BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 27 korrik 2011

Data e publikimit: 27.07.2011

 

Sot, në datën 27 korrik 2011, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Deklaratën e Politikës Monetare për gjashtëmujorin e parë të vitit 2011. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind. Në opinionin e Këshillit, kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit dhe për vazhdimin e stimulimit të aktivitetit ekonomik.

Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike, si dhe të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.

***

Ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë rritje gjatë gjysmës së parë të vitit 2011, ndonëse në prani të sfidave shtesë të gjeneruara nga ambienti i brendshëm dhe i jashtëm ekonomik. Tensionet në ekonomitë e në tregjet financiare botërore, si dhe rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe të produkteve ushqimore, kanë ushtruar një ndikim frenues në aktivitetin ekonomik në vend. Faktori i parë ka rritur pasigurinë e agjentëve ekonomikë si dhe primet e rrezikut në tregjet financiare, ndërkohë që inflacioni i lartë i importuar nga tregjet botërore ka dhënë ndikim frenues në kërkesën e brendshme dhe ka rritur pritjet inflacioniste në vend. Pavarësisht faktorëve të pafavorshëm, produkti i brendshëm bruto ka shënuar rritje, balancat kryesore makroekonomike dhe stabiliteti financiar mbeten të qëndrueshëm.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare shënoi një rritje vjetore prej 3.4% në tremujorin e parë të vitit, e mbështetur nga stimuli fiskal i kësaj periudhe dhe kërkesa e huaj për produkte e shërbime shqiptare. Nga ana tjetër, konsumi dhe investimet private vijojnë të mbeten të ngadalta, duke reflektuar respektivisht një sjellje më të kujdesshme konsumatore dhe ekzistencën e kapaciteteve të lira prodhuese në ekonomi.

Banka e Shqipërisë gjykon se aktiviteti ekonomik ka regjistruar një rritje të ngjashme edhe në tremujorin e dytë të vitit, por me një kontribut më të lartë të sektorit privat dhe ngadalësim të sektorit publik e të kërkesës së huaj.

Ecuria e çmimeve të konsumit ka qenë nën presione të shtuara inflacioniste në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të huaja në tregjet botërore. Inflacioni mesatar vjetor në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit shënoi përkatësisht 4.0% dhe 4.1%.

Në aspektin e përbërësve të shportës së konsumit, çmimet e produkteve të përpunuara ushqimore kanë dhënë ndikimin kryesor në formimin e inflacionit vjetor. Kontributi i tyre në inflacionin total është luhatur rreth nivelit 55%, duke qenë afër rekordeve historike të këtij treguesi. Krahas tyre, një kontribut të shtuar në rritjen e çmimeve të konsumit ka dhënë edhe inflacioni i mallrave të konsumit joushqimor, në të cilin bëjnë pjesë nafta dhe mallra e shërbime të tjera të konsumit të përditshëm. Nga ana tjetër, kontributi në inflacion i ushqimeve të papërpunuara ka qenë në nivele të qëndrueshme.

Rritja graduale e ofertës së produkteve ushqimore vendase gjatë tremujorit të dytë, ka balancuar efektin e rritjes së çmimeve të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare. Së fundi, çmimet e administruara dhe rritja e akcizës për disa produkte kanë patur një ndikim rritës në inflacionin vjetor, por në një masë më të vogël në krahasim me vitin e kaluar.

Në aspektin makroekonomik, inflacioni në këtë periudhë është ndikuar nga një sërë faktorësh, me intensitet të ndryshëm dhe kahe të kundërta veprimi. Presionet inflacioniste në kahun rritës janë prodhuar më së shumti nga koniunktura e çmimeve të lëndëve të para dhe të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare. Inflacioni i importuar është transmetuar direkt në rritjen e çmimeve të një pjese të mallrave të konsumit në vend. Ai ka ushtruar gjithashtu presione shtesë mbi kostot e prodhimit dhe mbi pritjet inflacioniste, por këto efekte të raundit të dytë kanë mbetur të kontrolluara. Nga ana tjetër, hendeku negativ i prodhimit ka vijuar të ushtrojë presione rënëse mbi ecurinë e çmimeve, duke balancuar pjesërisht efektin e rritjes së çmimeve të huaja. Rritja e aktivitetit ekonomik vazhdon të jetë nën nivelin potencial të ekonomisë, duke lënë kapacitete të pashfrytëzuara në tregjet e punës e të kapitalit. Në këto kushte, presionet inflacioniste nga sektori real i ekonomisë mbeten të kontrolluara. Kjo ecuri reflektohet edhe në ecurinë e inflacionit bazë, i cili, ndonëse në rritje, mbetet i ankoruar pranë objektivit afatmesëm të Bankës së Shqipërisë.

