BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 29 shtator 2010

Data e publikimit: 29.09.2010

 

Në mbledhjen e datës 29 shtator 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe diskutoi mbi projeksionet e tyre për të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.00%.

Në vijim, po paraqes në mënyrë të përmbledhur konkluzionet kryesore të analizës tonë mujore dhe çështjet e diskutuara në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës, të cilat kushtëzuan vendimin e marrë.

***

Ambienti botëror në të cilin ka operuar ekonomia shqiptare gjatë muajve të fundit, është karakterizuar nga përmirësimi i ngadaltë i aktivitetit ekonomik dhe nga rritja e luhatshmërisë në tregjet financiare. Faktorët kryesorë që kanë ndikuar këto zhvillime janë zbehja e efektit të stimujve fiskalë e monetarë, si dhe kujdesi më i lartë i tregjeve ndaj zhvillimeve të treguesve të borxhit privat e publik, të ekonomive të ndryshme.

Pavarësisht pritjeve për rritje të lehtë të çmimeve në muajt në vijim, presionet inflacioniste në nivel botëror mbeten të kontrolluara dhe normat bazë të interesit vazhdojnë të jenë në nivele të ulëta historike.

Në veçanti, kredidhënia në nivele të ulëta, problemet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe në tregun e punës, të shoqëruara edhe me pozicionin delikat të borxhit publik të disa vendeve, kanë lënë më pak hapësira për ndjekjen e politikave kundërciklike dhe kanë rritur pasigurinë mbi ecurinë e aktivitetit ekonomik në rang botëror.

Rritja e çmimeve të lëndëve të para në muajt e fundit, si dhe niveli i ulët i hyrjeve të kapitalit drejt ekonomive të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, sugjerojnë se efektet e favorshme të përmirësimit të ekonomisë botërore tek ekonomitë e vogla mund të jenë më të zbehta nga sa pritej në fillim të vitit.

Të dhënat më të fundit të zhvillimeve të brendshme ekonomike dhe monetare kanë konfirmuar në përgjithësi interpretimet tona të deritanishme, se: ekonomia shqiptare vazhdon të karakterizohet nga përmirësimi gradual i aktivitetit, por ajo mbetet gjithsesi poshtë ritmeve potenciale të zhvillimit të saj.

Problemi kryesor me të cilin po përballet dhe do të vijojë të përballet ekonomia jonë është niveli i ulët i kërkesës së brendshme. Megjithëse eksportet shqiptare kanë njohur një rritje të shpejtë, kërkesa totale në ekonomi ka qenë e pamjaftueshme për të shfrytëzuar plotësisht kapacitetet prodhuese të vendit.

Kjo situatë është pasqyruar ndër të tjera në:

  • presionet e ulëta inflacioniste, të gjeneruara nga ekonomia e brendshme, 
  • në ecurinë më të zbehtë të tregut të punës dhe treguesve të punësimit, si dhe 
  • në kërkesën e moderuar të ekonomisë për kredi bankare.

Rritja e aktivitetit ekonomik është mbështetur së fundmi nga gjallërimi i sektorit privat. Sektori publik, ndonëse vijon të japë një ndikim pozitiv në sajë të stimulit fiskal, ka ulur kontributin e tij në aktivitetin ekonomik.

Në terma të kërkesës, rritja e shpejtë e eksporteve dhe tendenca pozitive e investimeve private kanë dhënë ndikimin më të madh në rritjen ekonomike. Konsumi privat, megjithëse mbetet i ulët, ka shfaqur së fundmi shenja përmirësimi. Kjo dëshmohet nga:

  • ecuria më e qëndrueshme e kredisë konsumatore, 
  • tendenca rritëse e inflacionit bazë, si dhe 
  • rritja e importit të mallrave të konsumit.

Industria dhe shërbimet kanë qenë sektorët më dinamikë të ekonomisë shqiptare, të mbështetur nga kërkesa e jashtme dhe rritja graduale e investimeve private, ndërkohë që ndërtimi dhe bujqësia kanë patur zhvillim më të ngadaltë. Përtej kërkesës së dobët për mallra e shërbime, rritja e konsumit dhe e investimeve në vend vijon të përballet me kushte të shtrënguara financimi.

