BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 6 prill 2016

Data e publikimit: 06.04.2016

 

Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, mori në shqyrtim raportin e ndërmjetëm të politikës monetare. Vëmendje e veçantë, gjatë diskutimeve, iu kushtua analizës së ecurisë aktuale dhe të pritshme të inflacionit, si dhe ndikimeve të saj në politikën monetare.

 dsc0914 copy copy 8155 0

Këto analiza konfirmuan edhe një herë përfundimet e mëparshme të Bankës së Shqipërisë se rënia e shpejtë e inflacionit, gjatë dy muajve të parë të vitit, pasqyron efektin e çmimeve të ulëta të naftës dhe të ushqimeve. Informacioni i ri mbi aktivitetin e sektorit real të ekonomisë është përgjithësisht në linjë me pritjet tona dhe nuk sinjalizon rënie të kërkesës agregate. Për rrjedhojë, goditjet e ofertës pritet të jenë kalimtare dhe të mos cënojnë kthimin e inflacionit në objektiv, brenda afateve kohore të komunikuara më parë nga Banka e Shqipërisë.

Megjithatë, presionet dizinflacioniste të ofertës do të vazhdojnë ta mbajnë inflacionin në nivele të ulëta, edhe për disa muaj në vazhdim. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka rishikuar për poshtë parashikimin e saj për ecurinë e inflacionit gjatë vitit 2016. Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë e gjykoi të nevojshme rritjen e stimulit monetar në ekonomi.

Duke reflektuar mbi këto zhvillime, Këshilli Mbikëqyrës vendosi ta ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje. Kjo lëvizje synon të garantojë kthimin e inflacionit në objektiv, brenda horizontit kohor afatmesëm.

Në vazhdim do të bëj një shtjellim më të plotë të çështjeve që parashtrova më sipër.


***

Inflacioni shënoi rënie të shpejtë gjatë dy muajve të parë të vitit. Norma vjetore e tij zbriti në 0.2% në muajin shkurt, kundrejt nivelit 2% të regjistruar në dhjetor 2015. Analizat tona tregojnë se kjo rënie pasqyron veprimin e kombinuar të tre faktorëve: (i) inflacionin e ulët të produkteve ushqimore, veçanërisht të ushqimeve të freskëta të stinës; (ii) efektin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të çmimeve të ulëta të naftës; si dhe, (iii) bazën e lartë krahasuese të çmimeve gjatë së njëjtës periudhë të një viti  më parë. Të tre këta faktorë shpjegojnë rreth ¾ e rënies së inflacionit në këtë periudhë.

Efekti i bazës së lartë krahasuese pritet të shuhet brenda muajit prill. Nga ana tjetër, çmimet e ulëta të ushqimeve dhe të naftës kanë goditur ecurinë e inflacionit në të gjitha vendet e rajonit dhe në partnerët tanë tregtarë. Këta faktorë do të vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre në inflacion edhe përgjatë disa muajve në vazhdim. Për rrjedhojë, parashikimet e përditësuara sugjerojnë se inflacioni do të luhatet rreth nivelit 1.9% në fund të vitit 2016, krahasuar me 2.3% në parashikimin tonë paraardhës.
Sa u përket faktorëve me ndikim të qëndrueshëm dhe afatgjatë në inflacion, kërkesës agregate dhe shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi, gjykimi ynë mbi to nuk ka ndryshuar. Presionet e brendshme inflacioniste shfaqen ende të zbehta, duke reflektuar aktivitetin ekonomik nën potencial dhe presionet ende të pakta për rritje të pagave dhe të kostove të prodhimit.

Megjithatë, ekonomia shqiptare është në një trajektore pozitive zhvillimi dhe këto presione pritet të forcohen gradualisht në horizontin afatmesëm. Inflacioni pritet të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë të vitit 2018, në përputhje me përmirësimin e pritshëm progresiv të ekonomisë shqiptare.

Të dhënat e reja mbi aktivitetin ekonomik janë në linjë me pritjet tona.

Informacioni direkt mbi ecurinë e konsumit dhe të investimeve private mungon, por të dhënat e tërthorta të përftuara nga treguesit fiskalë dhe ata të tregtisë së jashtme sugjerojnë një ecuri pozitive të tyre.

