BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 5 tetor 2016

Data e publikimit: 05.10.2016

 

Informacioni i ri, i marrë në analizë në raportin e radhës të politikës monetare, ka rezultuar përgjithësisht në përputhje me pritjet tona. Aktiviteti ekonomik vazhdon të zgjerohet, inflacioni ka ardhur në rritje, ndërsa kostot e financimit mbeten rreth niveleve më të ulëta historike.

Informacioni i ri ka lënë gjithashtu të pandryshuara parashikimet tona. Këto parashikime sugjerojnë se kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe konvergimi i qëndrueshëm i inflacionit në objektiv do të materializohen vetëm brenda një horizonti kohor afatmesëm.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm. Ambienti financiar likuid dhe me norma të ulëta interesi, i diktuar prej politikës monetare stimuluese, është i nevojshëm për të nxitur rritjen e mëtejshme të aktivitetit ekonomik dhe për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv.

5 10 2016 konf 498 8756 0

Inflacioni i çmimeve të konsumit arriti në nivelin 2% në muajin gusht, duke vazhduar të ndjekë një trajektore rritëse pas vlerave të ulëta të shënuara gjatë tremujorit të parë. Rritja e inflacionit erdhi si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe e çmimit të naftës.

Në terma makroekonomikë, rritja e inflacionit pasqyron efektin e rritjes së kërkesës agregate dhe reduktimin e goditjeve të ofertës të ardhura nga çmimet e ulëta të ushqimeve dhe të lëndëve të para në tregjet botërore.

Të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka vazhduar të rritet gjatë tremujorit të dytë e të tretë, me ritme të krahasueshme me ato të shënuara në tremujorin e parë. Kjo rritje është mbështetur nga zgjerimi i kërkesës së brendshme të sektorit privat, ndërkohë që shkëmbimet tregtare me jashtë dhe politika fiskale konsoliduese kanë ndikuar në kahun e kundërt.

Ambienti i favorshëm financiar, rritja e punësimit, përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë dhe vazhdimi i flukseve të larta hyrëse të investimeve të huaja direkte, kanë ndihmuar në rritjen e konsumit dhe të investimeve private. Banka e Shqipërisë vlerëson se këta komponentë të kërkesës agregate do të vazhdojnë të udhëheqin rritjen ekonomike edhe në tremujorët në vazhdim.

Nga ana tjetër, thellimi i deficitit të shkëmbimeve tregtare me jashtë nuk ka ndihmuar rritjen ekonomike të vendit. Kjo ecuri është ndikuar kryesisht nga rritja e importeve, në përgjigje të ciklit pozitiv të investimit në ekonomi. Paralelisht me të, kërkesa e ulët e huaj për disa produkte tipike të eksportit shqiptar si nafta dhe lëndët e para minerale ka frenuar eksportet tona. Ambienti i jashtëm ekonomik pritet të mbetet i pafavorshëm edhe në afatin e shkurtër, por bilanci tregtar me jashtë pritet të shënojë një përmirësim gradual në horizontin afatmesëm.

Politika fiskale konsoliduese u përkthye në një suficit buxhetor prej rreth 13.7 miliardë lekësh gjatë tetë muajve të parë të vitit. Respektimi i niveleve të programuara të deficitit buxhetor për vitin 2016 nënkupton se politika fiskale do të marrë një natyrë stimuluese për pjesën e mbetur të vitit. Ky respektim kërkon gjithashtu përshpejtimin e ritmit të shpenzimeve në pjesën e mbetur të vitit. Banka e Shqipërisë gjykon se një shpërndarje më e njëtrajtshme e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, do të përmirësonte efektivitetin e tyre dhe do të reduktonte luhatjet në treguesit ekonomikë e financiarë.

Stimuli monetar, i përcjellë nëpërmjet reduktimit të normës bazë të interesit, është transmetuar tashmë në tregjet financiare. Këto tregje kanë rezultuar përgjithësisht të qeta, ndonëse segmente të caktuara kanë pasur volatilitet të shtuar. Normat e interesit të kredive dhe të depozitave kanë vazhduar të qëndrojnë pranë niveleve minimale historike edhe gjatë muajit gusht. Nga ana tjetër, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë shënuar rritje gjatë ankandeve të fundit. Kjo rritje pasqyron një tendencë korrektuese të rënies së shpejtë të tyre gjatë gjysmës së parë të vitit, por edhe zhbalancime të përkohshme të kërkesës dhe ofertës për këto instrumente.

Kreditimi i ekonomisë vazhdon të shënojë rritje, por kjo ecuri mbetet ende e brishtë. E pastruar nga efektet e fshirjes së kredive nga bilancet e sistemit bankar dhe të luhatjes së kursit të këmbimit, kredia për ekonominë shënoi një rritje vjetore prej 4.2% në muajin gusht. Portofoli i kredisë në lekë shënoi një rritje vjetore prej 6.9% ndërkohë që portofoli i kredisë në valutë u rrit me 2.3%. Në terma sektoriale, kredia konsumatore ka një ecuri relative më të mirë se kredia për biznese. Ngadalësimi i ritmit mujor të rritjes së kredisë në muajt korrik e gusht pritet të jetë një fenomen kalimtar. Megjithatë, ky zhvillim ilustron paqëndrueshmërinë e kreditimit në vend dhe rithekson nevojën për vazhdimin e reformave strukturore, të cilat do të mundësonin reduktimin e rrezikut të kredisë dhe rritjen e kërkesës për të.

Në bazë të informacionit të disponuar, Banka e Shqipërisë gjykon se tabloja e pritur e zhvillimeve ekonomike e financiare, e paraqitur në raportin tremujor paraardhës, mbetet ende e vlefshme. Ne parashikojmë një përmirësim progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë dy viteve të ardhshme. Ky përmirësim do të ndihmojë në kthimin e ekonomisë në ekuilibër gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017 dhe të inflacionit në objektiv gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018. Njëkohësisht, informacioni i disponuar sugjeron se balanca e rreziqeve në horizontin afatmesëm vazhdon të qëndrojë në kahun rënës.

Duke faktorizuar edhe konsolidimin e pritur fiskal, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se përmbushja e objektivit tonë të inflacionit do të kërkojë ndjekjen e një politike monetare stimuluese gjatë kësaj periudhe.

Në përputhje me këto gjykime, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

- të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%.

- të mbajë të pandryshuar normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelin 0.25% dhe 2.25%.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përgjatë 2016.

Në mbyllje, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se politikat monetare e fiskale shërbejnë dhe janë të mjaftueshme vetëm për kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe për ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit. Nga ana tjetër, përshpejtimi i potencialit të rritjes ekonomike varet nga gjerësia dhe ambicia e programit të reformave strukturore.

Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 5 tetor 2016