Njëkohësisht, treguesit monetarë kanë gjeneruar presione inflacioniste të përmbajtura, duke reflektuar edhe politikën e kujdesshme monetare të Bankës së Shqipërisë. Në muajin mars, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë rriti normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në nivelin 5.25%. Ky vendim u mor në përgjigje të presioneve të shtuara inflacioniste me origjinë nga jashtë. Ai synoi të ruajë ankorimin e pritjeve të agjentëve ekonomikë për inflacionin dhe të minimizojë efektet e raundit të dytë. Edhe pas kësaj rritjeje, kushtet e brendshme monetare mbeten stimuluese, duke i ofruar ekonomisë mbështetjen e duhur në këtë fazë të zhvillimit të saj. Në përputhje me dimensionin kohor të veprimit, kjo masë vlerësohet të ketë qenë efektive në sinjalizimin e angazhimit të Bankës së Shqipërisë për respektimin e objektivit të saj të inflacionit dhe në kontrollin e pritjeve inflacioniste. Gjithashtu, ajo ka mbajtur të pandryshuar karakterin stimulues të politikës dhe të kushteve monetare, të reflektuara në norma krahasimisht të ulëta interesi, likuiditet të bollshëm në sistemin bankar dhe një kurs këmbimi favorizues për eksportet shqiptare.

Në vijim të fjalës time, do të ndalem në zhvillimet kryesore ekonomike që kanë përcaktuar ecurinë e inflacionit dhe në ecurinë e pritshme të tyre në të ardhmen.

Në përputhje me ecurinë e ndjekur gjatë vitit të shkuar, rritja e ekonomisë shqiptare gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2011 është mbështetur më shumë nga rritja e sektorëve të industrisë e të shërbimeve. Nën ndikimin e kërkesës së huaj, prodhimi në industri u rrit me 12.3% në terma vjetorë, duke dhënë kontributin kryesor në rritjen e aktivitetit ekonomik në tremujorin e parë. Edhe sektori i shërbimeve, i udhëhequr nga dega ”Tregti, hoteleri dhe restorante”, ka vijuar të mbështesë rritjen ekonomike, ndonëse në një masë më të vogël në krahasim me tremujorët e vitit të kaluar. Rritja vjetore e këtij sektori shënoi 1.8% në tremujorin e parë të vitit. Ecuria e sektorit të shërbimeve është e lidhur ngushtë me ecurinë e shpenzimeve konsumatore, të cilat do t’i trajtoj në vijim. Pas pesë tremujorësh tkurrjeje, sektori i ndërtimit shënoi një rritje vjetore prej 4.6%, i nxitur nga rritja e investimeve publike në këtë periudhë. Së fundi, sektori i bujqësisë ruajti norma të përafërta rritjeje dhe kontributi, si edhe në tremujorin e katërt të vitit të kaluar.

Të dhënat e tërthorta të përftuara nga vrojtimet e bizneseve dhe treguesit monetarë sugjerojnë se kjo ecuri është dhe do të vijojë të jetë e njëjtë në tremujorin e dytë e në vazhdim.

Nga kahu i kërkesës, aktiviteti ekonomik është mbështetur më shumë nga kërkesa e huaj dhe shpenzimet publike, ndërkohë që kontributi i sektorit privat ka qenë i vogël.

Tregues të tërthortë mbështesin vlerësimin për një ecuri të dobët të konsumit privat në gjysmën e parë të vitit. Ndonëse në kushtet e rritjes së të ardhurave të disponueshme dhe të përmirësimit të financimit bankar – sikurse tregohet nga rritja e punësimit, rritja e pagës reale dhe rritja e kredisë për konsum e banesa - besimi konsumator ka qenë në nivele të ulëta. Konsumatori shqiptar vazhdon të ketë një sjellje të kujdesshme në kryerjen e shpenzimeve, duke shfaqur prej disa tremujorësh një preferencë të shtuar drejt kursimit. Në mënyrë të natyrshme, kjo sjellje përbën një korrektim strukturor të modelit të konsumit të shfaqur gjatë viteve të shkuara, por ecuria e ngadaltë e shpenzimeve konsumatore reflekton njëkohësisht edhe pasigurinë e shtuar për të ardhmen.

Ndërkohë që komponenti i parë është i mirëpritur, në kontekstin e ruajtjes së balancave makro dhe mikroekonomike, komponenti i dytë mund dhe duhet të korrigjohet: konsumi familjar ka hapësira të rritet e të stimulohet në periudhën afatshkurtër e afatmesme. Duke u nisur nga pesha e madhe e konsumit në PBB, ecuria e tij do të kushtëzojë dukshëm rritjen ekonomike në këtë horizont kohor.