Nga ana tjetër, politika fiskale ka pasur një profil konsolidues në dy muajt e parë të vitit. Të ardhurat buxhetore kanë shënuar rritje dyshifrore gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që shpenzimet publike janë reduktuar dhe balanca buxhetore rezultoi pozitive për rreth 9.9 miliardë lekë. Në përputhje me buxhetin e miratuar, politika fiskale do të mbetet konsoliduese gjatë gjithë vitit 2016, por intensiteti i konsolidimit pritet të vijë në rënie gjatë pjesës së mbetur të vitit.

Çmimet e ulëta të naftës në tregjet ndërkombëtarë kanë dëmtuar ecurinë e eksporteve tona. Deficiti tregtar është zgjeruar me rreth 11.8% gjatë periudhës janar-shkurt, në përgjigje të rënies së eksporteve dhe të rritjes së importeve.
Në linjë edhe me vlerësimet tona të mëparshme, ambienti i jashtëm pritet të jetë i pafavorshëm për rritjen e eksporteve të mallrave shqiptare gjatë vitit 2016.

Si rezultat i politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, tregjet financiare karakterizohen nga likuiditet i bollshëm dhe nga tendenca rënëse të normave të interesit. Së fundmi, këto tendenca janë përforcuar më shumë nga zhvendosja e huamarrjes publike drejt tregut të huaj. Kostot e financimit të sektorit publik e privat janë afër niveleve minimale historike. Po ashtu, primet e likuiditetit shfaqen në rënie dhe aktiviteti i tregut ndërbankar i përmirësuar.

Megjithatë, aktiviteti kreditues mbetet i ngadaltë. I pastruar nga efekti i nxjerrjes jashtë bilancit të kredive me probleme, portofoli i kredisë bankare për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 2.6% në muajin janar. Sikurse e kemi thënë dhe më parë, ecuria e dobët e kredisë reflekton kërkesën e ulët për kredi dhe ofertën e shtrënguar të saj nga bankat. Kërkesa për kredi pritet të vijë në rritje gjatë horizontit afatmesëm, në përputhje me përmirësimin e pritur të aktivitetit ekonomik. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë gjykon se zgjidhja e çështjeve që lidhen me kreditë me probleme dhe ekzekutimin e kolateralit, do të ketë një ndikim parësor në përmirësimin e ofertës për kredi.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje. Pas kësaj uljeje, norma bazë e interesit zbret në nivelin 1.5%.

Lehtësimi i mëtejshëm i politikës monetare synon t?i japë një impuls shtesë aktivitetit ekonomik, duke nxitur rritjen e kërkesës së brendshme dhe duke përmirësuar mbështetjen e saj me kredi bankare. Fuqizimi i aktivitetit ekonomik pritet të rrisë presionet e brendshme inflacioniste, duke kompensuar tendencat dizinflacioniste që vijnë nga ambienti i huaj.

Gjithashtu, kjo lëvizje sinjalizon vullnetin e Bankës së Shqipërisë për të garantuar stabilitetin e çmimeve, në përputhje me objektivin e saj afatmesëm të inflacionit. Banka e Shqipërisë thekson dhe një herë se ajo ka vullnetin dhe instrumentet e nevojshëm për ta arritur këtë objektiv. Në mbështetje të këtij angazhimi, Banka e Shqipërisë do të mbetet në monitorim të vazhdueshëm të situatës, dhe e gatshme të ndërmarrë lehtësime të mëtejshme të politikës monetare në rast se goditjet dizinflacioniste të ofertës do të dëmtojnë perspektivën afatmesme të stabilitetit të çmimeve.

Në çdo rast, duke u nisur nga informacioni i disponuar si dhe në bazë të vlerësimeve e parashikimeve tona, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se stimuli monetar nuk do të dobësohet përgjatë gjithë vitit 2016.

***

Në mbështetje të vendimit të politikës monetare, si dhe duke synuar një funksionim sa më të mirë të tregut ndërbankar, në mbledhjen e sotme Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ngushtojë korridorin e normave të interesit në tregun ndërbankar, nga 3.5 pikë përqindjeje në 2.5 pikë përqindjeje. Ky korridor kufizohet nga normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore. Pas reduktimit të normës bazë të interesit dhe pas ngushtimit të korridorit, normat e reja të interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore do të jenë 0.25% dhe 2.75%, respektivisht.

Këto ndryshime targetojnë kushtet me të cilat Banka e Shqipërisë tregton likuiditetin me bankat tregtare. Kjo lëvizje synon të reduktojë luhatjet e normave të interesit në tregun ndërbankar dhe të ndihmojë transmetimin e politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë.

Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit të datës 6 prill 2016