BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Konferencë për shtyp e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani.

Data e publikimit: 17.11.2000

 

Të dhënat e raportuara për aspekte të ndryshme të ekonomisë flasin, në tërësi, për disa përmirësime të ekonomisë shqiptare në vitin 2000. Kjo është pasqyruar edhe në rishikimin e treguesve kryesorë makroekonomikë që u bënë në tetor të këtij viti. Në bazë të të dhënave të disponueshme vërehen përmirësime në disa sektorë të ekonomisë.

Vërehet një përmirësim në sektorin publik të industrisë. Indeksi i prodhimit industrial në volum, në fund të muajit shtator (me bazë vitin 1993) u ngjit në 85.8 për qind nga 68 dhe 58.3 për qind të regjistruar përkatësisht në tremujorin e dytë dhe të parë. Kjo rritje ishte kryesisht kontribut i industrisë metalurgjike dhe përpunimit të metaleve dhe nxjerrjes së produkteve energjitike. Duket se procesi i ristrukturimit po fillon të gjenerojë efektet pozitive të pritshme.

Aktiviteti tregtar i realizuar në rreth 829 milionë dollarë amerikanë, deri në fund të muajit gusht, vlerësohet më i lartë krahasuar me vitin paraardhës (4.1 për qind). Rritja në importe (rreth 7.7 për qind) përfaqëson shkakun e vetëm në rritjen e shkëmbimeve tregtare me botën, ndërkohë që, eksporti mbetet nën nivelin e realizimeve të vitit paraardhës (7.9 për qind më i ulët). Zhvillimet në sektorin e jashtëm, po t'i referohemi statistikave për gjashtë muajt e parë të vitit, duken se janë nën kontroll dhe reflektojnë ecurinë e ekonomisë së brendshme. Krahasuar me një vit më parë, shpenzimet korente janë rritur me rreth 34 për qind ndërkohë që të ardhurat paraqiten 5 për qind më të ulëta.
Megjithatë, deficiti korent duket se është në përputhje me parashikimet e bëra në program dhe pritet të jetë i tillë deri në fund të vitit. Dërgesat nga emigrantët deri në fund të gjashtëmujorit të parë vlerësohen 280 milionë dollarë amerikanë.

Lexo fjalën e plotë të Guvernatorit.