Investimet private janë rritur ritme të moderuara gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Kjo ecuri ilustrohet nga rritja e kredisë për investime dhe nga rritja e importit të mallrave kapitale. Megjithëse kushtet financiare – gatishmëria, likuiditeti dhe normat e interesit bankar - paraqiten të përmirësuara ndjeshëm, ekzistenca e kapaciteteve të lira në ekonomi kufizon kërkesën e bizneseve për investime. Në afat të shkurtër, qëndrimi i aktivitetit ekonomik nën potencialin e ekonomisë kushtëzon një ecuri të ngadaltë të investimeve. Në afat të mesëm e të gjatë, ecuria e investimeve do të reflektojë zhvillimet në ecurinë e kërkesës së brendshme e të huaj. Në përputhje me nevojën për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe një orientim më të madh të saj drejt eksportit, nxitja e investimeve, rritja e kapaciteteve prodhuese dhe adoptimi i proceseve e teknologjive më të avancuara duhet të jenë prioritete të politikave të zhvillimit të vendit, në aspektin makro dhe mikroekonomik.

Shpenzimet publike kanë dhënë një kontribut pozitiv në kërkesën agregate të gjysmës së parë të vitit 2011. Pas sjelljes konsoliduese të shfaqur vitin e kaluar, politika fiskale ka patur një natyrë stimuluese në këtë periudhë. Shpenzimet publike u rritën me 7.4% në terma vjetorë, të udhëhequra kryesisht nga shpenzimet korrente, por me një kontribut të shtuar pozitiv edhe nga shpenzimet kapitale. Nga ana tjetër, të ardhurat buxhetore kanë qenë të ngadalta, duke u rritur me 1.1% në terma vjetorë. Diferencat e ritmit të rritjes së të ardhurave e të shpenzimeve publike janë materializuar në zgjerimin e deficitit buxhetor. Në terma të PBB-së, deficiti buxhetor në fund të gjashtëmujorit të parë qëndron në 4.1% ose rreth 1.5 pikë përqindje më shumë se një vit më parë. Natyra ekspansioniste e politikës fiskale ka qenë më e pranishme në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që në tremujorin e dytë të tij ajo është shfaqur më e zbehtë. Ritmet e rritjes së të ardhurave dhe shpenzimeve u reduktuan në tremujorin e dytë të vitit, duke e bërë të nevojshëm korrektimin e buxhetit të vitit 2011, për të ruajtur parametrat e shëndetit të financave publike në horizonte afatmesme e afatgjata. Nga ana tjetër, marrja e masave për kontrollin e deficitit buxhetor nëpërmjet reduktimit të shpenzimeve publike nënkupton modelimin e stimulit fiskal në gjysmën e dytë të vitit.

Kërkesa e huaj ka vijuar të japë një kontribut pozitiv në kërkesën agregate. Por, sikurse pritej, ndikimi pozitiv i saj është zbehur në krahasim me vitin e kaluar. Në 5 muajt e parë të vitit, eksportet tona u rritën me 23.3% në terma vjetorë; një ritëm ky më i ulët se ai i regjistruar në vitin 2010. Nga ana tjetër, përkeqësimi i termave të tregtisë dhe ecuria e kërkesës së brendshme ka nxitur rritjen e importeve në gjysmën e parë të vitit.

Importet në vlerë shënuan një rritje vjetore prej 14.1% gjatë periudhës janar-maj, duke sjellë zgjerimin e deficitit tregtar. Pas ngushtimit të vërejtur gjatë vitit 2010, ky deficit u zgjerua me përafërsisht 8.8% në terma vjetorë gjatë kësaj periudhe.

Thellimi i deficitit tregtar, flukset negative valutore në llogarinë e shërbimeve dhe reduktimi i remitancave janë reflektuar në zgjerimin e deficitit të llogarisë korrente në tremujorin e parë të vitit. Në fund të këtij tremujori, ky deficit qëndron në nivelin 11.8% të PBB-së, duke ilustruar edhe një herë pozicionin e brishtë të sektorit të jashtëm të ekonomisë.

Ecuria e të katër komponentëve të kërkesës ka prodhuar rritje ekonomike pozitive, por nën potencial, gjatë gjysmës së parë të vitit. Kapacitetet e lira në ekonomi kanë kontrolluar kostot e prodhimit dhe kanë gjeneruar presione të kontrolluara inflacioniste.

