BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Lidhur me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës për rritjen e normës bazë të interesit

Data e publikimit: 22.08.2001

 

Në datën 15.08.2001, vendosëm të rrisnim normën e interesit të repove në 7 për qind nga 6.5 për qind që ishte në fuqi. E thënë me gjuhën teknike norma e interesit të repove u rrit me 0.5 pikë përqindjeje. Norma e re do të fillojë të zbatohet në të gjitha ankandet që do të zhvillohen pas datës 20 gusht.

Në mënyrë të vazhdueshme gjatë vitit 2000 kemi njoftuar institucionet, median dhe publikun për përpjekjet që po bën Banka e Shqipërisë për të zëvendësuar instrumentet direkte me ato indirekte për zbatimin e politikës monetare. Kështu, norma minimum e interesit për depozitat me afat në lekë të vendosura në bankat me kapital shtetëror u zëvendësua fillimisht me normën maksimale të interesit që Banka e Shqipërisë shpallte në ankandet e repove (marrëveshje riblerjeje).

Politika e Bankës së Shqipërisë në lidhje me interesat u përçua nëpërmjet përdorimit të normës së interesit si dhe të shumës së ankandit. Ankandi i parë u zhvillua në korrik të vitit 2000 dhe ishte ankand me shumë çmime. Ky model u zbatua deri në maj të vitit 2001. Në këtë periudhë u kalua në një formë tjetër, në ankandin me çmim fiks. Në këtë mënyrë, norma e interesit të repove luan rolin e normës referencë për të gjitha normat e tjera në ekonomi. Nëpërmjet shpalljes së saj Banka e Shqipërisë jep sinjalet mbi mënyrën se si duhet të reagohet me normat e tjera. Me fjalë të tjera, norma e interesit të repove është "norma politike", në kuptimin që bën të ditur për publikun politikën e Bankës së Shqipërisë.