Ndonëse bilancet e bankave mbeten tërësisht të shëndosha dhe treguesit e likuiditetit kanë ardhur në përmirësim, ecuria e kredisë për sektorin privat vazhdon të karakterizohet nga një kujdes i shtuar i sistemit bankar si dhe nga një ecuri e ngadaltë e kërkesës për kredi.

Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat rezultoi 10.2%, duke qenë pak më lart se niveli mesatar i shfaqur në tremujorin e dytë të vitit 2010. Raporti i kredisë ndaj Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet në nivelin 38%, duke shënuar një rritje prej 2 pikësh përqindjeje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky tregues sinjalizon shenja inkurajuese, për sa i përket rikthimit të sistemit bankar në financimin e aktivitetit ekonomik.

Kërkesa e dobët e brendshme dhe prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonomi kanë ndikuar në përthithjen e goditjeve mbi inflacionin, të ardhura nga faktorë të ofertës apo nga rritjet administrative të çmimeve të mallrave të konsumit. Norma vjetore e inflacionit në muajin gusht rezultoi brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, duke shënuar vlerën 3.5% nga 3.4% që ishte në muajin korrik.

Tendenca e lehtë rritëse e tij, gjatë dy muajve të fundit, është shkaktuar nga rritja e çmimit të administruar të furnizimit me ujë, si dhe nga oferta e reduktuar e prodhimit bujqësor. Të dy këta faktorë nuk pritet të gjenerojnë efekte të raundit të dytë, duke patur kështu një ndikim kalimtar në inflacion.

Nga ana tjetër, ndikimi i kursit të këmbimit ka ardhur në rënie dhe, në kushtet e raporteve më të qëndrueshme të kërkesës dhe ofertës për valutë, ai pritet të ketë një ndikim më të moderuar në inflacion. Në tërësi, Banka e Shqipërisë konstaton se presionet inflacioniste mbeten të kontrolluara dhe pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin janë të ankoruara rreth objektivit të saj prej 3%. Në këto rrethana, në mungesë të goditjeve të tjera që vijnë nga çmimet e administruara apo nga ambienti i jashtëm, projeksionet për inflacionin vazhdojnë të karakterizohen nga një tendencë rënëse e tij në periudhën afatmesme.

Treguesit fiskalë dëshmojnë për zbehje të karakterit stimulues të politikës fiskale gjatë muajve të fundit, duke u karakterizuar në përgjithësi nga respektimi i kornizave të përcaktuara në buxhetin e rishikuar. Në terma vjetorë, të ardhurat buxhetore janë rritur me 5.7%, ndërsa shpenzimet janë tkurrur me 5.5% gjatë tetë muajve të parë të vitit. Po kështu, deficiti buxhetor është ulur në pothuajse 50% të nivelit të shënuar në periudhën korresponduese të vitit 2009.

Ky deficit është financuar në masën më të madhe nga burime të brendshme, nëpërmjet emetimit të bonove të thesarit dhe obligacioneve në tregun e brendshëm financiar. Huamarrja më e ulët e qeverisë ka ndikuar në përmirësimin e treguesve të likuiditetit të sistemit, duke u reflektuar në ulje të normave të interesit dhe zgjerimin e hapësirave për financimin e sektorit privat.

Gjithashtu, ulja e ritmit të kryerjes së shpenzimeve publike dhe ngadalësimi i zgjerimit të deficitit buxhetor kanë dhënë një ndikim pozitiv në kontrollin e ekuilibrave të jashtëm të ekonomisë shqiptare. Banka e Shqipërisë gjykon se respektimi i nivelit të huamarrjes publike dhe i borxhit publik deri në fund të vitit, do të ndihmojë në ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë në vend në periudhën e ardhshme. Ecuria e sektorit të jashtëm të ekonomisë në tremujorin e dytë mbart sinjale inkurajuese në drejtim të korrektimit të deficitit të lartë të llogarisë korente. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporti i deficitit të llogarisë korente ndaj PBB-së është reduktuar me rreth 4 pikë përqindje, duke zbritur në nivelin 9.2%.

