmimit të energjisë elektrike në inflacionin e muajit shkurt, pritet të japë një ndikim prej rreth 0.5 pikësh përqindje në rritjen e normës së inflacionit vjetor.

Banka e Shqipërisë vlerëson se ecuria e ekonomisë shqiptare ka prodhuar një ambient me presione të balancuara inflacioniste. Ky zhvillim konfirmohet edhe nga ecuria e inflacionit bazë dhe të atij të produkteve të patregtueshme, normat respektive të të cilëve ishin përkatësisht 1.4 dhe 1.7% në muajin janar.

Këto tendenca dëshmojnë se presionet inflacioniste të ushtruara nga kërkesa e brendshme janë të dobëta, ndërkohë që rritja e inflacionit gjatë muajve të fundit është diktuar kryesisht nga faktorë të kahut të ofertës.

Banka e Shqipërisë gjykon se veprimi i këtyre faktorëve do të jetë i përkohshëm, dhe se presioni i tyre në inflacion pritet të vijë gradualisht në rënie gjatë vitit 2010. Ky lexim i situatës duket se ndahet edhe nga agjentët kryesorë ekonomikë, pritjet inflacioniste të të cilëve mbeten të ankoruara pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë të kujdesshme monetare. Në thelb të kësaj politike ka qenë rritja e stimulit monetar në ekonomi, pa cënuar stabilitetin makroekonomik dhe duke mbajtur të stabilizuara pritjet e agjentëve ekonomikë. Në veçanti, vendimet tona kanë synuar krijimin e kushteve të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme dhe për lehtësimin e lëvizjes së ekonomisë shqiptare drejt ekuilibrave më të qëndrueshëm ekonomikë dhe financiarë. Kjo filozofi do të udhëheqë vendimmarrjen tonë edhe në periudhën e ardhshme.

Të dhënat e fundit për pozicionin e jashtëm të Shqipërisë mbulojnë vetëm tregtinë e jashtme. Analiza e tyre tregon për një ngushtim vjetor të deficitit tregtar me rreth 17% gjatë muajit dhjetor. Ecuria e eksporteve në mallra gjatë këtij muaji shfaqi rritje prej 27% në terma vjetorë, ndërkohë që importet kanë shënuar rënie vjetore prej 10%. Raporti relativ i mbulimit të importeve nga eksportet u rrit në 23%. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, pozicioni jashtëm i ekonomisë shqiptare mbetet shqetësues, për sa kohë që ai karakterizohet nga një nivel i lartë i deficitit të llogarisë korente. Zhvendosja e këtij deficiti në terma më të qëndrueshëm duhet të jetë një prioritet i politikave ekonomike të vendit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Ashtu si e kemi theksuar në vazhdimësi, politika fiskale ka patur karakter kundërciklik gjatë vitit 2009, duke forcuar tendencën e iniciuar gjatë periudhës 2007-2008. Deficiti buxhetor gjatë vitit 2009 arriti nivelin 79.9 miliardë lekë, duke reflektuar njëkohësisht rritjen e përshpejtuar të shpenzimeve buxhetore dhe ngadalësimin e të ardhurave fiskale. Shpenzimet buxhetore kanë shënuar një rritje prej 8% gjatë vitit 2009, ndërkohë që të ardhurat u rritën me vetëm 2.7%, të ndikuara edhe nga ngadalësimi gradual i aktivitetit ekonomik.

Banka e Shqipërisë gjykon se, në periudhën e ardhshme, politika fiskale duhet të faktorizojë me prioritet marrjen e masave të duhura për të garantuar qëndrueshmërinë e borxhit publik. Rritja e këtij borxhi gjatë vitit 2009 dhe sensitiviteti i shtuar i tregjeve financiare ndaj këtij treguesi, e bëjnë të domosdoshëm një angazhim të besueshëm të politikës fiskale ndaj qëndrueshmërisë afatgjatë të tij. Për këtë, është e rëndësishme arritja e nivelit të programuar të balancës fiskale, nëpërmjet kushtëzimit të kryerjes së shpenzimeve fiskale nga ritmi i realizimit të të ardhurave buxhetore. Kjo politikë nënkupton një stimul më të vogël fiskal për vitin 2010, por, nga ana tjetër, ajo do të ndikojë në uljen e primeve të rrezikut në ekonomi dhe do të krijojë më shumë hapësira për huamarrje në tregjet e brendshme financiare të sektorit privat të ekonomisë.

Zhvillimet më të fundit monetare karakterizohen nga një rritje e ulët e parasë së gjerë, nga një ndërmjetësim i ulët i bankave për financimin e sektorit publik dhe privat, por edhe nga një stabilizim i treguesve të likuiditetit të sistemit bankar. Zgjerimi monetar vjetor rezultoi rreth 7% në terma nominalë, duke ruajtur të njëjtin ritëm të shënuar dhe në muajin nëntor. Depozitat kanë shënuar rritje vjetore për të dytin muaj radhazi, e udhëhequr kryesisht nga rritja e depozitave me afat.

