BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Konferencë për shtyp e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani.

Data e publikimit: 17.01.2001

 

Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë, i përcaktuar në ligjin e bankës qendrore, është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Ky objektiv materializohet në synimin për të arritur norma të ulëta të inflacionit vjetor. Për vitin 2000 objektivi u përcaktua në intervalin 2-4 për qind. Përcaktimi i objektivit të inflacionit me anë të një intervali krijon më tepër fleksibilitet për autoritetet në përpjekjet për arritjen e tij, sidomos në ekonomi të pastabilizuara.

Ecuria e inflacionit gjatë viteve 1998 dhe 1999 si dhe për periudhën janar - nëntor 2000 krijoi bindjen që edhe për vitin 2000 do të respektohej objektivi i përcaktuar për inflacionin. Në fakt nuk ndodhi kështu. Jashtë çdo parashikimi zhvillimet e muajit dhjetor prodhuan një normë mujore inflacioni në masën 4,6 për qind duke sjellë një përmbysje totale të normës së inflacionit nga -0,4 për qind si njëmbëdhjetëmujor (nëntori 2000 kundrejt dhjetorit 1999) në 4,2 për qind në fund të vitit 2000. Ky nivel është rreth 0,2 pikë përqindjeje mbi kufirin e sipërm të objektivit për inflacionin vjetor. Zhvillimi i papritur në çmimet e konsumit vlerësohet të jetë pasojë, kryesisht e dy faktorëve: intensitetit të spekulimit në muajin dhjetor dhe krizës energjitike që përfshiu vendin në tre muajt e fundit të vitit.

Duke parë nga afër zhvillimet e muajit dhjetor, mund të thuhet se spekulimi me çmimet për shkak të festave të fundvitit po bëhet gjithnjë e më shumë përcaktues i normës së inflacionit. Me kalimin e viteve ky "spekulim" sa vjen e rritet. Megjithëse një pjesë e kësaj rritjeje të lartë ka si pasojë rritjen e kërkesës për mallra konsumi për shkak të festave, vlerësohet se motivi spekulues është i fortë dhe përbën shkakun kryesor të rritjes së pazakontë të çmimeve.

Lexo fjalën e plotë të Guvernatorit.