Analiza e treguesve monetarë konfirmon gjithashtu vlerësimet për presione të kontrolluara inflacioniste. Vlerësimet tona sugjerojnë se ritmet e rritjes së ofertës monetare janë të moderuara dhe në përputhje me kërkesën e ekonomisë për para reale. Në terma mesatarë, rritja vjetore e M3 shënoi 11.3% për periudhën janar-maj, e nxitur nga rritja e qëndrueshme e depozitave në sistemin bankar. Kërkesa për mjete monetare është dominuar nga kërkesa për financim e sektorit publik, ndërkohë që sektori privat ka patur një kërkesë më të moderuar. Kredia për sektorin privat është rritur mesatarisht me 11.5% në pesë muajt e parë të vitit, një ritëm ky rreth 1.5 pikë përqindje më i lartë se ai i gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar. Në ndryshim nga vitet e shkuara, aktiviteti kreditues shfaq një orientim më të madh drejt përdorimit të monedhës sonë kombëtare: kredia në lekë është rritur me rreth 14% deri në muajin maj. Ecuria e kreditimit vazhdon të ndikohet nga kërkesa e moderuar për kredi, ndërkohë që edhe sistemi bankar ka adoptuar praktika të kujdesshme kredidhënieje, duke mbajtur kushte të shtrënguara kreditimi për segmente të veçanta të tregut.

Zhvillimet në tregjet financiare kanë qenë të qeta, në reflektim të primeve të ulëta të rrezikut dhe situatës së mirë të likuiditetit. Në tregun ndërbankar, normat e interesit janë luhatur pranë normës bazë të interesit, duke ndjekur rritjen e kësaj të fundit në muajin mars. Rritja e normës bazë është ndjekur edhe nga yield-et në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë, ndërkohë që kjo rritje është reflektuar më pak në tregun e depozitave dhe të kredive në lekë, në funksion të faktorëve të likuiditetit dhe të rrezikut që shoqërojnë procesin e ndërmjetësimit financiar. Kurba e yield-eve ka ruajtur pjerrësinë e saj, duke treguar për prime të ulëta të inflacionit në tregjet financiare.

Duke përmbledhur ecurinë e pritur të ekonomisë në të ardhmen, projeksionet dhe vlerësimet tona sugjerojnë se rritja ekonomike do të mbartet edhe në pjesën e dytë të vitit. Kërkesa agregate do të mbështetet më pak nga sektori publik dhe kërkesa e huaj, ndërkohë që sektori privat pritet të japë një kontribut më të madh në ekonomi. Megjithatë, rritja ekonomike nuk pritet të mbyllë plotësisht hendekun negativ të prodhimit. Ekonomia shqiptare do të vijojë të karakterizohet nga kapacitete të lira në tregun e kapitalit dhe të punës, duke shmangur spirale të mundshme pagë - inflacion, dhe duke prodhuar presione të përmbajtura inflacioniste në periudhën afatmesme.

Gjithashtu, në horizontin afatmesëm pritet një zbehje e inflacionit të importuar dhe shuarje e efektit të rritjes së çmimeve të administruara. Në prani edhe të pritjeve të ankoruara inflacioniste të agjentëve ekonomikë, Banka e Shqipërisë gjykon se inflacioni i çmimeve të konsumit do të zbresë gradualisht pranë objektivit të saj prej 3% në periudhën e ardhshme.

***

Duke vënë në balancë informacionin e mësipërm, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste mbeten të larta në horizontin afatshkurtër, por ato mbeten të kontrolluara dhe në horizontin afatmesëm pritet të ndjekin një trajektore rënëse. Në mungesë të goditjeve të papritura, inflacioni pritet të jetë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë përgjatë horizontit kohor të politikës monetare. Pritjet inflacioniste të agjentëve ekonomikë vazhdojnë të jenë brenda objektivit të inflacionit, çka është thelbësore në kushtet e pranisë së njëkohshme të hendekut negativ të prodhimit dhe të çmimeve të larta të huaja. Banka e Shqipërisë është plotësisht e angazhuar në ankorimin e pritjeve inflacioniste në përputhje me objektivin e saj për inflacionin, dhe e gatshme të përmbushë mandatin e saj, duke shmangur materializimin e presioneve të qëndrueshme inflacioniste në inflacion.

Ne gjykojmë se kushtet monetare janë të përshtatshme për të stimuluar rritjen ekonomike, pa gjeneruar presione inflacioniste shtesë. Në kushtet e ekuilibrave të brishtë të ekonomisë shqiptare, kjo filozofi do të vijojë të udhëheqë veprimtarinë tonë edhe në periudhën e ardhshme.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës konkludoi se kushtet monetare paraqiten të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme dhe vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25%.