Efektin kryesor në këtë reduktim e ka dhënë zvogëlimi i deficitit tregtar, si pasojë e rritjes së shpejtë të eksporteve dhe e nivelit të kontrolluar të importeve. Hyrjet valutore në llogarinë kapitale e financiare kanë qenë përafërsisht të mjaftueshme për të mbuluar deficitin e llogarisë korente.

Megjithatë, luhatja e tyre sugjeron se pozicioni i jashtëm i vendit mbetet ende në një ekuilibër të brishtë. Përmirësimi i tij do të kërkojë masa të mëtejshme për të reduktuar deficitet e llogarisë korente dhe për të rritur burimet e qëndrueshme të hyrjeve të valutës. Në veçanti, Banka e Shqipërisë rithekson se ruajtja e ritmeve aktuale të rritjes së eksporteve mbetet një nga objektivat e rëndësishëm strategjikë si për periudhën afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë.

Faktorë objektivë dhe subjektivë mund të bëjnë të përkohshëm kontributin pozitiv të eksporteve në rritjen e kërkesës agregate dhe në përmirësimin e balancave të jashtme të ekonomisë.

Për këtë qëllim, rritja në terma të qëndrueshëm e eksporteve të mallrave e të shërbimeve kërkon vazhdimin e reformave strukturore, si nga autoritetet publike ashtu dhe nga ato private, duke synuar gjithnjë rritjen e eficiencës, thellimin e avantazheve konkurruese të ekonomisë shqiptare dhe zgjerimin e pranisë së produkteve tona në tregjet ndërkombëtare.

Tregjet financiare në vend kanë reaguar në drejtimin e duhur ndaj lëvizjes së Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit në fund të muajit korrik me 0.25 pikë përqindje. Tregu ndërbankar dhe ai primar i letrave me vlerë të qeverisë kanë reflektuar në masë thuajse të plotë këtë lëvizje. Në terma mesatarë, përqindja ditore ka rënë me 0.32 pikë përqindjeje, ndërkohë që përqindja në tregun njëjavor ka rënë me 0.26 pikë përqindje. Tendencë të përafërt rënëse manifeston edhe tregu primar i letrave me vlerë të qeverisë. Yield-i 3-, 6- dhe 12-mujor regjistroi rënie respektivisht në masën 0.23, 0.13 dhe 0.21 pikë përqindjeje.

Paralelisht me të, vihet re dhe ulja e normave të interesit të depozitave në lekë, në kushtet kur edhe treguesit e likuiditetit të bankave paraqiten në përmirësim. Këto zhvillime janë lehtësuar edhe nga politika operacionale e Bankës së Shqipërisë, e cila ka ofruar të gjithë likuiditetin e nevojshëm për funksionimin normal të sistemit bankar.

Nga ana tjetër, përcjellja e lehtësimit të kushteve monetare në normat e interesit të kredisë është ndjerë e zbehtë, si pasojë e zinxhirit të gjatë të transmetimit të politikës monetare dhe primeve të rrezikut të pranishëm në tregun e kredisë.

***

Duke vënë në balancë informacionin e sipërpërmendur, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste në periudhën afatmesme janë nën kontroll dhe faktorët e rrezikut paraqiten përgjithësisht të balancuar.

Ekonomia shqiptare do të vijojë të jetë ende nën efektin e rritjes së çmimeve të administruara, ndërkohë që prania e kapaciteteve të lira në ekonomi edhe gjatë periudhës së ardhshme do të ushtrojë presione rënëse mbi inflacionin.

Në mungesë të goditjeve të papritura, inflacioni i çmimeve të konsumit në periudhën afatmesme do të jetë në linjë me objektivin e Bankës së Shqipërisë për të. Ndikimi në inflacion i rritjeve të mëtejshme të çmimeve të lëndëve të para, i rritjeve të tjera të mundshme të çmimeve të administruara, apo dhe një shtytje përtej parashikimit e kërkesës së brendshme, janë rreziqe të cilat do të jenë objekt i vlerësimit intensiv e të vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.00%. Kushtet monetare paraqiten të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme.