BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje - U shprehët se politika fiskale duhet të jetë më e përmbajtur gjatë 6-mujorit të dytë të këtij viti, ndërkohë që do të bëhet dhe një auditim i financave.

Data e publikimit: 02.08.2013

 

Pyetje- U shprehët se politika fiskale duhet të jetë më e përmbajtur gjatë 6-mujorit të dytë të këtij viti, ndërkohë që do të bëhet dhe një auditim i financave.  Sa do të ndikojë Banka e Shqipërisë në kontrollin e këtyre financave, duke patur parasysh se Kryeministri i zgjedhur ka thënë se do të kemi një auditim ndërkombëtar? A mendoni se dhe ju duhet të keni një ndikim më të madh në kontrollin e financave  publike?

Përgjigje-Në një ekonomi tregu detyrat janë të ndara. Detyra themelore e bazuar në statutin e Bankës së Shqipërisë është ruajtja e stabilitetit të çmimeve, ruajtja e stabilitetit financiar të vendit për të siguruar një rritje të qëndrueshme afatgjatë. Këto janë dy detyrat tona kryesore. Ne kemi gjykuar se një detyrë tjetër e rëndësishme është edukimi financiar i publikut. Nevoja për edukim financiar është e madhe dhe kjo kuptohet dhe nga përmbajtja e pyetjes tuaj.

Zakonisht thonë që bankat qendrore bëhen të bezdisshme sepse përsërisin përherë të njëjtat gjëra. Por unë mendoj se kjo është baza e punës tonë. Kjo bëhet e domosdoshme edhe nga fakti se megjithë përsëritjen e herëpashershme në publik të mandatit të Bankës së Shqipërisë, i cili është në përputhje me modelin modern të bankave qendrore përsëri na drejtohen pyetje dhe komente të tilla.

Për sa i përket zhvillimit të aktivitetit tonë në vijim dhe të pyetjes tuaj, kundraparti ynë i vetëm është tregu financiar dhe bankar. Ne furnizojmë me likuiditetin e nevojshëm dhe të domosdoshëm tregun, mënyra e shpërndarjes është vendim i tregut.  Kjo është vija e ndarjes midis një sektori privat, midis një banke të shtetit që kemi patur dhe një banke qendrore moderne. Pra kundraparti ynë është tregu. Ka një shprehje mjaft të thjeshtë dhe mjaft të kuptueshme nga të gjithë, të Milton Friedman, i cili thotë se banka qendrore nuk bën gjë tjetër veçse jep likuiditetin e domosdoshëm kur është e nevojshme dhe e tërheq atë nga tregu kur ka teprica.

Nga ana tjetër, unë mendoj që çdo qeveri e re, që ditën e parë në detyrë do të kërkojë një auditim të llogarive financiare të saj. Kjo është një detyrë që është bërë gjithmonë dhe do të vijojë të bëhet. Mënyra se si do realizohet kjo, me institucione vendase apo të huaja është një gjë që i takon vetë qeverisë ta vendosë.

Ne jemi mësuar me këtë.  Gjatë gjithë kohës kemi pasur Fondin Monetar Ndërkombëtar në rolin e certifikuesit të gjendjes ekonomiko-financiare të vendit. Është një detyrë funksionale që të njihemi me llogaritë ekonomiko-financiare të vendit. Një pjesë e saj ka filluar me programin FSAP, pjesa tjetër do të vazhdojë me misionin e FMN-së në shtator. Njëkohësisht qeveria mund të marrë dhe është e mirëpritur të marrë, çdo agjenci që e gjykon të arsyeshme.

E rëndësishme është angazhimi i Qeverisë për të ndërtuar një infrastrukturë të qartë funksionale, transparente në lidhje me inventarizimin dhe pagesën e të quajturve detyrime.

Ne si bankë qendrore shprehim gjithmonë angazhimin tonë maksimal sepse në fund të fundit jemi ne, Qeveria Shqiptare, Banka e Shqipërisë, agjentët shqiptarë të cilët furnizojnë me të dhëna këto agjenci, të cilat bëjnë verifikimet e të dhënave.