BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Gent Sejko, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 16 dhjetor 2015

Data e publikimit: 16.12.2015

 

Në mbledhjen e ditës së sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim raportin e ndërmjetëm të politikës monetare. Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se, ndonëse të pakta, të dhënat e reja ekonomike dhe monetare të analizuara në këtë raport kanë qenë përgjithësisht në përputhje me pritjet. Për rrjedhojë, informacioni i ri nuk ndryshon vlerësimin tonë mbi ecurinë aktuale dhe të pritur të ekonomisë shqiptare.

Banka e Shqipërisë parashikon një rritje ekonomike në përmirësim progresiv gjatë dy viteve të ardhshme. Kjo rritje do të mundësojë kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor afatmesëm. Në përputhje me këto konkluzione dhe në vijim të reduktimit të normës bazë të interesit në mbledhjen paraardhëse, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se stimuli monetar aktual është në nivele të përshtatshme. 

Duke u nisur nga sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.75%.

Në vazhdim do të bëj një shtjellim më të plotë të çështjeve që parashtrova më sipër.

***

  • Analizat dhe projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të rritet gradualisht drejt objektivit në horizontin afatmesëm.

Inflacioni i muajve tetor dhe nëntor rezultoi në nivelin 2.1%. Kjo ecuri përfaqëson një frenim të tendencës së shpejtë rritëse të inflacionit gjatë dy muajve paraardhës. Ajo konfirmon vlerësimet tona të mëparshme se kjo rritje u shkaktua nga faktorë të përkohshëm, ndërkohë që presionet e përgjithshme inflacioniste mbeten të ulëta.

Në terma të komponentëve përbërës, niveli i inflacionit u përcaktua nga kontributi i inflacionit të lartë të mallrave ushqimore, dhe veçanërisht i ushqimeve të freskëta e të papërpunuara. Çmimet e artikujve të tjerë të shportës së konsumit kanë dhënë, në tërësi, një kontribut të kahut rënës mbi inflacionin e kësaj periudhe.

Nga këndvështrimi makroekonomik, niveli nën objektiv i inflacionit vazhdon të pasqyrojë rritjen nën potencial të ekonomisë shqiptare. Rritja e pamjaftueshme e kërkesës agregate gjeneron kapacitete të pashfrytëzuara në tregjet e punës dhe të kapitalit, të cilat shoqërohen më tej me presione të ulëta për rritjen e kostove të prodhimit, të marzheve të fitimit dhe të inflacionit bazë. Nga ana tjetër, luhatjet e inflacionit gjatë muajve të fundit kanë pasqyruar goditjet e faktorëve të ofertës, në formën e luhatjeve të inflacionit të importuar apo të ofertës së produkteve ushqimore.

Banka e Shqipërisë gjykon se hendeku negativ i prodhimit dhe çmimet e ulëta në tregjet botërore do të vazhdojnë të jenë të pranishme përgjatë një horizonti kohor afatshkurtër. Efekti rënës i tyre në inflacion do të kompensojë efektin rritës të çmimeve të larta të produkteve ushqimore. Për rrjedhojë, inflacioni mesatar për vitin 2016 pritet të luhatet rreth nivelit 2.3%. Më tej, inflacioni parashikohet të ndjekë një tendencë rritëse dhe të kthehet në objektivin tonë prej 3% rreth fillimit të vitit 2018.

  • Kthimi i inflacionit në objektiv do të mbështetet nga gjallërimi i pritur i ekonomisë në vitet në vijim.

Ky gjallërim pritet të reflektojë rritjen e konsumit dhe të investimeve private gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që shkëmbimet me jashtë pritet të kenë një kontribut të vogël pozitiv dhe politika fiskale pritet të ndjekë një kurs konsolidues. Informacioni i ri i përftuar është përgjithësisht në linjë me këto vlerësime.

Deficiti i shkëmbimeve tregtare të mallrave shënoi një zgjerim të lehtë vjetor prej 1.6% gjatë periudhës korrik-tetor, i ndikuar më së shumti nga rënia e eksportit në vlerë të naftës bruto dhe të metaleve bazë. Rënia e eksporteve gjatë muajve të fundit pasqyron në një masë të madhe efekte kalimtare të koniunkturës botërore të çmimeve. Eksportet shqiptare pritet të kenë një ecuri më të mirë gjatë vitit 2016, ndonëse zhvillimet në partnerët tanë tregtarë shfaqen ende problematike.

Të dhënat e reja fiskale të muajit tetor tregojnë për një rritje të ritmit të të ardhurave dhe një ngadalësim të ritmit të shpenzimeve publike. Këto të fundit janë ndikuar prej pagesave më të ulëta të detyrimeve të prapambetura, krahasuar me një vit më parë. Deficiti buxhetor i dhjetë muajve të parë të vitit ishte rreth 43% më i ulët se në periudhën korresponduese të vitit të shkuar.

  • Rritja ekonomike do të mbështetet nga përmirësimi i mëtejshëm i kushteve të financimit.

Banka e Shqipërisë vazhdon të ndjekë një politikë monetare stimuluese. Kjo politikë ka sjellë reduktimin në nivele minimale historike të kostove të financimit në ekonomi. Ajo ka mundësuar rritjen e vazhdueshme të portofolit të kredisë në lekë dhe ka mbështetur zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private.

Stimuli monetar u forcua më tej, me uljen e normës bazë të interesit në muajin nëntor. Përcjellja e kësaj lëvizjeje në tregjet financiare ka qenë e kënaqshme, por ajo mbetet ende jo e plotë. Gjatë dy muajve të fundit të vitit, tregjet financiare shfaqen likuide, treguesit e shëndetit të sistemit bankar janë pozitivë dhe normat e interesit po lëvizin në kahun rënës. Këto tendenca pritet të forcohen më tej gjatë vitit 2016, në reflektim të politikës sonë monetare dhe të reduktimit të ndjeshëm të huamarrjes publike në tregjet e brendshme financiare.

Aktiviteti kreditues shfaqi një përmirësim të lehtë në muajin tetor. Duke përjashtuar efektin e nxjerrjes së kredive të humbura jashtë bilancit, norma vjetore e rritjes së kredisë u rrit nga 0.9% në muajin shtator në 1.8% në muajin tetor. Ky zhvillim pozitiv reflektoi kryesisht rritjen e kredisë për biznese.

Me gjithë përmirësimin e këtij muaji, aktiviteti kreditues mbetet ende i zbehtë, si pasojë e kërkesës së dobët, e politikave konservatore të bankave dhe e rrezikut të lartë të kredisë. Rritja e kredisë pritet të mbetet e moderuar në afat të shkurtër dhe të forcohet gradualisht gjatë vitit të ardhshëm. Përmirësimi i pritur i aktivitetit ekonomik në vend dhe efekti i masave për reduktimin e kredive me probleme do të mbështesin rritjen e kërkesës për kredi dhe gatishmërinë e bankave për të akomoduar këtë kërkesë. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës rithekson se rritja ekonomike dhe përshpejtimi i kreditimit duhet të mbështeten nga vazhdimi i reformave strukturore dhe nga përmirësimi i mëtejshëm i klimës së biznesit.

  • Në mbyllje të analizës, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se përmbushja e objektivave të Bankës së Shqipërisë kërkon ruajtjen e kahut lehtësues të politikës monetare.

Mbajtja e pandryshuar e normës bazë të interesit në mbledhjen e sotme krijon më shumë hapësirë për përcjelljen e plotë të stimulit monetar të dhënë gjatë vitit 2015 në tregjet financiare dhe në ekonomi.

Duke u nisur nga informacioni i disponuar, si dhe në bazë të vlerësimeve e parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare do të jetë lehtësuese edhe përgjatë vitit 2016.

Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se balanca e rreziqeve vazhdon të jetë e zhvendosur në kahun e poshtëm. Banka e Shqipërisë do të monitorojë me vëmendje situatën dhe, në varësi të zhvillimeve të reja, mbetet e gatshme të marrë të gjitha masat e duhura për përmbushjen e objektivave të saj.