Kredia për sektorin privat u rrit në terma nominalë me 11% kundrejt një viti më parë. Në terma realë kjo rritje ishte vetëm 4%. Zgjerimi i kredisë ka ardhur kryesisht në formën e financimit të likuiditetit të bizneseve, ndërkohë që kredia për individë ka vijuar të tkurret në terma vjetorë. Megjithë përmirësimin e aktivitetit kreditues gjatë muajit dhjetor, ritmi vjetor i rritjes së tij mbetet i ulët në terma historikë. Ecuria e ngadaltë e kredisë kushtëzohet nga një ambient me prime të larta rreziku, i materializuar në kushte të shtrënguara kreditimi, dhe nga pasiguria e agjentëve ekonomikë për të ardhmen, e materializuar në kërkesë të ulët për kredi të sektorit privat.

Kursi i këmbimit ka vijuar të nënçmohet edhe gjatë muajit janar, por me një ritëm më të vogël se në muajin e mëparshëm. Në terma nominalë efektivë vjetorë, nënçmimi i shënuar në janar ishte rreth 8%. Zhvillimet mujore tregojnë për një nënçmim më të lehtë të lekut kundrejt monedhës evropiane dhe dollarit amerikan. Banka e Shqipërisë gjykon se balanca e faktorëve që ndikojnë mbi kursin e këmbimit paraqitet më e stabilizuar për vitin 2010.

Edhe gjatë muajit janar, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të injektojë likuiditetin e duhur, në mbështetje të lëvizjes së saj për uljen e normës së interesit dhe lehtësimin e kushteve monetare në muajin tetor 2009. Këto injektime janë shoqëruar me uljen e normave të interesit të tregut ndërbankar, me uljen e yield-it të bonove të letrave me vlerë të qeverisë, si dhe me tendenca rënëse të normave të interesit të kredive dhe depozitave në lekë.

Tregu ndërbankar është karakterizuar nga rritja e mëtejshme e vëllimit të tregtimit, çka sinjalizon përpjekje për një administrim më efektiv të likuiditetit nga ana e sistemit bankar.

Riaktivizimi i kredidhënies do të kushtëzojë ndjeshëm ecurinë e ekonomisë gjatë periudhës së ardhshme. Ky riaktivizim do të kërkojë nxitjen e kërkesës për huamarrje nga agjentët ekonomikë dhe ofrimin e kushteve më të favorshme kreditimi nga sektori bankar. Banka e Shqipërisë ka marrë masat e duhura në këtë drejtim, nëpërmjet furnizimit të sistemit bankar me likuiditetin e duhur dhe marrjen e masave për uljen e kostos së huamarrjes. Megjithatë, ajo pret një reflektim më të plotë të këtyre lëvizjeve nga sistemi bankar. Ne mendojmë se, pa cënuar praktikat e mira dhe të kujdesshme në kredidhënie, ekzistojnë hapësirat për një sjellje më përkrahëse nga sistemi bankar për mbështetjen e konsumit dhe të investimeve private në ekonomi.

***

Në përfundim të diskutimeve mbi ecurinë aktuale dhe të pritshme të zhvillimeve ekonomike, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konkludoi se presionet inflacioniste janë në kahun rritës në periudhën afatshkurtër, por ato priten të bien shpejt në një horizont afatmesëm.

Ngadalësimi i zgjerimit monetar, kërkesa e ulët e ekonomisë së brendshme, ritmet e moderuara të aktivitetit ekonomik, niveli i ulët i shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset, si dhe pritjet e stabilizuara inflacioniste, do të balancojnë presionet e ushtruara nga kursi i këmbimit dhe rritja e çmimeve të administruara dhe atyre të huaja.

Në veçanti, Banka e Shqipërisë është duke ndjekur me kujdes situatën ekonomike dhe financiare në vendet e rajonit si dhe ecurinë e pritshme të tyre në të ardhmen. Në fokus të analizës sonë janë implikimet e mundshme për ekonominë shqiptare, nëpërmjet kanaleve tregtare dhe financiare.

Duke vlerësuar situatën ekonomike dhe realitetet politike në ekonominë e Eurozonës, ne gjykojmë se transmetimi i këtyre problemeve në ekonomitë e tjera do të jetë i përmbajtur. Për më tepër, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare gëzon ekuilibra makroekonomikë të konsoliduar në mënyrë të mjaftueshme për të përballuar të gjitha goditjet potenciale mbi ekonominë e vendit.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25%. Ky vendim i shërben ruajtjes dhe konsolidimit të mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë, duke e konsideruar qëndrueshmërinë makroekonomike si një parakusht të domosdoshëm për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë. Ai gjithashtu i shërben ankorimit të pritjeve inflacioniste dhe garanton mbështetjen e duhur monetare për ekonominë në këtë fazë të zhvillimit të saj.

Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë në linjë me ecurinë e faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë. Zhvendosja në kahun rënës e balancës së rreziqeve inflacioniste, konsolidimi i stabilitetit financiar dhe i pritjeve inflacioniste në ekonomi do të faktorizohen në vendimmarrjen e ardhshme të Bankës së Shqipërisë.